2013-08-14 në orën 4:06.MD
Ngjarja e Himarës, ku një tufë rrugaçësh shqiptaro-grekë shfrytëzuan një pervjetor vdekjeje aksidentale të një të riu himariot për të hedhur parrulla antishqiptare, ka shkaktuar me të drejtë reagimin qytetar dhe,deri diku, edhe të medias ndërsa mjerisht, mosreagimin e shtetit butaforik shqiptar.
Dhe nuk është hera e parë që Himara prodhon incidente me theks etnik. Dhe kjo sapak për faj të himariotëve, por për shkak të mungesës së autoritetit të shtetit shiptar në këtë zonë pastërtisht shqiptare, me identitet dhe histori të spikatur shqiptare. Por edhe të disa shqiptarëve gjakprishur, të paguar dhe manipuluar nga qarqe antishqiptare në Greqi.
Dhe këtu të jemi të saktë: nuk ështe fjala se këta ushtarë të marrosur të shovinizmit dhe megaliidesë do “marrin” Himarën. Ne këtu gjykojmë frymën, që i frymëzon ata dhe pasivitetin e strukturave shtetërore. Ne nuk themi t’i shpallim luftë Greqisë, por të reagojmë, kur duhet reaguar. Ata nuk duhet mbivlerësuar, por as nënvlerësuar. Si kushdo që shkel ligjet e vndit, edhe ata duhen ndëshkuar.
Në këtë rast ajo që të habit më tepër është reagimi në facebook i kryeministrit pseudopatriot Berisha, i cili, më në fund, kujtohet të deklarojë në fb se në Himarë nuk ka minoritet grek. Sikur këtë deklaratë ta bënte ndonjë qytetar i zakonshëm, do të quhej dicka normale, për shkak se qytetari aq ka në dorë. Mirëpo këtë e bën kryministri i vendit, i cili ende mburret që ka celsat e qeverisë në dorë dhe merr vendime prej të “forti” dhe jokushtetuese me një kokëfortësi provinciale, duke patur “trimërinë” t’i kundërvihet maxhorancës së re, së cilës i thotë të durojë deri në shtator, kur të mblidhet Kuvendi i ri për të dorëzuar celsat e pushtetit…
Ndërsa mbahej ky mort-miting, Berisha disa pashë më tutje lahej në Dhërmi, në përpjekje për të larë gjynahet e tij dhe nuk i dëgjonte thirrjet e tyre live shovnisto-raciste. Dhe policia e tij ndiqte indiferente ceremoninë përkujtimore mortore të shndërruar në një miting antishqiptar.Tamam një vend pa zot!
Ky shtet, së paku në raportet me Greqinë,e ka humbur sovranitetin mbi territorin ë tij, jo vetëm në Himarë, por në krejt jugun shqiptar. Dhe ky është në rastin më të mirë një turp për ata që qeverisin dhe i nxjerr kallajin “patriotizmit” të tyre dhe ‘kryepatriotit” Berisha.(le tëkujtojmë skandalin e 2-3 viteve me pare, kur qytetarë të ndryshëm korcarë drejtoheshin për problemet e tyre te konsulli famëkeq grek, që i manipulonte).
Ai që në 100- vjetorin e shpalljes sëPavarësisë kombëtare foli për Shqipërinë nga “Presheva në Prevezë” nuk “mbron”dot Himarën, edhe kur është kaq pranë saj fizikisht!.. Dhe kjo, për faj të grekëve?!. Por oreksi vjen duke ngrenë.
Grekët janë mësuar me lëshime nga qeveritë shqiptare. Pasi i plotëson orekset për kthimin e Shqipërisë së jugut në një varrezë greke ( në marrëveshje midis dy qeverive u ndërtuan 4 varrezave të ushtarëve grekë në rrethet e Përmetit,Gjirokastrës, Tepelenës) pasi lejon priftërinjtë grekë ose filogrekë të zhvarrosin shqiptarët e vdekur dhe eshtrat e tyre të shiten si eshtra të ushtarëve grekë si në rastin e famshëm të Kosinës, ku kishte dhe eshtra fëmijësh (për këtëu bë zhurmë e madhe, ku dëshmitarët, banorë të fshatit, denoncuan me prova se eshtrat e nxjerra qenë të të parëve të tyre).Për këtë pati dhe një akuzë nga prokuroria, që dha dhe masë dënimi me burg për fajtorët dhe qeveria vasale, nën trysninë e Athinës, ndërhyri te gjykata dhe e degjeneroi këtë gjyq në një farsë.
