FJALA E PËRSHËNDETJES E KRYETARIT TË SHOQATËS, Z. KASTRIOT KARABOLLAJ, ME RASTIN E 20 – VJETORIT TË KRIJIMIT TË SHOQATËS “KALLARATI”

Të dashur bashkëfshatarë e të pranishëm,

Mirë se keni ardhur në këtë takim për të kujtuar së bashku 20 – vjetorin e krijimit të shoqatës atdhetare e kulturore “Kallarati”.

Pas viteve 90-të, ashtu siç ndodhi gati në të gjitha fshatrat e Labërisë, vendin dhe rolin e organizatave politike dhe atyre shoqërore do ta zinte një organizim i ri, ai i krijimit të shoqatave atdhetare kulturore. Kështu edhe Kallarati më 12 Janar 2003 me nismën e një grupi bashkëfshatarësh kallaratas me banim në Vlorë dhe me pjesëmarrje bashkëfshatarësh, përveç Vlorës edhe nga Kallarati, Fieri, Tirana krijoi shoqatën atdhetare & kulturore “Kallarati”.

Qëllimi i kësaj shoqate ishte dhe vijon të jetë: “Ruajtja dhe përhapja e vlerave më të mira atdhetare e kulturore të Kallaratit. Si një bashkim i distancuar nga çdo qëndrim politik i çdo ngjyre qoftë, shoqata ka për mision të bashkojë kallaratasit kudo që ndodhen, të bëjë të njohura figurat më të shquara të Kallaratit që kanë bërë emër në historinë e fshatit, të krahinës e të vendit por edhe përtej kufijve; të kujtojë datat historike të qëndresës shumëshekullore të kallaratasve kundër pushtuesve të huaj; të kultivojë te brezi i ri kallaratas vlerat më të mira të të parëve tanë, duke përjetësuar lart emrin e nderuar të Kallaratit nën moton “Ec ngado, po Kallaratin mos e harro”.

Shumë shpejt shoqata krijoi edhe degët e saj kudo ku jetonin e banonin kallaratasit si në Kallarat, Vlorë, Fier, Tiranë dhe në Greqi. Mbledhja themeluese e shoqatës zgjodhi kryesinë e saj me kryetar njërin nga nismëtarët, intelektualin e mirënjohur, bashkëfshatarin tonë, Gafur Shametaj, i cili e drejtoi shoqatën nga viti 2003 deri në vitin 2007.
Në mbledhjen e parë grupi iniciator zgjodhi kryesinë e përkohshme të përbërë nga 23 anëtarë. Kryetar i shoqatës u zgjodh, z. Gafur Shameti; Nënkryetar Violeta Xhaferaj dhe Razip Golloshaj; Sekretar, Enver Golloshaj dhe financier Pëllumb Gjombrati.

Sipas vendimit të marrë në krijim të shoqatës, më 27 shtator 2003 po në Vlorë u mbajt Kuvendi i Parë i Shoqatës, i cili sipas statutit zgjodhi kryesinë e re të shoqatës, e cila pak a shumë ishte ajo e rithemelimit, por e rritur në numër e duke përfaqësuar të gjitha fiset dhe vendbanimin e tyre. Në krye të shoqatës u zgjodhën përsëri ata të datës 12 janar 2003.

Në zgjedhjet e dyta të radhës më 18 Nëntor 2007, Kryetar u zgjodh Kastriot Karabollaj, Nënkryetar: Lefter Hysi; Sekretar: Çize Xhaferaj; Financier z. Sefer Jonuzaj.

Ndërsa në zgjedhjet e fundit, zhvilluar në Vlorë më 10 dhjetor 2011, kryesia e cila funksionon edhe sot përbëhet nga: nga 19 anëtarë, nga të cilët 11 në Vlorë, 4 në Tiranë, 2 në Fier dhe 2 në Kallarat.

Kryetar i Shoqatës u rizgjodh z. Kastriot Karabollaj, nënkryetar z. Besnik Gjonbrataj dhe sekretar z. Petrit Qejvani.

