A PO E BRAKTISIN AMERIKANËT BERISHËN? Nga Petrit Qejvani


PetritQejvaniA do ta mbështesin më këtej e tutje amerikanët Berishën? Kjo pyetje ka filluar të bëhet shpesh pas deklaratës së ambasadës amerikane se vendimi i gjykatës së Tiranës për vrasjet e 21 Janarit ishte tronditës dhe se ai minonte besimin e shqiptarëve te drejtësia. Por sidomos pas memos së qeverisë amerikane për qeverinë shqiptare. Që t’i japim një përgjigje sado të përafërt kësaj, është e nevojshme të’i bëjmë një përshkrim  të shkurtër qeverisjes dymandatore të  Berishës  “së dytë”.                                        

Berisha është në pushtet prej vitit 2005 së paku për tre arsye: e para, për shkak të aftësive  të tij të rralla manipuluese (jo thjesht të votave), por për shkak të aftësive gjithashtu për të manipuluar opinionin publik si dhe  ndërkombëtarët. E dyta, për shkak të gabimeve, mefshtësisë dhe rënies në grackat “proceduriale” të Berishës të  opozitës socialiste (rasti i ndryshimeve fatale kushtetuese të viti 2008) si dhe, e treta, për shkak të përkrahjes  së tij  prej ndërkombëtarëvë, amerikanëve dhe europianëve. Dhe kjo e fundit nuk është hipotetike. Mjaftojnë dy prova prej 2009 e këtej si moshapja e kutive të votimit ( me gjithë provat e pakundërshtueshme të manipulimit si rasti i Ruzhdies ku vetëm në një fshat gjenden 300 vota më tëpër se numri i banorëve(!) që zgjedhjet të quheshin të manipuluara) dhe odiseja qesharake  e ambasadorëve të trojkës nga selitë e PD e PS deri te darka e “Krokodilit”, kur këmbënguljes butaforike të ndërkombëtarëve Berisha i përgjigjej me “respektimin” e kushtetutës dhe ligjit, që gjoja “pengonin” hapjen e kutive, ku flinte “lepuri i pushtetit”.

 

Sikur të mos mjaftonte kjo, ndërkombëtarët, në një farsë të vërtetë në sy të gjithë botës, pranuan 2 vjet më von, po me “procedurë”, vjedhjen e mandatit të Tiranës, ku ishin  edhe vet aktorë. Kaq do të ishte jo vetëm e mjaftueshme, por edhe e tepërt për t’u bindur pa asnjë hezitim se ndërkombëtarë ishin investuar në krah të Berishës. Dhe jo vetëm ambasadorët, sikurse u tha rëndom nëpër mediet e shkruara dhe elektronike o për shkak të naivitetit, o për shkak të servilizmit. Pas  tyre ishin shtetet apo organizmat që ata përfqësonin.

 

