DUART E ARTA TË GURËGDHENDËSIT KALLARATAS

A. MatajIshte kënaqësi të vizitoje panairin Expo-Prima hapur në Qëndrën Kombëtare të Kulturës në Tiranë nga datat 14-19 Tetor 2004, e aq më tepër kur në një pavion të veçantë Kallaratasi Agim Mataj paraqitej me punimet e tij “Punime guri”, ne të cilin ekspozoi disa nga punimet e tij me te mira.

Ndoshta, dikujt që nuk e di, do t’i duket pak si e pabesueshme që punime të tilla guri të bëra me duart e tij të arta të jenë sot jo vetëm në shumë shtete të Evropës si në Angli, Francë Zvicër, Belgjikë, Austri e patjetër edhe në Itali, por edhe në Amerikën e Japoninë e largët. Një fakt i tillë duhet të bëje krenar jo vetëm Agimin si autor të tyre, por edhe çdo bashkëfshatar të tij kallaratas. Nuk është e lehtë sot që të çash në art, e aq më tepër në një vend të huaj si në Itali ku është Agimi. Këtë ai e ka arritur me plot mundim, sakrificë e mbi të gjitha me karakterin e tij të fortë e pasionin e pashëmbulltë që ka .

Po si arriti Agimi që të përfaqësohej në këtë panair kombëtar? Natyrisht që një gjë e tillë nuk erdhi ashtu menjëherë e papritur, por mbas disa vitesh pune e experience ne kete drejtim .Për ata lexues që nuk e njohin mendoj se është e nevojshme t’ju bëjmë shkurtimisht një prezantim të shkurtër të jetës e punës së tij. Agimi është rreth 49 vjeç, lindur në Kallarat, me arsim të mesëm mekanik. Për një kohë të gjatë ka punuar si specialist radiozbulimi në ushtri. Në vitin 1993, si shumë të tjerë për arsye ekonomike dhe të humbjes së vendit të punës, shkoi si refugjat në Leçe të Italisë, vend ku ndodhet aktualisht edhe sot.

Agim Mataj 7“Pavarësisht nga arsimi e puna që kam bërë – tregon Agimi – pasioni im ka qënë dhe mbetet vizatimi, piktura e sidomos puna artizanale e gdhendjes në dru ose gurë “. Fillimet e këtij pasioni të tij janë që në vogëli, me zhgarravitjet e vizatimet me copërat e gjyleve të mbetura nga lufta në shtufet e Grykës së Hite apo në Qafën e Dërrasës, në punimet artistike me dru të bëra gjatë kohës që punoi e banoi në qytetin e Vlorës e deri tek punimet e fundit prej guri në Itali, që mendoj se përbëjnë edhe shkallën më të lartë të pjekurisë së tij si një artist i vërtetë. Por çfarë tregon vetë Agimi !

“Me vajtjen në Itali, për pak kohë fillova punë në një lokal , por e pashë që nuk ishte punë për mua dhe shumë shpejt i kërkova pronarit që të largohesha duke i thënë jo se s’më pëlqen puna e trajtimi juaj , por ” Unë dua një punë tjetër ku të gjej më mirë vetveten “ . Në këtë mënyrë u largova nga ai vend pune, në kërkim të ndonjë vendi të ri . Duke bërë muhabet me disa çuna e duke ju treguar atyre për punimet Agim Mataj 5me dru që kasha bërë në Vlorë , më afruan një punë të punimit me gurë . Për t’u siguruar në atë që unë ju thashë , më vunë si kusht që të punoja diçka në një lloj guri që gjendet në Leçe . Kur ta mbarosh mbas disa ditësh na e trego . Të nesërmen që erdhën ju thashë që e kam mbaruar . Ata u habitën dhe më thanë : Ti duhet të punosh vetëm në punim guri dhe në asnjë vend tjetër. Kështu fillova punë në këtë lloj zanati të punimit të gurit , ku dalëngadalë me pasion dhe ndihmesën edhe të një profesori Italian arrita të bëj punime me mjaft vlerë e të pëlqyeshme”. Mbas disa kohësh Agimi rastësisht takon ish pronarin e lokalit dhe duke pirë kafe me ironi ai i thotë: “A e gjetët punën tuaj “. Agimi me modesti i pergjigjet: “Po e gjeta. Në shtëpinë tuaj ju tashmë kini mendjen dhe dorën time”. Nëpërmjet asaj bisede ai mësoi se punimet zbukuruese prej guri që ai kishte blerë për vilën e tij në një firmë private ishin të punuara pikërishtë nga dora e Agimit. I habitur në një farë mënyre por edhe i kënaqur për këtë fakt , kërkoi bashkëpunim në të ardhmen për punime të tjera të këtij lloji. Dhe kështu dalëngadalë me punimet e tij Agimi filloi të behej i njohur në Itali, ku siç shprehet ai “Erdhi koha ,që jo vetëm unë të kërkoj punë , por edhe të tjerët të kërkojnë duart e mia”. Siç theksuam më lart punimet e tij tashmë janë të shitura e të njohura në Itali e më gjerë. Veç të tjerave koka e një obelisku në Kanoza të Barit, pllakata e kishës së Padri Volontarit në Manduria të Tarantos etj punime përmbajnë nënshkrimin “Agim Kallarati “, mbasi shumë nga punimet e tjera të punuara nga dora e tij janë nën emrin e firmës ku punon. Por Agimi kërkon të bëjë diçka simbolike edhe për Kallaratin , ashtu si edhe për qytetin e Vlorës , propozim të cilin ju a ka shprehur edhe kryetarit të Bashkisë gjatë ditëve të hapjes së ekspozitës Expo – Vlora 2004 në muajin shtator të po këtij viti. Marrja pjesë në këtë ekspozitë dhe paraqitja mjaft dinjitoze në këtë lloj arti jo shumë të rrahur e të njohur në Shqipëri , bëri që Kryetari i Shoqatës së Arkitetektëve të Shqipërisë Zoti Agron Jano ta ftontë të mirrte pjesë në Tiranë në panairin Expo- Prima.

