Intervistë me Lefter Qejvanaj –
Lefter Qejvanaj është një prej intelektualëve kallaratas që asnjëherë nuk u largua nga fshati, edhe në vitet e demokracisë, atëherë kurë mundësitë u krijuan për këdo. Lefteri është një prej atyre nxënësve kallaratas që pas përfundimit të shkollës 8 vjeçare në vendlindje, vijoi shkollën e mesme në Brataj, ku së bashku me dy shokët e tij, Hasan Mehmetaj e Lefter Hysin do të mbeteshin për breza të tërë si “treshja e nxënësve më të mirë të shkollës”. Megjithëse dëshira e pasioni i tij ishte të studionte për gjuhë të huaj, shkollën e lartë e kreu për Zoveterenari në Institutin e Lartë Bujqësor në Tiranë. Pas 7 vitesh pune në Helshan të Kukësit, Lefteri shërbeu në Kallarat në detyra të ndryshme në kooperativë dhe pas shkrirjes së tyre, specialist në Drejtorinë e Bujqësisë, sekretar i Komunës së Horës etj. Për shumë vite ai kreu me sukses edhe detyrën e kryeplakut të fshatit.
Aktualisht ka dalë në pension të pleqërisë, por që për asnjë çast nuk ka ndërprerë punën fizike, tashmë në “Minifermën” e tij private siç e quan ai, në shërbim të familjes, por edhe në aktivitetet shoqërore në fshat. Edhe pse fëmijët e tij ndodhen në Vlorë, ai së bashku me bashkëshorten e tij Bejazen infermieren e fshatit, ndihen komod dhe të vlerësuar mes bashkëfshatarëve të tyre në Kallarat. “Nuk jam partizan i braktisjes së fshatit. Bota sot po synon drejt jetës “BIO” dhe unë rend pas saj. Ajri i pastër, uji 24 orë dhe ishalla na bëhet edhe rruga. E për çfarë më duhet qyteti?- shprehet Lefteri.
Për të mësuar diçka më tepër rreth jetës së tij private, familjare dhe aktivitetin e tij shoqëror le të ndjekim intervistën e mëposhtme:
Pyetje: Diçka të përmbledhur për fisin e në mënyrë të veçantë për prindërit tuaj, a mund të na thoni?
Së pari ju falënderoj për përkushtimin tuaj në drejtim të administrimit të faqes së shoqatës. Si fis ne jemi fis i madh, por më afër me breza jemi me degën Polo-Dulla-Laze-Çobo Qejvanaj. Prindërit e mi Dërmish e Nure tërë jetën punuan si bujq. Nëna ishte nga fisi i Bushajve të Bolenës, bile duke qenë se një dajo im, Begdash Bushi në vitet 30 emigroi në SHBA dhe mbeti atje, në vitet kur president i SHBA u bë Xhorxh Bush qarkulluan teoritë konspirative se ai ishte nga Bolena, por këto nuk u vërtetuan dhe unë nuk u bëra dot kushëriri i parë i tij, pasi disa të afërm gërmuan shumë po nuk gjetën fakte.
Pyetje: Fëmijëria e viteve kur ju u lindët ashtu si e çdo fëmije kallaratas ishte e vështirë. Çfarë mbani mend nga fëmijëria juaj?
Ah! Fëmijëria. Ne ishim një lagje e vogël, por atëherë gumëzhinte nga fëmijët. Luanim tërë ditën me drrakth (lojë si biçim bouling) dhe kut e pil me topa llastiku dhe në mungesë të tyre bënim shkurre si topa dhe sandalet me tela në fund të ditës bëheshin copë copë. Shokët e fëminisë, Nuro Kondi, një djalë mjaft i zgjuar të cilin e konsideroja si vëlla, por që fatkeqësisht u nda nga jeta në moshë të njomë si pasojë e një sëmundje të rëndë. Me shokët e tjerë si Lavdosh, Luan e Petrit Gjonaj, Petrit Breshanaj, Hasan Mehmetaj, Lefter Hysaj, Bastri Hoxhaj e të tjerë ruajmë kujtime të paharruara nga fëmijëria jonë.
Pyetje: Le t’i kthehemi shkollimit tuaj. Pas përfundimit të arsimit tetëvjeçar në vendlindje. Së bashku me nxënës të tjerë kallaratas, vijuat shkollën e mesme në Brataj. Mbaj mend, edhe pse vete isha i vogël, që në atë kohë nxënësit kallaratas dallonin midis nxënësve të tjerë në zonë. Është e vërtetë?
