Tani, në prag të fushatës së ethshme elektorale, është një gjë fare normale që partitë politike të përpunojnë taktikat dhe strategjitë elektorale me synim ardhjen në pushtet, kur janë në opozitë dhe mbajtjen ë pushtetit prej partise (partive) në pushtet. Në këtë kuadër përfshihet dhe krijimi i aleancave të mundshme për garantimin e fitimit të pushtetit prej partive të opozitës dhe mbajtjes së pushtetit prej atyre që e kanë. Kjo në kuptimin e vertetë të fjalës është një betejë pa armë në demokraci. Këtu arma është vota e qytetarit. Dhe objektivi i fushatës është të bindësh qytetarët të votojnë për ty, për partinë tënde. Mirëpo, kur llogaritë për të fituar vetëm nuk të dalin, është e detyrueshme bërja e aleancave me partitë ë tjera opozitare me programe të ngjashme apo të përafërta.
Në këtë situatë është dhe Partia Sociliste prej tetë vitesh në opozitë, jo për shkak të refuzimit të qytetarëve, por për shkak “të kopshtarit që nuk di të vjelë vreshtin”, po të shpreheshim me një metaforë. Pra, për shkak të lidershipit. Interesante është se e majta nuk ka humbur për shkak të votave të pamjaftueshme as më 2005, as më 2009, por për shkak të përçarjes së saj më 2005 dhe dalja më vete e LSI së Ilir Metës. Por dhe per gabime te mepasme, me teper taktike.Maxhoranca aktuale është një maxhorancë artificiale dhe qëndron në këmbë me patericën ë LSI-së.(përveç manipulimeve tashmë të njohura me kutitë që s’u hapën kurrë).
Është vërtet e habitshme dhe e rrallë, kur, në dy votime rresht, vota popullore shkon majtas , ndërsa pushteti djathtas! Kuptohet për faj të lidershipit. Deri tani lideri socialist është treguar një takticien i dobët. Por ndoshta tani janë nxjerrë mësimet e nevojshme. Të ndodhur përballë një Berishe, që pushtetin e ka pasion dominant dhe humbjen ë tij e quan fundin ë botës, gara paraqitet me shumë pikëpyetje. Shto këtu dhe aftësitë e tij të pashtershme për “shpikje” procedurale dhe kurthe “ligjore” pa fund. (Kujto zgjedhjet ë Tiranës 2011).
Në këto rrethana krijimi i aleancave për PS dhe liderin e saj kësaj here ka rëndësi përcaktuese. Nëse herë të tjera ai ka nënvlerësuar aleancat dhe aleatët dhe e ka “pësuar”, kësaj here duket më i kujdesshëm, sepse pësimi do të jetë “fatal” për të dhe nuk të jep mundësi për mësime.
Mirëpo, për shkak pikërisht të kësaj që sapo thamë, ka të ngjarë që nga njëlloj refuzimi dhe arrogance në koalicionet e kaluara, tani të pranojë gjithkë që i afrohet për shkak të pushtetit. E kam fjalën për LSI, për shkak të së cilës PS dhe Rama është në opozitë. Dhe duhet thënë që Rama nuk është deklaruar qartë, ka qënë evaziv kur është pyetur nëse dë të bëjë aleancë me LSI. Duket se këtu Rama është në dilemë, midis llogarive që me LSI e çojnë në pushtet me siguri dhe moralit që i thotë jo..Dikush mund të thotë se ai është politikan dhe se politika është si “ajo” që thotë popoulli dhe moralin e ka gjënë ë fundit që i intereson.. Por në një aleancë të tillë Ramës i bie kauza, që ka ndërtuar këto vite, sidomos nga 21 janari ë këtej. Dhe të mos harrojmë se 21 janari është edhe produkt i akuzave të tij për videon e famshme të Ilir Metës. Ndërkohë natyrshëm bien edhe akuzat për Berishën dhe qeverinë ë tij si të korruptuar dhe shtypës të demokracisë, si vjedhës të pasurisë kombëtare dhe vrasës. Sepse, nëse korrupsioni e ka grryer qeverisjen dhe Shqipërinë, një kontribut “par exellence” ka dhënë Ilir Meta, ose “ai me bllok në dorë”, sikurse shprehej Rama. Nga ana tjetër pallavrat e Metës se ai qëndroi në koalicion për hir të stabilitetit të vendit, sic thotë shpesh , nuk i ha njeri. Ai vërtet krijoi koalicion me Berishën për “stabilitet”, por për stabilitetin e korrupsionit të tij dhe të Berishës. Prandaj një aleancë me të është moralisht e pamundur. Aq më tepër që midis tyre është 21 Janari i përgjakur. Kjo nga pikëpamja morale. Por edhe nga pikëpamja pragmatike Meta është i palexueshëm. Është e vëretë që LSI e ndjen pushtetin si çakejtë kërmat. Por s’ka asnjë siguri se ai nesër nuk “ të lë në baltë”. Piruetat ë tij politike janë 180 gradëshe.
Prandaj nuk e kuptoj si disa “të urtë” apo dhe të tjerë rekomandojnë si të mundshme një aleancë PS-LSI. Bile kjo ide është hedhur kohë më parë nga një gazetar i njohur, i cili e ka artikuluar ashpër dhe “pa etikë” , duke thënë afërsisht të bashkohen gjithë qelbësirat për të rrëzuar Berishën. Dhe Berisha ka luajtur me këtë duke ia faturuar Ramës. Do thonë, po kështu largohet Berisha, si e keqja më e madhe. Jo, kjo është një këshillë e gabuar, të cilën Rama nuk duhet ta dëgjojë. Ka parti të tjera ,veç atyre që tashmë janë deklaruar, me të cilat PS mund të bëjë aleanca si Aleanca Kuq e Zi apo të tjera.
E kuptoj që përballë Berishës ka shumë mërzi dhe urrejtje, ka njerëz shumë të dëshpëruar. E di gjithashtu që taktikisht kështu veprohet, hiqet e keqja më e madhe , pastaj të tjerat. Por te ne e keqja më e madhe ishte e tillë , sepse iu bë mbështetje një ë keqe “e vogël”, LSI dhe Meta. Personalisht jam i mendimit siç e kam shprehur para disa kohesh në një shkrim, se ne shqiptarët duhet të heqim dorë nga zgjedhja jonë shekullore e “të keqes më të vogël”, (karakteristikë e popujve të prapambetur dhe minimalistë) dhe ta shkelmojmë atë si të keqen më të madhe. Vetëm kështu do të vijë më në fund prosperiteti edhe për ne shqiptarët.
Shkruar per bloggun FJALA IME, 3 mars 2013