I DASHURUAR PËRJETËSISHT ME KALLARATIN. Intervistë me Idajet Toçaj


idajet-tocajIdajet Toçaj, lindur në Kallarat më 25 Dhjetor 1937, në moshën 7 vjeçare largohet nga Kallarati së bashku me familjen për në Tiranë. Pas shumë vitesh arsimimi dhe pune krijon familjen e tij. Një jetë të tërë deri sa doli në pension punoi si specialist i ndërlidhjes në ushtri dhe Flotën Tregtare.

Duke pasur të kultivuar nga i ati dashurinë për vendlindjen Kallaratin dhe kallaratasit, kurdoherë është i ndodhur pranë tij në festa, gëzime dhe hidhërime, ku me plot të drejtën mund të themi se është i dashuruar përjetësisht me Kallaratin. Me kërkesën tonë, për jetën e tij familjare, kujtimet për Kallaratin e të tjera detaje, Idajeti i tregon në intervistën e mëposhtme.

1. Ç’dini dhe ç’mund të na thoni për prejardhjen e fisit Toçaj?

Ashtu si gjithë fiset e tjerë në Kallarat edhe fisi Tocaj është vendosur në Kallarat shekuj më parë. Megjithëse nuk di të kemi dokumente të sakta për prejardhjen tonë, por di që i përkasim mëhallës Gjinaj. Sipas të thënave nga babai rezulton se jemi me prejardhje nga krahina e Mirditës, kufi me Pukën ose nga Malësia e Madhe dhe shekuj më parë të vendosur në Kallarat. Më pas mbiemri ka ndryshuar sipas kohës në të cilën kanë jetuar paraardhësit e mi. Unë vetë mbaj mbiemrin Toçaj, ndërsa njerëzit e tjerë nga babai mbajnë mbiemrin Bajrami. Por mendoj se pavarësisht se nga është origjina, kjo le të ngelet në dorë të historianëve, rëndësi ka fakti që jemi shqiptarë dhe të lidhur ngushtë me Kallaratin, fshat ky që për mua ngelet vendi më i bukur dhe më i dashur.

2. Ç’kujtime ruani për fëmijërinë tuaj dhe Kallaratin e atyre viteve kur ju ishit atje?

Në Kallarat kam kaluar një periudhë shumë të vogël të fëmijërisë, rreth 7 vjet, pasi në vitin 1945 familja ime vendoset ne Tiranë, ku edhe fillova klasën e parë fillore. Megjithëse në një moshë të vogël, ruaj plot kujtime nga Kallarati. Midis tyre dhe e paharruar do të më ngelet ndarja nga jeta e njeriut më të shtrenjtë për çdo njeri, nënës time të paharruar Hane Braho Toçaj (Abazaj) nga Kuçi. Gjithashtu mbaj mend edhe ardhjen në shtëpinë tonë të njerkës, Peno Rexho Toçaj, po në vitin 1942, e cila u rrit së bashku me mua dhe motrën time Sabon, e cila për ne u bë nënë edhe motër. Për ato vite ruaj kujtime për përkrahjen dhe dashurinë që më kanë dhënë familjet kallaratase, që i kishim më afër, ku do të veçoja Nënë Duzen, hallë Hajdinenë, teto Xhevon së bashku me dajo Mazen, xha Nuron, xha Veipin, xha Rrapushin së bashku me bashkëshortet e tyre, si dhe xha Zimon që e kishim krejt afër. I kujtoj me shumë respekt sepse ishin njerëz shumë fisnik në ato kohëra shumë të vështira duke na dhënë shumë dashuri.

