KËMBANA QE BIEN PËR VESHË TË SHURDHËR

                     

                                     

PetritQejvaniKëto ditë te nxehta vere na vjen dhe nje deklaratë e nxehtë e ambasadorit danez në Tiranë Karsten Jensen. Kush e dëgjoi dhe e lexoi me kujdes deklaratën e lamtumirës te zotit Jensen në mbyllje të mandatit të tij diplomatik e kupton menjeherë se sa ngjason ajo me atë të disa muajve me parë te një ambasadori tjeter, te zotit Withers. Kupton gjithashtu  se asgje nuk ka ndryshuar pas atyre mesazheve te forte. Te dyja ato deklarata i bashkon problematika e evidentuar dhe fryma e njejtë që i përshton. Në mënyrë të vecantë i bashkon tonaliteti i lartë i shqiptimit të problematikës, padiplomacia dhe sinqeriteti ndaj popullit shqiptar, si dhe keqardhja për gjëndjen e Shqiperisë. Ndërsa nje keqardhje më e madhe vjen për pasivitetin dhe reagimin e munguar te popullit shqiptar për mbrojten e të drejtave dhe dinjitetit te vet. Ndërkohë midis tyre ka dhe nje ndryshim.

 

Ndërsa deklaratat e Wethers-it ishin nje këmbanë alarmi për shqiptarët,por optimiste, ato të ambasadorit Jensen, ndonese po aq kritike, janë një këmbanë përshpirtjeje, nje requiem për Shqipërinë. Ambasadori danez denoncon korrupsionin qe është  përkeqësuar vit pas viti dhe që nuk është nje përshtypje, sic thotë ambasadori, por është nje fakt. Ai cuditet se si shqiptarët nuk protestojnë kunder korrupsionit dhe padrejtësisë që u bëhet nga qeveria. Është i habitur nga ngurrimi i popullit shqiptar  për t’u ngritur  për të drejtat dhe  interesat e tij. Kjo deklaratë e tij e skualifikon edhe opozitën, pa le të ashtuqujaturën shoqëri civile, një zbukurim dalëboje i pushtetit. Në të  njëjtën kohë ajo është edhe një akuzë e tërthortë për median elektronike dhe të shkruar. Ne radhë të parë për medien e pushtuar nga pushteti.

 

Ka ardhur koha që dhe analistë të vetshpallur të pavarur të zhvishen nga komplekset e inferioritetit dhe provincializmit “metropolitan”  të  cilët, edhe kur kritikojnë  qeverinë, tregohen më “diplomatë” se diplomatët kurse ambasadori danez flet aq qartë dhe aq rreptë, si gazetar. Ndërsa gazetarët flasin si diplomatë! Më në fund ambasadori Jensen duket se e bren ndergjegja që nuk e ka ndihmuar sa duhet popullin shqiptar në vendosjen e demokracisë. Ai me qëndrimet e tij duket se vendoset perballë kolegëve te vet europianë në Tiranë, i kritikon ata tërthorazi për qëndrimet e tyre konformiste me qeverinë shqiptare. Ja si shprehet ai “ Nëse ne për t’u dukur të sjellshëm përdorim në publik një gjuhë ku gjëmbaçët quhen trëndafila, dështimet etiketohen suksese të pjesshme dhe mashtruesit rastesisht  mbësheten si liderë, atehere si mund te presim që populli shqiptar ta kutpojë  se cfarë duhet bërë ose jo, që vendi t’i bashkohet Europës?” Ambasadori Jensen shprehet në numrin shumës për etikë, ndërsa personalisht ai vet është i distancuar prej kolegëve të vet europianë.

 

Ky përcaktim  kaq lakonik dhe kuptimplotë është një tablo e qartë dhe e zymtë e Shqiperisë politike të sotme. Kështu, ky përfaqësues fisnik  i nje vëndit  të vogël që është model i demokracisë dhe drejtësisë sociale kërkon te zgjojë nga gjumi letargjik një popull që ka kohë që nuk i bën përshtypje e keqja (dukuri dhe mentalitet që e ka vënë ne dukje dhe autori i ketij shkrimi ne nje shkrim të botuar ditë më parë ne Shekulli me titull “Zgjedhja jone, e keqja me e vogel). Deklarata e ambasadorit danez me gjithë tonet kritike ka brënda edhe deshpërimin se ky popull nuk ka forcë ta kundërshtojë të keqen. Nuk mund të mos tronditesh nga një deklaratë e tillë dhe të të vijë keq që kemi rënë kaq poshtë, pa forcë reagimi, pa fuqi ringritëse.

 

Tek ne shoqëria e ka humbur fare ndjeshmërinë ndaj se keqes, ajo është në gjumë dhe nuk i degjon zërat e kthjellët, as kambanat e alarmit dhe as kambanat e përshpirtshme, sepse eshte  nje shoqëri moralisht e vdekur.Ambasadori danez ka qenë një zë i veçantë në korin diplomatik në Tianë dhe i zhveshur nga çdo interes privat apo shtetëror.Kjo e ben edhe me te besueshem.Nga ana  tjeter kjo  tregon se jo gjithmonë parimet sipërojne  në  marrëdhëniet midis shteteve, se shpesh parimet dytësohen para interesave, pavarësisht se keto te fundit mbulohen me flamurin e parimeve..Per kete shkak, ndoshta, ambasadoret “e medhenj”si ai i ShBA dhe BE per “arsyet e tyre” tregohen me “te sjellshem” me qeverine. Me një gjuhë përdëllimtare ambasadori Jansen duket sikur na thotë: ne danezët ju duam, prandaj ju vemë gishtin në plagë, por ju, fatkeqësisht, nuk i ndjeni plagët! Ç’t’i bësh? Këta jemi ne!Si qytetar normal nuk mund të mos tronditesh nga mesazhe të tillë dhe të mos të të vijë keq që kemi rënë kaq poshtë.Një shoqëri që humbet frymën kritike dhe vetkritike është një shoqëri që s’i thotë asgjë të nesërmes.

 

Petriut Qejvani

 

Botuar ne “Shekulli” me 10/07/2012

Next Post

Pak nga jeta dhe aktiviteti i Namik Abazaj

Die Gus 12 , 2012
U lind më 12 Shkurt 1927 në një familje atdhetare në fshatin Kallarat. Babai i tij Zimo Abazi ka marrë pjesë me armë në dorë në rezistencën kundër shovinistëve grek dhe në luftën e Vlorës në vitin 1920. Ai që nga viti 1943 e ktheu shtëpinë e tij në bazë […]

Mund t'ju duken interesant edhe artikujt