Këto dy dekada të pas komunizmit. Ata me një gjuhë herë direkte dhe herë tërthore kanë ndikuar jo pak në rrjedhën politike në Shqipëri. Po cili është statusi i tyre? Kjo pyetje për disa mund të tingëllojë e tepërt, por në të vërtetë nuk është kështu. Dihet, thonë ata, se ndërkombëtarët janë këtu me statusin e arbitrit. Dhe ata vetë me këtë kostum paraqiten. Mirëpo paanësia e arbitrit në ndeshjet e përleshjet e ashpra politike në Shqipëri, ku shpesh është dashur të ndërpritet loja, nuk i ka shpëtuar kompromentimit me gjithë kujdesin dhe delikatesën me të cilën ata janë përpjekur të mbulojnë njëanësinë e tyre të pamandatuar.
E keqja është se në një lojë të ashpër në kufijtë e armiqësisë e jo të garës, anësia dhe, sidomos animi i plotë nga lojtarët që shkaktojnë vazhdimisht faulle, është jo vetë i padrejtë dhe i pandershëm, por edhe i mbarsur me deformime dhe rreziqe të riciklueshme, që burojnë prej largimit nga e drejta. Por, përtej deklaratave të tyre, ata me veprimet e mosveprimet e tyre kanë treguar, edhe për një sy të zakonshëm, pale të specializuar, pozicionet e tyre pro dhe kundërnë favor të njërit dhe në dëm të tjetrit. Më konkretisht, së paku që nga 2009 e këtej, ata janë anuar dukshëm nga Berisha, ndonëse herë pas here i shkelin syrin djallëzisht edhe Ramës, si për ti thënë mos u shqetëso, jemi në mes.
Rasti i parë është qëndrimi ndaj kërkesës së opozitës për hapjen e kutive të votimit në zgjedhjet parlamentare të 2009-ës për të verifikuar dyshimin e bazuar se zgjedhjet ishin manipuluar. Por komuniteti ndërkombëtar e vështroi me syze dielli këtë kërkesë legjitime të opozitës. Tensionimi i situatës dhe ngritja e temperaturës politike shtuan ecejaket e emisarëve të Evropës dhe Amerikës këtu, por pa rezultat. As paradat groteske të ambasadorëve të trojkës sa nga selia blu në atë rozë nuk e lëkundën Berishën, i cili po i bënte karshillëk edhe Evropës edhe Amerikës. U organizuan edhe darka si ajo te Krokodili, por Berisha nuk u tremb prej tij. Këmbëngulës si ai, i lodhi ndërkombëtarët, të cilët, kur e panë që muri Berisha nuk binte, gjetën më të bindurin, Ramën, i cili hoqi dorë nga një e drejtë e pamohueshme.
Rasti i dytë lidhe me zgjedhjet vendore të 2011. Tensioni u ngrit sërish. Si gjithmonë protagonist Berisha, që në konflikte gjen shprehjen e plotë të unit të tij politik. Kulmi arriti në Tiranë, ku u rrëmbye mandati i kryetarit të bashkisë në mënyrën më spektakolare, por me procedurë. Ndërkombëtarët thanë ca fjalë as mish as peshk për procesin. Njëlloj si ti thoshin Ramës të rrosh vet. Prova e tretë është 21 janari për të cilin është folur shumë dhe nuk po zgjatem.
E fundit fare: seanca e Kuvendit për zgjedhjen e anëtarit të ri të KLD, ku u shkelën procedurat në çastin e fundit dhe ambasadori amerikan edhe një herë në rolin e arbitrit, tha pak a shumë se fajtorë janë të dy palët, njëlloj si teto Naja e novelës së Kadaresë Sezoni dimëror i Kafe Rivierës, që në mbledhjen e kolektivit ku po kritikohej një djalë i ri tha: Ene drejtori ka të drejtë, ene çuni ka të drejtë Pra, sërish në anën e Berishës. Pas gjithë këtyre provave, besoj, duket se ndërkombëtarët nuk janë në mes, por djathtas. Dhe këtë mendoj se e kuptojnë të gjithë, por nuk e di a e kupton Edi Rama. Gjer tani nuk ka ndonjë shenjë se e kupton. Dhe më e rëndësishmja: a e di ai pse ndërkombëtarët mbështesin Berishën? Pa i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje viti 2013 ka gjasa të jetë ters për opozitën.
Nga Petrit Qejvani
Publikuar nga Shekulli 21.05.2012