Me kapedan Ladin në Kallarat

Shënime udhëtimi, nga Aleksandër Çala

 

 

Unë së bashku me Lubën e kemi të disatën herë që udhëtojmë drejt Kallaratit. Për këto udhëtime, megjithëse mbresat dhe emocionet kanë qenë të shumta dhe të bukura nuk kam shkruar më parë. Për udhëtimin kësaj radhe vendosa që me modesti të shkruaj disa rreshta. Shkaku është shumë i veçantë, ashtu siç është dhe i veçante edhe miku im, kallaratasi Vladimir Rjepaj.

Me Ladin më lidh një miqësi e vjetër gati 40-vjeçare që kur unë u njoha dhe vendosa të martohem me kallaratasen Ludmilla Tare Karabollaj, që Ladin e ka kushëri të parë të babait.

Kallaratasi Vladimir Rjepaj është rritur në Vlorë dhe për arsye pune familja e tij ka banuar në Durrës, kurse ai ka kaluar mbi gjysmë shekulli duke udhëtuar deteve dhe oqeaneve të mbarë botës. Që pas mbarimit të shkollës së marinës në Vlorë caktohet për të punuar në marinën tregtare. Ai është ndër të paktët shqiptar që disponon licencën për drejtimin e mjeteve të mëdha detare, atyre transoqeanike. Megjithëse në moshë madhore kapedan Ladi nuk i është ndarë akoma pasionit të kahershëm të tij, lundrimit. Kjo ka bërë që dhe vizitat në Kallarat të jenë të rralla.

Në takimet tona në Durrës shumë herë bisedojmë për Kallaratin dhe në këto biseda mua më bëri përshtypje kjo gjë.

Tek njerëzit që gati gjithë jetën e tyre e kanë kaluar në lundrime nëpër dete dhe oqeane anë e mbanë botës dashuria për tokën ku kanë lindur është më e madhe, kjo mbase dhe për faktin që ajo, toka, u ka munguar gjatë.

– Kur të vij në shtator dua të shkoj në Kallarat- më tha Ladi kur biseduam në telefon në kohën që ishte në portin e Varnës në Bullgari.

– Përse të mos shkoni – i thashë unë – kush të pengon Ty.

– Nuk më pengon njeri, por dua që të shkojmë bashkë, marrim dhe zonjat dhe shkojmë – vazhdoj Ladi – Hë si thua?

– Kush ta prish ty, vetëm më thuaj datat që të planifikoj dhe unë punën – i thashë në telefon

– Po unë vij në Durrës në datën 13, e lëmë për në 16 shtator.

– Ok, në 16 shtator, mirë ardhsh kapedan Ladi – përfundova bisedën unë.

Të hënën e 16 shtatorit u nisëm drejt Kallaratit së bashku me kapedan Ladin dhe Florën, bashkëshorten e tij.

Kaluam urën e madhe mbi Shushicë dhe mbërritëm tek rreth rrotullimi i Peshkëpisë, ku tabela tregonte që duhet të merrnim drejtimin djathtas për në Kotë. Rruga sapo është përfunduar dhe parametrat e saj janë të lartë e kjo bëri që shumë shpejt të mbërrijmë tek ura e Gjormit ku është dhe fundi i pjesës të përfunduar i saj.

– Po tani si i bëhet? – pyes unë duke parë gjendjen e mjeruar të rrugës së vjetër që duhet të përshkojmë deri në Kallarat.

– Deri këtu ka ardhur shteti – thotë Ladi dhe të gjithë qeshëm. Në rrugën e vjetër punohej në shumë vende dhe gjendja e saj ishte shumë e keqe. Më bëri përshtypje që gjatë saj u shkëmbyem dhe na parakaluan disa makina të vogla që ecnin me shumë shpejtësi. Siç duket drejtuesit e tyre janë mësuar me këtë gjendje të rrugës dhe nuk u bënin përshtypje gropat e saj. Mbas shumë kilometrash rraskapitëse kaluam qendrën e asaj që tani quhet Njësia Administrative në Horë dhe përsëri ndeshëm me mjete të rënda që punojnë për ndërtimin e rrugës së re. Sa më shumë i afrohemi Kallaratit aq më shumë shtohet gjelbërimi. Në të dy anët e rrugës shtrihen ara të vogla të mbjellja me misër i cili për pak ditë duhet të korret.