Së pari dua t’ju kujtoj se shkollimi ynë është bërë me sakrifica që sot nuk i beson njeri. Fillorja në fshat në atë shkollën e vjetër me dy dhoma, klasa e pestë dhe e gjashtë në Bolenë-Hund Xhepe. Brezi i sotëm nuk e beson që bënim nga 2-4 orë rrugë në shi e në borë por gjithmonë ishim të parët.
Për fat të mirë klasën e shtatë dhe të tetë i mbaruam në fshatin tonë. Klasa jonë (e tetë) kishte vetëm 10 djem dhe zelli për të mësuar bëri që në provimet e lirimit përfaqësuesi i seksionit të arsimit të shtronte pyetjen-si ka mundësi që nga 10 nxënës 6 prej tyre të vlerësoheshin me notën 10.
Hapja e shkollës së mesme Brataj, kontribut i ish kryetarit të komitetit ekzekutiv Sihat Tozaj dhe ish përgjegjësit të seksionit të arsimit Veledin Abazi ka qenë një nga ngjarjet më të mëdha të lumit të Vlorës. Mua për shkak të kushteve të vështira ekonomike mu desh që të bëja rrugën Kallarat-Brataj çdo ditë (25-30 km).Matura e parë që ne patëm nderin të ishim u vlerësua duke akorduar 46 bursa studimi nga 55 nxënës që mbaruan. Më duhet të shkel pak mbi modestinë, pasi treshja nga fshati ynë (unë, Hasan Mehmetaj dhe Lefter Hysaj) edhe sot për shkak të rezultateve të mira dhe prirjeve të kujtohemi si treshja nga Kallarati. Hasani kishte prirje matematikën, Lefter Hysi letërsinë ndërsa unë gjuhën e huaj.
Nuk mund të lë pa përmendur heroin tonë, ish shoferin e sektorit të tregtisë Brataj, Shemo Habili nga Vranishti, i cili shpesh nuk na linte rrugës ,por edhe pse ngarkuar me materiale e ushqime na merrte në atë makinën e vjetër tip GAZ MOLOTOV, të mbuluar me mushama dhe ne edhe pse të uritur asnjëherë nuk vumë dorë mbi karamele e biskota por thjesht thërrisnim me zë të ulët “Rroftë Shemo Habili”(se po të flisnim fort na priste ndonjë “surprizë”.
Pyetje: Më vonë kryet arsimin e lartë në Institutin e Lartë Bujqësor në Tiranë në degën e Zooveterinarisë dhe e përfunduat me rezultate të larta. Çfarë mund të kujtoni sot rreth arsimimit tuaj? Dega e zooveterinarisë ishte zgjedhja juaj, apo…?
Në fakultet hyra me mesataren 8,6 dhe pothuaj me atë mesatare mbarova. Isha në 15 studentët me rezultatet më të larta në 135 që mbaruam. Nuk është se kisha zell të madh, pasi nuk ishte dega e kërkuar nga unë, por sedra mbizotëroi në këtë rast. Unë preferencë kisha gjuhën e huaj se nuk e njoha notën 9 që nga viti i dytë i shkollës së mesme.
Pyetje: Pas përfundimit të shkollës së lartë, besoj se dëshira ishte të ktheheshit në vendlindje, por u emëruat në një zonë të vështirë, në Has të Kukësit. Sa vite shërbyet atje dhe si ju pritën vendasit. Çfarë kujtimesh dhe mbresash ruan sot dhe a ke ndonjë lidhje me ta qoftë edhe nëpërmjet rrjeteve sociale?
