GAZETA “KALLARATI ARRTI NUMRIN 5O

 

Të nderuar lexues dhe bashkëfshatarë kallaratas, siç e shihni, gazeta e Shoqatës sonë kulturore-atdhetare me emrin e bukur “Kallarati”, muaj pas muaji e vit pas viti, arriti numrin e 50-të. Mendojmë se nuk është pak për një gazetë shoqate të një fshati të vogël nga numri i banorëve, po jo nga shpirti e patriotizmi i tyre, sa është Kallarati në krahasim me të tjerët.

Numri i parë i kësaj gazete doli në mars të vitit 2003, rreth 2 muaj pas krijimit të Shoqatës sonë K/A “Kallarati” më 12 janar 2003, e cila vendosi të kishte dhe gazetën e saj. Në njoftimin e redaksisë për mbledhjen themeluese të Shoqatës, të botuar në këtë numër të parë të gazetës,  ndër të tjera shkruhej:  “Të dashur bashkëfshatarë! Sot kini në dorë numrin e parë të gazetës “Kallarati”. Kjo gazetë do dalë një herë në muaj dhe do të trajtojë probleme nga më të ndryshmet. Në të do të botojmë herë pas here shkrime për arsimin, kulturën, figura të shquara, historikun e Kallaratit dhe materiale të tjera. Kërkojmë nga ju të bashkëpunoni vazhdimisht me redaksinë e kësaj gazete, duke dërguar shkrimet tuaja te korrespondentët lokalë…”

Gazeta u mirëprit dhe u vlerësua nga bashkëfshatarët tanë dhe nisën menjëherë përgëzime dhe shkrime për të.

“U njoha me këtë gazetë kaq të rëndësishme, me një vlerë të madhe historike, patriotike dhe edukative për fshatin Kallarat-na shkruante  veterani i LANÇ dhe biri i denjë i fshatit tonë, i ndjeri Ahmet Karabollaj-. Unë ndjeva një kënaqësi të madhe në vetvete dhe falënderoj këtë grup nismëtarësh që krijuan këtë vepër madhore për fshatin tonë”-vazhdonte veterani.

 Ndërsa kryetari i fshatit, z.Lefter Qejvanaj na shkruante: “Marr shkas nga dalja e numrit të parë të gazetës sonë të shumëpritur të shpreh përgëzimet e mia. Kjo gazetë me siguri do të jetë përçuese e ndjenjave tona të zjarrta patriotike, e dashurisë për fshatin tonë. I uroj gazetës jetë të gjatë!…Mendoj se gjatë gjithë kohës, në këtë gazetë do të shkruajnë të gjithë intelektualët, të gjithë bashkëfshatarët që e duan vendlindjen e tyre  apo të prindërve të tyre”-vazhdonte Lefteri.

Edhe i ndjeri Qazim Zigur Mataj që u nda nga jeta këto ditë, përmes letrës drejtuar redaksisë së gazetës, ndër të tjera, i shprehte urimet e vlerësimet e tij me fjalët: “Të dashur djem të Shoqatës kulturore “Kallarati”! Në radhë të parë ju uroj për nismën që morët dhe krijuat të parën shoqatë me emrin e shkëlqyer të fshatit tonë Kallarat… Një rëndësi të veçantë ka nxjerrja e gazetës “Kallarati”, sepse me anë të saj publikohet çdo gjë që shkruhet…Unë jam 83 vjeç, i sëmurë dhe nga sytë nuk shikoj mirë, por kam shumë dëshirë që të shkruaj ndonjë gjë për gazetën “Kallarati”.