I mësuar me lëshime të vazhdueshme, pikërisht kur duhej të ndëshkohej, Berisha me të drejtë, kur ndërkombëtarët i bëjnë qoftë dhe  një kritikë, i injoron dhe refuzon si t’i ketë vartës të tij. Pasi i ka përdorur, Berisha i përbuz. Ka shumë të ngjarë që ata ai i ka korruptuar. Në këtë rast turpi është i ndërkombëtarëve.Të mos njohësh cili është Berisha pas kaq provave ekzemplare si vjedhjet e zgjedhjeve të 2009 dhe 2011, tragjedisë së Gërdecit apo të 21 janarit 2011,( pa harruar ngjarjet e 1996-1997) do të thotë ose të jesh budalla (jo naiv) ose të jesh i shitur, apo i blerë nga Berisha.    Këtu dalin disa hipoteza apo hamendje që mund t’i bëjmë me plot të drejtë: Cilat janë “arsyet” që ndërkombëtarët (në këtë rast amerikanët) e kanë toleruar kaq shumë Berishën? Mund të ketë shumë, por ne po rreshtojmë disa. Ë para, që ata nuk e njohin sa duhet realitetin shqiptar ( e pabesueshme për shkak të informacioneve shumëformëshe që  ndërkombëtarët kanë për Shqipërinë). Kjo si rrjedhojë e burimeve të shumta të organizmave legale që operojnë në Shqipëri, si ato ekonomike, politike, shoqërore, diplomatike dhe, në fund, agjenturore. (kjo nuk është një gjë e paditur) Pra, kjo hipotezë bie. Ë dyta, për nivelin e demokracisë shqiptare  Berisha është më i miri, sipas tyre, duke i quajtur nën zë shqiptarët qytetarë të dorës së dytë dhe,  ndoshta, jo pa të drejtë. Ë treta se, duke qënë nga veriu, ai i dominon më lehtë faktorin shqiptar në Ballkan ( duan të thonë disa se ai mund të destabilizojë rajonin(!?) Për mua e pamundur. Këtu vlen të hiqet një paralele me një ngjarje të viteve ‘63-’64, kur shpërthyen luftimet midis grekëvë dhe turqve të Qipros, për shkak se qeveria qipriote dhe greke vendosën të cungonin të drejtat e pakicës turke, ndërsa në luftë ishte gati të futej Turqia dhe për këtë u desh ndërhyrja e presidentit të SHBA-së Lindon Xhonson, që iu drejtuar grekëve nëpërmjet ambasadorit të tyre në Uashington, ku i tha shprehimisht: “Amerika është një elefant.Greqia është një plesht.Qiproja është një plesht.” Mesazhi ishte : mos ë zemëroni elefanti se ë dini c’ju pret. (Besoj  kuptohet vet c’është Berisha dhe Shqipëria për SHBA). Dhe  e katërta, duhet ta themi edhe këtë, nuk shohin (së paku nuk kanë parë deri tani) një alternativë bindëse te opozita dhe lideri i saj. Më ne fund edhe për një shkak tjetër: ai i ka korruptuar ndërkombëtarët. A nuk harxhon ai miliona nga paret e shqiptareve për të zbukuruar imazhin e tij në departamentin e shtetit deri te presidenti Obama me lobimet e vëllezërve Podesta? C’t”i bësh, në kapitalizëm blihen të gjitha!

 

Megjithatë edhe këtu nuk mund të mos shtrohet një pyetj: Pse amerikanët edhe e kritikojnë, edhe e përkrahin Berishën, edhe i japin ndonjë shuplakë, edhe e mbajnë përsëri? Këtë e dinë ata, por duhet ta dinë edhe shqiptarët e, patjetër, opozita. Por duket se kjo mbështetje e ndërkombëtarëve, e vecmas e amerikanëve, ka filluar të lëkundet. Së paku që nga vizita e zonjës Klinton në Tiranë dhe fjalës së saj në Kuvënd, ku ajo kërkoi fare hapur, pa diplomaci që të bëhen zgjedhje të lira e të ndershme, të vendoset shteti ligjor, të luftohet korrupsioni dhe.. të ndëshkohen të korruptuarit, akuza këto të drejtpërdrejta mbi qeverinë..Por ajo do lëkundej më fort pas vendimit kriminal të gjykatës së Tiranës per 21 janarin me logjikën nastradineske se viktimat i kanë vrarë të pandehurit, por nuk i njihnin(!) dhe prandaj “s’quhen vrasje”!…Në rastin më të mirë ky trup gjykues duhet të “zgjedhë” midis burgut dhe psikiatrisë! 

 

Deklaratës së ambasadës amerikane se “është tronditur nga ky vendim dhe se kjo minon besimin e shqiptarëve te drejtësia ( besim ky i minuar me kohë) Berisha dhe sejmenët e tij nga gjykata në ministri të drejtësisë e deri te ca papagaj të parlamentit, iu përgjigj me fodullëk se amerikanët nuk duhet të futin hundët në punët e gjykatave “të pavarura” shqiptare. Në mënyrë mjerane zyrtarët e korruptur të Berishës i japin “leksione” demokracie kampionëve të demokracisë.. Sikur të mos mjaftonte kjo, vjen dhe një memo e qeverisë amerikane, kësaj here jo diplomatike, por në stilin e vërtetë amerikan, ku diplomacia dhe forca shkrihen në një, duke kërcënuar qeverinë “trime” të Tiranës të jetë e kujdesshme në deklarata (të karakterit nacionalist) se pastaj do ta ndëshkojmë publikisht. Dhe Berisha në atmosferën e etheve “nacinaliste” për shkak të zgjedhjeve (cfarë nacionalizmi kur shet detin e vendit tend?) iu përgjigj sipas parimit revolucionar “flakë për flakë” memos se ne jemi nacionalistë si qytetarë dhe qeveri, por me një nacionalizëm fisnik, që s’kërkojmë ndryshim kufijsh. Vini re, vendos qytetarët përpara për t’i patur “me vete” si “patriot”, që (s”)është.