Emërimi ka qenë një stres i paparë. Në njoftimin e ministrisë bujqësisë na thuhej që duhet të paraqiteshim më datë 15 gusht në komitetin ekzekutiv për të marrë emërimin, por që këtu filloi burokracia e cila nuk na u nda deri në transferim. Kemi ndenjur plot 8 ditë në pritje të emërimit duke fjetur në hotel dhe ato pak lekë që kishim po na mbaronin derisa më në fund datë 23 gusht 1977 u emërova në Helshan të Hasit. U përshtatëm shumë shpejt. Pritja nga banorët ishte e mirë-njerëz bujarë, por kushtet e punës ishin mjaft larg asaj që ne kishim studiuar. Sektori i blegtorisë ka qenë sektori më i “persekutuar” jo vetëm aty, por në të gjitha ekonomitë bujqësore dhe shkaku ishte “sigurimi i bukës”. Vështirësitë e punës vërtet që na stresonin, por ngushëlloheshim me shoqërinë jo vetëm të banorëve, por ishte një armatë e tërë specialistësh, mësuesish dhe oficerësh nga të gjitha anët e Shqipërisë. Me ta luanim, shikonim filma dhe shpesh shkonim edhe për peshkim të dielave se liqeni i Fierzës ishte vetëm 40 minuta larg. Kur mbusha tre vite bëra kërkesën e parë për transferim për të ardhur në Vlorë. Po cila ishte përgjigja e drejtorisë së kuadrit në ministrinë e bujqësisë: tekstualisht kjo: Për arsye se rrethi i Tiranës nuk ka vende për specialistë dhe rrethi i Kukësit ka mungesa kërkesa juaj nuk miratohet. –O tempora o mores. Deri këtu kishte arritur papërgjegjshmëria, bilë edhe përgjigjet e kërkesave të tjera më erdhën me të njëjtin tekst. Aty pashë specialistë që kishin humbur besimin tek vetvetja pasi kishin edhe nga 10 vite larg familjes dhe disa rrinin tërë ditën tapë.
Më në fund me mbështetjen edhe të një ish drejtuesi të ekonomisë që u bë përgjegjës i seksionit të bujqësisë na u miratua transferimi, por edhe pse dokumentet e mia shkuan në ministrinë e bujqësisë për shkak të burokratëve të kuadrit dosja ime qëndroi edhe 4 muaj në sirtarët e tyre. Por që të mos zgjatem qëndrimi në rrethin e Kukësit prej 7 vite e gjysmë ka qenë një shkollë e dytë. Sot kam lidhje me rrjetet sociale me një numër të konsiderueshëm dhe shpresoj që një ditë të bëj një vizitë tek miqtë e mi.
Pyetje: A mund të na përshkruani disa nga vështirësitë e atyre viteve të para të punës?
Së pari fakti që për të shkuar pranë familjes dhe për tu kthyer përsëri duheshin jo më pak se 6-7 ditë, pasi siç dihet transporti në atë kohë ishte problematik, shpesh nuk gjenim bileta edhe në Vlorë për të shkuar në Fier e le më pastaj për Kukës. Se dyti shpesh nuk gjeje hotel. Si mund të harrohet një natë e 28 dhjetorit 1982 në Milot kur e kam gdhirë jashtë tërë natën me 3-4 udhëtarë të tjerë e kur temperatura ishte minus 6 gradë. Po data 9 janar 1979,kur në Kukës kishte rënë mbi 50 cm borë dhe rruga për Krumë totalisht e bllokuar, kur u nisa vetëm nga Kukësi më këmbë dhe për të vajtur në kooperativë në kohë normale duheshin 5-6 orë(rreth 30 km).Mbasi kisha bërë gjysmën e rrugës futem në një pyll ku mbizotëronte vetëm bora dhe drurët. Ecja kuturu. Këmbët e pantallonave ngrinë nga të ftohtit dhe u detyrova t’i ndërroj me një palë të tjera që mbaja në një çantë dore. Diku shikoja gjurmëujqish dhe asgjë tjetër. Mbas 4-5 orë rrugë fuqitë po shteronin dhe vendosa që shtëpia më e afërt që mund të shoh do kthehem. Edhe pantallonat e tjera ngrinë. Aty nga ora 16 shikoj fshatin dhe mblodha fuqitë, kur papritur takoj kryetarin e kooperativës, një burrë i bëshëm me 4 klasë fillore e tre muaj kurs që kthehej për në shtëpi. Ky nuk kishte frikë se mbante një nagant dhe udhëtonte natën, vetëm sa më përshëndeti dhe nuk tha ky burrë ku shkon në këtë ditë. Po më e forta ishte se të nesërmen kur erdhi në punë nxorri urdhër ndërprerje page 15 diteshi.
Njerëzit ishin shumë vuajtur, por bujarë, por kishte edhe disa si puna e këtij brigadierit që do ju tregoj: Në janarin e vitit 1985 në zonat e veriut ka rënë bora më e madhe që unë kam parë-mbi 2 m lartësi dhe kjo krijoi shumë probleme veçanërisht në blegtori. Mobilizimi i kooperativistëve ka qenë heroik. Rezervat ushqimore ishin të pakta për bagëtitë. Nga mesi i shkurtit ja fut edhe një bore tjetër rreth 70 cm lartësi. Së bashku me kryetarin e kooperativës dhe specialistët shkuam të mobilizonim brigadat për transportin e ushqimit afër stallave. Fillimisht shkuam tek shtëpia e brigadierit dhe i folën në emër dhe çuditërisht del djali i vogël i tij dhe na thotë tekstualisht:
-O po thotë baba s’jam këtu. Ishte e turpshme, ky njeri duhej flakur si leckë, bilë ishte edhe komunist.
