-Me rastin e 15 vjetorit të xhirimit të filmit-
Nga Besnik Gjonbrataj
Historinë personale çdo njeri e ka të jetuar dhe nuk ka si ta harrojë atë. Gjithashtu edhe historinë e familjes së tij përveçse të jetuar, e ka të mësuar nëpërmjet prindërve dhe më të moshuarve, qoftë edhe nëpërmjet dorëshkrimeve e kujtimeve të lëna nga të parët tanë brez pas brezi. Por të njohësh historinë personale e të familjes nuk është gjithçka. E rëndësishme është të njohësh më tepër, më tej familjes, fisit, mëhallës, pra të njohësh vendlindjen tënde. Të njohësh historinë e fshatit, të krahinës e të Atdheut tënd është dhe duhet të jetë obligim i çdonjërit. Jo më kot Çajupi në poezinë e tij “Mëmëdheu” do të shprehej:
Mëmëdhe quhet toka,
ku më ka rënë koka,
ku kam dashur mëmë e atë,
ku më njeh dhe guri i thatë,
stërgjyshët ku kanë qenë,
dhe varret q’i kanë vënë,
ku jam rritur me thërrime,
ku kam folur gjuhën time,
ku kam fis dhe ku kam farë,
ku kam qeshur, ku kam qarë,
ku rroj me gaz e me shpresë,
ku kam dëshirë të vdes.
Përmbajtja e kësaj poezie është tepër aktuale edhe në ditët e sotme, jo vetëm për njerëzit që jetojnë brenda vendit, por mbi të gjithë për ata që për arsye ekonomike, shkollimi dhe të një jetese më të mirë, apo edhe për çdo arsye tjetër, janë detyruar të lënë vendlindjen e tyre dhe të jetojnë larg, ndoshta edhe më larg se vetë Çajupi i Rilindjes. Vendlindjen tënde ose të prindërve e gjyshërve mund ta njohësh duke e jetuar, por edhe nëpërmjet gojëdhënave, nëpërmjet leximit të dokumenteve të ndryshme, nëpërmjet vizitave në muze, nëpërmjet historikut të shkruar, nëpërmjet kërkimeve në arkiva dhe në shumë mënyra, por kur atë e njeh nëpërmjet filmit, siç është tashmë filmi dokumentar për Kallaratin, realizuar në vitin 2005, ku nga fjalët e komentet e folësit, nga filmimi i fshatit, njerëzve dhe bukurive të tij dhe më kryesorja kur e sheh dhe dëgjon nga goja e më të moshuarve, një pjesë e të cilëve sot për arsye moshe nuk janë gjallë, nuk ka si të mos ta besosh historinë e lavdishme të fshatit tënd, nuk ka si të mos ndihesh krenar që je banorë, bir, bijë, nip apo mbesë e këtij fshati të vogël, por me histori të madhe, siç është Kallarati.
Kallarati, tashmë ka filmin e vet dokumentar, i cili tregon fare qartë historinë e tij që nga Kunjova, shpërnguljen në Pelingri, djegien e fshatit nga andartët grekë, shpërnguljen përsëri aty ku është sot afër lumit Shushica, në të dy anët e rrugës automobilistike, e vendosur në tre lagje, Morrez, Qafë e Ubavit dhe Basha. Nëpërmjet këtij dokumentari, nga goja e shumë banorëve të vjetër por edhe të rinj përshkruhet jeta e fshatit tonë.
Ky film u realizua nën kujdesin e drejtpërdrejtë të ish Kryetarit të Shoqatës, i paharruari, Gafur Shameti në vitin 2005 dhe me kontributin financiar të shumicës së banorëve të këtij fshati. Shumica e intervistave u bënë me rastin e takimit të brezave në Korrik 2005 në Kallarat, por edhe filmimeve të bëra me bashkëfshatarët tanë në Tiranë, Fier, Vlorë e gjetkë.
Ky film, do të thosha i rrallë, si nga përmbajtja, regjia, filmimi, realizimi i atyre që punuan për ta pasur sot një të tillë, ku jo çdo fshat ka arritur ta bëjë këtë. Ai që në fillim me një pamje të qiellit të pastër me pak re, edhe ato të bardha sikur të lehtëson shikimin dhe të shton kureshtjen se në vijimësi diçka të mirë do të shikosh dhe shijosh. Shumë e gjetur nga autori është thënia në fillim të këtij filmi:
“Mblodha malet kokë më kokë,
Bogonicën dhe Çipinë,
Malet nisën të tregojnë,
Historinë e fshatit tim….
Gafur Shameti, i cili në këtë rast është jo vetëm iniciatori, ideatori, skenaristi, por edhe folësi i filmit, me zërin e tij të qartë, me një gjuhë të pastër letrare, me një zë kumbues, të ëmbël dhe të ngadaltë, e të qartë ta bën edhe më tërheqës shikimin e filmit. Zëri i tij kumbon si zëri i një artisti të vërtetë filmi apo aktori teatri, të kujton Reshat Arbanën, Kadri Roshin apo Mirush Kabashin në rolet e tyre. Nëpërmjet realizimit të këtij filmi Gafuri ka dëshmuar se nuk ishte vetëm një libretist i mirë për të shkruar skeçe e pamflet estrade të Vlorës, por ishte edhe interpretues po aq i mirë i asaj që vetë ka shkruar. Kur të dyja këto, apo edhe të tria do të thosha, teksti, zëri, dhe natyra e bukur e Kallaratit, bashkohen në një të vetme i japin këtij filmi vlera me të vërtetë historike dhe artistike.
SI NISI XHIRIMI I FILMIT.
Siç tregonte vetë Gafuri në një nga numrat e kaluar të gazetës tonë, ai nisi si dëshirë për të bërë diçka për nënën e tij, Kalemen në prag të ndarjes nga jeta, e cila kërkonte të shkonte ndoshta përherë të fundit në Kallarat. “Më ka marrë malli- i thoshte ajo- o bir për Kallaratin, ta shihja edhe njëherë para se të vdisja. Doja të shikoja shtëpinë në Povël, ku kam kaluar vajzërinë, të shikoja shtëpinë e xha Shamos, ku shkova nuse ende pa mbushur 16 vjeçe. Doja të shikoja lumin ku mbushnim ujë me bucele. Doja të shikoja rrënojat e shtëpisë së tim vëllai, Maze Jonuzaj dhe vendin e haurit, në të cilin kaloi jetën halla jonë fatkeqe, Mërzaia. Të shikoja arat tona në Dushk, shtëpitë e Toçe e Memushe, shtëpinë e Nënë Duzes në majë të kodrës, të motrës sime, Selimesë në Varreturke, të kunatës sime Shaze Hitaj, etj në Morrez. Doja të takoja shoqet e mia moshatare, ku kemi kaluar si motra të vërteta e kemi qarë hallet e dertet tona, etj dëshira, por që nuk mund të vazhdonte më për shkak të lodhjes.
Pasi ajo u përmend-tregon Gafuri i thashë: ”Dëgjo nënë e dashur, të jap fjalën se pasnesër do të shpie në Kallarat”. Por qe e pamundur se shëndeti i saj sa vinte e dobësohej. Më tej tregon Gafuri “Pas disa ditësh, duke ndenjur pranë shtratit të saj i thashë: -Dëgjo nënë, unë do ta sjellë Kallaratin këtu, brenda kësaj dhome, që të çmallesh çdo ditë me të. Të shohësh Boronicën, Fshatin e Djegur, Gurin e Hijes, Morrëzën dhe Qesarulen, Qafën e Ubavit, Povlën e shtëpinë ku kalove fëmijërinë dhe Dushkun e shtëpinë ku shkove nuse. Të çmallesh me shoqet e tua moshatare. Po, po do të xhiroj një film për Kallaratin. Pashë që fytyra i mori një pamje tjetër, u gjallërua, u çel, më mbërtheu fort dorën dhe më tha: Vërtet do ta bësh filmin apo më bën qejfin mua. Dhe si për të mbajtur fjalën e dhënë nënës së tij, Gafuri fillon të hedhë idenë për xhirimin me të vërtetë të një filmi dokumentar për Kallaratin. Dhe për këtë pasi bisedoi me disa shokë si Subi e Seit Jonuzin, Enver Golloshin e të tjerë bashkëfshatarë kallaratas në Vlorë, të cilët e inkurajuan për nismën e marrë. Dhe kështu filluan përgatitjet për filmin, por edhe për Shoqatën Kallarati, e cila siç dihet u krijua në 12 janar 2003. Rasti më i mirë për të xhiruar e shprehur këtë dëshirë edhe kallaratasve të tjerë, do të shërbente takimi i brezave në Kallarat në Korrik 2005, ku në fjalën e tij si Kryetar i Shoqatës Gafur Shameti do t’ju bënte thirrje gjithë bashkëfshatarëve për kontribuar jo vetëm financiarisht, por me dokumente dhe me fakte rreth historisë së Kallaratit.
