-Me rastin e 1 vjetorit të vdekjes-
Nuk i besohet askujt se afërsisht një vit më parë pushoi së rrahuri zemra e njërit prej bashkëfshatarëve tanë më të nderuar, Sami Karabollit. Nuk e besojnë këtë familja e tij, bashkëshortja Drita dhe vajza Entela, por nuk e beson as edhe një kallaratas dhe çdo kush që e njohu dhe punoi me të në vende të ndryshme. Samiu ishte një intelektual tek i cili jeta kishte ndërthurur tiparet më të mira të një njeriu. Spikatën tek ai cilësi të tilla që rrallë se mund ti gjesh tek çdo njeri. Ai ishte dhe mbeti një njeri i dashur i komunikueshëm, i zgjuar, punëtor, me marrëdhënie të shkëlqyera me njerëzit e çdo kategorie dhe një familjar i përsosur. Ai u nda nga jeta në kohen më të mirë që mund ta shijonte atë akoma. Ai ishte me plot gojën një familjar, shok, ushtarak dhe mësues i devotshëm.
I rritur jetim së bashku me dy motrat e tij, pas vrasjes së të atit, Shukos rënë dëshmor i luftës nacionalçlirimtare në fushën e betejës në Sopik të Gjirokastrës, Samiu u rrit dhe u burrërua para kohe, mori përgjegjësi familjare në një moshë mjaft të re. Pasi mbaroi shkollën fillore në Kallarat, shtatëvjeçaren në Shtëpinë e Fëmijës Vlorë dhe të Mesmen në Shkollën Pedagogjike në Shkodër do të kthehej në vendlindje si edukator.
Kallaratasit e njohën atë si mësues mjaft i pasionuar në vitet 1956-1960, por edhe si ushtarak i shkëlqyer me një karrierë ushtarake të gjatë dhe të bukur. Këto dy profesione u ndërthuren mjaft mirë në karakterin e tij, duke e bërë atë mjaft të vlerësuar në shoqëri e kudo. Edhe pse ndoshta jo çdo kallaratas e njohu atë, sidomos brezi i ri, por ata që e njohën kanë se çfarë të kujtojnë e thonë për të. Kudo ku shërbeu e punoi Samiu la mbresat më të mira. E kujtojnë atë për punën e kryer në Tiranë, në Tropojë dhe në veçanti në Shkodër.
Duke qenë, se për shkak të njëjtit profesion, pata rastin që ta njohë Samiun në Shkodër në punë si ushtarak, por edhe familjarisht, më takon dhe e kam për detyrim moral të shkruaj këto rreshta për lexuesit e gazetës Kallarati.
Nuk besoj të ketë shkodran ushtarak apo civil që ka pasur rastin të njohë Sami Karabollin, si epror, vartës, koleg apo kojshi, që të mos thotë fjalët më të mira. Ai ishte njeri i matur, me kurajë, me zemër të gjerë, fjalëpaktë, por edhe shumë i vendosur për zbatimin e rregullave, ligjeve të shkruajtura dhe të pashkruajtura. Ai kishte një dashuri të madhe për vendlindjen e tij Kallaratin. Duke qenë gjithmonë larg tij e kujtonte atë me shumë mall e dashuri, kujtonte çdo njeri.
Po si e njoha unë atë? Kisha dëgjuar për të që në shkollën tetëvjeçare në Kallarat. Dija që Samiu ishte djalë dëshmori, kishte qenë mësues në Kallarat dhe se ishte ushtarak me banim në Shkodër. Duke qenë se ai nuk kishte njeri krejt të afërt në Kallarat, pasi nënën, Xhevon e kishte me vete dhe motrat në Berat, në Kallarat vinte shumë rrallë saqë unë nuk kisha arritur ta shihja ndonjëherë. Nga fjalët që kisha dëgjuar për të nga më të moshuarit dhe nga babai e përfytyroja atë një njeri të mirë e të zgjuar. Nga njohjet që pata më vonë i tillë ishte.
Në vitin 1983 me mbarimin e shollës ushtarake më emëruan oficer në Shkodër. Babai më porositi: “Bir kur të vesh në Shkodër do të takosh edhe kallaratas të tjerë, por do të takosh dhe do të mbështetesh tek një nga njerëzit më të mirë kallaratas, tek Sami Karabolli”. Dhe kështu bëra. Ditën e parë të punës duke hyrë në Divizionin e Shkodrës, pyes dikë nëse e njihte Samiun. Po më tha, atë xhanushin (ishte shprehja më e përdorshme e tij) dhe më drejtoi për tek ai pasi ishte diku në oborr. Pasi u prezantuam e u njohëm me të, më pyeti për babain nënën, vëllezërit, kallaratasit me radhë dhe për këdo. U kënaq shumë që një bashkëfshatarë i tij erdhi në Shkodër dhe u bëmë dy ushtarakë kallaratas. Me njëherë filloi të më prezantonte me ushtarakët e tjerë, t’ju tregonte atyre me njëfarë “mburrje” e nostalgji nga historia e Kallaratit dhe Labërisë. Më afroi në shtëpi, duke më thënë që të vish si në shtëpinë tënde. Aty njoha edhe nënë Xhevon për të cilën kisha dëgjuar fjalët më të mira që i takon një nënë të mrekullueshme. Ajo më pyeste për çdo gjë në Kallarat, jo vetëm për njerëzit, por edhe për gurët, pemët e për çdo gjë tjetër. Për aq kohë sa ai ishte në Shkodër, pasi pas disa vjetësh ai u afrua në Tiranë, shtëpia e tij ishte si një strehë edhe për mua.
Samiu ishte një ushtarak i zoti, jo vetëm se kishte mbaruar të gjitha kualifikimet ushtarake e civile të kohës, por në punën e tij si inxhinier kimist ushtarak ishte një specialist i përkryer dhe me emër. Ai ishte një organizator i përsosur. Me fjalët e ngrohta dhe vendosmërinë e papajtueshmërinë me të keqen, ishte bërë mjaft i vlerësuar në punë e shoqëri. Si bir i një dëshmori, shtëpia e tij në çdo 5 Maj ishte e vizituar nga ushtarakë dhe autoritetet vendore për kontributin e babait të tij rënë për çlirimin e vendit
Të tilla cilësi ai manifestoi edhe në Tiranë, vend ku e kishte filluar dhe e përfundoi karrierën e tij ushtarake. Kudo i përkushtuar, kudo i vlerësuar për punë dhe marrëdhënie të shëndosha shoqërore e familjare. I tillë Samiu mbeti edhe me daljen tij në pension, duke u bërë një nga aktivistët më të dalluar të Shoqatës “Kallarati” në Tiranë dhe si Sekretar i Shoqatës së të Rënëve të Kombit.
Ai u nda nga jeta para kohe, por duke lënë pas një emër të nderuar e të vlerësuar për familjen, të afërmit, shoqërinë e kallaratasit në përgjithësi. Jeta e vepra e tij do të kujtohet me nderim e respekt nga të gjithë.
Me rastin e njëvjetorit të vdekjes së tij, në emër edhe të redaksisë së Gazetës Kallarati, familjes së tij, bashkëshortes Dritës, vajzës Entelës dhe të afërme u shprehim ngushëllimet më të sinqerta. Le ta kujtojmë kurdoherë Samiun si një ushtarak e mësues të devotshëm dhe një familjar shembullorë.
Besnik Gjonbrataj
Botuar ne gazeten Kallarati