Pyetje: A ju ka vlejtur qëndrimi mbi 7 vite në Kukës?
Të them të drejtën shumë, por kaq gjatë ishte e rendë. Të paktën tre vite duhet t’i kalonte çdo specialist, mësues, mjek apo inxhinier që të mësohej me vështirësitë, por 7-8 apo më shumë vite quhej si dënim dhe të mendosh që paga ishte e njëjtë me ata që punësoheshin pranë familjeve, me një fjalë duhej filluar nga e para.
Pyetje: Pas transferimit nga Kukësi ose përfundimit të stazhit le ta quajmë, u kthyet në vendlindje, por mbi të gjitha pranë familjes. Çfarë detyrash kryet gjatë kohës që punuat në kooperativë?
Kam ndenjur 6 muaj në pritje të lirimit të vendit dhe në muajin tetor 1985 emërohem zooteknik i ekonomisë në Kallarat deri në shkrirjen e saj.
Pyetje: Profesioni juaj është i lidhur sa me bujqësinë, aq edhe me blegtorinë, Çfarë mund të na thuash rreth zhvillimit të tyre në ato vite në Kallarat?
E vërteta është se pati rezultate të mira veçanërisht në drithëra, por shpesh herë duke abuzuar në dëm të prodhimit blegtoral. Bilë pati edhe përçapje për të bërë studime në dëm të blegtorisë si ai për plehërimin e gjelbër duke përmbysur masën e njomë për plehërim, ndërsa shpesh lopët i nxirrnim të hanin koçimare(a thua ekonomia jonë ishte një fermë moderne për të ndërmarrë studime të tilla).Si fshat(sektor) Kallarati mbarështonte 1300 të leshta dhe rreth 1000 të dhirta si dhe 100 gjedhë (gjithmonë në fund të vitit).Sot numri i të leshtave dhe gjedhëve është po ai, ndërsa të dhirtat janë përgjysmuar edhe si rezultat i lëvizjes së njerëzve (nga rreth 100 familje në 1991 sot kemi vetëm 45 familje, ku më së shumti me 2-3 persona)
Pyetje: Fshatrat tona të Lumit të Vlorës, për vetë natyrën, lejonin zhvillimin e blegtorisë, megjithatë për veç kopeve të bagëtive të imta dhe gjedhëve kolektive, fshatarit nuk i lejohej të kishte asnjë krerë bagëti e lopë. Me logjikën e sotme, a mendon se kjo ndikonte për keq në jetën e fshatarit?
Reforma më e dhimbshme(antinjerëzore) për fshatin shqiptar ishte tufëzimi i gjësë së gjallë, çka çoi në therjen e mijëra krerëve të gjësë së gjallë dhe varfërimin skandaloz të gjithë popullsisë. Por më skandaloz ishte fakti se disa ekonomi nuk i tufëzuan, ndërsa shumica e tyre e aplikuan këtë reformë. Padyshim që drejtues karrieristë avancuan për ego personale, pasi në ato ekonomi që drejtuesit nuk pranuan nuk u bë tufëzimi si në Smokthinë, Mavrove e gjetkë.
Mbaj mend një funksionar partie i rrethit në 1988 kur shkoi në një brigadë dhe kërkoi të dinte çfarë merrnin kooperativistët për drekë. Kur pa bukë misri dhe një kavanoz makarona u skandalizua, bile me vete u shpreh: Ç’mu desh kjo punë se filluan gratë e shkreta të revoltuara. Kjo ishte një akt-akuzë ndaj sistemit.
Pyetje: për krijimin e tufëzave me lopë e arëzave, aty nga vitet 1987-1989, a mendoni se më tepër ishte një eksperiment në kurriz të fshatarit?
Pikërisht aty filloi edhe shkatërrimi i asaj që kish mbetur. Tufëzat e krijuara u bënë pre e të gjithëve, por më e keqja se u lanë pas dore tufat e mëdha.