Sot në 20 vjetorin e krijimit të shoqatës, shprehim mirënjohje për të gjithë ata burra e gra, të rinj e të reja që u bashkuan që në hapat e para në këtë shoqatë, shprehim vlerësim ndaj gjithë atyre që e drejtuan dhe kontribuuan me ide, mendime, shkrime, si dhe nga ana financiare funksionimin e shoqatës në këto vite, duke e radhitur atë në pararojë të shoqatave të zonës.

Por gjatë kësaj kohe shumë bashkëfshatarë që kanë drejtuar dhe që kanë qenë të zgjedhur në forumet e shoqatës dhe në redaksinë e gazetës janë ndarë nga jeta si:

Gafur Shametaj, ish kryetar i parë i shoqatës, Seit Jonuzaj, ish anëtar i kryesisë së shoqatës dhe kryeredaktor i gazetës Kallarati, Petrit Qejvani e Enver Golloshi ish sekretar të shoqatës, Bejo Xhaferaj, ish anëtar i kryesisë dhe kryetar i degës së Kallaratit, Razip Golloshaj, ish anëtar i kryesisë dhe kryetar i degës së Tiranës, Enver Strati, Idajet Llanaj, Xhelo Dautaj, Besnik Mataj, Sulo Hoxhaj, Bilal Breshanaj, Idajet Toçaj e Alem Qejvani, ish anëtarë të kryesisë së shoqatës, si edhe shumë bashkëfshatarë të tjerë të ndarë në këto vite deri më i fundit dhe në moshë të re, Dashnor Strataj.

Në respekt të jetës dhe kontributit të tyre, Ju ftoj për një minutë heshtje. Qofshin të paharruar në kujtesën tonë!

Pas viteve 90-të, kohë në të cilën u lejuan që njerëzit të lëvizin të lirë anembanë Shqipërisë, por edhe botës, ashtu si shumë shqiptarë edhe kallaratasit, për një jetë më të mirë, kapën Vlorën, Tiranën, por sidomos Greqinë dhe Italinë. Sot ata gjenden në çdo cep të botës, në Gjermani, Turqi, Francë, Angli, Spanjë, Belgjikë, Poloni, Australi, Kanada, Amerikë e kudo tjetër ku kanë mundur. Megjithatë, sa më shumë kalojnë vitet që janë larguar nga fshati, aq më tepër është rritur dashuria dhe malli i tyre për Kallaratin, jo vetëm ata që lindën aty, por edhe nipërit e stërnipërit e tyre, të cilët e thonë me plot gojën dhe krenari që jemi nga Kallarati. Motoja e shoqatës “Ec ngado, po Kallaratin mos e harro” po shërben si një thirrje që u drejtohet gjithë kallaratasve kudo që ndodhen të mos harrojnë për asnjë çast vendlindjen e tyre, Kallaratin, apo vendin e origjinës të parëve të tyre.

Sot, në ditën e 20 vjetorit të krijimit të shoqatës mund të flasim me krenari se janë realizuar shumë nga veprimtaritë e planifikuara nën drejtimin e të gjithë të zgjedhurve në këto vite, të anëtarëve të saj dhe të atyre që kanë financuar veprimtaritë.

Si më të veçanta do të përmendim veprimtaritë;

Takimin e Brezave në Kallarat në vitet: 2005, 2007, 2009, 2011, 2104, 2016, 2021, 2022, e cila është veprimtaria më e ndjekur dhe që bashkon shumë bashkëfshatarë. Me këtë rast vlen për t’u përmendur bashkëpunimi i ngushtë edhe me kryesinë e fshatit e në veçanti me kryetarët, Lili Memushaj, Hetem Ribi, Xhezo Shakaj e Lefter Qejvani, të cilët duhen falënderuar për përkushtimin e tyre. Shumë nga këto takime janë realizuar falë edhe sponsorizimit të disa prej bashkëfshatarëve, për të cilët gjej rastin t’i falënderoj në emër të kryesisë së shoqatës;

