DASHURIA DHE KUJTIMI PËR GJYSHEN TIME, NËNË FATON.

 

Dashuria për gjyshet nuk ka kufi sa janë gjallë, por edhe kur largohen nga jeta kujtohen edhe me më shumë dashuri, sepse nuk harrohen kollaj përkdheljet e saj. Sado në kushte të mira të jesh rritur, gjyshja vlen në ndonjë rast më shumë edhe se vetë nëna, aq më tepër kur jeta, jo në çdo rast ka qenë ashtu siç duhej të ishte. Vitet e fëmijërisë kushdo i mban mend dhe dashuria e kujdesi i gjyshes nuk harrohet asnjëherë.

E tillë është edhe Lona Hoxhaj, vajza e Njazi Hoxhaj e rritur dhe e përkdhelur që në vogëli nga gjyshja e saj Nënë Fatua, një nënë e urtë dhe e dashur për të gjithë kallaratasit. Një nënë që edhe pse kishte kaluar një jetë plot vuajtje e mundim, por që me shpirtin e saj human e me humorin e saj të rrallë të bënte për vete. Një kafe e bërë nga dora e saj dhe e servisur te klubi i “Shtyfit” të shijonte më shumë se çdo kafe e bërë në klubet më luksoze dhe e servisur nga kamarierët më të mirë. E tillë ishte Nënë Fatua.

Në përvjetorin e tetëmbëdhjetë të ndarjes nga jeta, mbesa e saj Lona Hoxhaj për fejsbukun e shoqatës na dërgon dedikimin e mëposhtëm;

“Edhe pse vitet kalojnë gjyshja ime e mirë më mungon shumë.Të kujtoj me mall kujdesin, durimin dhe qetësinë tënde që na mbajte rreth vetes mua dhe fëmijët e xhaxhit. Me dashuri prisje edhe fëmijët e hallave. Avllia jote ishte plot me fëmijë dhe moshatarë që gjenin ngrohtësi nga fjala jote. Ai Shtufi i lartë plotë me kujtime ku mbysje hallet e tua duke pirë kafe me ata që të respektonin.Të kujtojmë sot: fëmijët e tu, nipër dhe mbesa.

Qofsh i paharruar kujtimi jot o gjyshja ime e mirë nënë Fato – përfundon dedikimin e saj Lona

Edhe kryesia e Shoqatës Kallarati, në këtë përvjetor kujton me respekt e mirënjohje këtë grua, këtë nënë e gjyshe të veçantë. Qoftë i paharruar kujtimi i Saj!
——————
Në kujtesë të nënë Fatos, këtij dedikimi i bashkëngjitim edhe poezinë e poetit të Labërisë, Nertesi Asllanit “NENE ME ZEMER TE MADHE” kushtuar Nënë Fatos, poezi që përmbledh shumë bukur figurën e kësaj nëne labe.

“NËNË ME ZEMËR TË MADHE”

Shtëpisë së vjetër i kërcasin trarët
Dhe muret dalëngadalë po vënë bark
Se nënë Fatua s’duket më te shkallët
Dhe bari zë e rritet rreth e qark.

Oxhak’ i lashtë nxiu e mbeti ftohur
Dhe s’duket tani tymi si turbinë
Mungon ajo që e mbante ngrohur
Dhe prenë vardharin gjithë ata që vinë.

Përpara derës arra rri menduar
Dhe shtufi boshatisur e i vrarë
Rreth e rrotull heshtja është shtruar
Dhe s’duken me të rinj e moshatarë

Nënë Fatua me zemër të madhe
Kurrë s’u lodh e s’u ankua kurrë
Luaneshë qlndroi përmbi halle
Se mbeti vetë grua, vetë burrë.

Kafeja jote e ëmbel kishte duk
Ndaj dera mbetej hapur dil e hyrë
Dhe shtruar përmbi vatër ajo bukë
Më e ëmbla bukë që shtroi kjo nënë e mirë.

Dhe vitet fluturuan pa kuptuar
Një ditë vere papritur mbylli sytë
Dhe mbeti zjarri ndezur, sofra shtruar
Dhe mbeti prapa shembëllimi yt.

Iku Fato Hoxhaj me lezete
Lodhur nga mundimi shumë i gjatë
Cicëronin zogjtë nëpër rrepe
Dhe lulet e verës derdhen mjaltë

Mbeti emri po ti s’dukesh më
Majë atij shtufi mbi xhade
S’ndihet asnjë hap e asnjë zë
Dhe te oxhaku s’piqet më kafe….

Besnik Gjonbrataj

Next Post

FSHATI KALLARAT NË DEFTERËT OSMANË TË VITEVE 1551 E 1583

Mar Gus 1 , 2023
  Nga prof. dr. Rami Memushaj             Megjithëse Kallarati është gati njëmijëvjeçar, emri i tij dëshmohet për herë të parë më 1432, në Defterin osman të tokave të sanxhakut të Shqipërisë dhe pastaj në defterët e mëvonshëm, që hartoheshin sa herë kishte ndryshime të ndarjes […]