Në fund të atij segmenti të drejtë të rrugës , në të djathtë, në maj të një kodrine të vogël fillojnë të duken konturet e një shtëpie. Ngadalësoj shpejtësinë dhe nga pasqyra e vogël e kabinës shikoj që Luba ka hapur xhamin dhe po vështron me kureshtje në drejtim të majës së kodrës. Tek ajo shtëpi është lindur dhe rritur babai i saj. Ajo shtëpi ishte e Karabollaj deri në vitin 1974 kur gjyshja e saj, nënën Tefua, e mbetur vetëm në fshat, vendosi ta shiste. Aty flinin me dhjetëra kujtime të vegjëlisë të saj dhe shfaqja e bëftë e shtëpisë mes pemëve majë kodrës në fund të rrugës duket sikur i zgjojë vrullshëm ato.


– Hë Luba si dukesh, nuk ndjehesh mirë që e hape xhamin e makinës? – e pyeta unë.
– U lodha pak, por kjo pamje e ky ajër ma hoqën lodhjen si me magji – tha ajo – atje tek kthesa ndalo pak.

– Po patjetër që do të ndalojë – thashë unë dhe kur mbërritëm tek kthesa hapa krahun mirë për të mos penguar kalimin e makinave të mëdha që punonin për bërjen e rrugës së re dhe qëndruam në hijen e një rrapi në buzë të lumit. Shtëpia në majë të kodrës tregonte se po hynim në Kallarat, ajo në atë pozicion dukej si një kështjellë e vogël.

Një ekskavatorë i madh vazhdonte të gërmonte shkëmbin mbi të cilin ajo ngrihej dhe dukej se ajo i kishte ditët e numëruara. Zbritëm nga makina dhe të katër hodhëm vështrimin nga shtëpia majë kodrës. Ai ekskavatorë pamjen e kishte bërë të frikshme.

– Nisemi – tha Luba – nuk e shoh dot në atë gjendje, më duket sikur do të më kërkoi ndihmë që po i shkulin themelet dhe unë nuk e ndihmoj dot.

– Ikim, ikim – tha Ladi dhe hapi derën e makinës sikur donte të largohej sa më parë nga aty. Hipëm në makinë dhe unë dëgjova Lubën që e përplasi me forcë derën e makinës sikur donte t’ia zbrazte asaj inatin që ajo shtëpi mund të rrëzohej duke ja shkulur themelet. U nisëm përsëri dhe mbas pak mes pjergullave me rrush filluan të duken shtëpitë e para të Kallaratit.

• Çu këput një këmbë mali.

Flora më kishte treguar një ngjarje të ndodhur vite më parë kur kapedan Ladi ishte kthyer nga një udhëtim i gjatë kur transoqeaniku Arbëria bënte linjën e Kinës. Ajo, me të qeshur para shumë vitesh më kishte treguar se dhe një herë të vetme që Ladit i ishte dhënë mundësia për ta përshëndetur nëpërmjet radio Tiranës, kapedani nuk e kishte bërë. Duke e ditur këtë gjë, unë për të mësuar diçka më shumë ë pyeta Ladin:

– Kapedan si është puna e asaj këngës kur erdhe nga Kina?

– Sandër, kthimi në portin e Durrësit i transoqeanikut Arbëria nga udhëtimi në Kinë ishte një ngjarje e rëndësishme për kohën. Sapo përfundonte ankorimi i anijes ndërpritej çdo program i radio Tiranës dhe jepej lajmi që mbërriti në portin e Durrësit transoqeaniku Arbëria. Atëherë në radio jepej dhe një emision me përshëndetje me këngë nga dëgjuesit dhe dy gazetare nga më të mirat e radio Tiranës erdhën në anije për të përgatitur këtë emision. Gazetaret gjithë emocion erdhën të më intervistonin dhe mua që isha kapiteni i Arbërisë. Ato prisnin nga unë që si njeri që kisha udhëtuar nëpër botë dhe dija disa gjuhë të huaja të zgjidhja ndonjë këngë të huaj, apo si kapiten të zgjidhja ndonjë këngë për partinë apo udhëheqësin e vendit.