Dhe më tej. Të lejosh deputetë fashistë grekë apo gjithfarë shovinistësh, që deklarojnë me zë dhe figurë në mes të Himarës se Himara është greke, të lejosh që në ditët e zgjedhjeve të bëjnë propagandë antishqiptare, sic kanë bërë vite më parë dhe të futen në qendrat evotimit (qoftë dhe deputetë të parlamentit grek), duke bërë skandale dhe duke përcarë e coroditur himariotët, kjo besoj nuk ndodh as në ndonjë shtet afrikan.
Ku është parë të vijë tjetri në shtëpinë tënde dhe të guxojë të të shajë? Por kjo ka ardhur gradualisht, pas lëshimesh të njëpasnjëjta nga shteti shqiptar. Kur vjen Kryeministri Karamanlis në Tiranëdhe në konferencën për shtyp me kryeministrin shqiptar Berisha nuk lejohengazetarët të drejtojnë pyetje për Camërinë, nuk besoj se kjo tregon patriotizmin e Berishës! Vjen miku, por ai nuk mund t’u mbyllë gojën të zotëve të shtëpisë.
Dhe patriotizmi kallp i Berishës e arrin kulmin dhe demaskohet keq me faljen apo shitjen (historia do ta thotë përseu bë kjo) e 350 km katror det Greqisë, marrëveshje të cilën e anulloi Gjykata Kushtetuese në një votim historik 9 me 0.
Por historia e lëshimeve të qeverive shqiptare në marrëdhëniet shqiptaro-greke fillon që me pranimin e miratimin e Janullatosit në krye të Kishës “autoqefale” shqiptare, i cili, edhe sipas disa priftërinjve ortodoksë patriotë shqipatë, më tepër se misionar i fesë është misionar i helenizmit në Shqipëri.
Dikur Berisha shante Nanon si filogrek, kur ai nisi bisedimet për varrezat ushtarëve grekë në Shqipëri (ai ra dakord për2 varreza), ndërsa patrioti Berisha e bitisi duke iu lejuar grekëve ndërtimin e 4 varrezave të tilla!..Edhe në rastin e fundit në Himarë Berisha tregon se nuke ka seriozisht me ato që thotë në fb. Kryeministri flet institucionalisht dhejo si një qytetar i zakoshëm.
Neofashistët karagjozë grekë duhej të ndaloheshin të hynin në Shqipëri. Edhe nëse nuk njiheshin si fashistë, kur vepruan si të tillë në ceremoninë në varreza duhej të ndaloheshin dhe, konform ligjeve, të dënoheshin. Ky është shteti, dhe një shtet të tillë duan qytetarët shqiptarë. Një shtet që të mbrojë dinjitetin dhe autoritetin e tij dhe qytetarëve të tij, jo vetem brenda territorittë vet, por edhe jashtë tij, që grekët të mos tallen me shqiptarët në kufi,duke i kthyer mbrapsht, edhe kur i kanë dokumentat në rregull, të mos tallen me pretekstin e toponimeve për t’i lënë fëmijët shqiptarë të lindur në Greqi të mos vijnë në Shqipëri, sepse në pasaporta vendi i lindjes duhet shkruar greqisht(!), kur pasaporta është shqiptare! Edhe kjo është patriotizëm. Patriotizmi nuk është doemos heroizëm .Ai shfaqet përditë. Prandaj ne kemi nevojë për një shtet që të mbrojë qytetarët e vet kudo që ata ndodhen apo jetojnë. Dhe jo një shtet butaforik, që e provokojnë dhe ca rrugacë ordinerë. Dhe që të kemi një shtet të tillë, më parë duhet që të kemi shtetarë patriotë.
Shkruar per Agjensine Kosova Press dhe Shekullin