KATËR ZEMRA QË RRAHIN PËR SHQIPËRINË

LETËR NGA ITALIA, DËRGUAR SHOQATËS SË VETERANËVE TË LANÇ TIRANË.

Të nderuar e të lavdishëm përfaqësues të veteranëve të LANÇ dhe të dëshmorëve të Atdheut, të këtyre dy organizatave prestigjoze për Atdheun dhe botën progresiste e kurrë jo për botën e regresit e të revanshit!

O ju monumente të gjalla të Epopesë më të lavdishme të historisë shqiptare! O ju përfaqësues të denjë të sakrificave mbinjerëzore të 70 mijë partizanëve e partizaneve shqiptare! O ju përfaqësues të 28 mijë dëshmorëve  të Atdheut, që ranë për Liri, duke e vaditur me gjak tokën shqiptare! O ju që e radhitët Shqipërinë në krahun e fitimtarëve me koalicionin  antifashist të botës e jo me krahun e turpit  të kolaboracionizmit, siç bënë ballistët e legalistët në Shqipëri! O ju që sollët Lirinë, jeni e qofshi faqebardhë, rrofshi sa më shumë, duke sfiduar moshën, streset dhe persekucionin, që u shkaktojnë pinjollët e tradhtarëve të djeshëm e të sotëm, të cilët sot kanë frenat e Shqipërisë në dorë! Ne, që po ju shkruajmë jemi katër niper e mbesa  të dëshmorit të Atdheut, Ferik Myftar Golloshi nga Kallarati I Vlorës, gjyshi ynë nga nëna. Ai ra më 24 korrik 1944 në Qafë të Vishës në Himarë, në luftime me nazistët gjermanë. Eshtrat e tij prehen bashkë me shokët, në Varrezat e Dëshmorëve të Vlorës Heroike (reshti IV, parcela 2). Drita, nëna jonë, mbeti tre muajshe pa  baba, por me liri të garantuar nga gjaku i tij. Ajo u rrit, na lindi e na rriti edhe ne, që sot bashkë me të, jemi trashëgimtarë të Jehonës Famëmadhe. Tre nga ne, nipërit dhe mbesat e Ferikut, jemi emigrantë në “arratinë e madhe”, si shumica e vëllezëve tanë shqiptarë, si produkt i kohës së çmendur. Kurse një nga ne, ka qëndruar me prindërit në Durrës.

Ne, që bredhim nëpër Evropë për të nxjerrë bukën e gojës për vete, për fëmijët dhe prindërit tanë, na habit fakti kur shohim homologët tuaj antifashistë, përkujdesjen dhe vëmendjen e madhe ndaj tyre, kur shohim e ndjejmë respektin e përuljen me veneracion për të gjallët e për të rënët në Luftën e Dytë Botërore kundër fashizmit, që tregon bota e qytetruar demokratike. Bëjmë krahasim me vendin tonë dhe me kohën e çmendur që ky popull po jeton nën demokraturën  blu!

Respekti për brezin që na solli lirinë duhet të jetë sipëror. Përpara jush duhet të ketë veç përulje me respekt ndër shekuj, në përjetësi se e tillë qe vepra juaj. Nisur nga këto konsiderata të larta, ju bëjmë thirrje të gjithë atyre që kanë sadopak rruaza të kuqe gjaku, nga gjaku i dëshmorëve të Atdheut dhe i juaj, të nderuar partizanë shqiptarë, luftëtarë trima të Luftës së Dytë Botërore, që nëpërmjet revistës “Pavdekësia” ta mbajmë gjallë emrin dhe veprën e dëshmorëve. Ta mbajmë gjallë e ta botojmë këtë organ prestigjoz, me kontributet tona modeste si mërgimtarë, pse jo edhe bashkë me ata që jetojnë në atdhe. Ta mbajmë që ajo të mos rresht kurrë për çështjen e madhe për të cilën është krijuar! Lavdi paçi në shekuj, se lavdinë e keni fituar me gjak!

Për dëshmorin Ferik Golloshi- bashkëkohësit tregojnë

Asllan Muharrem Resuli nga Tërbaçi, ish partizan i Brigadës V S Heroinë e Popullit, kujton: Feriku ishte një djalë nga Kallarati, I bëshëm nga trupi dhe i fortë. Punonte me tim vëlla, Haredinin dhe me djem të tjerë nga Labëria për një copë bukë në shoqërinë italiane “Poliçeli”. Vajta si rastësisht, i veshur me uniformë ushtarake të asaj paloqeverie që kishim atëhere, për të shuar një grindje midis punëtorëve dhe pronarëve pushtues. Punëtorët kërkonin paga më të larta, për punët e rënda që bënin. Pas një jave I përjashtuan nga puna, ata që ishin më të vendosur në kërkesat e tyre. Përjashtuan Ferikun dhe Haredinin, si dhe disa të tjerë, pa iu dhanë as pagën për ditët që kishin punuar. Feriku, në ikje e sipër u përlesh me italianët dhe triumfoi, duke u marrë atyre hakun e punës, bashkë me shokët. Feriku, siç më kish thënë Haredini, ishte i lidhur me Lëvizjen Nacionalçlirimtare, nëpërmjet lidhjeve miqësore që kishte me Tërbaçin. as betejës së Drashovicës mbeti I plagosur Islam Harizi dhe italianët po e kërkonin që ta vrisnin. Feriku e mori në krahë dhe e ngjiti në malin e Bogonicës, derisa filloi dimri dhe e shpëtoi. Lufta Nacionalçlirimtare fitoi se pati djem të gjallë, trima e besnikë deri në  vdekje,- përfundon tregimin e tij Hasan Muharremi, që i mbeti babaj dhe vëllai dëshmorë në këtë luftë.

