Heroit të Popullit Mumin Selami, nga Prof. dr. Rami Memushaj

RamiMemushajTë nderuar miq dhe bashkëfshatarë,

Çdo festë për data madhore të historisë së kombit tonë nuk mund të kremtohet pa kujtuar ata që kanë kontribuar me penë apo me pushkë për arritjen e tyre. Në vijën e kësaj tradite, edhe ne jemi mbledhur në prag të festës së 100-vjetorit të Pavarësisë për të përkujtuar rënien 70 vjet më parë të njërit prej bijve më të shquar të fshatit tonë, Heroit të Popullit Mumin Selami.

Mumini lindi dhe u rrit këtu, i ushqyer me dashurinë për vendlindjen dhe për njerëzit e saj. Kallarati i kohës së tij i ngjante një parku të gjallë historik. Muze ishte fshatit i djegur, gërmadhat e të cilit dëshmonin shumë më mirë se fjalët për luftën e bërë kundër bandave të andartëve grekë dhe bashkëpunëtorëve të tyre. Ciceronë të këtij muzeu ishin pjesëmarrësit e luftërave me turqit, grekët e italianët dhe ata që i kishin vuajtur pasojat e tyre: gjyshërit dhe gjyshet, etërit dhe nënat, vëllezërit dhe motrat më të mëdha. Me rrëfimet e tyre, ata u mësonin brezave të rinj historinë e fshatit dhe të krahinës së tyre, duke u mëkuar ndjenja të forta atdhetare.

Mumin SelamiFëmininë dhe rininë Mumini i kaloi në Shqipërinë e lirë nga okupatorët, po të pushtuar nga një armik tjetër: varfëria. Kësaj i shtohej dhe dhuna e qeverisë së mbretit Zog, i cili e sundoi si një pushtues Labërinë. Të gjitha këto, historia e luftërave dhe përpjekjet e bashkëfshatarëve për të mbijetuar në kushtet e varfërisë së skajshme, mbrujtën te Mumini shpirtin e mospajtimit me të keqen. Vitet e shkollimit në Tiranë ia kthyen këto ndjenja në bindje politike, të cilat i manifestoi qysh nxënës në shkollë të mesme, sidomos kur Shqipëria e tradhtuar nga mbreti dhe e harruar nga Europa, u bë viktima e parë e agresionit fashist. Me pushtimin fashist, jeta e Muminit mori një kthesë të madhe. Ai u përfshi në manifestimet masive kundër pushtimit fashist, ku populli kërkonte armë për të mbrojtur atdheun. Urrejtjen për pushtuesit fashistë e shprehte kudo, në shkollë dhe jashtë saj. Për këtë, fashistët e përjashtuan nga shkolla si element “të rrezikshëm” dhe

e internuan këtu, duke e detyruar të paraqitej dy herë në javë në postëkomandën e Kuçit. Po edhe këtu ai nuk e pushoi veprimtarinë patriotike, duke punuar me të rinjtë e Kallaratit dhe të Bolenës. Falë punës së tij, asnjë i ri nga këto dy fshatra nuk u regjistrua në organizatën e të rinjve fashistë “Balilla”. Më 28 Nëntor 1941 merr pjesë në demonstratën antifashiste të Tiranës dhe për këtë fashistët e arrestojnë, po e lirojnë për mungesë provash. Pas daljes nga burgu, Mumini dërgohet ilegalisht në qarkun e Vlorës për të punuar për ngritjen e popullit në luftë kundër fashizmit.

Partia Komuniste Shqiptare, e vetmja forcë politike që në ato rrethana kritike i doli zot vendit, kishte nisur projektin e madh të çlirimit të Shqipërisë. Barrën për përmbushjen e këtij projekti e morën të rinjtë. Pranvera, vera dhe vjeshta e vitit 1942, u përskuqën nga gjaku i Qemal Stafës, Perlat Rexhepit, Jordan Misjes, Branko Kadisë, Misto Mames, Vojo Kushit, Xhorxh Martinit e Sadik Stavilecit. Kësaj liste iu shtuan mëngjesin e 18 tetorit 1942 edhe trimat e Topanasë Mumin Selami, Hajredin Bylyshi, Bajram Tusha e Hiqmet Buzi, të cilët ranë duke luftuar burrërisht kundër qindra karabinierëve e milicëve që i kishin rrethuar. Me aktet e tyre heroike këta bij të shqipes treguan se shqiptari ishte turpëruar, por nuk ishte zhburrëruar, se tradhtia e kishte ligështuar, po trimëria nuk e kishte lënë. Flaka që ndezën këta bij të popullit në Tiranë, Shkodër e Vlorë i dha popullit kurajën për të rrëmbyer armët dhe për t’u ngritur kundër pushtuesit.