I sollëm këto fjalë zemre  për të vënë në dukje se sa mirë e me çfarë gëzimi u prit kjo gazetë e parë në historinë e fshatit tonë. Urimet dhe përgëzimet e mësipërme tregojnë se dalja e gazetës “Kallarati” vlerësohej shumë nga bashkëfshatarët tanë si një mjet i rëndësishëm në duart e kallaratasve për të shpalosur në faqet e saj vlerat njerëzore, historike, atdhetare, kulturore, ekonomike etj. të Kallaratit si fshat e të kallaratasve si bij të tij për bëmat e tyre. Kemi mendimin se, brenda platformës e qëllimit të Shoqatës, të shprehura në Statut, në këta 50 numra gazeta i është përmbajtur objektivave dhe detyrave që i ka vënë vetes Shoqata, si shoqatë pluraliste, pa dallim përkatësish partiake, fetare apo ngjyrash të tjera. Gazeta  ka qenë e mbetet një organ shtypi në dispozicion të të gjithë kallaratasve për kompaktësimin dhe bashkimin e tyre, për pasqyrimin në të nga secili të vlerave, ngjarjeve  e  fakteve historike, kulturore, ekonomike, zakonore etj, të bëmave e veprave të figurave të shquara të fshatit tonë, të luftëtarëve e  të dëshmorëve të tij etj. në të gjitha kohërat. Në faqet e saj nuk janë lejuar të botohen shkrime apo shprehje që mund të krijonin qoftë dhe nuancën më të vogël të përçarjes apo të prishjes së unitetit brenda radhëve të kallaratasve. Dhe në këtë pikëpamje mendojmë se gazeta e ka kryer më së miri misionin e saj me shkrimet e botuara në të. Kjo nuk është është meritë vetëm e redaksisë së saj, por e të gjithë bashkëfshatarëve tanë që  bashkëpunojnë me gazetën me shkrimet e tyre dhe që nuk janë të paktë.

 Në pikëpamje të cilësisë e të nivelit, është e kuptueshme që si fillim dhe pa ndonjë ekip të kualifikuar në fushën e gazetarisë ka pasur edhe dobësi. Por redaksia e saj është përpjekur vazhdimisht për përmirësimin e punës dhe gazeta ka ardhur gjithnjë në ngritje nga numri në numër, mirëpo e mira s’ka fund. Siç e kemi vënë edhe herë të tjera në dukje, niveli i gazetës varet nga niveli e cilësia e shkrimeve që bëhen për të. Me të drejtë ka pasur për gazetën edhe kritika dashamirëse nga lexuesit për një nivel e cilësi më të mirë. Por tek-tuk ka edhe kritizerë që vetë kurrë nuk e marrin penën e të bëjnë shkrime me nivelin që pretendojnë, duke e kërkuar këtë nga të tjerët. Mirëpo kjo punë nuk është vetëm në dorën e redaksisë, po edhe të atyre që bëjnë shkrime, si dhe e atyre që kanë pretendime. Shpesh redaksia vihet në vështirësi për shkak të shkrimeve të dobëta apo të pakta dhe kryesisht  biografikë, kur gazetës i duhen, madje në përqindje më të madhe edhe shkrime problemorë e tematikë, por pse jo edhe skica letrare, humoristike, satirë etj. për ta bërë sa më të larmishme e tërheqëse për lexuesit e të gjitha moshave.  Jo një herë u kemi bërë thirrje intelektualëve kallaratas, që nuk janë pak, të na shkruajnë, sepse ata mund të bëjnë shkrime të një niveli më të lartë dhe me tematikë të larmishme. Por të paktë janë ata që e vlerësojnë thirrjen tonë e na bëjnë shkrime cilësorë. Pikërisht ky është shkaku që e nisëm gazetën me 8 faqe dhe muaj për muaj, pastaj u detyruam ta bëjme me 6 faqe e një herë në dy muaj  dhe së fundi kaluam në 4 faqe nga  mungesa e shkrimemeve. Po ku do vemi më tutje! Ta ndërpresim fare? Kjo gjë nuk do të ishte në nderin e  intelektualëve kallaratas dhe nuk do na e falte fshati ynë i nderuar. Prandaj gjejmë rastin t’u bëjmë thirrje përsëri të gjithë kallaratasve,  kudo që ndodhen dhe në mënyrë të veçantë atyre që e quajnë veten intelektualë apo që kanë dell, ta ushqejnë gazetën me shkrime dhe të mos e lëmë të mbyllet. Ju lutemi të na mirëkuptoni dhe të kontribuoni për mbijetesën dhe vazhdimësinë me dinjitet të  gazetës sonë të përbashkët.

Seit JONUZAJ     

Botuar ne  gazeten “KALLARATI” Nr.50, Maj-Prill 2010

Next Post

LUFTËTAR TRIM DHE RAPSOD I MIRËFILLTË, nga Seit Jonuzaj

Sht Gus 11 , 2012
 -Mehmet Karabollaj në përvjetorin e lindjes e të vdekjes- U mbushën 90 vjetë nga lindja dhe 14 vjet nga vdekja e Mehmet Bilbil Karabollajt. Kish lindur më 1920 në familjen atdhetare të Karabollajve në Kallarat dhe ndërroi jetë më 1 gusht 1996 në Vlorë. Karabollajt nuk ishin vetëm blegtorë të […]

Mund t'ju duken interesant edhe artikujt