Islam Harizi nga Tërbaçi, partizan I  Brigadës VS, tregon:  … me ata djem e udhëheqës, komandantë e komisarë, sikur të nisnim edhe një luftë tjetër, me siguri do ta fitonim. Isha plagosur rëndë në këmbë. Fashistët e tradhtarët po më kërkonin. “Ku mendon të të shpiem”,- më pyetën shokët. “Në Golloshaj të Kallaratit, atje kam miq”,- iu thash. Dhe atje më çuan, hipur mbi një mushkë. Kur arritëm në Kallarat, buzë lumit të Shushicës në një rrepishte, aty er hi Haredin Muharremi dhe Feriku, bashkë me një djalë rreth 15 vjeç. Feriku më mori kalipeç, udhëtuam gjithë natën monopatit të malit, në mëngjez arritëm lart në mal, te një stan i vetmuar. Djali mbante në krah një peticë italiane dhe dy pagure njëra me ujë e tjetra me dhallë, si dhe një trasë me bukë misri. Tashmë ishim jashtë rrezikut. Feriku ndezi zjarrin dhe më mjekoj plagën me lesh deleje të djegur. Më shpëtoj jetën… Më vonë, kur mora vesh se ishte vrarë në qafë Vishe të Himarës në luftë me gjermanët, qava si fëmijë, sikur ta kisha vëlla. Tani më vjen mirë që paska lënë pas një vajzë, e cila qenka bërë nuse në Selimajt tanë. “Rrofshi dhe e kujtofshi babajn,- përfundon tregimin dhe urimin Islam Haziri, në maj 1972 në spitalin ushtarak në Tiranë, së bashku me atë “Besnikun”,  që u plagos te Ura e Drashovicës (Hysni  Kapo).

Shefo Bino Laçaj (Golloshaj)- gjyshja jonë, e cila jeton në Tiranë, na ka treguar: Feriku u lind në vitin 1914. Nga martesa me të pata dy fëmijë: Dritën-nënën tuaj dhe një djalë që më vdiq për një kokërr kikino, duke udhëtuar për në Vlorë. U ktheva nga Gjormi në Kallarat, me të të vdekur në shpinë. Më helmoi vdekja e tij. Drita, ditën që u vra Feriku, ishte tre muaj e gjysmë. Gjyshi juaj, Feriku, ishte njeri i fortë, kreshnik, trim e besnik. Jetonim në varfëri, por me bujari të madhe. Ai punonte në tokat e bejlerëve e agallarëve të Vlorës e Topalltisë, në mbledhjen e ullinjve e në   korrjen e të lashtave. Më pas u punësua tek italianët, por ai kacafytej me ta dhe e  përzinin nga puna. Kështu i ndodhi edhe me grekun në vitin 1941. Feriku përkrahu Lëvizjen Antifashiste, që në fillim u radhit në çetën e fshatit Kallarat dhe mori pjesë në disa aksione të saj, kundër pushtuesve dhe tradhtarëve. Më 23 korrik, në të errur, u dha sinjali për luftë. Iku me çetën, me sholla të grisura, me një pagure dhallë dhe me maliherin grek në sup. Iku e nuk u kthye më. Shokët e tij thanë se kishin zënë Qafën e Vishës dhe po prisnin autokolonën gjermane që vinte nga Saranda për në Vlorë. Ata e kishin goditur pararojën. Feriku ishte ngritur nga pozicioni, për të kapur një pozicion tjetër më të përshtatshëm, por sapo ishte ngritur një oficer gjerman e kishte kositur me automatik dhe ai ra, duke u rrokullisur I vdekur nëpër shkëmbinj në bokërrimë. Aty ra dëshmor gjyshi juaj, në qafë të Vishes në Himarë. Shokët e mbuluan me gurë dhe me llamarina të automjeteve të djegura. Në shtator vanë dhe e morën trupin e tij, e varrosëm në fshat, bashkë me një shokun e tij, Faslli Breshani, dhe ai dëshmor, që kishte rënë në Shënvasi në luftë me gjermanët. Pas çlirimit eshtrat e dëshmorëve u mblodhën në Kuç dhe më 1962, i bënë bashkë në varrezat e dëshmorëve në  Vlorë. Ata ranë për liri, për të mos vdekur kurrë,- thotë gjyshja jonë e dashur!