Pas 8 muajsh pune intensive duke filluar nga filmimet në fshat, intervistave me bashkëfshatarët, mbështetur financiarisht nga Ylli Shakaj, Besnik Mataj, Selman Memushaj, Ylli Rjepaj, Idajet Toçaj, Altisfer Golloshaj, Mitat Jonuzi, Lifto e Kalo Memushaj, Violeta Xhaferaj, Ferdi Abazaj, Brahim Strati, Nako Jovani dhe nga kuota e derdhur në mënyrë simbolike nga çdo kallaratas u bë e mundur xhirimi i këtij filmi. Filmi kushtoi rreth katër milionë lekë të vjetra, por që u paguan vetëm 30 përqind pasi pjesa tjetër e punës u mbulua pa pagesë nga vetë Gafuri, falë edhe dashamirësisë së treguar nga stafi i TV ”6+1 Vlora”. Në këtë mënyrë Gafur Shameti, e bëri Kallaratin të ketë një film historik, të cilin nuk e përfundoi dot sa kishte gjallë nënën e tij Kalemen, siç ia kishte premtuar, por ai u plotësoi dëshirën gjithë kallaratasve që brez pas brezi të kujtojnë vendlindjen e tyre dhe historinë e prindërve.
Mënyrën se si e përshkruan Kallaratin Gafuri të bën të ndjehesh mjaft mirë e krenar. “Kallarati fshati piktoresk me bukuri përrallore, buzë lumit Shushicë. Mbi krye qëndrojnë hijerëndë malet e Bogonicës dhe Çipinit. Rrepet shekullore në të dy anët e lumit mbajnë fshehur brenda historinë kallaratase, patriotizmin, trimërinë, bujarinë, mençurinë në breza të tyre. Morreza dhe Qafa e Ubavit, dy lagje të ndërtuara me një planimetri të rregullt, janë strehëzat ku banojnë prej dekadash kallaratasit, banorët më të lashtë të Lumit të Vlorës, punëtorë e mikpritës, të dashur e të pastër, ata e kanë ndërtuar jetën e tyre më së miri me shtëpi të reja e orendi bashkëkohore, me klube e dyqane, me vetura e motoçikleta, e mbi të gjitha me ajrin e pastër e ujin e kulluar”– përfundon Gafuri në përshkrimin që i bën me gojën e tij fshatit të Kallaratit dhe banorëve të tij që kanë virtytet më të mira të shqiptarit.
Filmi është i ndërtuar mbi bazën e filmimeve të natyrës së bukur të Kallaratit, me komente rreth historisë dhe intervistave të drejtpërdrejta të shumë kallaratasve me banim në Kallarat, Vlorë, Fier e Tiranë, njerëz të moshave dhe profesioneve të ndryshme, ku bien në sy ata më të moshuarit, të cilët mbartin në kujtesën e tyre mjaft fakte e ndodhi për fshatin, një pjesë e të cilëve sot nuk jetojnë. Nëse, këtë film do ta ndanim në pjesë, nëpërmjet tij mësojmë:
HISTORIA E KALLARATIT NGA VENDBANIMI I HERSHEM NE KUNJOVE, PELINGRI DHE NE VENDNDODHJEN E SOTME.
Tashmë dihet nga të gjithë se vendbanimi i hershëm i Kallaratit ka qenë Kunjova, pastaj Penigria dhe së fundmi aty ku ndodhet sot në të dy anët e lumit Shushica. Ja se si e përshkruan atë Gafuri: “Kunjova, vendbanimi më i hershëm i Kallaratit, ndërtuar rreth 100 vjet para erës së re, fshat me gati 10.000 banorë më i madhi në Lumin e Vlorës. Ky vendbanim u themelua nga njëri prej fiseve që në kohë të hershme zbritën prej pllajës së Kurveleshit të Sipërm, në kërkim të hapësirave të reja për jetesë. Dëshmi e kësaj janë toponimet si Qafa e Kallarate, Gropa e Gjokone (fis i Kallaratit) etj, por edhe një këngë popullore, vargjet e së cilës thonë:
“Kallarati për karshi,
Në Kunjovë e për veri
Një mij’ e dyqind shtëpi,
Kasaba e magazi,
Dyqane tridhjet’ e dy”.
Duke qenë i shtrirë rrëzë maleve dhe midis kodrash me lartësi 500-1000 m, të mbuluara me pyje, Kunjova ofronte kushte të përshtatshme për mbarështimin e bagëtive të imta, por edhe për bujqësi, në rrjedhjen e mesme të përroit të Pajamehut. Nga kënga popullore e mësipërme del se fshati ishte i madh dhe me shumë kisha e xhami. Sipas këngës, shkak i braktisjes së këtij vendbanimi ka qenë epidemia e kolerës, nga e cila brenda një nate vdiqën qindra vetë. Për t’i shpëtuar epidemisë, një pjesë e banorëve e braktisën fshatin dhe u zhvendosën në Rrëzën e Pelingrisë (fshati i djegur i Kallaratit), kurse një pjesë u shpërngulën në Piqerras, Sasaj, Lukovë e Shën Vasil dhe në fshatra të brendshme të Labërisë. Koha kur ka ndodhur kjo braktisje është pas pushtimit turk, kur kishte filluar myslimanizmi i Labërisë, pas gjithë gjasash midis shek. XVII–XVIII, kur dëshmohen edhe dy epidemi kolere, njëra rreth vitit 1660 dhe tjetra në vitin 1720.
Nëpërmjet filmit shikuesit mësojnë se pas shpërnguljes nga Kunjova për shkak të kolerës kallaratasit u vendosën në Pelingri, në këmbët e faqes lindore të malit të Bogonicës. Kallarati u ndërtua, duke marrë formën e një fshati tipik shqiptar, me shtëpi dykatëshe apo me një kat e gjysmë, me avlli dhe me rrugica në formë rrezesh që zbrisnin në fund të fshatit. Por në korrik 1914 fshati u dogj nga bandat shoviniste greke. Pas largimit të ushtrisë greke më 1916, fshatarët nuk u kthyen të rindërtonin shtëpitë, por u vendosën në krye të arave dhe luginave të përrenjve. Gërmadhat e tij ruhen ende, ndonëse janë dëmtuar shumë nga marrja e gurëve për ndërtimin e shtëpive të reja.
Çize Xhaferi duke folur për fshatin e Djegur në Pelingri thotë: “Shtëpitë ishin ndërtuar me gur të skalitur, shtëpi dykatëshe, me tualet, afër njëra tjetrës, në qendër të fshatit xhamia e rrallë për nga ndërtimi me përmasa 17x7x4 m, gjë që tregon dhe flet për mjeshtërinë artistike të ndërtuesve të asaj kohe dhe për trashgimëninë kulturore, që rrallë mund ta gjesh edhe në ditët e sotme”.
Nëpërmjet intervistave të tjera të Enver Stratit, Qazim Mataj, Nako Jovanit, mësojmë më tepër rreth qëndresës së popullit të Kallaratit gjatë luftimeve në dhjetor 1912 në malin e Gjothanasit, në luftime me forcat e Spiro Milos, të cilët prej andej donin të zinin luginën e sipërme të Shushicës, ku dhanë jetën: Murat Avdul Demiri e Çelo Mustafa Boshi, ndërsa në luftimet e zhvilluara më 14 korrik 1914 me andartët grekë u vranë: Ramadan Muhamet Hoxha, Hyso Balil Xhaferi e Dervish Sali Maçi, duke e quajtur vitin 1914 si vitin më fatal për banorët e këtij fshati. Pas djegies së fshatit në këtë vit, ai shpërngulet në vendin ku është edhe sot me tre lagje Morrez, Qafë e Ubavit, Basha dhe rrethinat.
