-Me rastin e 5 vjetorit të ndarjes nga jeta të Xhiko Gjonbrataj-
Ndonëse në raste të rralla, por ndodh edhe kështu, që nuset të mos i respektojnë vjehrrat e tyre, t’i shajnë, t’i urrejnë kur janë gjallë dhe jo më që t’i kujtojnë pasi ato të jenë ndarë nga jeta. Por kjo nuk është e përgjithshme, pasi varet si nga vjehrrat ashtu edhe nga nuset e djemve të tyre, varet shumë nga edukimi që nuset kanë marrë në familjet e tyre, pra nga nëna, por nuk mjafton vetëm kaq, varet edhe çfarë vjehrre gjen atje ku shkon nuse. Nëse bashkëshortin në shumicën e rasteve vajzat e zgjedhin, jo detyrimisht kanë zgjedhë edhe vjehrrën dhe njerëzit më të afërt të bashkëshortit. Kur këto të dyja puqen, atëherë nuk ka arsye që vjehrra përse të mos të bëhet nënë e dytë, ashtu si edhe për vjehrrën nusja t’i bëhet si vajza e saj.
Një gjë e tillë më ka ndodhë edhe mua, autoren e këtij shkrimi, Xhuljeta, bashkëshortja e Bashkim Gjonbratit. Siç mund ta dini unë jam me origjinë nga Gusmari i Kurveleshit nga një fis i dëgjuar me mbiemrin Bardhi, e lindur dhe e rritur në Kuçovë nga prindërit e mi, Refat e Bejkë. Unë u martova me Bashkimin në vitin 1972. Dasmën e bëmë në Kuçovë, ku ishin shumë nga njerëzit e Bashkimit dhe të fisit të tij. Në fshatin e bashkëshortit në Kallarat shkova më vonë pas dasmës. Ashtu si çdo nuse edhe unë, gjeta në Kallarat vjehrrën time, nënë Xhikon (pasi unë nuk i thirra asnjëherë asaj vjehrrë, përveçse nënë) . Për herë të parë unë e njoha atë gjatë bërjes së fejesës dhe që në kontaktin e parë unë pashë te ajo tiparet e një gruaje të urtë, të dashur dhe të respektuar.
Më kujtohet si sot, 42 vjet më parë kur erdha për herë të parë në Kallarat, kur zbrita nga autobusi i Kuçit, jo në qendër të tij si zakonisht, por afër shtëpisë së dajo Salos, për arsye se po rindërtohej ura e Morrzës. Aty kishin dalë e më prisnin kunetërit e të afërm të familjes. Megjithëse shkelja për herë të parë, jo vetëm në këtë fshat, por edhe krejt në zonën e Lumit të Vlorës, u mahnita nga natyra e bukur e këtij fshati e sidomos nga njerëzit e tij. Nga momenti i zbritjes nga autobusi deri në mbërritjen në shtëpi në Qafë të Rrepeve m’u deshën disa minuta të shkoja mes për mes rrepeve shekullorë, të ndaleshim te burimi e të pinim ujë e më vonë të ngjiteshim tatëpjetë deri sa mbërritën në shtëpi. Aty gjeta një pritje që i bëhet çdo nuseje që vjen për herë të parë, aq më tepër që vija nga qyteti. Si e tillë m’u desh pak kohë të ambientohesha me shtëpinë, me njerëzit me natyrën. Pak nga pak u bëra dhe e ndjeva veten si kur kisha lindur atje. Unë aty gjeta vjehrrin Muçon, vjehrrën, nënë Xhikon dhe kunetërit, Përparimin, Laverin, Pëllumbin, Bastriun, Besnikun e të tjerë të afërm.
Megjithëse e ndrojtur si çdo nuse, fillimisht isha e emocionuar, por pritja që më bëri vjehrri, i cili ishte një burrë me mjaft vlera, aq më tepër e paharrueshme për ato ditë ishin sjelljet e nënë Xhikos, ishin të pashlyeshme dhe ma lehtësuan të qenurit nuse e re dhe që vija nga qyteti me disa zakone disi më ndryshe.
Duke qenë nusja e parë, pasi më vonë erdhën Labika, Leta, Lina, Asimeja e Liza, unë lidhjet me nënë Xhikon i pata kurdoherë të sinqerta e të ngrohta. Ajo më trajtonte tamam sikur të isha vajza e saj, por edhe unë e konsideroja si nënë, pasi edukata që më kishte dhënë nëna ime Bejka ishte e tillë që ta doja dhe respektoja vjehrrën. Nëse ti – më thoshte ajo – nuk do ta duash e ta respektosh vjehrrën, si do të vijë nëse edhe nuset e vëllezërve të tu me të cilët unë jetoj nuk do të më donin e respektonin?
Siç dihet nënë Xhikua nuk kishte vajza kështu që unë, ashtu si edhe nuset e tjera më vonë do të bëheshin njëkohësisht nuse dhe vajzat e saj, dhe jo pak por gjashtë të tilla.
