Eksperiencë me ndërkombëtarë

PetritQejvaniKëto dy dekada të pas komunizmit. Ata me një gjuhë herë direkte dhe herë tërthore kanë ndikuar jo pak në rrjedhën politike në Shqipëri. Po cili është statusi i tyre? Kjo pyetje për disa mund të tingëllojë e tepërt, por në të vërtetë nuk është kështu. Dihet, thonë ata, se ndërkombëtarët janë këtu me statusin e arbitrit. Dhe ata vetë me këtë kostum paraqiten. Mirëpo paanësia e arbitrit në ndeshjet e përleshjet e ashpra politike në Shqipëri, ku shpesh është dashur të ndërpritet loja, nuk i ka shpëtuar kompromentimit me gjithë kujdesin dhe delikatesën me të cilën ata janë përpjekur të mbulojnë njëanësinë e tyre të pamandatuar.

E keqja është se në një lojë të ashpër në kufijtë e armiqësisë e jo të garës, anësia dhe, sidomos animi i plotë nga lojtarët që shkaktojnë vazhdimisht faulle, është jo vetë i padrejtë dhe i pandershëm, por edhe i mbarsur me deformime dhe rreziqe të riciklueshme, që burojnë prej largimit nga e drejta. Por, përtej deklaratave të tyre, ata me veprimet e mosveprimet e tyre kanë treguar, edhe për një sy të zakonshëm, pale të specializuar, pozicionet e tyre pro dhe kundërnë favor të njërit dhe në dëm të tjetrit. Më konkretisht, së paku që nga 2009 e këtej, ata janë anuar dukshëm nga Berisha, ndonëse herë pas here i shkelin syrin djallëzisht edhe Ramës, si për ti thënë mos u shqetëso, jemi në mes.

Rasti i parë është qëndrimi ndaj kërkesës së opozitës për hapjen e kutive të votimit në zgjedhjet parlamentare të 2009-ës për të verifikuar dyshimin e bazuar se zgjedhjet ishin manipuluar. Por komuniteti ndërkombëtar e vështroi me syze dielli këtë kërkesë legjitime të opozitës. Tensionimi i situatës dhe ngritja e temperaturës politike shtuan ecejaket e emisarëve të Evropës dhe Amerikës këtu, por pa rezultat. As paradat groteske të ambasadorëve të trojkës sa nga selia blu në atë rozë nuk e lëkundën Berishën, i cili po i bënte karshillëk edhe Evropës edhe Amerikës. U organizuan edhe darka si ajo te Krokodili, por Berisha nuk u tremb prej tij. Këmbëngulës si ai, i lodhi ndërkombëtarët, të cilët, kur e panë që muri Berisha nuk binte, gjetën më të bindurin, Ramën, i cili hoqi dorë nga një e drejtë e pamohueshme.

Rasti i dytë lidhe me zgjedhjet vendore të 2011. Tensioni u ngrit sërish. Si gjithmonë protagonist Berisha, që në konflikte gjen shprehjen e plotë të unit të tij politik. Kulmi arriti në Tiranë, ku u rrëmbye mandati i kryetarit të bashkisë në mënyrën më spektakolare, por me procedurë. Ndërkombëtarët thanë ca fjalë as mish as peshk për procesin. Njëlloj si ti thoshin Ramës të rrosh vet. Prova e tretë është 21 janari për të cilin është folur shumë dhe nuk po zgjatem.

E fundit fare: seanca e Kuvendit për zgjedhjen e anëtarit të ri të KLD, ku u shkelën procedurat në çastin e fundit dhe ambasadori amerikan edhe një herë në rolin e arbitrit, tha pak a shumë se fajtorë janë të dy palët, njëlloj si teto Naja e novelës së Kadaresë Sezoni dimëror i Kafe Rivierës, që në mbledhjen e kolektivit ku po kritikohej një djalë i ri tha: Ene drejtori ka të drejtë, ene çuni ka të drejtë Pra, sërish në anën e Berishës. Pas gjithë këtyre provave, besoj, duket se ndërkombëtarët nuk janë në mes, por djathtas. Dhe këtë mendoj se e kuptojnë të gjithë, por nuk e di a e kupton Edi Rama. Gjer tani nuk ka ndonjë shenjë se e kupton. Dhe më e rëndësishmja: a e di ai pse ndërkombëtarët mbështesin Berishën? Pa i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje viti 2013 ka gjasa të jetë ters për opozitën.

 

Nga Petrit Qejvani

Publikuar nga Shekulli 21.05.2012

Next Post

Si do të na fliste Naim Frashëri. Nga Petrit Qejvani

Sht Qer 2 , 2012
  “Ti Shqipëri më ep nder, më ep emrin shqiptar”, janë vargjet e famshëm emblematikë të Naimit, të cilat i di çdo shqiptar. Dhe nuk i kujtuam kot. Më 25 maj ishte përvjetori i 166-të i poetit tonë të madh, Naim Frashërit. Një përvjetor i kaluar në heshtje. Përvjetori i […]
PetritQejvani

Mund t'ju duken interesant edhe artikujt