Mbi Kallarat qëndron kryelartë mali i Bogonicës, dëshmitar i të gjitha luftërave zhvilluar në këtë zonë. Gjatë shekujve, ai ka shërbyer si një kështjellë dhe strehë mbrojtjeje nga ku banorët u kanë bërë ballë pushtuesve të ndryshëm. Me shpellat e anës perëndimore, Bogonica ka shërbyer si strehë mbrojtjeje për banorët edhe në shekujt e mëvonshëm, deri në Luftën II Botërore. Për t’u mbrojtur nga operacionet naziste, banorët e Kallaratit fshiheshin në shpellat e tij, që ishin vende shumë të sigurta ku nuk arrinin dot as bombat e aeroplanëve, as predhat e mortajave. Bogonica, “dylbia natyrore” siç e quan Gafuri – mund të shikosh tërë fshatrat e Lumit të Vlorës, madje në ditë me mot të kthjellët arrin të shohësh deri kodrat e Levanit e rreth qafës së Koshovicës. Nga lindja e juglindja sheh malësinë e Kurveleshit të Sipërm dhe malet mbi Kuç, Fterrë e Çorraj, kurse nga perëndimi duken fshatrat e Bregut të Detit, ishujt përballë dhe Korfuzi.
Guri me Hije ose “ora natyrore” siç e quajnë banorët gjendet në Grykën e Honit në lartësinë 900m mbi nivelin e detit, pranë fshatit Kallarat, është një shkëmb masiv në formë paralelepipedi, i cili përdorej nga barinjtë e fshatit si pikë orientimi për të nxjerrë bravaret në kullotë mbasdite gjatë stinës së verës, që duket rreth 15 km larg. Fshatarët e Kallaratit, të Bolenës dhe të Kuçit, mbështetur në vëzhgimet e shumta, në të kaluarën, hijen e tij e shfrytëzonin për të matur kohën gjatë ditës nëpërmjet lëvizjes së hijes së shkëmbit. Ndaj dhe populli këndon:
“Dielli malit kur bie,
Ndriçon tek Guri me “Hije”,
Guri që kohën tregon,
asnjë minut nuk gabon…
PJESEMARRJA DHE KONTRIBUTI KALLARATASVE NE LUFTEN PER ÇLIRIM KOMBETAR.
Një pjesë të rëndësishme të minutazhit të tij, filmi dokumentar i kushton pikërisht kontributit të kallaratasve në luftën për liri e çlirim kombëtar, si pjesë e pandarë e luftës së popullit tonë në shekuj. Thirrjes së Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare për mbrojtjen e vendit nga pushtuesit italianë, Kallarati iu përgjigj duke krijuar çetën e tij me 60 vetë, me komandant Fein Stratin e Habib Gjonin. Çeta mori pjesë në luftën e Gjormit dhe pastaj u aktivizua në mësymjen e përgjithshme të forcave kryengritëse më 11 qershor 1920. Çeta e Kallaratit mori pjesë edhe në mësymjen e dytë të përgjithshme të forcave kryengritëse më 23 korrik 1920. Në këto luftime u vra Xhevair Golloshi dhe u plagos i riu Veip Balili.
Lajmin për pushtimin fashist të vendit më 7 Prill 1939, Kallarati e priti me indinjatë e zemërim të madh ndaj mbretit Zog, që e tradhtoi vendin. Shumë fshatarë shkuan në qendër të komunës në Kuç, ku kërkuan armë për ta pritur armikun me pushkë, siç kishte qenë tradita e Labërisë në shekuj, ndërsa kapiten Shahin Jonuzi në Pestrovë të Vlorës do t’i bënte qëndresë italianëve me baterinë e tij të cilën komandante.
Në pranverë të vitit 1942 krijohet njësiti territorial i fshatit me 12-15 vetë, e cila në nëntor të po atij viti u riorganizua në çetën me emrin “Mumin Selami”, me komandant Veip Balilin dhe komisar Adil Petanin, e cila mori pjesë në një sërë luftimesh. Në vitin 1943, çeta u përfshi në përbërje të batalionit “Ismail Haki”. Pas krijimit të çetës, në mars 1943 krijohet këshilli antifashist nacionalçlirimtar i fshatit dhe më 20 korrik 1943, kallaratasit lidhën besën duke shkuar lekun në gojë për luftë pa kompromis kundër pushuesve fashistë e bashkëpunëtorëve të tyre. Po në korrik të atij viti themelohet tek Ura e Memetes celula e PK për fshatin, me katër anëtarë. Pas tyre krijohen edhe organizata e rinisë dhe e gruas. Kallarati, me vetëm 100 shtëpi, rreshtoi në radhët e formacioneve partizane ose e ndihmoi luftën në forma të ndryshme rreth 200 burra, gra, djem e vajza, nga të cilët 20 ranë dëshmorë, ndër ta një Hero i Popullit, dhe 11 u plagosën.
Pjesëmarrja në formacionet partizane ka qenë:
Brigadën e I, 7 veta;
Brigadën e II, 9 vetë;
Brigadën e VI, 16 vetë;
Brigadën e VIII, 30 vetë;
Brigadën e XII, 10 vetë;
Brigadën e XIV, 8 vetë;
Brigadën e XIX, 1,
Brigadën e XXII, 3 vetë;
Brigadën e XXIII, 6 vetë;
Brigadën e XVII, 4 vetë;
Shtabin e Zonës së Parë Operative, 2 vetë;
Çetën Territoriale “Hajredin Tremishti” 1;
Grupin e 3 të Mallakastrës 1;
Çetën Territoriale të Qishbardhës 1;
Çetën e Gore-Oparit, Korçë 1;
Çetën Territoriale të Topalltisë 1,
Çetën Territoriale të Kallaratit “Mumin Selami” 99 vetë, etj.
Në intervistat e dhëna nga Dalan Memushi, Sinan Tozi, Seit Jonuzi, Tahir Gjonbrataj, Ahmet Karabolli, Namik Abazi, Arif Breshani, etj tregojnë kujtimet e tyre për pjesëmarrjen në luftën nacionalçlirimtare, njësitë ku kanë bërë pjesë, disa nga luftimet më të përgjakshme, por dikush si Sinani dhe Tahiri tregojnë edhe për plagosjen e tyre në luftë.
Gratë e Kallaratit, si të gjitha gratë e Kurveleshit dhe të Labërisë, në çdo luftë për mbrojtjen e trojeve janë gjetur përkrah burrave të Kallaratit Këtë e tregojnë edhe vargjet e thurura nga rapsodët e kohës, kur thonë:
“Kallarat u bë hata,
luftojnë burra dhe gara…”
ose
“Kallarati fshat i paktë,
Trima burrat/ trime gratë.. “.
Gratë e Kallaratit u rreshtuan përkrahë burrave në luftën nacionalçlirimtare. Kështu rasti i Salto Golleshes, që zëvendësoi bashkëshortin e saj në Brigadën e Tetë, Ormën Ribin kur u vra, Trëndafile Breshani, bashkëshortja e dëshmorit Filo Breshanit; Qamile Goxhi; Belere Maliq Borshi, e cila u vetëflijua për të mos rënë në duart e gjermanëve për qëllime të këqija dhe rreth 124 gra të moshave të ndryshme që në një formë apo në një tjetër ndihmuan lëvizjen nacionalçlirimtare, flasin për pjesëmarrjen e tyre në luftë pa kompromis ndaj pushtuesve përkrah burrave të fshatit. Gratë e Kallaratit përballuan në këtë luftë vështirësi të mëdha, sidomos gjatë operacioneve të ndërmarra nga armiku në zonën tonë, duke u kujdesur për shpëtimin e fëmijëve dhe të ekonomisë së familjes. Me gjithë varfërinë e madhe, ato pritën kuadro të lartë e partizanë të thjeshtë, duke i larë e ndërruar dhe duke ndarë me ta bukën e gojës. Ndër to shquhet sidomos nënë Duzja, nëna e “Heroit të Popullit”, Mumin Selami, e cila u bë një agjitatore e palodhur e luftës në krahinë. Ajo krijoi organizatën e gruas në fshat, u zgjodh anëtare e këshillit krahinor të Kurveleshit, mori pjesë në Kongresin e Parë të Gruas Antifashiste në Berat dhe u zgjodh deputete e Kuvendit Popullor. Për këtë kohë flasin tre nga gratë më të moshuara të intervistuara, Xhiko Gjonbrati, Venetike Xhaferi, Bexhe Hoxhaj etj.
ZHVILLIMI I ARSIMIT DHE KULTURES NE KALLARAT.