Përkujtimin e 70-vjetorit të rënies së Heroit të Popullit Mumin Selami 20 tetor 2012 në Kallarat në bashkëpunim me Organizatën e Veteranëve të rrethit;

Përkujtimin e 60-vjetorit të rënies të dëshmorit kallaratas, Ferik Strataj më 22 gusht 2009 me nismën e familjes Strataj dhe në bashkëpunim me shoqatën dhe Organizatën e Veteranëve të rrethit të Vlorës;

Bërjen e filmit dokumentar “Kallarati”. Jemi ndër fshatrat e paktë që kemi një film dokumentar, realizuar në vitin 2005 nën kujdesin e ish kryetarit të shoqatës, të ndjerit, Gafur Shametit, dhe mbështetur financiarisht nga Ylli Shakaj, Besnik Mataj, Selman Memushaj, Ylli Rjepaj, Idajet Toçaj, Altisfer Golloshaj, Mitat Jonuzi, Lifto e Kalo Memushaj, Violeta Xhaferaj, Ferdi Abazaj, Brahim Strati, Nako Jovani dhe nga kuota e derdhur në mënyrë simbolike nga çdo kallaratas;

• Ashtu siç kemi edhe dokumentarin tjetër televiziv “Kallarati, një Trojë e Vogël Labe”, realizuar sipas esesë së intelektualit të njohur kallaratas, Petrit Qejvani me nismën e kryetarit të shoqatës, z. Kastritot Karabolli, sekretarit të shoqatës Petrit Qejvanit, realizuar nga gazetari vlonjat Ergys Alushi;

Sjelljen e eshtrave të patriotit Miftar Aliu nga Selcka e Gjirokastrës në vendlindjen e tij Kallarat. Kryesia e shoqatës “Kallarati” me Enver Golloshin, Kastriot Karabollin, Nasip Tozaj dhe Razi Golloshi më 11 maj 2007 i morën eshtrat e tij së bashku me një grusht dhe i varrosën me nderime në varrezat e përbashkëta të fshatit në Fshira më 7 gusht 2007, pranë bashkëfshatarëve të nderuar Duze Bajrami dhe mësuesve të parë Meçan Selami e Telo Zhibi;

Emërtimin e disa rrugëve të qytetit në Vlorës e në Tiranë me emra figurash të njohura nga Kallarati si: Mumin Selami, Duze Bajrami, Myftar Kallarati, etj;

• Fill pas krijimit, në mars të vitit 2003 shoqata nisi botimin e gazetës “Kallarati” si përçuese të zërit të saj. Për herë të parë në histori, ajo e bëri fshatin tonë me gazetë. Nën drejtimin e z. Gafur Shametit, kryeredaktor i parë i saj, dhe më vonë të z. Seit Jonuzaj, gazeta u ka bërë jehonë jetës dhe kontributit të kallaratasve ndër vite në fusha të ndryshme;

Në korrik të vitit 2014, organizuam veprimtarinë me rastin e 100-vjetorit të qëndresës trimërore kundër sulmit dhe djegies së fshatit tonë nga andartët grekë më 1914;

Në këtë takim me propozim të kryesisë së shoqatës Kallarati, këshilli i komunës së Vranishtit, u akordoi dhënien e titullit “Nderi i Komunës“ disa figurave të shquara të fshatit si:

Veip Balil Memushaj (pas vdekjes)
Demir Lato Kallarati (pas vdekjes)
Fein Çelo Strataj (pas vdekjes)
Meçan Selam Qejvanaj (pas vdekjes)
Salo Rexhep Mataj (pas vdekjes)
Saimir Strataj

Po atë ditë u vendos një pllakë përkujtimore në Koprift për kryengritjen e Tanzimatit më 1847 me shënimin: “Kallarat, Kuç e Bolenë, në lumë ç’e zunë dyfeknë”, realizuar nga gurgdhendësi duarartë Agim Mataj;