3. Diçka, kujtime mbresa për prindërit dhe pjesëtarët e familjes, në mënyrë të veçantë për aktivitetin e babait tuaj?

Babai im Bajram Qamil Toçaj ka lindur dhe është rritur në Kallarat. Para luftës së dytë botërore si të gjithë bashkëfshatarët është marrë me bujqësi. Gjatë luftës nacionalçlirimtare u inkuadrua në Brigadën e Tetë Sulmuese. Pas luftës e deri sa doli në pension ka shërbyer në ushtri. Vlerësoj gjithçka që babai bëri për fëmijët e familjen e tij, por në mënyrë të veçantë vlerësoj atë që ai nuk i shkëputi asnjëherë lidhjet me vendlindjen duke na kultivuar edhe ne dashurinë për të. Edhe vajtja ime e herëpashershme atje është pikërisht si pasojë e kësaj edukate. Nëna ime Hane pat lindur në Pajame të Kuçit dhe ndërroi jetë në një moshë fare të re 25 vjeçare, duke më lënë shumë të vogël gati katër vjeç. Nga shumë njerëz të afërt dhe të largët që e kanë njohur më kanë treguar se ka qenë një grua fisnike e dashur, bujare dhe e respektuar. Njerka, Peno Toçaj(Lalaj) me të cilën jam rritur pat lindur ne në Cergëz të Kuçit në familjen e Rexho dhe Murzikë Lalaj. Ruaj kujtime shumë të mira për gjithçka ajo bëri rritjen tonë. Në veçanti do të veçoja prindërit e saj baba Rexhon dhe xhixhi Murzikën që nuk na kanë ndarë nga fëmijët e tyre duke na dhënë shumë dashuri që ne të mos e ndjenim mungesën e nënës tonë Ky respekt i ndërsjellët vazhdon edhe sot me fëmijët e tyre. Po kështu nuk mund të le pa kujtuar edhe dajot e mi, Tahir e Qazim Abazi, si dhe motrat e nënës, Bebe, Alime, Haxhikë e Zilo, të cilat edhe ato gjatë gjithë jetës na kanë qëndruar shumë afër.

4. I rritur në vështirësi si gjithë kallaratasit te tjerë, por edhe për shkak se nëna ju la jetim fare të vogël, cili ka qenë arsimimi juaj?

Nisur nga fakti i vdekjes së nënës, si dhe të ardhjes së babait me punë në Tiranë, arsimimi im ka qenë pak i shpërndarë. Kështu klasën e parë e të dytë e bëra në Tiranë, të tretën pjesërisht në Kallarat dhe pastaj në Sarandë. Me përkrahjen e Nënë Duzes unë, Tahir Kondi dhe Zilo Llanaj në vitin 1948 na çuan në shtëpinë e fëmijës në Sarandë. Më pas kam vazhduar në Gjirokastër ku mbarova shkollën 7 vjeçare. Në Kuçovë 1952-1954 pata përfunduar një shkollë 2 vjeçare dega elektrike. Më vonë pata punuar në profesion dhe njëkohësisht kreva edhe Politeknikumin 7 Nëntori në Tiranë përsëri dega elektrike. Gjithashtu pa shkëputje nga puna vazhdova studimet në Universitetin e Tiranës, dega, Rrymat e Dobëta.

5. Një ndihmesë e kujdes të veçantë ndaj jush ka treguar Nënë Duzja, jo vetëm si nënë heroi e deputete, por si një grua e rrallë, e njohur dhe e vlerësuar për kohën në krahinë e më gjerë. Ç’kujtime e mbresa ruani prej saj?

Pa pasur për qëllim për të folur për të si nënë heroi dhe si deputete, fakte këto të njohura për lexuesin, për mua Nënë Duzja ngelet një grua e rrallë, trime, e dashur, tepër fisnike dhe shumë e zgjuar. Për sa kohë kam ndenjur në Kallarat, kam jetuar me të në të njëjtën shtëpi, e cila m’u bë edhe gjyshe edhe nënë shumë e mirë dhe e pa harruar. Nuk e kuptoj se ku e gjente atë forcë në shpirt, edhe pse një djalë, Mumini i ishte vrarë në luftë dhe tjetri Hasani, vdekur larg atdheut në Egjipt. Sot është vështirë të gjesh gra të tilla. Prandaj sa herë që shkoj në Kallarat, nuk e le pa shkuar tek varrezat dhe vendos buqeta me lule për Nënë Duzen dhe bashkëshortin e saj Selam Bajramin, gjyshërit e mi Qamilin dhe Zenepen, si edhe nënës time Hanes që prehen pranë njëri tjetrit. Duke qenë se Nënë Duzja nuk i përket vetëm familjes së saj dhe fisit tonë, por gjithë Kallaratit, unë do të falënderoja shumë gjithë kallaratasit për vlerësimin dhe kujdesin e treguar ndaj kësaj figure. Gjithashtu përshëndes edhe bashkëfshatarin tonë Zotin Llano Llanaj për përgatitjen dhe botimin e librit me kujtime “Nënë Duzja e Mumini si Bogonica e Çipini”, si dhe kushdo tjetër kallaratas dhe jo kallaratas që kanë shkruar për këtë figurë me të cilën Kallarati me të drejtë krenohet.