Një vend të rëndësishëm në filmin dokumentar i kushtohet çështjes së arsimit dhe kulturës në Kallarat. Populli i Kallaratit ka qenë i etur jo vetëm për liri e pavarësi, por edhe për kulturë e dije. Një ndër të parët në Kurvelesh që përqafoi idetë e rilindësve ka qenë Myftar Ali Kallarati. Myftari, lë kopenë në brinjë dhe emigron në Rumani e më vonë në Stamboll, ku mbaron medresenë, shkollë fetare për hoxhë dhe fillon të interesohet për mësimin e shqipes. Hyn në lidhje me rilindësin Naum Veqilharxhi dhe merr përsipër të sillte evëtarin shqip të tij në Shqipëri. Më 1840, merr një sasi librash dhe niset në këmbë nga Stambolli. I rraskapitur nga rruga, sëmuret rëndë dhe me vështirësi arrin në katundin Selckë të Pogonit, Gjirokastër. Aty strehohet në një shpellë, ku e gjejnë barinjtë dhe e shpien në fshat. Me gjithë kujdesin që treguan selckjotët, nuk i shpëtoi vdekjes. Para se të jepte shpirt, ai u tha se quhej Myftar Ali dhe ishte nga Kallarati. U la porosi që vivlat (librat) t’ua shpërndanin të rinjve që të mësonin e të shkruanin shqip. Fshati e varrosi me nderime 10 metra larg oborrit të kishës, se ishte jo vetëm mysliman, por dhe hoxhë. Mbi varrin e tij u ngrit një qivur dhe u vendos një pllakë guri, në të cilën u shkrua në shqip dhe greqisht: “Hoxha i vilajetit Myftar Aliu nga Kallarati, vdekur më 1840”. Ky varr njihet me emrin “Varri i Hoxhës”. Prifti i fshatit urdhëroi të binin tri herë kambanat e kishës. Për të në fshatin Selckë janë thurur këto vargje:
“O i ziu babasheh,
Ke fëmijë apo nuk ke?
S’kemi ç’të bëjmë dhe ne,
të përcollëm si babanë,
Për ty tri kambana ranë.
Aktualisht eshtrat e Myftar Aliut nën kujdesin e Shoqatës “Kallarati” prehen në varrezat e fshatit në Kallarat.
Dëshirën ë zjarrtë për mësim në gjuhën amtare e dituri e nxiti më shumë patrioti i madh Ismail Qemali, i cili në bisedën e bërë me patriotët e fshatit më 1908, në mënyrë simbolike, ai i dha të riut Myftar Golloshi një abetare shqipe. Një nga figurat e shquara të arsimit në Kallarat është Telo Duro Zhibi, i cili duke punuar tek miku i të atit në Vlorë, mbaron shkollën e Muradies (mejtepin turk) dhe filloren shqipe. Si atdhetar i përkushtuar, shkollimin në gjuhën shqipe Telua nuk e konsideroi si stoli për vete, por për t’u mësuar shkrim e këndim gjithë moshatarëve të tij në Kallarat e gjetkë. Ai u bë nismëtar i parë i mësimit shqip në Kallarat, duke hapur në mars 1916 në shtëpinë e Dushan Jonuzit kursin e parë te mësimit të gjuhës shqipe.
Figurë tjetër e shquar dhe më komplekse në lëvrimin e gjuhës dhe të shkollës shqipe është Meçan Selam Qejvani. Tek ai kishte lindur dëshira për kulturë dhe dije me përpjekjet e s’ëmës, Bejkës, se babai e kishte lënë të vogël. I ndihmuar nga miku i të atit, Mato Muharremi nga Vranishti, vijoi shkollën shqipe në Muradie të Vlorës. Në shkollë takohet me Halim Xhelon, i cili më vonë bëhet vëlla me hajmali me të. Zgjuarsinë e Meçanit dhe të Halimit i pikasi dhe Ismail Qemali në vizitën që i bëri shkollës më 1909, i cili u tha mësuesve që këta e paskan syrin pishë dhe i dha porosi Jani Mingës, përgjegjësi i arsimit, që këta të vazhdonin shkollën më lart. Pikërisht, në zbatim të kësaj porosie, Meçani dërgohet për të vijuar gjimnazin në Korfuz. Këtu, veç mësimit greqisht, dy ditë në javë bëhej mësim dhe në gjuhën shqipe. Në kujtimet e tij, Meçani tregon: “Kur mora vesh se do të vijoja shkollën në Korfuz, Ismail Qemali m’u duk perëndi dhe, kur fillova të mësoja e shkruaja shqip, më lindën në deja gjak shqiptari.” Dhe siç do të shihet, veç përhapjes së mësimit dhe të shkollës shqipe, përfshihet dhe në veprimtari atdhetare. Pas shpalljes së Pavarësisë, Meçani në moshën 18-vjeçare, hap më 1913 shkollën e parë shqipe në Vranisht, në fshatin e mikut Meto, që e ndihmoi të mësonte shqip. Pra, tani Kallarati kishte dy mësues të talentuar që përhapën mësimin e shqipes jo vetëm në fshatin e tyre, por dhe gjetkë.
Shkolla shqipe e Kallaratit, që nga dita e hapjes më 20 tetor 1916 dhe deri në ditën që u mbyll më 2006, ka kaluar në disa etapa, që dallohen në veçoritë e tyre, të kushtëzuara nga zhvillimet në vendin tonë. Etapa e parë përfshin periudhën 20 tetor 1916 deri në shtator 1920, kur u shporrën italianët nga Vlora. Hapja e shkollës së parë shqipe në Kallarat shënon ditën më rëndësishme të popullit të shumëvuajtur. Kallaratasit këtë ditë e quajtën ditë të shënuar, ditë të kurorëzimit të kërkesave të tyre. Mësuesi i parë i shkollës ishte Hodo Jaho, i pasuar nga Musa Sinani, të dy borshiotë, dhe më 1918 Meçan Selam Qejvani.
Etapa e dytë fillon në shtator 1920 deri në qershor 1923, kur u mbyll nga Qeveria e Xhafer Ypit. Qeveria e Fan Nolit, që erdhi në fuqi në qershor 1924, pati jetë të shkurtër, vetëm 6 muaj, dhe nuk arriti dot të bënte gjë për shkollat. Në këto dy etapa të shkollës shqipe në Kallarat morën arsim tri klasë fillore rreth 70 vetë të moshave të ndryshme.
Etapa e tretë e shkollës fillon në shtator 1935 deri në korrik 1939. Përfaqësuesit e Kallaratit, me shpenzimet e fshatarëve, kishin shkuar disa herë në Tiranë për të kërkuar të hapej shkolla, por kërkesa e tyre binte ne vesh të shurdhët. Pas përpjekjesh të shumta, arriti puna që qeveria e Zogut, për të hapur shkollën vuri kushtet: “Të kishte një numër të caktuar nxënësish dhe fshati të siguronte vetë godinën e mësimit”. Këto kushte u përmbushën dhe shkolla u hap. Në të u regjistruan dhe moshat e rritura, duke arritur numri i nxënësve në 40–45 vetë. Ndërsa për ndërtesë, falë shpirtit human të hoxhës së fshatit, u përshtat xhamia e fshatit. Mulla Beqir Zhibi tha: “Të hapet shkolla në xhami, pa unë do ta fal xhihanë në qafë të Brodanit.”
Por me gjithë këto, shkollimi ishte i paplotë, pasi arsimi fillor ishte 5 klasë. Për ta përfunduar filloren, një pjesë që patën mundësi, e vijuan shkollën në Vranisht, Bolenë dhe gjetiu, duke marrë arsim komplet fillor. Disa djem të Kallaratit vijuan edhe shkollat larta: Hasan Selam Toçi, pasi mbaroi medresenë në Tiranë, shkoi në Egjipt, ku mbaroi të lartën për letërsi dhe për teologji fetare. Izet Bushi, Shahin Jonuzi, Veledin Rjepi dhe Demir Lato vijuan akademinë ushtarake në Itali dhe u graduan oficerë. Dervish Shakaj e Abaz Shakaj mbaruan në Itali shkollën e ulët për nënoficerë; kurse Rruzhdi Petani, Lilo Habili e Hasan Meçe mbaruan shkolla të ulëta ushtarake brenda vendit dhe u bënë nënoficerë etj.