Në gusht të vitit 2016 festuam 100 vjetorin e çeljes së shkollës së parë shqipe në Kallarat. Me rastin e kësaj dite të shënuar në jetën e arsimit kallaratas, me propozim të shoqatës “Kallarati” dhe të kryesisë së fshatit, Këshilli i Bashkisë së Himarës nderoi me certifikata mirënjohjeje disa nga mësuesit më të vjetër dhe me kontribut të veçantë që kanë shërbyer në shkollën “Mumin Selami” me motivacionin: “Për kontribut në fushën e mësuesisë dhe edukimit të brezit të ri”, si më poshtë:

Meçan Selami (pas vdekjes), Telo Zhibaj (pas vdekjes), Bilal Breshanaj (pas vdekjes), Namik Mehmetaj (pas vdekjes), Jazo Davacaj (pas vdekjes), Enver Golloshaj, Çize Xhaferaj, Violeta Xhaferaj, Hamit Muharremaj, Lefter Hysaj, Viron Avduli e Nezinete Leskaj (Avduli);

Kemi zhvilluar shumë veprimtari përkujtimore për dëshmorët e fshatit, por edhe për figura të tjera të shquara të Kallaratit, të të gjitha kohërave;

• Janë realizuar promovime librash për Kallaratin nga autorë kallaratas, siç është “Historiku i Kallaratit”, shkruar nga Enver Strataj, ku çdo fis i Kallaratit gjen vetveten, mëson historinë e të parëve tanë, apo pjesëmarrja në promovimin e dy librave me krijime të Petrit Qejvanajt, etj;

Është realizuar hapja e një faqeje të veçantë interneti kallarati.com, financuar nga Shkëlqim Leskaj;

• Kallarati ka fejsbukun e shoqatës, rrjet ky social shumë i ndjekur, ku pothuajse janë bashkuar të gjithë kallaratasit anembanë botës, i cili lot rol të shumëfishtë si në njoftimet për ndarjet nga jeta, urimet për ditëlindjet, ngjarje e data historike, evidentimin e figurave të ndryshme, lajme kulturore, sportive etj. Nëpërmjet fejsbukut kallaratasit njihen të gjithë me gazetën e tyre;

Është rritur ndjeshëm propagandimi i veprimtarive të shoqatës në median e shkruar dhe elektronike për Kallaratin, jo vetëm në gazetën e saj, por edhe në atë të Labërisë dhe në shumë portale të jugut;

Shumë bashkëfshatarë, intelektual kanë botuar libra biografik për fisin, për figura të shquara të Kallaratit, për historikun e zonës së Labërisë, ku do të veçonim kontributin që ka dhënë dhe jep në këtë drejtim, biri i fshatit tonë, Profesor Rami Memushaj, një nga mbrojtësit e flaktë të gjuhës së folur e shkruar standarde me kontribute të mëdha shkencore në fushën e gjuhësisë, por edhe të historisë, i cili ngre më lart vlerat e fshatit tonë, Kallaratit dhe më gjerë;

• Si fshat duhet të ndihemi krenar që një nga përkthyesit më të njohur e të vlerësuar me çmime në Shqipëri, Bajram Karabolli, është nga Kallarati dhe shumë aktiv me shkrimet e tij të përditshme në rrjetet sociale;

• Shoqata u ka bërë jehonë ngjarjeve datave historike të fshatit, por edhe figurave të shquara të Kallaratit, si në gazetë, ashtu edhe në rrjetet sociale. Një vend shumë të rëndësishëm dhe të merituar i kushtuam ndarjes nga jeta para kohe të Bilbilit të Labërisë, këngëtarit të Ansamblit Shtetëror të Këngëve e Valleve Popullore, Hyso Balil Xhaferaj. Në takimin e brezave të vitit që kaloi këtij biri të shquar të Kallaratit iu kushtua vëmendje e veçantë dhe në përvjetorin e parë të ndarjes nga jeta muajin tjetër mendojmë të bëjmë për të diçka më tepër.

