Brigada e I “S”, shpresë për popullin, tmerr për armikun Sipas kujtimeve të Dalan Memushit, ish partizanë i Brigadës së Parë Sulmuese.

Në Vithkuq të Korçës, ne fushën e Makrezës, më 15 Gusht 1943, gjashtëdhjetë e tre vjet më parë, u inaugurua Brigada e I “S” e UNÇSH, formacioni i pare i madh i rregullt i UNÇSH, me komandant Mehmet Shehun e komisar Tuk Jakovën. Rreth tribunës së ngritur enkas për ceremoni, të zbukuruar hijshëm me flamur kombëtar e me parulla kushtuar LANÇ, u grumbullua popull i shumtë i ardhur nga qarku i Korçës dhe krahinat fqinje për të marrë pjesë në këtë ngjarje të madhe kushtuar krijimit të Brigadës I “S”. Përballë tribunës u rreshtuan 556 partizanë, ajkë trimash që erdhën nga e gjithë Shqipëria, të inkuadruar në katër batalione pushkatare, një kompani mortajash 81mm, një kompani pushkësh kundër tanke 20mm dhe një bateri artilerie 47/13mm (në shtator 75 mm).

Në orën 10.00 në tribunë zunë vend personalitet qendrore e lokale të LANÇ me në krye Enver Hoxhën, komisar e major Spiro Moisiun. Komandanti i Shtabit të Përgjithshëm nën ovacionin e të pranishmëve hapi ceremoninë me himnin Kombëtar. Spiro Moisiu në emër të Shtabit të Përgjithshëm përshëndeti Brigadën dhe popullin e pranishëm dhe formacionit të madh që u krijua i dorëzoi flamurin luftarak dhe tha: “Ju dorëzoj këtë flamur, ta ngrini gjithmonë lart e ta çoni nga fitorja në fitore”. Në çastin e marrjes në dorëzim të flamurit, komandanti i Brigadës , Mehmet Shehu në emër të efektivit bëri betimin solemn para Shtabit të Përgjithshëm dhe popullit pjesëmarrës në ceremoni, me shprehjen “Betohemi për këtë flamur, do ta mbajmë kurdoherë lart, do të zhvillojmë luftë të paepur kundër fashizmit okupator dhe armiqve të popullit” Pas dorëzimit e marrjes në dorëzim të flamurit luftarak nisën fjalimet . I pari ndër oratorët foli Enver Hoxha që mbaroi ligjëratën drejtuar Brigadës me fjalët “Bëhuni tmerr për armikun dhe shpresë për popullin. Këtë detyrë Brigada e I “S” e kreu me patriotizëm të lartë .

Armatimi vetjak i efektivit të Brigadës ishte i llojeve të ndryshme. Në luftime e beteja me nazifashistët u zëvendësua dhe u perfeksionua me armë të prodhimit italian e kryesisht gjerman. Bateria e artilerisë të Brigadës u zëvendësua me obuza malorë 75/13mm. Në tetor 1943 pranë Brigadës , u formua batalioni “Antonio Gramshi” me vullnetarë ushtarë italianë të Divizionit “Firence”. Në Janar 1944 u formua dhe batalioni i V-të . Kështu efektivi i Brigadës arriti 1500 vetë .

Luftimin e parë të ashpër e të përgjakshëm , Brigada e zhvilloi më 17 Gusht 1943 kundër nazistëve gjermanë, në kthesat e Barmashit të Kolonjës dhe vargu i luftimeve e i betejave të saj nuk u ndërpre. Deri në çlirimin e plotë të Atdheut ato arritën mbi 200, një pjesë e mirë e të cilave përmenden si betejat më të shëndosha të UNÇSh. Të tilla janë: Lufta e Vithkuqit, goditjet e ashpra në Xyrë, në Derven, në rrugën Elbasan-Peqin, luftimet në Mallakastër, Mesaplik, Kurvelesh, Kiçok , Dëshincë, beteja e Tendës së Qypit, operacioni armik i Dimrit 1943-1944, marshimi heroik i tre batalioneve në Veri, në ndihmë të Shtabit të Përgjithshëm në Tomorricë, Dumre, Pogradec, Mokër , operacioni i qershorit 1944, Vërçë, Shpat, Sulovë, tek ura e Moglicës, në Qafën e Gjarpërit, e Gurin e Prerë, Shënbërdhenj, Qafë Dardhë, Çërravë, Gollobordë, Peshkopi, Dibër, Mat, Krujë, Prezë, beteja e ashpër për çlirimin e Tiranës etj.

Brigada e I “S’ përshkoi një rrugë luftarake prej më 2260km , luftoi në 52 krahina të Shqipërisë, duke dalë edhe tej kufijve shtetërorë dhe kudo krijoi imazh të shkëlqyer në popull dhe besim absolut tek ai në fitore, u shkaktoi okupatorëve nazistë dhe kolaboracionistëve humbje të ndjeshme që arrijnë mbi 3500 të vrarë fashisto nazistë, rreth 5000 të plagosur dhe më se dhe më se 4000 robër, duke nxjerrë jashtë luftimit mbi 12000 nazifashistë e kolaboracionistë. Brigada e I “S” i ktheu pozicionet e luftimit në pozicione zjarri e flake që dogjën e përvëluan nazifashistët dhe shërbëtorët e tyre vendës. Rruga e saj luftarake u përflak dhe u skuq me gjakun e mbi 370 dëshmorëve që dhanë jetën heroikisht për çështjen e madhe të çlirimit të Atdheut kundër shkelësve të huaj dhe kolaboracionistëve. Midis të rënëve janë katër komandantë batalioni Gjok Doçi, Xheladin Beqiri (Karadaku), Fejzi Micoli (Vullneti), Tercilio Kardinali, dy komisarë batalioni Myslym Shyri e Leo Dalponte, një zv.komisar batalioni Irakli Tërova, 31 komandantë kompanish. Ndër dëshmorët 76 ishin anëtarë të P.K.SH, ndërsa 1000 partizanë morën plagë plumbi.

Për heroizmin masiv të luftëtarëve të saj, Brigada e I “S” është dekoruar “Hero i popullit” si dhe me urdhra e medalje të tjera. Ndër luftëtarët e saj 14 janë dekoruar “Hero i Popullit” dhe 16 të tjerë kanë merituar gradën e Gjeneralit.

Pas çlirimit Brigada e I”S” si gjithë ushtria e populli e nxorën Shqipërinë nga obskurantizmi mesjetar dhe u arritën suksese të pakonstetueshme, të cilat nuk mund të injorohen, sepse është vetë historia që i dokumenton.

Dalan MEMUSHI

Ish partizan i Brigadës I “S”

Next Post

Rreth prejardhjes së emrit Kallartat, nga Prof. Dr. Rami Memushaj

Sht Gus 4 , 2012
Shpjegimi i prejardhjes së emrave të vendeve është një temë shumë tërheqëse. Një temë të tillë ka hapur edhe gazeta “Kallarati”, e cila u bën thirrje bashkëfshatarëve të shfaqin mendimet e tyre për këtë çështje. Pikërisht, në këtë shkrim synojmë të bëjmë etimologjinë e emrit Kallarat. Shpjegimi i prejardhjes së […]
RamiMemushaj