 

 Pra kemi dy reagime, njera ë ambasadorit dhe tjetra e qeverisë amerikane. Nëse reagimi i qeverisë së SHBA me anë të momos është më i qartë, për reagimin ë ambasadorit normalisht bëhet një pyetje: pse e bëri këtë pikërisht tani ambasadori amerikan? Mos e ndjeu se, pas qëndrimeve shpesh të pavendosura apo me dy faqe për cështje të nxehta si ai ajo e Gerdecit apo edhe e 21 Janarit, ku amerikanët në një farë mënyre ishte të “implikuar” për shkak të deklaratave të shpeshta se këtyre proceseve do t’u shkohet deri në fund dhe degradimit të tyre, reputacioni prej garanti i ambasadës amerikane dhe ambsadorit  për ndëshkim  e fajtorëve dhe për drejtësi po komprometohej para syve të opinionit publik, para shqiptarëve? Aq më shumë që për 21 Janarin amerikanët morën përsipër ekspertizën për zbardhjen e autorëve të vrasjes. Ndërsa gjykatat shqiptare ( në fakt Berisha) e hodhën poshtë atë ekspertizë si letër higjenike, sic kishte bërë më parë me New York Times për Gërdecin. Mirëpo amerikanët nuk mund të durojnë që edhe t’i bësh priftërinj, edhe t’u rruash mjekrën. Tani shtrohet pyetja sa do vazhdojë kjo “trimëri” e Berishës dhe përplasja e tij me amerikanët? Le të presim.

 

Por një gjë është e sigurtë si buka që hamë se, po e patën seriozisht amerikanët, Berisha është përfundimisht i humbur. Amerika me të drejtën e vendit më të fuqishëm demokratik në botë i kërkon llogari edhe Putinit për deformimet e demokracisë dhe as që e ka në listë Berishën. Për këtë ne shqiptarët duhet të jemi esëll, sepse shpesh ne, duke parë takimet e përditshme të ambasadorit amerikan me përfaqësues të ndryshëm të politikës, na duket se Amerika merret me ne nga mëngjesi në darkë! Kurse  me ne, në të vërtetë, merret ndonjë zëvendësndihmës i  zëvendësndihmësit të njerit prej zëvendësave të sekretarit të shtetit të SHBA-së!…

 

Berisha si tip politikani, për shkak të inercisë së madhe që ka dhe amokut për pushtet, ka treguar që nuk di të tërhiqet pas, megjithëse nuk i mungon inteligjenca. Por në fund është rrëzuar (si më 1997). Përgjithësisht ai, si politikan dhe si njeri, nuk nxjerr mësime nga pësimet, sepse pasojat e pësimeve ua shkarkon kundërshtarëve. Por edhe se nuk është ndëshkuar për fajet e bëra. Mbetet të shohim si do të rrjedhin ngjarjet deri në zgjedhje dhe c’qëndrim do mbajnë amerikanët ndaj zgjedhjeve, të cilat pa dyshim do jenë të manipuluara, pasi Berisha që tani, me “procedurë” po përgatit vjedhjen e “ligjshme” të zgjedhjeve.. A  do t’ia heqin ata Berishës  patericën, që sapo kanë filluat t’ia lëkundin?!..Të shohim…

 

Ps Citimi i presidentit Lindon Xhonson eshte sipas librit “Histori e permbledhur e Greqise” me autor Richard Clogg, Toena,Tirane 2004, faqe159.


Marre nga faqja personale ne facebook e Petrit Qejvanit

Next Post

Mbi çështjen e "varreve të ushtarëve grekë". Nga Rami Memushaj

Mër Shk 20 , 2013
BLOG | 15 SHKURT, 2013 – 10:44 | NGA RAMI MEMUSHAJ.  Ka disa vjet që çështja e varreve të ushtarëve grekë është bërë shqetësuese për opinionin e gjerë. Qeveritë shqiptare të pas ‘90-s janë dorëzuar para kërkesave të palës greke për të mbjellë gjurmë të helenizmit në tokën shqiptare. Si qeveria socialiste, edhe […]