Në shtator 1939 shkolla u mbyll për shkak të pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste. Që nga viti 1916, kur u hap për herë të parë, e deri më 1939, dyert e shkollës mbetën hapur 11 vjet. Po, pavarësisht nga koha e shkurtër që qëndroi e hapur dhe nga arsimi gjysmëfillor që jepte, shkolla pati një rëndësi të madhe. Mbi 200 djem dhe vajza të Kallaratit kaluan në bankat e saj dhe ndihmuan edhe atë pjesë që nuk kishin mundësi të vazhdonin shkollat. Po kështu, shkolla ndihmoi në përhapjen e kulturës dhe të dijes në popull. Kjo ndikoi shumë te djemtë dhe vajzat e shkolluara që të kuptonin më mirë dhe më shpejt nevojën e luftës kundër pushtuesit fashist. Pikërisht, ish-nxënësit e shkollës qenë të parët që morën pjesë me armë në Luftën Antifashiste, ku një pjesë dhanë edhe jetën.
Megjithëse me pushtimin e vendit shkolla u mbyll, Partia Komuniste organizoi “shkollat popullore” në repartet partizane dhe në çdo fshat. Kursi i parë u hap në shtëpi të Hanko Janjit (Toçes), me afërsisht 20 të rinj e të reja. Mësues në fillim ishte partizani Xhemal Gjoni e më pas, kur ai shkoi partizan, punën e tij e vijoi Telo Zhibi. Edhe bijtë dhe bijat e Kallaratit që morën pjesë në rreshtat partizane, veç stërvitjes për të mësuar si të luftonin kundër armiqve, mësuan dhe shkrim e këndim shqip. Në shtator 1945 u çel shkolla fillore me katër klasë, që mori emrin “Mumin Selami”.
Kurset e ndryshme të zhvilluara gjatë Luftës dhe çelja e shkollës fillore, me arsimtarë të emëruar, shënojnë etapën e katërt dhe më të rëndësishme të arsimit në Kallarat. Arsimi dhe shkollimi gjatë kësaj etape ndryshojnë si në sasi dhe në cilësi nga etapat e mëparshme. Për herë të parë në Kallarat kemi shkollë fillore të plotë, e cila ishte e detyrueshme. Hapja më 1967 e shkollës 7-vjeçare u krijoi mundësi fëmijëve të Kallaratit të mos shkonin në Vranisht a Bolenë si më parë për të vijuar ciklin e lartë, po ta merrnin arsimin e detyrueshëm shtatëvjeçar në vendlindje. Më 1976, shkolla u bë 8-vjeçare dhe vijoi pandërprerë deri më 2006, kur u mbyll për mungesë nxënësish. Kështu, nga vitit 1945 deri më 2006, shkolla e Kallaratit i mbajti dyert hapur 62 vjet për qindra fëmijët e fshatit, po dhe të Pajamehut e të Lumit të Kuçit.
Në këtë shkollë kanë dhënë mësim rreth 30 mësues, nga të cilët 16 kanë qenë bij dhe bija të Kallaratit. Pesë prej tyre në kohë e periudha të ndryshme kanë ushtruar detyrën e drejtorit të shkollës, si Bilal Breshani, Çize e Violeta Xhaferi, Lefter Hysi e Vojo Davaci.
Arsimtarë vendës të saj që nga fillimi kanë qenë:
Telo Duro, Mecan Selami, Enver Golloshi, Shelege Karabolli, Sami Karabolli, Servet Golloshi, Namik Mehmeti, Bilal Breshani, Proletare Habilaj, Dafina Qejvani, Burbuqe Qejvani, Kujtim Hysi, Çize Xhaferaj, Violeta Xhaferaj, Hamit Muharremi, Pranvera Hoxhaj, Altina Tozaj, Lefter Hysi, Jazo Davaci, Ferdinand Breshanaj,Thëllëza Hoxhaj, Donika Qejvani, Vojo Davaci, Majlinda Davaci, Gjinovefa Xhaferaj, Eglantina Demiri, Enkeleda Hoxhaj, Vojsava Davaci, Nezinete Davaci, Selvi Mehmetaj, Altina Shakaj, Lindita Qejvani, Fiqirete Qejvani (Ramadani).
Në Kallarat kanë dhënë mësim edhe mësues nga qytete dhe fshatra të tjerë si:
Jaho Hodo, Adem Hodo, Istref Pulo nga Borshi;
Musa Sinani, Safet Gjoni, Remzi Mato nga Fterra;
Xholito Gulielmo nga Italia;
Jahja Seferi nga Kavaja;
Liza Doda nga Shkodra;
Kozma Llazari nga Lukova;
Mërgim Korca nga Korca;
Baki Abazi nga Tatzati;
Nazif Duka, Fane Kongjini, Pranvera Shkurti, Vesel Habili, Mirjana Zeneli nga Vranishti;
Gani Gana nga Mesapliku;
Shaban Saliu, Xhafer Xhaferi, Xhevo Kacaj, Emine Gjokutaj, Hysni Godaj, Eftimi Balili, Lumturi Godaj, Cane Fejzaj, Pikërime Fejzaj, Naxhie Bishaj, Mersin Agaj, Kate Alikaj, Idajet Gjokutaj, Roneta Godaj nga Kuçi;
Levzat Velaj, Mehmet Likaj, Nikollaq Dumani, Vangjel Bojaxhiu, Dhimitër Haxhiu, Shaban Mehmeti, Miranda Tushi, Neti Sollomani, Eli Ceko, Laureta Dhefto, Irma Mihali nga qyteti i Vlorës;
Lefter Beqiri, Murd Sinaj nga Tërbaci;
Vasil Tata, Leonidha Prifti nga Kudhësi;
Ëngjëll Hasimi, Shyqo Hasimi nga Armeni;
Mareglen Ferraj, Shyqyrete Aliaj nga Brati;
Viron Avduli nga Tragjasi;
Nezinete Leskaj, Lavdie Begaj, Feti Mezini, Izmimi Begaj, Ali Sadikaj, Kacandon Cacaj, Mylazim Sadikaj, Dritan Bajramaj, Ilir Sadikaj, Liri Sadikaj, Rajmonda Alikaj nga Bolena;
Sonja Sadikaj nga Velça;
Katerina Aliaj nga Selenica, etj.
Me përkushtimin e tyre dhe me kujdesin e treguar për t’u dhënë fëmijëve të Kallaratit dije e kulturë, ata kanë gëzuar dashurinë e nxënësve dhe respektin e prindërve.
Gjithashtu, mësuesit e Kallaratit kanë dhënë kontributin e tyre në përhapjen e dijes dhe të kulturës në qytete, fshatra dhe krahina të tjera si: Aferdita Xhaferaj, Aida Xhaferaj, Alfred Xhaferaj, Alketa Jonuzaj, Anila Golloshaj, Artur Hoxhaj, Barjam Karabollaj, Bashkim Gjonbrataj, Bejkush Karabollaj, Besnik Strataj, Bilal Shakaj, Çlirim Xhaferaj, Dallandyshe Jonuzaj, Dafinë e Burbuqe Qejvani, Dhurata Qejvanaj, Donika Qejvanaj, Enver Golloshi, Elona Jonuzaj, Eneida Breshanaj, Entela Karabollaj, Fatbardha Strataj, Fatmir Mataj, Feride Shakaj, Gjinovefa Xhaferaj, Hadixhe Llanaj, Hasan Mehmetaj, Hiqmet Meçaj, Ibro Rjepaj, Ibrush Jonuzaj, Ilir Jonuzaj, Jazo Davaci, Kujtim Hysi, Kastriot Xhaferaj, Klodiana Hoxhaj, Landi Golloshaj, Liljana Memushaj, Liri Qejvanaj, Llambro Hysaj, Luiza Hysi, Luljeta Gjonbrataj, Lumturi Gjonaj, Maks Tozaj, Manushaqe Rjepaj, Marjeta Memushaj, Marjeta Hoxhaj, Meçan Qejvani, Namik Mehmeti, Oltosta Golloshaj, Petrit Qejvanaj, Qerime Meçaj, Rajmonda Dautaj, Rajmonda Shakaj, Rami Memushaj, Rita Shakaj, Telo Zhibi, Selim Golloshaj, Servet Golloshaj, Shelege Karabolli, Shpresa Qejvanaj, Sonja Strataj, Sulltane Rjepaj, Vitori Begaj, Xhiko Rjepaj, Yllka Golloshaj, etj.