– Ja tani mikrofonin tonë ja drejtojmë kapitenit të Arbërisë, shokut Vladimir i cili prej vitesh drejton me sukses ekuipazhin e dalluar të vaporit Arbëria i cili do të zgjedhë këngën e radhës.

– Me këngën: – Çu këput një këmbë mali përshëndes gjithë bashkëfshataret, nënën dhe dy fëmijët e mi – thashë gjithë qetësi unë. Gazetarja mbeti e hutuar nga kërkesa ime dhe mbylli mikrofonin.- Çfarë ka i thashë, duke parë hutimin e saj.

– Këtë këngë kam kohë pa e dëgjuar, në fakt prisja ndonjë kërkesë për tjetër këngë – tha ajo.- Po ja që unë atë këngë dua, ajo më pëlqen – thashë unë.

– Në rregull, pa problem, por nuk e di a do ta gjejmë – tha gazetarja.

– Po patjetër që do ta gjeni e mbylla bisedën unë, përfundoi tregimin Ladi.

– Pra, përshëndetët bashkëfshatarët, nënën dhe dy fëmijët, po për Florën nuk të shkojë mendja fare e ngacmova unë.

– Më vajti, o vëlla më vajti, se dhe për të më kishte marrë malli, por ishte kohë tjetër dhe po të përshëndesje gruan dukej si dobësi në atë kohë.

– Po përse zgjodhët pikërisht atë këngë Kapedan.

– Atë këngë më donte xhani. Fshati im, Kallarati, me atë këngë të kënduar nga bashkëmoshatari im Zeqo Hoxha ishte paraqitur me sukses në festivalin folklorik kombëtar të Gjirokastrës dhe përpos të tjerave ajo është dhe shumë e bukur – tha Ladi.

– Po a e di tani që Zeqo Hoxha ka hapur një bar-restorant në qendër të Kallaratit – i thashë unë.- Epo shumë mirë, kafenë e parë do ta pimë tek Zeqo Hoxha, atje na ndalo, apo jo moj Flora? pyeti Kapedani, sikur donte që dhe me atë miratim të saj të shlyente gabimin e bërë vite më parë.- Ku të jetë më mirë – tha Flora duke na e lënë ne burrave për të vendosur.

– Ne sa herë kemi ardhur më parë në Kallarat tek Zeqo Hoxha kemi qëndruar, atje gatuajnë dhe shumë mirë – thotë Luba.

– Po shumë mirë atëherë, një rrugë dhe dy punë, takojmë Zeqon pimë dhe kafe – tha Ladi.
– Do bëjmë jo dy, por disa punë – thashë unë – takojmë Zeqon pimë kafe, çlodhemi, hamë dhe drekën.- U tha, u bë – tha Ladi – qëndrojmë tek Zequa.

Pas disa minutash mbërritëm në qendër të Kallaratit dhe ndalova makinën nën hijen e rrapit në krah të lapidarit. Tek hyrja e lokalit na pret buzagaz një djalë i ri.

– Përshëndetje, mund të uleni këtu brenda, apo dëshironi të uleni në verandën se aty është dhe më freskët – thotë djaloshi duke na treguar me dorë drejtimin që të çon në verandë.

– Si je mor djalë – i drejtohet Ladi duke i dhënë dorën – i kujt je ti?

– Jam djali i Zeqo Hoxhës – përgjigjet djali duke qeshur – Po ju kush jeni?

– Unë jam një shoku i babait tuaj, Vladimir Rjepaj më thonë.

– O kapedan Ladi, kam dëgjuar për Ju, babai ju kujton shpesh. Uluni sa ta njoftojë se është në shtëpi tani, për dy minuta vjen- tha djali dhe mori nga banaku celularin për të folur me të atin. Ne u ulëm në tavolinën e parë në verandë dhe po sodisnim pamjen e mrekullueshme që shtrihej deri tej në rrëzë të malit të Çipinit, mbi Bolenë. Ladi qëndroj dhe disa çaste në këmbë me vështrimin ngulur në bregun përballë ku midis gjelbërimit të pemëve mezi dukeshin konturet e një shtëpie dy katëshe. U mbush thellë me frymë dhe u ul në karrike.