• Në gazetë dhe në rrjetet sociale shoqata u ka bërë jehonë këngëve të grupit të Kallaratit, këngëve të Zeqos, Evgjenisë dhe kohët e fundit edhe të këngëve të albumit të parë Gjergj Leskaj “Unë jam bir nga Labëria”; kontributit në sport të lojtarit të kombëtares Ledian Memushaj, gurëgdhendësit në Itali Agim Mataj, arritjet në fushën e shkencës të Suela Jonuzaj në Angli, në fushën e drejtësisë të Ana Mataj në Amerikë, të Selo Qejvanaj në fushën e inxhinierisë po në Amerikë, Fatos Ribaj piktor në Itali e mbi të gjitha fituesit të çmimit për të disatën herë të çmimit Guinnes nga Saimir Strati, e plot të tjerë brenda e jashtë vendit të cilët mbeten krenaria jonë.

• Por jemi të ndërgjegjshëm se gjatë aktivitetit të shoqatës ka edhe detyra ende të parealizuara ku do të përmendim: Mosbërjen e përpjekjeve për realizimin e idesë së hedhur nga zoti Xhelo Dautaj në Kuvendin e vitit 2011, atë të mundësisë së shpalljes së Fshatit të Djegur “Fshat Muze”.

• Mosngritjen e një grupi artistik të fshatit, ndonëse në mënyrë spontane, kemi një lëvizje në këtë drejtim të disa të rinjve;

• Moskrijimin e një database, sipas degëve në rrethe me qëllim evidentimin e gjithë kallaratasve brenda e jashtë vendit, detyra këto që do përpiqemi t`i realizojmë në të ardhmen.

• Moskryerjen si duhet të rolit të tyre disa prej degëve në rrethe, ashtu edhe jashtë vendit, të cilat në të ardhmen duhet të riorganizohen.

Diçka më tepër për gazetën Kallarati.

Gazeta “Kallarati”, numri i parë i së cilës doli në mars 2003-shit, ka arritur në numrin e saj të 108 -të. Për afro 20 vjetësh ajo u ka bërë jehonë kontributit dhe përpjekjeve të kallaratasve për çlirim kombëtar dhe demokraci, figurave më të shquara të këtij fshati në gjithë historinë e tij, jetës kulturore e artistike etj.

Janë me dhjetëra kallaratas që kanë kontribuar me shkrimet e tyre. Gazeta “Kallarati” e nisi rrugën e vet me një numër në muaj dhe me katër faqe dhe më vonë në çdo dy muaj dhe me tetë faqe. Në faqet e saj nuk janë lejuar të botohen shkrime apo shprehje me ngjyrime politike që mund të krijonin qoftë edhe përçarjen apo prishjen më të vogël të unitetit brenda bashkësisë kallaratase.

Gazeta kallarati deri në vitin 2007 u drejtua nga z. Gafur Shameti, ndërsa nga kjo kohë edhe deri para disa muajsh nga i ndjeri Seit Jonuzaj, i cili me përkushtim e profesioanlizëm, edhe pse në moshë të thyer, e mbajti gjallë si gazetë, duke qenë gati e vetmja në fshatrat e Lumit të Vlorës.

Sot gazeta ka nevojë për financim. U shprehim mirënjohje gjithë atyre që kohët e fundit kanë bërë sponsorizimin e numrave të veçantë të gazetës si: Lavdosh jonuzaj, Agron Tozaj, Evgjeni Jonuzaj, Robert Mehmetaj, Ksenofon Xhaferaj, etj. Ftojmë në të ardhmen edhe sponsorizues të tjerë.

E fundit mbi financimin e shoqatës.