Më 1945 kishte rreth 160 vetë me arsim fillor (tri klase), 10 me të mesme dhe 4 vetë me shkollë të lartë ushtarake, kurse më 2003 vetëm me arsim të lartë në të gjitha degët numërohen rreth 350 vetë, nga të cilët: oficerë me akademi dhe shkolla të larta brenda dhe jashtë shtetit 70 vetë plus 40 oficerë të dalë nga Lufta; ekonomistë 31; inxhinierë 28; agronomë e zooveterinerë 17, nga të cilët një me gradën shkencore “doktor i shkencave” (Llano Llanaj); mjekë 15, nga të cilët një me gradë shkencore (Hanëme Patani), merceologë 2 mësues 85, nga të cilët një me gradë shkencore “Profesor Doktor”, Rami Memushaj; gazetarë e krijues 11; juristë 11; me arsim të lartë filozofik 11; psikologë 3; dhe në veprimtari të tjera (shkrimtarë, artistë, këngëtarë, piktorë, skulptorë, sportistë) 26 vetë dhe një sërë kallaratas kanë shërbyer në ushtri dhe polici shërbyer në detyra mjaft të rëndësishme në çdo skaj të vendit.
Midis shumë profesioneve që të rinjtë kallaratas do të ndiqnin në shkollat e larta, do të ishte edhe profesioni i ushtarakut. Lidhur me këtë Besnik Gjonbrataj, një nga ushtarakët kallaratas në intervistën e tij tregon se ndjenja e atdhedashurisë e kultivuar brez pas brezi është një prej arsyeve më të rëndësishme, që shumë kallaratas të zgjidhnin këtë profesion sa të vështirë e me privacione, aq edhe të bukur e fisnik. Numërohen mbi 150 ushtarakë, oficerë, nënoficerë dhe ushtarë profesionistë, bij kallaratas, që në periudha të ndryshme të historisë së vendit tonë, krahas qindra e mijëra ushtarakësh shqiptarë, kanë dhënë ndihmesën e kontributin e tyre në sigurimin e lirisë e pavarësisë së atdheut tonë, por edhe më vonë në vitet e pas çlirimit te vendit, për mbrojtjen e sigurinë në vend. Nuk ka fis, por edhe familje kallaratase që të mos ketë pasur ose të ketë në gjirin e vet të paktën një ushtarak aktiv, ashtu siç ka familje që kanë mbi tre ose edhe më shumë ushtarakë.
Nga një përllogaritje e bërë vetëm për ushtarakët aktiv, del se sipas fiseve përbërja është:
Breshanaj-17,
Qejvanaj-13,
Jonuzaj-8,
Memushaj-8,
Xhaferaj-8,
Gjonbrataj-7,
Gjonaj-7,
Tozaj-7,
Habilaj-6,
Hoxhaj-6,
Karabollaj-6,
Strataj-5,
Zhibaj-5,
Abazaj-4,
Demiraj-4,
Golloshaj-4,
Hysaj-4,
Mataj-4,
Dautaj-3,
Petanaj-3,
Ribaj-3,
Bejtaj-2,
Goxhaj-2,
Haxhiaj-2,
Shakaj-2,
Nga fiset Aliaj, Begaj, Borshi, Bushi, Elezaj, Jovani, Laçaj, Llanaj, Meçaj, Mehmeti, Muharremi, Rjepi, Thanasi dhe Toçi me nga 1 ushtarakë aktiv.
Mund të jetë gjë shumë e rrallë si fshat, krahasuar edhe me fshatra të tjerë, për numrin e madh të ushtarakëve në raport me numrin e popullsisë. Ne si fshat duhet të ndjejmë krenari për kontributin e këtyre bijve kallaratas, që me punën dhe ndershmërinë e tyre si ushtarak, kanë mbajtur të pastër dinjitetin e tyre personal, shumë prej tyre kanë bërë edhe emër në fushën ushtarake, dikush ka dhënë edhe jetën në mbrojtje të trojeve të Atdheut. Ata me përkushtimin e tyre kanë rritur edhe vlerat e fshatit të tyre, Kallaratit. Shumë prej emrave të ushtarakëve kallaratas, janë skalitur në historikët e njësive e reparteve ushtarake, si drejtues e ushtarakë të zot, të tjerë në amzat e shkollave ushtarake brenda e jashtë vendit, si skënderbegas, studentë e akademistë të shkëlqyer dhe deri në kontributin e sotëm të tyre ne Operacionet e Mbështetjes së Paqes jashtë vendit. Kallaratit, përveç ushtarakëve meshkuj, nuk do ti mungojnë edhe femrat ushtarake, ndonëse të pakta ne numër. Aktualisht ato janë vetëm dy, oficerja Fabiola Mataj dhe nënoficeria Tatjana Ribi, që sapo kanë filluar karrierën ushtarake.
RINDERTIMI I FSHATIT TE SHKATERRUAR NGA LUFTA DHE JETA NE KOOPERATIVE NE KOHEN E SISTEMIT SOCIALIST.
Në film rëndësi i kushtohet edhe punës vullnetare për rindërtimin e fshatit, por edhe pjesëmarrjes në shumë aksione të rinisë anekënd atdheut. Edhe pse ende Shqipëria ishte e paçliruar përfundimisht, pas çlirimit të krahinës më 25 qershor 1944, populli i Kallaratit u mobilizua për ndërtimin me punë vullnetare të shtëpive të djegura nga lufta, duke filluar nga shtëpitë e familjeve të dëshmorëve. Krahas kësaj, shumë të rinj e të reja morën pjesë në aksionet vullnetare të rinisë për ndërtimin e rrugëve dhe të hekurudhave anekënd atdheut. Këtë gjë e dëshmojnë në intervistat e tyre shumë prej të intervistuesve si pjesëmarrës drejtpërsëdrejti: Sulltana Gjonbrataj, Belere Zhibaj, Xhelo Dautaj, Sherif Gjoni, Magrip Mehmeti etj.
Krijimi i kooperativës bujqësore-blegtorale, si një nga format e punës kolektive në Shqipëri dhe në tërësi në vendet komuniste të pasluftës së dytë botërore, bëri që edhe në Kallarat më 16 shtator të vitit 1956, në përgjigje të thirrjes së udhëheqjes së kohës për kolektivizimin e bujqësisë, 32 familje të Kallaratit formuan vullnetarisht bërthamën e parë të kooperativës bujqësore-blegtorale, të pagëzuar me emrin e Heroit të Popullit “Mumin Selami”. Mbledhja e anëtarëve zgjodhi një kryesi prej 13 vetash, e cila zgjodhi kryetar Salo Mataj e llogaritar Shahin Jonuzin dhe hartoi statutin e kooperativës. Në fillim në kooperativë nuk u futën të gjithë, por nuk zgjati shumë dhe të gjithë i bashkuan tokat, bagëtitë dhe mjetet e punës me pjesën tjetër.
Në vitin 1965, kooperativa “Mumin Selami” e Kallaratit u bashkua me kooperativën e Bolenës, duke formuar kooperativën e bashkuar Bolenë-Kallarat, që u shpërbë në vitin 1985, duke kaluar përsëri më vete si fshat, me kryetar Bejo Xhaferin, e cila në fillim të viteve 90-të u shpërbë si gjithë ekonomitë kolektive në shkallë vendi, duke i hapur rrugën sektorit privat. Kallarati kishte si drejtim kryesor bujqësinë, kryesisht kultivimin e misrit, ku u arritën rendimente të larta, po edhe grurin e perimet. Duke filluar nga viti 1960, fshati siguroi bukën në vend për herë të parë. Një rol të rëndësishëm në arritjen e këtyre rendimenteve kanë luajtur edhe kuadri drejtues, brigadier i kohës si: Besim Jonuzi, Balil Xhaferi, Laver Gjonbrataj, Petrit Habili, Alim Mehmeti, Afërdita Breshani, Luto Demiri për një kohë të gjatë përgjegjës sektori, apo kuadrot me arsim të lartë bujqësor si Subi Jonuzaj, Sefer Jonuzi, Pellumb Gjonbrati, Lavdosh Jonuzi, Xhevdet Demiri, Lefter Qejvani etj, si dhe shumë specialistë të lartë nga fshatrat e qyteti i Vlorës,
Blegtoria ka qenë një nga drejtimet kryesore të jetës në fshat. Vlen të përmenden blegtorët të cilët patën bërë emër në drejtim të rritjes dhe mbarështimit të bagëtive në përbërje të kooperativës si: Hasan Jonuzi, Bajram Goxhi, Jaho Kondi, Pelivan e Ahmet Shakaj, Bejkush e Lufter Laçaj, Sami Davaci, Myzafer Qejvani, Neki e Refat Rjepi, Budin Demiri, Njazi Xhaferi, Azbi Ribi, Shyqyri Laçaj, Lavdi Hoxha etj e deri te blegtorët e sotëm Bashkim Davaci, Blero Xhaferi, Blerim Ribaj, Lame e Xhezo Shakaj, Sokrat Strati, të cilët ecin në gjurmët e prindërve të tyre për të trashëguar këtë profesion sa të vështirë aq edhe fitimprurës etj. Për këtë flasin në intervistat e tyre çobanët Pelivan Shakaj, Bejkush Laçe, Jaho Kondi, Muhedin Qejvani, etj.
