FESTIM SHQIPTAR I VITIT TË RI

PetritQejvani

Është vërtet e çuditshme si e promovojmë ne shqiptarët vitin e Ri. Të gjithë e presin me gëzim ditën e ndërrimit të viteve dhe vërtet në të ka diçka optimiste dhe njerëzore, bile përtejnjerëzore…Dhe secili popull ka diçka të veçantë në ceremoninë e ardhjes së tij. Në shumë gjëra, në thelbin e saj, edhe shqiptarët festojnë si të tjerët.

Por në dekorin e kësaj natë-dite, ne kemi një veçori tjetër: krismat. Ne festojmë trimërisht, të paktën si asnjë popull në Europë, në shtëpinë tonë të madhe, në të cilën ende s’kemi hyrë, edhe për shkak të krismave…Tek ne dritave të natyrshme të Vitit të Ri, u shtohen edhe “dum-dumet” e kapsollave plasëse, që nuk të lenë të qetë asnjë çast.Veçanërisht kur afron mesnata e 31 dhjetorit dhe nja 30 minuta pas saj krismat të kujtojnë një betejë të vërtetë guerrilesh urbane. Nga ballkonet dhe dritaret e shtëpive arsenale të tëra “armësh festive” si fishekzjarre dhe kapsolla hidhen krenarisht, jo vetëm nga fëmijë, adoleshentë dhe të rinj, por edhe prej fëmijësh 40-50 vjeçarë, që, me fishekzjarre në dorë, konkurojnë më të rinjtë, fëmijët dhe nipat e tyre dhe, vërtet, veten nuk mund të mos e ndjesh krenar për sojin, të cilit i takon…Bëhet aq tym dhe zhurmë, saqë është e pamundur të hapësh dritaren, pasi ajri i ndotur dyfish, prej gazrave kimike dhe zhurmës së shpërthimeve, të shqetëson, të merr frymën. Dhe, vërtet, duhet të jemi i vetmi vend europian, që e feston vitin e Ri kaq “ushtarakisht”. Kjo falë natyrës së racës sonë kreshnike, por edhe symbylljes së qeverive që, për hir të ca tregtarëve batakçinj, e lejojnë një gjë të tillë, në kurriz të humorit dhe shëndetit të qytetarëve korrektë. Megjithatë, ka zëra që thonë se kjo është më leverdi…

Sikur të mbaronte natën e 31 dhjetorit, edhe mund të falej, por kjo histori vazhdon edhe 2-3 dit të tjera, sa të shpenzohen të gjitha rezervat e këtij arsenali. Kështu, sa zbret mbrëmja e ditës tjetër, hidhen sërish fishekzjarret dhe kapsollat e para, të cilat pasohen nga breshëri fishekzjarresh dhe kapsollash nga ballkonet dhe dritaret e tjera të lagjes, për t’i thënë komshiut përballë se edhe ne jemi trima dhe të armatosur, duke shqetësuar dhe duke krijuar ndiesinë e një “lufte”për çlirimin e lagjes nga pushtues të padukshëm. Dhe ky rit e ka zanafillën më herët, nga fillimi i 10 ditëshit të tretë të dhjetorit, kur nxënësit e shkollave, veçanërisht ata të 9-vjeçareve, i mbushin xhepat me kapsollat plasëse, që i hedhin nëpër shkolla si një argëtim tipik shqiptar. Dhe kjo bam-bumomani është bërë aq qytetare në çdo prag viti të Ri, saqë ta hedhin kapsollën duke kaluar rrugës adoleshentë, që pastaj fytin duart në xhepa e rrinë seriozë për të parë efektin e heroizmit të tyre (!)- trembjen e ndonjë vajze, gruaje a të moshuari, e, sidomos të ndojnë njeriu, që vuan nga zemra.

Duke dëgjuar këto krisma, edhe tani që po shkruaj këto radhë, më kujtohet ’97 dhe trishtohem. Dhe menjëherë më vjen ndërmend Konica me ato shprehjet e tij shpesh të hidhura në lidhje me disa cene të shqiptarëve e, veçanërisht, me atë që ne nuk jemi të qytetëruar sa duhet (për të mos thënë të prapambetur) dhe, ndonëse i shoh me rezervë disa prej vlerësimeve të tij, i jap plotësisht të drejtë. Mirëpo kulturimi e qytetërimi nuk vijnë vetiu. Ato vijnë me punë, me program dhe moral, por ato edhe duhet të edukohen prej atyre, që kanë marrë përgjegjësitë e drejtojnë këtë vend, sepse edukimi nuk vjen vetëm nga liria, por edhe nga kufizimi i lirisë, nga detyrimi ligjor, shtetëror. Dhe detyrimi nuk është doemos diktaturë…Dikujt apo shumëkujt kjo mund t’i duket një gjë pa rëndësi, një gjë e vogël në krahasim me problemet që ka shoqëria shqiptare sot. Dakort, por ca gjëra të vogla fshehin gjëra të mëdha.

Sidoqoftë ndonjë mund të më shpallë dhe armik të Vitit të Ri shqiptar, meqë dua një Vit të Ri të bukur, festiv, të qetë, me sa më shumë drita e ngjyra si në Evropë, të cilën e duam kaq shumë, por që nuk na do dhe aq.

Dhe jo me krisma, si në një vend të botës së tretë…

Petrit Qejvani,Universiteti” I.Qemali”,Vlorë. Më 01.01.2009

Next Post

KEQARDHJA PËR MËSUESIN, TREGIM

Hën Maj 28 , 2012
   Shumë vite më parë, në fëmini, midis ciklit të ulët dhe të lartë të shkollës 8-vjeçare, ose më saktë, aty nga fillimi i klasës së pestë, më kishte lindur dhe më kishte shoqëruar një ide e çuditshme, absurde, por shumë e sinqertë. Ajo herë shfaqej fort dhe ëmbëngulëse e […]
PetritQejvani