Agim Mataj 6

Si u paraqit Agimi në këtë panair, si u vlerësua ai nga vizitorët, specialistët dhe drejtuesit e panairët , cilat qenë disa nga përshtypjet e tyre ? Këto e të tjera gjëra le ti japim lexuesit më poshtë në mënyrë të përmbledhur . Në radhë të parë Agimi u paraqit me punime guri varianti ” Barroko Leçes ” si ozhaqe dekorativë të llojeve e madhësive të ndryshme, tavolina të vogla për dhoma pritjeje, kollona ” Kapitelo “, harqe, veshje, stilizime të skulpturës dhe skulpturë realiste, orë muri e tavoline etj.

Pavioni punime guri mbante emrin e djalit të tij ” Taulanti “, mbasi organizatorët për çudi nuk pranuan emrin “Kallarati “, të cilin Agimi e ka shumë përzemër emër të cilin e kompesoi me përgjigjet që u jeptë kur e pyesnin ” Nga je ? Me krenari u përgjigjej ” Jam nga Kallarati “. Gjatë ditëve të qëndrimit hapur të panairit, pavioni i tij u vizitua nga njerëz të shumtë, të profesioneve të ndryshëm, njerëz të artit, të kulturës e autoritete shtetërore. Interesimi ishte mjaft i madh. Agimi do t’ju përgjigjej të gjithëve më urtësi, kulturë e plot profesionalizëm edhe pse nuk ka kryer ndonjë shkollë për skulpturë, siç e do ky zanat. Por Agimi ka fantazinë, përkushtimin e talentin në këtë fushë, që e bëjnë atë me dije më shumë se një universitet sepse mbi të gjitha ai ka shkollën e jetës.

Agim Mataj 12

“Kur e kini kryer Akademinë e Arteve “ pyeste një visitor, një tjetër “Me komjutër i kini bërë këto punime?”, apo dikush “Me derdhje apo me kallëp i kini bërë këto punime ? “ ndërsa e veçanta e një burri 70- vjeçar ishte “Kur më vdiq babai më la amanet që varrin do të ma bësh me gurë të gdhendur . Deri tani nuk kam gjetur një njeri të tillë . Mendoj se më në fund e gjeta “. Dhe Agimi i tregon fotografinë e varrit të nënës së tij të gdhendur në gur dhe plaku bindet akoma më tepër. Duke e pyetur Agimin se sa vizitorë mund ta kenë parë pavionin e tij, ai me modesti thote se ” Vizitorët kanë qënë të shumtë , në qoftë se në pavionet e tjera njerëzit vetëm kalonin duke ju hedhur një sy materjaleve e produkteve të paraqitura, pasi shumica janë të prodhimit jo artizanal dhe të ekspozuara më parë në dyqane, tek pavioni im jo vetëm që do të ndalonin por do të pyesnin me hollësi, pasi nuk ju mbushej mendja se ishin punime me dorë .Një pjesë do të bënin edhe porosi. Mbi 500 kartëvizita të kërkuara prej tyre dhe jo të dhëna nga ana ime, besoj se është një vlerësim që i bëhet punës time dhe kjo më ngroh së tepërmi që punën e nisur jo vetëm ta vazhdoj, por të shikoj më tepër për të rritur fantazinë dhe cilësinë e pnimeve të mia. Në radhë të parë kur puna të vlersohet e çmohet është kënaqësi e ndjen satisfaksion në vetëvete, e natyrisht brenda kësaj është patjetër edhe ana ekonomike ” – përfundon Agimi ” .

Mbyllja e këtij aktiviteti ka edhe një diçka tjetër me vlerë për Agimin. Oganizatorët e këtij panairi vjeshte Expo- Prima dhe Dhoma e Përgjithshme e Tregtisë e nderojnë me diplomë të veçantë me motivacionin “Përfaqësim dinjitoz në panairin Vjeshtë 2004 që u organizua në Tiranë 14-19 Tetor në Qëndrën Kombëtarë të Kulturës Tiranë “

Mendoj se marrja pjesë e Agimit në këtë panair kombëtar me siguri e bëjnë atë më të njohur brenda e jashtë vendit, i shtojnë atij vlerat dhe ambicjet për të ardhmen, por në të njëjtën kohë është edhe një plus më shumë edhe për fshatin tonë Kallarat, emër të cilin ai e ka shumë për qejf dhe në çdo çast ai me fjalë dhe me vepra kërkon të mbetet Agim Kallarati.

BESNIK GJONBRATAJ

Tiranë më 22.10.2004

Botuar ne Gazeten Kallarati, 2004

Next Post

Si do të na fliste Naim Frashëri

Pre Qer 1 , 2012
“Ti Shqipëri më ep nder, më ep emrin shqiptar”, janë vargjet e famshëm emblematikë të Naimit, të cilat i di çdo shqiptar. Dhe nuk i kujtuam kot. Më 25 maj ishte përvjetori i 166-të i poetit tonë të madh, Naim Frashërit. Një përvjetor i kaluar në heshtje. Përvjetori i poetit […]
PetritQejvani