Nga Luto DEMIRI
Në kohën e sotme njerëzit mund të kenë dy nënshtetësi, por edhe në kohën e kaluar mund të ndodhte të ishe me prejardhje dhe gjendje civile në një fshat të caktuar dhe gjithë aktivitetin familjar e shoqëror e të punës ta bëje në një fshat tjetër, pra “dy nënshtetësi fshati”.Të tilla ishin familjet e vendosura në Pajame, në një zonë ku ndaheshin tre fshatrat, Kuç, Bolenë e Kallarat. Atje jetonon në harmoni të plotë familjet: Mejdiaj e Dautaj (Kalo) nga Kuçi, Memushaj e Qejvanaj nga Kallarati dhe Alikaj e Sadikaj nga Bolena.
Një nga këto familje ishte edhe ajo e Shyqo Sadikaj, i cili u nda nga jeta para ca ditësh në moshën 81 vjeçare. Ai ishte nga Bolena nga fisi i dëgjuar Sadikaj, por në të vërtetë ai dhe familja e tij i përkasin edhe Kallaratit, pasi gjeografikisht më afër ishin me Kallaratin sesa me Bolenën. Por nuk mjafton vetëm kjo, më e rëndësishmja, ai dhe familja e tij ishin të lidhur miqësisht dhe shpirtërisht me kallaratasit, aq sa me tërë kuptimin e fjalës, familja Sadikaj konsiderohet si gjithë familjet e tjera kallaratase. Një jetë të tërë ai familjarisht me bashkëshorten dhe fëmijët do të ishte pjesë e kontributit ndaj Kallaratit, si gjithë familjet e tjera kallaratase. Shyqua me shtëpi ishte në Pajame, rrëzë Kunjovës (atje ku dikur ishte i vendosur fshati jonë), i lidhur ngushtë si me Bolenën bir i së cilës ishte, ashtu me Kuçin, jo vetëm si nip, por edhe komshi i tyre, por më shumë i lidhur me Kallaratin dhe kallaratasit. Çdo shërbim, çdo nevojë, çdo punë, çdo hall, çdo gëzim, ai do ta zgjidhte, kalonte e ndante me kallaratasit. Fëmijët e tij, ashtu si çdo fëmijë kallaratas, ishin nxënës të shkollës 8 – vjeçare “Mumin Selami”‘, të cilët edhe pse bënin disa kilometra rrugë në ditë, do të dallohedhin në mësime e edukatë, si shumë.nxënës të tjerë kallaratas. Kohët e fundit, ai bleu edhe shtëpi në Kallatat afër Qafës së Ubavit, shtëpinë e Qejvane, duke u bërë kështu edhe më kallaratas se sa ishte. Për shumë vite Shyqua punoi në Kallarat. Ai ishte shoferi i parë që mori makinën e parë në Kallarat. Makina e tij VL 4858, përveç angazhimeve në realizimin e detyrave në kooperativë, do të ishte në dipozicion edhe të banorëve të Kallaratit, sa herë që ata kishin nevojë. Në raste urgjente shëndetësore do të përdorej si ambulancë për në spitalin e Vlorës, në raste vakie për transportimin e njerëzve, kur banorët kishin nevojë për ndërtim shtëpie të re, do të transportonte gurë, gëlqere, zhavorr e rërë, kur kishin nevojë për bagëtitë do të transportonte ushqim për to, etj. Por ajo makinë do të përdorej edhe si “taksi” për dasma e fejesa. Kushedi sa nuse, krushq e dasmorë kallaratas kanë hypur në karrocerinë e asaj makine, kushedi në sa vende me rrugë e pa rrugë është ngjitur ajo makinë. Por nuk ishte makina si mjet që i bënte këto mirësira, por shoferi i saj Shyqua, njeri me një zemër të madhe, me një dëshirë për të ndihmuar njerëzit në nevojë,
Ai ishte i papërtuar për të ndihmuar njerëzit, shumë herë duke shkelur edhe rregullat e duke sakrifikuar për veten e tij.
Por Shyqua ishte edhe njëri mjaft shoqëror. Atë do ta gjeje në çdo gëzim, në çdo hidhërim, në çdo nevojë pranë familjeve kallatatase, ashtu si edhe në Bolenën e tij. Ai ishte i kudondodhur, me fjalën e tij, me këshillën e tij, por edhe me kontributin e tij. Fjala e tij kishte peshë, fjala e tij kishte mirësi, fjala e tij kishte dashuri e humor të veçantë. Ai ishte njeri fisnik e bujar, fjalëëmbël e fjalështruar, mikëritës e sofërshtruar. Atë nuk mund ta ndaje e veçoje si i bolenas, jo ai ishte dhe konsiderohej me respekt si gjithë kallaratasit e tjerë.
Shyqua ishte edhe një familjar i mirë. Ai kishte një familje të shkëlqyer. Bashkëshortja e tij, Aspria një grua zonjë, punëtore dhe një mikëprtiëse e rrallë. Fëmijët e tij, Kastrioti, Rushiti, Iliri, Siriu, Liria dhe Zonja në sajë të edukatës së familjes, u bënë të zotë për veten e tyre, por edhe për shoqërinë.
Shyqua u nda nga jeta, kur mund të jetonte akoma me bashkëshorten, u nda nga jeta kur mund të shijonte ende atë me fëmijët, nipërit e mbesat. Ai u nda nga jeta duke lënë si brengë, bashkëshorten e sëmurë. Por ai u largua nga kjo botë duke lënë një kujtim dhe emër të mirë, me të cilin fëmijët duhet të ndihen krenar gjithë jetën.
Shumë ngushëllime, vlerësime e komente familjarët, sidomos fëmijët, kanë marrë gjatë këtyre ditëve në rrjetet sociale, por edhe vizita e ngushëllime në familje, apo pjesëmarrje të gjerë në ditën e përcjelljes së tij, midis të cilëve nuk do të mungonin edhe kallatatasit, ashtu siç edhe Shyqua sa qe gjallë u kish shkuar dhe nuk kish si ndodhte ndryshe.
Por ajo që ne na shtyu për t’i shkruar këto radhë, është respekti ndaj Shyqos si njeri me vlera të veçanta njerëzore, si njeri me virtute të larta burrërie, si njeri me veti të spikatura shoqërore, si njeri me tradita të shkëlqyera familjare.
Këto fjalë e vlerësime për Shyqon, le të shërbejnë si një detyrim moral, si mirënjohje të kontributit të tij personal dhe familjarë ndaj Kallaratit dhe kallaratasve.
Qofsh i paharruar! U prehsh në paqe, miku dhe shoku ynë, Shyqo Sadikaj!
Nga Luto DEMIRI,