Meçan Selami (QEJVANI) 1892-1965
Lindi në Kallarat. Pas mbarimit të shkollës fillore të Muradies në Vlorë, me porosi të Ismail Qemalit dërgohet në Korfuz për shkollim të mëtejshëm, bashkë me Halim Xhelon, si nxënës të shkëlqyer. Të mëkuar me ndjenja atdhetare, bashkë me Halimin më 1911 kthehen në atdhe dhe bashkohen me çetat e lirisë në luftë kundër pushtuesve turq. Merr pjesë në ngritjen e Flamurit dhe shpalljen e Pavarësisë më 1912 në Vlorë. Një nga mësuesit e parë të shkollës shqipe në krahnë. Mesuesi i pare ne Vranisht.. Pjesëmarrës i qëndresës së kallaratasve kundër bandave shoviniste greke më 1913-14.
Më 1919 është midis atyre që rrëzuan flamurin italian dhe ngritën flamur në shkollën e Kallaratit, akt për të cilin u arrestua dhe u internua në Itali. Anëtar i shoqërisë “Shtizat e Qytetërimit” dhe “Mbrojtja shkollore”, që drejtohej nga shoku i tij Halim Xhelua. Në Luftën e Vlorës më 1920 ishte sekretar i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare” që kryesohej nga Osman Haxhiu, dhe delegat në Kongresin e Lushnjës. Pas vitit 1920 vijon mësimdhënien në shkollat e Bregdetit. Pjesëmarrës i Revolucionit Demokratiko-Borgjez të Qershorit. Si antizogist, merr pjesë në Lëvizjen e Fierit më 1935. Më 1941–42 caktohet kryetar komune në Gostivar. Me fillimin e Lëvizjes Antifashiste, kthehet në vendlindje. Kryetar i këshillit antifashist nacionalçlirimtar të Kallaratit deri në mbarim të Luftës.
Për veprimtarinë atdhetare, është dekoruar nga Kuvendi Popullor me një numër medaljesh e urdhrash, ndër to edhe me medaljen “Për Shërbime Patriotike”.
Marre nga Libri “Enciklopedia e Kurveleshit”
______________________________________________________________________
Telha ZHIBAJ (1892-1965).
Mësues, pjesëmarrës në Kongresin e Labërisë. Ndoqi shkollën fillore shqip-turqisht (mejtep) në qytetin e Vlorës. Mori pjesë në çetën e fshatit kundër andartëve gekë në vitin 1914. Në vitin 1916, në shtëpinë e Dushan Seitit hapi kurse për mësimin e shkronjave shqipe për fëmijët e fshatit. Po këtë vit hapi shkollën shqipe në Peshkëpi. Si mësues ka punuar edhe në Nivicë, Zhulat, pjesëmarrës në Kuvendin e Labërisë në Kuç në vitin 1924. U lidh me LANÇ. U burgos nga fashistë italianë në burgjet e Vlorës e të Tiranës. (Xh. Ç)
Marre nga Libri “Enciklopedia e Kurveleshit”
______________________________________________________________________
Prof.dr.Rami MEMUSHAJ (Pedagog, autor librash),
U lind në Kallarat më 1943. Përfundoi studimet e larta në UT (1968) për gjuhë shqipe. Ka bërë disa specializime pranë Universitetit të Berklit në SHBA (1992-1993), të Roskildes në Danimarkë (1993) e të Bremenit në Gjermani (1995). Ka punuar si mësues dhe si drejtor para dhe pas diplomimit në Gjorm, Vranisht, Bolenë, Vajzë dhe Llakatund. Prej shtatorit 1974 filloi punën si pedagog në katedrën e gjuhës shqipe të UT, ku vijon të punojë deri më sot. Gjatë kësaj kohe ka shërbyer si lektor i shqipes në Universitetin e Gjuhëve të Huaja të Pekinit (1989-1991) dhe të Palermos (1998-2000). Ka mbajtur leksione edhe në universitete europiane e amerikane. Ndihmesat e tij kryesore me botime janë në fushën e gjuhësisë. Po, përveç këtyre, ka kontribuar edhe me shkrime, artikuj e libra në fushën e historisë së krahinës së Labërisë dhe të Kurveleshit. Nga këto, vlejnë për t’u përmendur librat “Himara në dritën e të dhënave historike, gjuhësore dhe etnologjike” (2003) dhe “Histori e Kurveleshit, I” (2004). (Xh. Ç.)
Marre nga Libri “Enciklopedia e Kurvleshit”
______________________________________________________________________