– Çfarë ke Kapedan? – Pyeta unë duke e parë drejtë në fytyrë, pamja e të cilës nuk ishte si më parë.

– Asgjë, asgjë – tha Ladi dhe nxori nga xhepi shaminë me të cilën fshiu fytyrën e mbuluar nga djersa.

– E shikon atë shtëpi në bregun përballë, ja ajo që mezi duket nga pemët – tha Ladi dhe drejtoi dorën nga lumi – ajo është shtëpia e prindërve të mi.


Në derë u shfaq Zequa dhe ne u çuam në këmbë.

– Ja kështu ka lezet – tha ai dhe u përqafua me mall me Ladin.

– Të më falni zonja, po u bënë vite pa u parë dhe më kish këputur malli, u bënë vite pa u parë – tha Zequa sikur donte të shfajësohej që e kishte shkelur protokollin dhe e përqafua edhe një herë me Ladin.


Djali solli porosinë që kishim bërë në, kurse Zeqos i vuri një gotë rakie para dhe në krah të saj vendosi shishen e rakisë. Të dy burrat fillimisht u justifikuan që nuk ishin takuar më parë, por si të gjithë ne edhe ata fajin kryesor ja lanë punëve dhe halleve të shumta që kishin pasur. Dikush përmendi dhe mukajetin, por këtij i lanë më pak përgjegjësi për vonesën. Kujtuan ngjarje dhe njerëz të ndryshëm, shumë prej të cilëve nuk jetojnë aktualisht në fshat. Ca kanë shkuar të jetojnë në qytete, ca në emigracion e ca të tjerë kanë shkuar tek lagjja në të dalë të fshatit, pasi kanë ndërruar jetë. Mes kujtimesh dhe ngjarjesh të shumta dielli kishte bërë të vetën dhe pa na marrë leje ishte varur mbi malin Çikës. Ndahemi me Zeqo Hoxhën, me ftesën e tij për të na mirëpritur përsëri se shelegu po na pret dhe premtimin e Kapedan Landit që kësaj here nuk do ta lënë që shelegu të bëhet dash.


Tek Asqeria, kushërira e mirë

Në fshat na priste Asqeria. Ajo është bij nga fisi i nderuar Tozaj dhe është njëkohësisht kushërira e parë me Ladin dhe Tare Karabollaj. Ajo është martuar në Memushaj dhe mbas ndarjes nga jeta të bashkëshortit tani jeton së bashku me djalin e saj, Ilirin.


Iliri kryen detyrën e kryeplakut të Kallaratit. Ai është i martuar me Elenën dhe së bashku kanë dy djem si yje. Iliri erdhi e na takoj që kur ishim tek Zequa dhe së bashku me të mbërritëm tek shtëpia e tyre. Një takim i malluar midis kushërinjve që na pritën gjithë gëzim e dashuri. U rehatuam në verandë e biseda ceku vite e njerëz të ndryshëm. Kujtohen me mall vitet e fëmijërisë, gjyshërit e prindërit që nuk janë më, bashkëmoshatarët dhe fëmijët e shpërndarë nëpër botë.

Nga veranda e shtëpisë duket mjaft mirë rrënojat e shtëpive lartë në fshatin e djegur nga andartët grekë para një shekulli e ca.

– Atje ka qenë fshati – tha Ladi dhe drejtoi dorën nga Bogonica.

– Po atje ka qenë, por tani mezi shkohet të keqen motra – tha Asqeria.

– Tani shkohet kollaj fare – tha Iliri – se tani shkohet me fuoristradë deri lartë tek lapidari. A keni dëshirë të shkojmë atje? – pyeti ai.

– Unë e kam parë nga afër kur kalonim gjatë fluturimit me helikopterë – thashë unë – por nuk kam qëndruar.

– Shkojmë se dhe unë nuk kam shkuar atje që nga koha kur bënim zbor me çetën vullnetare – tha Asqeria.

– Po nisemi atëherë – tha Ladi.

– Atje do shkojmë për piknik dhe në piknik nuk shkohet me duart në xhepa, duhen dhe gjëra të tjera që ta shijojmë tamam – tha Iliri dhe mbushi në qese plastike me rrush, ndërkohë Elena solli një qese tjetër ku kishte futur një shishe me raki dhe gota.