Në vitin 1970 u bë elektrifikimi i fshatit, që solli një rritje të nivelit të jetesës në fshat, duke u futur radioja në çdo shtëpi, po edhe televizori e lavatriçja. Që pas Luftës Kallarati ka pasur një infermier, por rreth viteve 70-të u ndërtua qendra shëndetësore me mjek, ndihmësmjek e mami. Duhet përmendur puna dhe përkushtimi i personelit mjekësor vendas dhe të ardhur, që nga Kapo Korrocka nga Kuçi, Tefta Jonuzi, Hurma Demiri, Mimoza Jonuzi, Adelina Gjonbrati, Loreta Demiri, Miranda Gjonbrataj, Dallëndyshe Qejvani dhe aktualisht Bejaze Qejvani dhe në mënyrë të veçantë do të përmendnim mjekët, Edmond Breshani dhe Maksim Qejvani të cilët përvese punës në fshat, kontributi i tyre është i pazëvendësueshëm dhe i vlerësuar në spitalin rajonal të Vlorës, ku kallaratasit kanë gjetur në çdo kohë ndihmën dhe kujdesin e tyre të pakursyer.
Në fshat u bënë shumë ndërtime të reja, jo vetëm social-kulturore, por edhe shtëpi, ku spikati modeli elbasanas. Puna dhe dora e mjeshtërve të ndërtimit si: Selman Qejvani, Fadil Qamili, Fadil Breshani, Novruz Goxhi, Alem Qejvani, Bexhet Jonuzi, Bastri Hoxha edhe në rolin e drejtuesit të brigadës së ndërtimit, është e pranishme në çdo shtëpi kallaratase e më gjerë. Këto fakte tregohen edhe nëpërmjet intervistave të Luto Demirit, Sulo Hoxhës, Gjolek Memushaj, Lefter Qejvanit etj.
JETA KULTURORE DHE ARTISTIKE NE FSHAT.
Kallarati ka pasur vatër kulture që nga fundi i viteve 50-të. Ajo pati shërbyer për vite të tëra vend ku gatuhej dhe përhapej kultura. Një kontribut të veçantë kanë dhënë përgjegjësit e vatrës së kulturës ndër vite si: Ervehe Habili e Zhaneta Hysi e mbi të gjitha spikat puna kualifikuese e plot talent e Llambro Hysit në krijimin e grupit artistik të fshatit dhe pjesëmarrjes në sa e sa festivale zonale e deri kombëtare. Nën drejtimin e tij grupi polifonik i Kallaratit u vlerësua me çmim nga juria e Festivalit Folklorik të Gjirokastrës më 1983; ka marrë pjesë edhe në festivale ndërkombëtare, si në atë të Kanës (Francë) në vitin 1989. Janë të spikatura këngët e kënduara nga Zeqo Hoxha dhe Evgjeni Jonuzi. Falë sponsorizimit të Birçe Ribit dhe udhëheqësit artistik Llambro Hysit të cilët në vitin 1995 arritën të incizonin dhe filmonin të RTVSH rreth 8 këngë të grupit të Kallaratit, të cilat sot i dëgjojmë e shikojmë me mjaft kënaqësi. Në ditët e sotme do të veçonim Hyso Xhaferin një hedhës brilant i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore përkrah Artistes së madhe Irini Qirjakos dhe shumë artisteve të tjerë, apo edhe Gjegj Leskaj, i cili sapo ka hedhë në treg një album me tetë këngë të muzikës popullore të trevave të Jugut. Një gjë e tillë jepet në film edhe nëpërmjet intervistës së vetë Llambro Hysit.
KONTRIBUTI I KALLARATASVE JASHTE KALLARATIT.
Djem e vajza kallaratas kanë punuar në rrethe të ndryshme të vendit e në fshatra të rrethit të Vlorës si mësues e si drejtorë shkollash, shumë të tjerë si oficerë e nënoficerë në radhët e Ushtrisë Popullore e të policisë, të tjerë si inxhinierë, mjekë e agronomë apo si drejtues ndërmarrjesh dhe njësish të pushtetit vendor. Kudo ku ata kanë punuar kanë manifestuar virtytet më të larta njerëzore. Nga Kallarati janë 8 pedagogë, që kanë dhënë ose japin dhe sot mësim në Universitete: prof. dr. Rami Memushaj, dr. Hane Petani, Seit Jonuzi, Hasan Mehmeti, Sonila Strati (Limaj), Fatbardha Strati, Agim Strati, Gafur Meçaj e Yllka Golloshi. Në periudhën 50-vjeçare, nga 1945 e deri në ditët tona, Kallarati është përfaqësuar në Kuvendin Popullor me 4 veta: Duze Barjami, deputete në të gjitha legjislaturat derisa vdiq më 1961; Sihat Tozaj në 5 legjislatura; Sulltanë Gjonbrataj në dy dhe Gafur Shametaj në një legjislaturë në parlamentin pluralist. Shumë djem dhe vajza pas çlirimit, kanë pasur funksione të ndryshme drejtuese. Sihat Tozaj arrin në postin e kryetarit të Komitetit Ekzekutiv në Vlorë, të Sekretarit të Parë të Komitetit të Partisë së Punës në Gjirokastër dhe Sekretar i Presidiumit të Kuvendit Popullor. Sinan Tozaj mund të konsiderohet drejtues veteran në industrinë e minierave, i dekoruar me titullin më të lartë “Hero i Punës Socialiste”. Llano Llanaj ka qenë drejtor i Institutit të Agrumeve dhe Ullirit në Vlorë, Pëllumb Gjonbrati kryetar kooperative e kryetar i të parës Komunë në Horë, Gramoz Xhaferaj Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Burgjeve, Silva Breshani, (aktualisht drejtoreshë në Ministrinë e Kulturës), Shkëlqim Leskaj, drejtor i Ujësjellës – Kanalizimeve në Bashkinë e Vlorës), etj. Në intervistat e tyre Rami Memushaj, Enver Golloshi, Mevlan Habilaj, Violeta Xhaferaj etj, tregojnë pikërisht kontributin e arsimit në Kallarat në periudha të ndryshme, nga gjiri i së cilës kanë dalë me dhjetëra e qindra kuadro që kanë shërbyer me devotshmëri anekënd atdheut.
Shumë i njohur në fushën e krijimtarisë për romanet, novelat e filmat e tij është shkrimtari Neshat Tozaj, Hiqmet Meçaj, Petrit Qejvani e Andi Meçaj në fushën e krijimtarisë artistike, apo gazetarja e njohur Arta Tozaj etj. Në fushën e sportit janë shquar Çlirim Hysi, futbollist i ekipeve të 17 Nëntorit dhe të Dinamos dhe më pas drejtues i këtyre klubeve, “Mjeshtrja e Merituar e Sportit” Elisabeta Karabollaj, kampione e Evropës në qitje me pistoletë, Afërdita Laçaj ish basketbolliste e shquar e Flamurtarit disa vite kampion, Drita Shakaj ish volibolliste e shquar e Flamurtarit, Serxhio Gjonbrati, futbollist i Bylisit dhe mbi të gjithë Ledian Memushaj, futbollisti aktual i Kombëtares dhe Peskarës në Itali, etj. Në fushën e artit është bërë shumë i njohur emri i piktorit Saimir Sinan Strati, restaurues dhe autor mozaikësh të shumtë dhe disa herë fitues i Çmimit “Guiness”. I njohur në Italinë e Jugut me punimet artistike prej guri është bërë Agim Mato Mataj. Shumë të rinj e të reja të tjera janë instrumentistë në orkestra të Greqisë dhe të Italisë.
KALLARATI NE VITET E DEMOKRACISE.