Duke rënë si trimat, Mumini dëshmoi se fraza “Mbi eshtrat e martirëve ngrihet atdheu”, që kishte shkruar në një fletore, qe bërë moto e jetës së tij. Dhimbjen e thellë që ndjeu fshati ynë kur mori vesh rënien heroike të Muminit, e përjetësoi Memo Metoja në vargjet e bukura të këngës “Bogonica me Çipinë ç’kanë që qajnë më lot?”, që e këndoi në Qafë të Ubavit kur i gjeti burrat e fshatit të pikëlluar. Aq e thellë qe dhimbja, sa jo vetëm burrat, po edhe malet qanin me lot. Vrasja e Muminit shërbeu si një sinjal që gjithë fshati të ngrihej grusht i bashkuar kundër fashizmit. Shembullin e tij e ndoqën dhjetëra e dhjetëra të rinj e të reja kallaratase që u rreshtuan në formacionet partizane dhe shumë prej tyre dhanë jetën për ta parë vendin të lirë nga zgjedha fashiste.

Përkujtimi i 70-vjetorit të rënies së Heroit të Popullit Mumin Selami nuk është thjesht një borxh që ia kemi këtij martiri të lirisë, po një detyrë e brezave më të vjetër për t’ua përcjellë brezave më të rinj këtë histori vërtet të lavdishme që kemi. Cili prej nesh nuk është ndier krenar kur, pasi i thoshte bashkëbiseduesit nga jemi, ky recitonte vargjet “Kush e bëri gurgulenë, Kallarat Kuç e Bolenë” apo “Kallarati fshat i pakë, trima burrat, trime gratë”. Nuk duhet të ketë të ri e të re nga Kallarati që të mos njohë historinë e fshatit të vet. Këtë histori çdo bashkëfshatar, në çdo kontinent qoftë, mund ta gjejë në faqen e internetit “Kallarati.com.

Jeta e Muminit na mëson se interesat e vendit qëndrojnë mbi çdo interes të ngushtë vetjak dhe për to ia vlen të luftosh e të sakrifikohesh. Kur themi “të luftosh”, nuk kemi parasysh luftën. Nuk duhet të presim luftëra për akte trimërie e heroizmi. Luftëra mos pafshin as fëmijët, as nipërit dhe stërnipërit tanë. Akte po aq të çmuara janë edhe veprat në të mirë të vendit dhe të bashkësisë. Në

këta njëqind vjet të shtetit shqiptar, fshati ynë ka nxjerrë njerëz që janë shquar në sektorë të ndryshëm të jetës: bujq, barinj e punëtorë, ushtarë e oficerë, teknikë e specialistë të lartë, artistë e sportistë, njerëz të penës etj. Të tillë do të nxjerrë ai edhe në ardhmen, në qoftë se brezat e rinj do t’i mëkojmë me traditat më të mira, me dashurinë për vendin, për punën, me shpirtin e sakrificës dhe me virtytet morale për të cilat Kallarati është shquar në Labëri. Dhe kudo që të jemi nuk duhet të harrojmë rrënjët, këtë fshat sot gjysmë të braktisur, që është shëmtuar nga lënia djerrë e tokave, nga prerja dhe djegia e pyjeve. Ndihma për fshatin, kultivimi i tokave të lëna djerrë, selitja e pyjeve, ruajtja pastër e ujërave dhe e mjedisit janë vepra që presin përkushtimin sidomos të brezit të ri, që duhet ta tregojë veten me vepra në të mirë të fshatit. Le ta ringremë fshatin tonë duke kontribuar të gjithë nga pak!

Duke e mbyllur këtë tubim, më lejoni që në emër të kryesisë së shoqatës “Kallarati” t’i uroj të gjithë miqtë e pranishëm dhe bashkëfshatarët t’i kalojnë të gëzuar 28 Nëntorin, festën e 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, dhe 29 Nëntorin, ditën e 68-vjetorit të Çlirimit nga pushtuesit nazifashistë.

Prof. dr. Rami Memushaj

Fjala e mbajtur ne Kallarat ne daten 20 Tetor 2012 me rastin e 70 vjetorit te renies se Heroit te Popullit Mumin Selami

Next Post

"MBI KOCKAT E MARTIRËVE NGRIHET ATDHEU"

Die Dhj 16 , 2012
Meditim mbi ditarin e Heroit të Popullit Mumin Selami. Nga Idajet Jahaj Ai jetoi vetëm 19 vjeç. Edhe kaq sa rrojti, jeta e tij qe e ngjeshur me etje diturie e veprimtari në shërbim të atdheut. Ai karakterizohej nga aspirata e thellë e dijes, veçori kjo edhe e shumë intelektualëve […]
Mumin Selami