Pyetje: Kallarati ka pasur çobanë e blegtorë të zot, a mund të na kujtosh disa prej tyre të asaj kohe?
Jo vetëm të zot, por edhe shumë bujarë, të cilët kanë nderuar jo vetëm veten e tyre, por edhe fshatin. Si mund të mos përmendësh Barjam Goxhaj, Bejkush Leskaj, Neki Rjepaj, Sami Davacaj, Pelivan e Ahmet Shakaj, Myzafer e Muhedin Qejvanaj, Shyqo Laçaj, Refat Rjepaj, Lavdi Hoxhaj e shumë të tjerë. Sa mund e sakrifica kanë bërë këta njerëz dhe nuk u shpërblyen kurrë për punën non stop. Sot stafetën e tyre e kanë marrë disa të rinj të talentuar, të cilët edhe pse me shumë vështirësi po mbarështojnë me sukses dele e dhi si Bashkim Davacaj, Blerim Ribaj, Xhezo Shakaj, Fejzi Xhaferaj, por edhe më të vjetër si Hekuran Ribaj, Dylbere Tozaj, Vladimir Kondaj, Muhedin e Razi Qejvanaj, të cilët trajtojnë tufa mbi 150-200 krerë.
Pyetje: Po ndonjë shifër të krerëve të bagëtive të imta dhe të gjedhëve dhe të rendimentit të tyre në mish, qumësht e lesh, si fshat deri në shpërbërjen e kooperativës a keni?
Në dele rezultatet varionin nga 45-50 litra për krerë, në dhi 70-75 litra dhe në lopë jo më shumë se 1300 litra. Rezervat kanë qenë për më shumë, por sistemi i mbarështimit nuk e lejonte.
Pyetje: Mbas shkrirjes së kooperativës bujqësore ku u sistemuat?
Punova gati një vit si mësues biokimie në ish shkollën 8 vjeçare Bolenë, ku provova se puna në arsim, veçanërisht në ato vite ishte tepër e vështirë dhe në Janar 1993 fillova punë në Drejtorinë e Bujqësisë dhe Ushqimit Vlorë deri në prill të vitit 2010, kur me një njoftim absurd (për gjoja shkurtim organike) ndërpres marrëdhëniet financiare, duke ndenjtur për një vit e gjysmë pa punë dhe në nëntor 2011 emërohem sekretar i këshillit të komunës, deri në ditët e fundit (njësia administrative Horë-Vranisht).
Petje: Cila është përbërja e familjes tuaj?
Ah! Tani në fshat jemi vetëm ne të dy, ndërsa 4 fëmijët jetojnë e punojnë në Vlorë. Kemi edhe një nip dhe dy mbesa që na zgjatin jetën, veçanërisht kur vijnë në fshat dhe shtëpia merr gjallërinë e dikurshme.
Pyetje: Jeni i vetmi intelektual që nuk jeni larguar nga fshati, edhe kur u lejua lëvizja e lirë. Ka ndonjë arsye?
Nuk jam partizan i braktisjes së fshatit. Bota sot po synon drejt jetës BIO dhe unë rend pas saj. Ajri i pastër, uji 24 orë dhe ishalla na bëhet edhe rruga, e ç’duhet më, pse të iki sa jam me këmbë e duar.
Pyetje: Së bashku edhe me bashkëshorten tuaj Bejazen, mendoj se keni qenë dhe jeni në shërbim të bashkëfshatarëve tuaj, prej të cilëve gëzoni respektin maksimal. Ajo si infermiere e kudo gjendur pranë njerëzve në nevojë dhe ju për shumë vite si kryeplak. Çfarë mund të na thoni për jetën e bashkëfshatarëve që jetojnë në Kallarat?
Me kënaqësi vërej se si fshat nuk kemi hasur probleme konfliktuale si në fshatra të tjerë për gjerdhe, për prona etj. Ato 10 vite që u zgjodha kryetar i fshatit u mundova me mish e me shpirt që mos të kishte probleme në jetën e fshatit, si problemet e ujit të pijshëm (rikonstruksioni i dy ujësjellësve), problemet e ujitjes trajtoheshin në kohë, furnizimi me energji elektrike, ndërtimi i pasarelës mbi lumë, rrethimi i varrezave të fshatit edhe me ndihmën financiare të komunës, por edhe të disa emigrantëve në Greqi etj. Për 10 vite asnjëherë nuk pati kërkesa për ngritje komisionesh nga komuna për zgjidhje mosmarrëveshjesh për rrugë apo konflikte të tjera siç ndodhte në fshatrat përreth.