Vitet 90-të që sollën përmbysjen e sistemit komunist, ashtu si për shumë shqiptarë, edhe për kallaratasit bënë që të largoheshin jo vetëm në qytet si Vlorë, Tiranë, por veçanërisht jashtë vendit sidomos në Greqi, Itali, Angli, Kanada e Amerikë, duke e boshatisur në një farë mënyre fshatin. Për këtë boshatisje të fshatit sidomos nga brezi i ri flasin në intervistat e tyre edhe Salo Mataj, Jaho Kondi, Sali e Murzikë Memushi. Por emigrimi solli edhe shumë gjëra të mira. Jeta në fshat ndryshoi si rezultat i financimit të djemve të larguar, ndryshoi mënyra e jetesës, kompletimi i shtëpive deri tek ndërtimi i vilave si Miri i Ribe e ndonjë tjetër. Shumë kallaratas ngritën biznesin e tyre si Shkëlqim Lacaj, Besnik Mataj, Dallandyshe Jonuzi, Kalo Memushi, Selman Memushaj, Ylli Shakaj, Aranit Rjepaj, Bako Xhaferaj, të cilët kanë qenë dhe janë edhe mbështetës të shumë veprimtarive të bëra në Kallarat. Kjo gjë dëshmohet në intervistat e Dallëndyshe Jonuzaj, Kalo Memushaj, Bako Memushaj etj.
Por Llano Llanaj, në rolin edhe të specialistit të bujqësisë, u bën thirrje të larguarve që një ditë të kthehen e të investojnë në vendlindjen e tyre, pasi kushtet natyrore dhe pozita gjeografike që ka Kallarati janë shumë të favorshme. Në intervistën e marrë në vitin 2005 ndërmjet të tjerash, Llanua shprehej se, “Kallarati ka kushtet natyrore dhe pozitën gjeografike më të favorshme se çdo fshat tjetër në Lumin e Vlorës, prandaj në Kallarat përparësi duhet marrë blegtoria e bujqësia, agrumet, pemëtaria, vreshtat, rritja e peshkut, si dhe hedh idenë e ambalazhimit të ujit të pijshëm të Morrezës si tepër i veçantë duke e pagëzuar me emrin “Uji Pelingria”. Urojmë që një ditë edhe ky ujë me këtë emër të jetë në tavolinat e restoranteve brenda e jashtë vendit.
SHOQATA DHE GAZETA “KALLARATI’ NJE MUNDESI ME SHUME PER BASHKIMIN E NJEREZVE DHE KUJTUAR VENDLINDJEN.
Pas viteve 90, vendin dhe rolin e organizatave politike dhe atyre shoqërore do ta zinte një organizim i ri, ashtu siç ndodhi gati në të gjitha fshatrat e Labërisë, krijimi i shoqatave atdhetare kulturore. Kështu më 12 Janar 2003, me nismën e një grupi bashkëfshatarësh kallaratas me banim në Vlorë, u krijua, Shoqata Atdhetare & Kulturore “Kallarati”. Qëllimi i kësaj shoqate ishte dhe vijon të jetë ruajtja dhe përhapja e vlerave më të mira atdhetare e kulturore të Kallaratit. Si një bashkim i distancuar nga çdo qëndrim politik i çdo ngjyre qoftë, shoqata ka për mision të bashkojë kallaratasit kudo që ndodhen, të bëjë të njohura figurat më të shquara të Kallaratit që kanë bërë emër në historinë e fshatit, të krahinës e të vendit por edhe përtej kufijve; të kujtojë datat historike të qëndresës shumëshekullore të kallaratasve kundër pushtuesve të huaj; të kultivojë te brezi i ri kallaratas vlerat më të mira të të parëve tanë, duke përjetësuar lart emrin e nderuar të Kallaratit nën moton “Ec ngado, po Kallaratin mos e harro”. Shoqata, me qendër në Vlorë, ka degët e saj në Tiranë, Vlorë, Fier, Kallarat dhe në Greqi. Mbledhja themeluese e Shoqatës zgjodhi kryesinë e saj me kryetar njërin nga nismëtarët, intelektualin e mirënjohur, bashkëfshatarin tonë Gafur Shametaj, i cili e drejtoi atë deri në vitin 2007. Aktualisht kryetar i shoqatës është Kastriot Karabolli. Puna dhe aktiviteti i shoqatës jepet edhe nëpërmjet intervistave të asaj kohe të Razi Golloshit për degën e Tiranës dhe Bejo Xhaferit për degën me qendër në Kallarat. Për herë të parë në histori, shoqata e bëri fshatin tonë me gazetën me titull “Kallarati” me kryeredaktor, zotin Gafur Shameti, aktualisht Seit Jonuzin. Kjo gazetë e cila tani vijon mbi numrin 100 të botimit, është bërë aq e dashur për lexuesit e saj, e cila u ka bërë jehonë jetës dhe kontributit të kallaratasve në vite.
MBYLLJA E FILMIT.
Këtë film, sa historik aq edhe artistik, Gafuri e mbyll me fjalët: “Kallarati, tre herë i djegur e tre herë i rindërtuar nga shpirti i paepur i bijve të tij. Largohemi nga ky fshat piktoresk buzë lumit Shushicë me përshtypjet më të pashlyeshme me mendimin për t’u rikthyer përsëri në vitet që do të vinë. Ndër mend na vinë vargjet e poetit:
Kallarat vendlindja ime
Që rrite njerëz të mirë
Jam i lumtur që më linde
Jam krenar që jam yt bir”.
Mirë u pafshim Kallarati im!”– përfundon filmin e tij dokumentar Gafuri në vitin 2005, ky bir i nderuar dhe i vlerësuar me titujt e lartë “Nderi i Vlorës” dhe “Nderi i Labërisë”, që tani që nuk është më fizikisht me siguri do të ngelet edhe “Nderi i Kallaratit”, vlerësim të cilin me përkushtimin e tij ndaj vendlindjes, Kallaratit, de jure e ka marrë.
Ky film u realizua nga TV “6+1 Vlora” me skenar të Gafur Shametit; regjisor Bledar Skënderi, operator Enton Hoxha; montazhi nga Irena Muho; muzikë të Manjola Beda në vitin 2005, u transmetua disa herë në këtë televizion dhe u ndoq nga shumë shikues vlonjatë të cilët në takime e biseda me kallaratas e vlerësuan atë si një film dokumentar mjaft të arritshëm. Kasetat e këtij filmi ndodhen sot në familjen e çdo kallaratasi, si dhe është krijuar mundësia për të parë në You Tube dhe në uebsaitin tashmë të njohur www.kallarati.com.
Sot, pas afro 15 vjetësh, duke parë këtë film, kaq të realizuar, i cili të bën të çmallesh me vendlindjen, me bukuritë e fushave, kodrave, pyjeve, maleve, burimeve, me ujë të pastër, lumit të zhurmshëm e rrapeve shekullorë, i cili të mëson dhe kujton historinë shumëvjeçare dhe kontributin e kallaratasve anembanë vendit, nuk ke si të mos ndjehesh krenarë për vendlindjen tënde, Kallaratin. Këtë film dokumentar do të quaja të parin, pasi dokumentarë të tjerë janë bërë, siç është ai “Një Trojë e vogël labe”, realizuar në vitin 2012 nga Petrit Qejvani dhe Kastriot Karabolli dhe me siguri edhe në të ardhmen do të bëhen dokumentarë të tjerë, duke mos e harruar asnjëherë vendlindjen sidomos për brezat e rinj nën moton “Ec ngado, Kallaratin mos e harro”.
TE DASHUR LEXUES!
Në përgatitjen e këtij shkrimi u shfrytëzuan kryesisht të dhënat e marra nga filmi dokumentar për Kallaratin, libri “Enciklopedia e Kurveleshit”, “Historiku i Kallaratit”, shkruar nga Enver Strati, si dhe shkrime të ndryshme historike botuar në gazetën “Kallarati”. Nëse gjatë leximit do të vëreni ndonjë pasaktësi, kuptohet jo e qëllimshme, ju kërkojmë ndjesë. Historia e Kallaratit është histori e gjithë brezave që kanë jetuar ose që janë me origjinë nga ky fshat. Përmendja e të gjithë emrave që kanë kontribuar në këtë histori është e parealizueshme, si për minutazhin e një filmi dokumentar, ashtu edhe në faqet e një gazete, por të gjithë konsiderohen pjesë e tij. Me siguri që pas leximit të këtij shkrimi, për ata që nuk e kanë pasur mundësinë ta shikojnë këtë film, do të gjejnë kohën për ta parë e vërtetuar ato çfarë thamë më lart. Për këtë qëllim do t’ju sugjeronim uebsaitin www.kallarati.com ose duke e kërkuar atë në You Tube dhe aty do të gjeni Kallaratin dhe me siguri do të çmalleni me të, edhe pse mund të ndodheni shumë larg tij.
Për zë parë filmin dokumentar, klikoni linkun e mëposhtëm:
Përgatiti: Besnik Gjonbrataj
Botuar në Gazetën Kallarati në vitin 2015