Nënë Xhikua për aq sa jetoi, pasi vjehrri u nda nga jeta më përpara dhe ju desh pikërisht kësaj gruaje që t’i shërbente gati katër vjet ku ai ishte i paralizuar, ishte dhe mbeti për të gjithë ne një grua tepër fisnike. Ajo ishte grua e rrallë që për shumë vite u shërbeu të gjithë meshkujve të saj shtëpie, mbajti vjehrrën e saj nënë Hatixhenë, edhe kjo e paralizuar për një kohë të gjatë, duke punuar, gatuar, larë shërbyer, dhe duke mbajtur edhe ekonominë e bagëtitë. Një grua si ajo, edhe pse në gjendje shëndetësore jo gjithmonë të mirë, por në sajë të vullnetit mundi të kryente me nder të gjitha punët e shtëpisë, të priste e të përcillte të afërm, miq e shokë në shtëpi, e cila ishte bërë për atë kohë si edhe shumë shtëpi kallaratase, pritëse për këdo të huaj. Sot kur shkojmë në Kallarat së bashku me Bashkimin dhe vajzën tonë Armezën, dhe që patjetër do të shkojmë te shtëpia e vjetër në Qafë të Rrepeve, së cilës i kanë ngelë të katër muret, shikon dhe habitesh si ka mundësi në kaq pak metra katrorë të kenë jetuar kaq njerëz!. Si ka mundësi që në kaq pak vend të jenë rritur gjashtë fëmijë, të jenë pritur miq e të afërm, të jenë bërë dasma e të jenë pritur e përcjellë nuset e djemve! Por mbi të gjitha të shkon ndërmend, si ka mundësi që kjo grua e rrallë të lante e gatuante e të shërbente duke marrë ujin te burimi gati 1 km dhe me tatëpjetë! Sot duke pasur edhe kushtet shumë më të mira edhe për ata që jetojnë në fshat, pa le në qytet, nuk mund ta besosh. Por ja që gra të asaj kohe si nënë Xhikua dhe plot gra, nëna, nuse e vajza të këtij fshati të dëgjuar kanë sakrifikuar shumë në rritjen dhe edukimin e fëmijëve të tyrre.
Por nënë Xhikua, ashtu siç përballonte punët e shtëpisë, diti të përballonte edhe detyrat shoqërore, në parti, në organizatën e gruas, të frontit e kudo tjetër. Për vetë kohën që jetoi ajo ishte një grua fjalëpaktë, punëtore, e pastër e mikpritëse. I vetmi peng i saj ishte që nuk kishte pasur një vajzë, por që të tilla iu bënë nuset e në mënyrë të veçantë mbesat. E pa harruar për të ngelej Mira të cilën e rriti, e edukoi dhe e shkolloi, por që në fund u prek shumë për shkak të ndarjes para kohe të saj. Iu desh të përballonte këtë humbje të saj dhe të rriste edhe dy fëmijët e saj Kjarën dhe Mirandin. Ajo ishte shumë e kënaqur me të gjitha krushqitë që kishte bërë, si në Kuçovë, Dibër, Kuç, Bolenë dhe në Kallarat. Nëse e pyesja ndonjëherë se kë do më shumë nga djemtë, Bashkimin, Përparimin, Laverin, Pëllumbin, Bastriun apo Besnikun, përgjigja e saj do të ishte të gjithë njësoj. Po kështu edhe për nuset nuk diti njëherë që të veçonte ndonjërën. Fjalët më të mira për të gjitha, për mua, Letën, Linën, Asimenë, Lizën dhe për Labikën, e cila duhet veçuar që ka merita më shumë se të gjitha kunatat e tjera, pasi ishte ajo që i shërbeu për një kohët tepër të gjatë.
Nënë Xhikua u nda nga jeta në mars të vitit 2009, duke ikur e kënaqur dhe duke i lënë të gjithë djemtë, nuset, nipërit e mbesat shumë mirë, veç vetëm me një brengë, atë për Mirandën.
Amaneti i saj i fundit ishte: “Të jeni bashkë, të shkoni me njeri-tjetrin si vëllezër, si kunata dhe me të gjithë të afërmit dhe çdo njeri tjetër në Kallarat e gjetkë”. Ky është dhe duhet të jetë mesazh për këdo “Ta duam njëri-tjetrin, se jeta aq sa e gjatë, aq edhe e shkurtër është”.
Sa herë që shkoj në fshat, patjetër që do të shkoj edhe në varreza për të vendosur një tufë lule kësaj gruaje të rrallë e fisnike, ashtu siç ve lule edhe për vjehrrin dhe patjetër për Mirën e paharruar.
Sot, që po mbushen pesë vjet nga ndarja nga jeta, e kujtojmë nënë Xhikon të gjithë, si një grua me mjaft vlera. E kujtojnë djemtë në radhë të parë, ne nuset, nipërit dhe mbesat, por me siguri edhe të gjithë të afërmit e saj dhe bashkëfshatarët e saj kallaratas.
I pa harruar kujtimi i Saj. E kujtofshim për herë si një grua, nënë, vjehrrë dhe gjyshe shumë të mirë.
Xhuljeta Gjonbrataj, nusja.
Botuar ne gazeten Kallarati, Nr. 73