Jeta në fshat sot nuk është e lehtë. Ka shumë pak të rinj, ka mbetur vetëm mosha e thyer. Problemet janë të shumta, që nga punimi i tokës me kosto të lartë, mosfunksionimi në kohë i sistemeve ujitëse, rruga e amortizuar etj. Lusim të kemi shëndetin. Së bashku me bashkëshorten na bie rasti të shërbejmë edhe jashtë fshatit për urgjenca në blegtori dhe na janë mirënjohës që nga Mesapliku e deri në Kuç, ndërsa shërbimi ndaj të sëmurëve është detyrë e saj, sepse ka bërë betimin e Hipokratit
Pyetje: Shpesh ju shikojmë të bashkuar në raste të ndryshme gëzimi, hidhërimi e të përkujtimit të ngjarjeve të ndryshme që kanë të bëjnë me historinë e Kallaratit, por dhe të krahinës dhe në shkallë vendi. A mendoni se tashmë është kapërcyer çdo ndarje partiake dhe ajo që ju bashkon më shumë është të qenurit kallaratas?
Nëse e keni vënë re në fotot që kemi postuar për kremtime të ndryshme marrin pjesë nga të gjitha krahët. Luftën politike e kemi lënë aty në Tiranë.
Pyetje: Për shumë vite punuat edhe në Komunën e Vranishtit dhe me ndarjen e re administrative me Bashkinë e Himarës dhe besoj se jeni në dijeni të projekteve të zhvillimit te zonës tonë. Përjashtuar rrugës automobilistike që është projekt madhor i qeverisë, a kini dijeni për projekte të vogla të bashkisë për Kallaratin në drejtim të ujitjes, ujit të pijshëm, sistemimit të qendrës se fshatit, rrugëve që lidhin tre lagjet etj?
Këto ditë u rikonstruktua pacarela e fshatit. Bashkia nuk është se ka bërë ndonjë investim madhor, por një skrep që disponon njësia administrative dhe që fatmirësisht drejtohet nga një kallaratas po punon për sistemime rrugësh e kanalesh dhen kjo nuk është pak, por bashkia duhet të bëjë më shumë dhe këtë ia thamë edhe kryetarit të Bashkisë së sapo rizgjedhur në detyrë gjatë takimeve në kuadrin e fushatës së zgjedhjeve.
Pyetje: kini dalë në pensionin e pleqërisë, edhe pse nga fiziku dukeni krejt i ri, si ndiheni dhe çfarë ndryshimi keni aktivitetin tuaj të përditshëm?
Nuk mund të rri pa lëvizur. Miniferma ka punë plot nga mëngjesi në darkë, nganjëherë shkoj dhe pi kafe në Horë me ish shokët e punës. Puna vërtet të zgjat jetën.
Pyetje: Çfarë urreni më shumë?
Mosmirënjohjen dhe mungesën e sinqeritetit.
Pyetje: Si banor i Kallaratit, por edhe si intelektual ç’mendim keni për shoqatën dhe gazetën ”Kallarati”?
Respekte për kryetarin e shoqatës Z. Kastriot Karabolli. Për gazetën mendoj se problemet i trajton mirë, më shumë probleme në lidhje me fshatin duhet të ketë në të ardhmen.
Pyetje: Mesazhi jua për kallaratasit, në mënyrë të veçantë për ata që kanë vendosur të punojnë dhe jetojnë në fshat, gjithmonë në drejtim të bujqësisë, blegtorisë, pse jo edhe turizmit malor, cili do të ishte?
Mendoj se ka dritë në fund të tunelit. Me ndërtimin e rrugës do ketë lëvizje, do ketë punë, sidomos turizmi që këto vitet e fundit ka filluar. Braktisja e fshatit është një brengë. Nëse ulet numri i votuesve nën 200 (sot është 230) do na duhet të votojmë në Kuç apo Vranisht dhe kështu emri Kallarat shuhet, ndaj nuk e shoh me vend transferimin e gjendjes civile nga banorët drejt Vlorës. Siç kam shkruar edhe në një status timin pak javë më parë: “Jeta është luftë dhe punë. Ajo është e shkurtër, prandaj ta jetojmë atë me dinjitet”.
Faleminderit –
Intervistoi: Besnik GJONBRATAJ
Shenim:
Intervista eshte derguar per botim ne numrin e ardhshem te gazetes “Kallarati”