Trimi me sy të kaltërt- Ferik Myftar Golloshi.

Ferik Golloshi, ishte djalë i një vatre atdhetare, dallohej për logjikë, guxim, trimëri, besë e burrëri. Bëntë çdo punë, ishte i dashur e i respektueshëm me shokët dhe me të moshuarit. Pushtimin fashist e priti me urrejtje. Kërkoi armë për të luftuar, por vendi ishte tradhtuar. Ai provoi shtypjen e shfrytëzimin barabar në shoqërinë italiane “Poliçeli”. Dy arsye kishte Feriku për të luftuar kundër pushtuesve fashistë italianë: së pari si pushtues dhe së dyti se në vitin 1920, në Luftën e Vlorës i kishin vrarë xhaxhanë.  Fshati Kallarat që në vitin 1941-1942 u bë fushë lufte, ndërmjet pushtuesve italianë e atyre grekë. Kallarati u dogj. Më 20 mars 1942 Feriku u radhit në çetën partizane të fshatit dhe mori pjesë në disa aksione luftarake, si dhe në përballimin e dy operacioneve të mëdha armike: të Dimrit 1943-1944 dhe të Qershorit 1944. Ai luftoi në Gusmar, në betejën e Gjormit kundër mercenarëve të Halil Alisë dhe Selim Kokoshit që ishin bashkë me italianët, në betejën e Shkallës së Zezë kundër gjermanëve, në Borsh, Qafë Dërrasë etj. Kudo u dallua për trimëri. Në luftimet e Qafë Vishës ai luftoi me bomba dore, duke goditur pararojën gjermane…* *Marrë nga gazeta e shoqatës atdhetare kulturore Kallarati, Nr.24, korrik-gusht 2005. Kështu, siç shkruhet edhe në këtë artikull, në betejën e përgjakshme të Qafë Vishës dha jetën gjyshi ynë Ferik Miftar Golloshi, si mijëra të tjerë, ashtu siç binin trimat partizanë. Lavdi në shekuj veprës së dëshmorëve dhe partizanëve të LANÇ të Popullit shqiptar!

Dedikimi ynë

Një nga 6600 dëshmorët e Vlorës

Që dhanë jetën për liri

E nderove Labërinë

Si gjithnjë në histori

 

Ferik Gollosh Kallarati

Si mijëra u vra i ri

Besën, burri ia dha burrit

Fli do të bëhej për liri.

 

Islam Hazirin e Tërbaçit

E ngjite në Bogonicë

Ai kishte marrë plagë

Në Gjormë, në Drashovicë.

 

Pushtimin nuk e durove

Ti si mijëra të tjerë

Me Lëvizjen Çlirimtare

Maleve me maliher.

 

Në një pritë kundër gjermanë

Qafë Vishe në Himarë

Shokët të bërtën, të thanë:

“O Ferik, kujdes të vranë”!

 

Frici buzë bokërrime

Mbi ty shkrehu breshërinë

Ti mbete Yll i pashuar

Një dëshmor për liri!

 

Vepra juaj s’ka të çmuar

Do të ketë përjetësinë

Në themele jeta juaj

Liria për Shqipërinë.

 

E radhitët ju Shqipërinë

Me të mëdhenjtë fitimtarë

Prandaj prehuni të qetë

O ju yje në lapidarë.

Laureta Qendro Pajo (Selimaj)

E nderuar Drita,- bijë e dëshmorit Ferik Golloshi, Të dashur: Katër fëmijët e saj:Eduart, Ariana, Laureta  e Ilir,- nipër dhe  mbesa të dëshmorit Ferik Golloshi! Letra juaj na erdhi në redaksi si një   këngë e Milosaos, me një jehonë të largët të polifonisë labe. Ajo mbart ndjenja të pastra atdhetare, mall dhe dashuri, si dhe mirënjohje të thellë e krenari për prindin dhe gjyshin tuaj Ferik Golloshi, i cili u ka lënë nder e lavdi të përjetshme. Dhe ju dini ta vlerësoni këtë nder e lavdi, si vlerat më të shenjta njerëzore.  Shqiptarë si Ju, kudo që të ndodhen, e mbajnë gjallë kombin shqiptar.

 Halil Katana,  Kryeredaktori I Revistës “Pavdekësia”

Me rastin e 65 vjetorit, më 5 Maj 2009 Bashkia e Durrësit, u dha çërtifikatën “Mirënjohje e qytetit”, familjes së dëshmorit Ferik Golloshi.

Shkruar nga: Drita Ferik Golloshi (Selimaj, bije e dëshomrit dhe katër femijet e saj: Eduarti, Ariana, Laureta, Iliri

Marre nga gazeta “Pavdekesia” Nr.. 63 Qershor 2009


Next Post

KËMBANA QE BIEN PËR VESHË TË SHURDHËR

Die Gus 12 , 2012
                                                            Këto ditë te nxehta vere na vjen dhe nje deklaratë e nxehtë e ambasadorit danez në Tiranë Karsten Jensen. Kush […]
PetritQejvani