Në statutin e shoqatës është theksuar që burimet financiare të shoqatës do të përbëhen nga kuotizacioni i anëtarësisë në masën 1000 lekë në vit, nga sponsorizimet e personave që kanë aktivitet biznesi dhe personave të tjerë dashamirës që kanë mundësi financiare. Për t’u krijuar mundësinë çdo kallaratasi që e ka dëshirën dhe mundësinë për të kontribuar në para, si shoqatë herë pas here janë çelur numra llogarie bankare, por të ardhurat e saj janë të pakta dhe nuk mbulojnë dot aktivitetet që zhvillohen, aq më tepër gazetën. Të ardhurat që janë siguruar janë përdorur nga kryesia e Shoqatës për botimin e gazetës “Kallarati”, për zhvillimin e veprimtarive të ndryshme përkujtimore historike dhe kulturore të fshatit tonë, duke bërë në çdo kohë transparencën e përdorimit të tyre.

Shoqata është ndihmuar financiarisht dhe materialisht në vite nga shumë bashkëfshatarë biznesmen dhe jo të tillë të cilëve si kryesi u shprehim mirënjohjen si: Aranit Rjepaj, Selman Memushaj, Ylli Shakaj, Shkëlqim Leskaj, Idajet Toçaj, Sinan Strataj, Selam Jonuzaj, Lavdosh Jonuzaj, Miri Ribaj, Xhevdet Demiraj, Bako Xhaferaj, Ksenofon Xhaferaj, Robert Mehmetaj, Skënder Jonuzaj dhe blegtorët e fshatit Hekuran Ribaj, Sami Davacaj, Muhedin Qejvanaj, Blerim Xhaferaj, Ladi Kondaj, Lame Shakaj, etj.

Çdo qindarkë e dhënë është administruar rregullisht dhe me transparencë të plotë për disa vite rresht nga financierët e shoqatës, fillimisht nga z. Pëllumb Gjonbrataj dhe më vonë nga z. Sefer Jonuzaj.

Të dashur bashkëfshatarë!

Në mënyrë të përmbledhur nëpërmjet kësaj fjale desha t’ju bëjë një panoramë të aktivitetit të shoqatës në këto 20 vite. E rëndësishme mbetet çfarë do të bëjmë në të ardhmen?

Viti 2023, vit i cili shënon 20 – vjetorin e krijimit të shoqatës duhet të jetë një vit që duhet t’u japë një shtytje të re organizimit dhe planifikimit të veprimtarive të shoqatës. Përvoja mjaft e mirë e krijuar në këto vite duhet të shërbejë si një bazë e mirë për përsosjen e punës së saj.

Në vija të përgjithshme parësore do të jenë:

• Zgjidhja e kryetarëve të degëve në disa rrethe ku mungojnë;

• Zëvendësimi i anëtarëve të kryesisë së shoqatës ndarë nga jeta;

• Zëvendësimi i kryeredaktorit dhe anëtarëve të redaksisë së gazetës ndarë nga jeta.

• Ringritja e degëve të shoqatës me kallaratasit në emigracion si në Greqi, Itali, por edhe në vende të tjera;

• Përfundimi i historikut të fshatit;

• Përkujtimi i ngjarjeve historike të fshatit;

• Përkujtimi i përvjetorëve të rënies së dëshmorëve;

• Përkujtimi i figurave të shquara në periudha të ndryshme historike;

• Zhvillimi i “Takimit të Brezave” për vitin 2023, ditën e shtunë, më 12 gusht në Kallarat;

• Konsolidimi i ecurisë së gazetës, botimi, shpërndarja, etj;

• Ringritja e grupit polifonik, etj.

Faleminderit

Vlore, me 15.01.2023

Peërgatiti për www.kallarati.com

Besnik Gjonbrataj

Besnik Gjonbrataj

Next Post

KUVENDI I LABËRISË MBI HAKMARRJEN. jë dokument i rrallë)

Die Shk 5 , 2023
Labëria ka qenë një nga krahinat e vetëqeverisura të Shqipërisë. Të drejtën e vetëqeverisjes ajo e fitoi në vitin 1492, kur himariotët e detyruan sulltan Bajazitin, që erdhi vetë në krye të ushtrive të mëdha për të shtypur kryengritjen e madhe të atij viti, të pranonte që krahina e Himarës […]