A MUND TË DALË PARA GJYQIT BERISHA?

Nga Petrit Qejvani

 

 

 

 

Kjo pyetje dyshuese mendoj se mund të bëhet sot, jo aq si shprehje e kërkesës per ndëshkimin e korrupsionit qeveritar nga ndërkombëtarët (ndonëse ata ngulin këmbë për këtë) sesa si dëshirë e shumicës së shqiptarëve të vjedhur dhe poshtëruar nga qeverisja arrogante dhe hajdute e Berishës.

 

Pra, në parim, as që vihet në dyshim dalja e tij para gjyqit, pasi para drejtësisë duhet të dalë gjithkush, që dyshohet për krime, për shkelje të ligjit, aq më shumë  kur akuzohesh për më tepër se një krim.

 

Para gjyqit nuk dalin vetëm diktatorët, por edhe ata vetëm  sa kohë janë në pushtet. Por  edhe në rastin konkret Berisha duhet të përballet me drejtësinë. Të paktën të dëshmojë para saj, sidomos për Gërdecin e famshëm dhe vrasjen e demostruesve paqësorë më 21 janar 2011. Ndërsa disa media e kanë artikuluar qartë këtë, (ndoshta dhe për ta nxitur drejtësinë e korruptuar dhe të tulatur shqiptare para politikës,) maxhoranca politike as që ka lënë të nënkuptohet se mund të ndodhë një gjë ë tillë. Nëse është taktikë apo jo, kjo, jo larg, ka për t’u kuptuar.

 

Këtë shqetësim shpreh edhe akademiku Rexhep Qosja në një intervistë për “Gazetën shqiptare”. Duke qenë i bindur se korrupsioni nuk mund të luftohet pa dënuar Berishën si “baba” të korrupsionit në Shqipëri, më poshtë deklaron se maxhoranca duhet të ketë kujdes dhe e lidh këtë me fjalorin arrogant të Berishës dhe kryetarit kukull të opozitës Basha si dhe me një deklaratë të Berluskonit ( mik i Berishës) se, “po të arrestohem unë, në Itali do ketë revolucion!” Dhe ,pasi thotë se në Itali një fjali (shprehje) e tillë është një deklaratë komike, në Shqipëri “nuk është liruar prej ngjyresash”. Pra, në Shqipëri edhe mund të ndodhë diçka si “revolucion”!…

 

Që kjo është diçka e komplikuar në Shqipëri, s’ka asnjë dyshim. Por që Berisha duhet ndëshkuar për ato zullume që ka bërë qysh prej 1996, kur përgjaku zgjedhjet e 26 majit dhe ndëkombëtarët ( më saktë amerikanët) nuk e pranuan rezultatin e manipuluar  e me radhë sulmin mbi institucionet e shtetit më 1998, që detyruan kryeministrin frikacak socialist Fatos Nano të braktiste detyrën e të arratisej në Maqedoni ( në vend që t’i ndëshkonte puçistët) e deri te Gërdeci dhe 21 janari i përgjakur, edhe kjo nuk ka dyshim.

 

Natyrisht në fillim duhet të dalin para drejtësisë leitnantët e tij, pastaj kapoja i tyre. Por kjo do lartësi morale dhe guxim pej gjykatave, të cilat ai i ka korruptuar  dhe frikësuar qëllimisht, kur ishte në pushtet. Berisha vepron kështu pasi nuk është ndëshkuar për zullumet që ka bërë.

 

Ai i përbuz gjykatat, sepse përbuz drejtësinë, pasi ka frikë prej saj. Kështu ka vepruar ai edhe kur ishte në opozitë me rastin e gjyqit për  vrasjen e Azem Hajdarit, kur nuk u paraqit asnjeherë në gjykatë për të dhënë shpjegime për deklaratat kontradiktore për këtë vrasje. Ai deklaronte se nuk i njihte këto gjykata, se ato ishin të politizuara, ndonëse prokuror u caktua një i huaj.

 

Prandaj si akt i parë drejt gjykimit të tij të jetë çuarja e tij para drejtësisë me forcë ( ai vet nuk shkon, sepse i duket fyerje kjo për mentalitetin e tij feudal) me statusin e dëshmitarit për ta kuptuar më në fund se është vdekatar dhe i ndëshkueshëm  si gjithë të tjerët. (Të mos harrjmë se para prokurorit doli dhe presidenti i famshëm Bill Klinton. Dhe përse? Jo për krime, por  për nje histori të supozuar dashurie). Dhe këtë duhet t’ia garantojë gjykatës maxhoranca politike. Sa për atë që, nëse ndëshkohet ai mund të ketë (?!) një revolucion, kjo s’ka për të ndodhur kurrë, pasi revolucioni u bë më 23 qershor dhe e rrëzoi nga pushteti pët t’i hapur rrugë edhe ndëshkimit ligjor.

 

 

Askush nuk vlen sa Shqipëria! Me këtë rast mund të ketë ndoshta një tentativë për kudërrevolucion! Një mision ky i pamundur. Revolucionet e suksesshëm i bëjnë shumicat dhe jo pakicat, aq më tepër pakicat amorale dhe të manipuluara. Paraqitja e politikanëve të lartë para drejtësisë është një akt i domosdoshëm për rimëkëmbjen e drejtësisë servile dhe frikacake shqiptare. Ai është tregues se shteti i së drejtës, aq shumë i reklamuar në Shqipëri, më në fund po konsolidohet.

 

Dhe unë jam i bindur se,veçanërisht dalja e Berishës para togave të zeza do të shënojë fillimin e konsolidimit të shtetit ligjor dhe afirmimit të pavarësisë se sistemit gjyqsor. Pasi ai është simboli i korrupsionit dhe krimit të organizuar, simbol i “trimërisë” antiligjore. Atëhere do tremben dhe “trimat” hajdutë të politikës. Atëhere do ta kuptojmë sa mirë i kemi shërbyer Shqipërisë dhe shqiptarëve. Atehere Shqipëria do të bëhet një shtet normal, larg frymës së konfliketeve te thella dhe destruktivitetit permanent, që e ka sfilitur këtë vend.

 

Si për fundim, dalja e Berishës para drejtësisë është jo vetëm e mundur në parim, por edhe e domosdoshme si fakt për normalizimin e jetës politike dhe shoqërore në Shqipëri, për shëndoshjen e demokracisë shqiptare. Prandaj asnjë frikë apo drojë për ndëshkimin e tij. Ndryshe do të thotë që ka një aleancë të pashpallur midis palëve politike për mos ndëshkim reciprok pas alternimeve të pushtetit.

 

 

Next Post

MBROJTJA NGA KONAVIRUSI, DETYRË E SHËNDETËSISË, POR MË TEPËR DETYRË E VETË QYTETARËVE.

Mër Pri 8 , 2020
– Intervistë me mjekun anestezist reanimator të Spitalit Rajonal të Vlorës, zotin Edmond Breshanaj- Koranavirusi COVID-19, tashmë është temë e ditës, orës, minutës dhe sekondës. Është temë e ditës për çdo shtet të madh apo të vogël, i pasur apo i varfër, për çdo organizëm ndërkombëtar, për çdo individ i […]