Hipëm në makinë dhe u nisëm lartë për në fshatin e djegur. Rruga ishte hapur me fadromë para disa vitesh, por në disa vende ishte bllokuar nga rrëshqitjet e gurëve. Unë kurrë nuk do të merrja guximin të drejtoja një makinë në atë rrëpirë, kurse Iliri e bënte atë punë me shumë lehtësi dhe në mbërritëm lartë tek lapidari që është ngritur për të kujtuar këtë ngjarje të dhimbshme të ndodhur 105 vite më parë. Pamja këtu është me të vërtetë e trishtueshme. Të gjitha shtëpitë të djegura dhe të rrënuara, disa trungje prralli të tharë. Atë zymti e prishnin vetëm zilet, këmborët dhe blegërimat e një kopeje me dele e dhi që kullosnin të pa shqetësuara në hapësirën midis rrënojave. E vetmja pemë që i kishte mbijetuar barbarisë ishte një gorricë me disa kokrra që nuk ishin pjekur akoma. Çobani i stanit kishte mbjellë disa rrënjë duhan si për të treguar se dhe në fshatin e djegur ka jetë.

Kur muzgu filloj të bjerë morëm rrugën për në shtëpi ku Elena së bashku me Lubën na kishte përgatitur një darkë që do ta mbajmë mend gjatë.

Gjatë saj u treguan shumë ngjarje e kujtime, por unë do të veçoja këtë kujtim të treguar nga kapedan Ladi.

– Eh malli i nënave. Ai është i madh dhe i thellë sa detet dhe oqeanet që kam lundruar gjithë jetën time. Në një prej rasteve që sa ishim kthyer nga një udhëtim i gjatë dhe i vështirë nga Republika Popullore e Kinës nga Radio Tirana vjen një gazetar radio-kronist dhe po përgatiste një reportazh. Në atë reportazh kishte planifikuar që të intervistonin dhe nënën time. Gazetari erdhi në shtëpi për të marrë në intervistë nënën. Midis shumë pyetjeve – përgjigjeve midis tyre më ka mbetur në mendje ky episod që tregon gjithë atë merak dhe mall të madh të nënave tona.

Gazetari: – Nënë si e përjetuat ju këtë periudhë të gjatë prej 150 ditësh që djali juaj ishte në udhëtim?Nëna: – Po është e vërtetë që një kohë e gjatë, për Ju mbase është 150 ditë, por për mua, për nënën, ishin 154 ditë të gjata, të mbushura me merak për djalin, por shyqyr që u kthye me faqe të bardhë dhe shëndosh e mirë bashkë me shokët.

Nëna numëronte çdo ditë e orë të udhëtimeve të mia. Ajo nuk i shënonte datat e nisjeve dhe kthimeve në ndonjë kalendar a bllok shënimi, ajo i shënonte ditët në mendjen dhe zemrën e saj dhe meraku i nënave ishte bashkë me në kudo ku gjendeshin në tokë apo nëpër detet e botës…. Kaluam dy ditë në Kallarat mes njerëzve të mrekullueshëm dhe natyrës së bukur të atij fshati të veçantë. U larguam duke marrë me vete mbresa dhe kujtime të bukura, ftesën për një vizitë sa më të shpejtë dhe duke lënë atje premtimin se do të kthehemi përsëri. Ju jemi shumë mirënjohës të gjithëve.


Përgatiti Aleksandër Çala

 

Kallarat 16-17 shtator 2019

 

Next Post

MBI NEVOJËN E SENSIBILIZIMIT TË STRUKTURAVE SHTETËRORE DHE OPINIONIT TË BANORËVE PËR MOS NDOTJEN E LUMIT TË VLORËS.

Pre Sht 27 , 2019
Selo Myzafer Qejvani nga Kallarati i Vlorës, aktualisht me punë dhe banim në Norfolk, Virginia, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me profesion inxhinier, me dashurinë ndaj vendlindjes, Kallaratit, nëpërmjet kësaj letre u bën apel banorëve të fshatrave që shtrihen në të dy anët e lumit Shushica, por edhe strukturave […]