6. Cilat kanë qenë dhe janë lidhjet e familjes tuaj me Kallaratin dhe bashkëfshatarët në Tiranë në të kaluarën dhe sot?

Është shumë e vërtetë që babai pati kultivuar tek ne dashurinë për Kallaratin dhe njerëzit e tij. Po kështu edhe shtëpia e tij në Tiranë ishte e hapur për çdo kallaratas. Ai shkonte shpesh atje dhe kjo vazhdon të bëhet edhe sot nga unë. Është dashuri që nuk mund të shuhet. Babai sa qe gjallë, si shumë bashkëfshatarët tij në Tiranë, Vlorë a diku tjetër, ishte i interesuar shumë për zhvillimin e lulëzimin e Kallaratit, duke dhënë edhe mendime e sugjerime. Një ndihmesë të madhe mendoj se ka bërë në grumbullimin e dokumenteve për jetën e Heroit të Popullit, Mumin Bajramit, për historikun e fshatit, dokumente të cilat u vendosën në muze, një pjesë e të cilave gjenden edhe sot.

7. Për një kohë të gjatë kini punuar si specialistë i radiondërlidhjes në strukturat Ushtarake dhe Marinën Tregtare. Cilat kanë qenë peripecitë dhe satisfaksionet e këtij zanati?

Nisur nga arsimimi i marrë gjatë gjithë kohës deri në daljen në pension kam punuar si specialist në fushën e ndërlidhjes në strukturat e ushtrisë dhe më vonë në Flotën Tregtare. Nga viti 1959 e deri 1978, kohë në të cilën kam punuar si specialistë në ndërlidhje në ushtri, ruaj kujtimet më të mira të jetës time. Edhe pse ndërlidhja një punë me shumë përgjegjësi për kohën që jetonim, ajo kishte bukurinë e saj dhe shpirtin e kolektivitetit. Nuk ka pikë ndërlidhje në ushtri ku të mos kem punuar së bashku me shokët për t’ju siguruar strukturave ushtarake të specializuara ndërlidhje e komunikim të sigurt, tepër i nevojshëm për situatat e vendit tonë para viteve 90-të. Ndjeja kënaqësi e dashuri për punën, sidomos kur puna që më ishte besuar kishte rezultate. Dhe nuk kanë qenë të pakta rastet që jam vënë para situatash tepër të vështira profesionale, por që së bashku me shokët i kemi zgjidhur me sukses. Më vonë punova në Flotën Tregtare në të njëjtin profesion. Edhe kjo punë kishte shumë lodhje, vështirësi, larg familjes për muaj të tërë, por kishte edhe satifaksion sepse na jepej mundësia të shëtisnim e të njihnim botën, kur të tjerët nuk e kishin këtë mundësi. Jeta e përbashkët 24 orësh në anije për një kohët të gjatë, me pak ndryshime do ta krahasoja me një “Big brother”, por jo të sotmin, por të viteve 80-të. Është jetë që dashje pa dashje të bën shok edhe vëlla me tërë ekuipazhin e anijes. Prandaj sot kujtoj me respekt shokët që kam punuar në anijet, ku do të veçoja komisarin e anijes “Partizani”, Pjerin Shllakun, kapitenin Kozma Kularin, kapitenin e anijes “Tirana” Pandeli Golemin, kapitenin e anijes “Vlora”, Nazmi Shahinin dhe Maksim Rakipin, kryemekanikun e anijes “Tirana” Sokol Plani, kryemekanikun e anijes “Vlora”, Roland Pengilin, mjekun e anijes “Tirana”, Astrit Zhupën e shumë shokë të tjerë.

8. Edhe pse në pension, vazhdoni të jeni në punë, kjo për arsye ekonomike apo ju shtyn diçka tjetër?

Ajo fjala e urtë popullore “Puna të mban gjallë” për mua është shumë e rëndësishme. Nuk janë arsyet ekonomike, por përderisa fizikisht dhe nga shëndeti ndjehem mirë, pse të mos vazhdoj të punoj. Puna më ndihmon të kem një jetë më aktive edhe pse sot jam 72 vjeç. Mendoj se të qëndruarit në shtëpi apo dalja vetëm për një kafe me shokët, më duket sikur pa dashje të plak e të sëmurë më tepër. Unë mundohem të bëj edhe punën në një kompani private, të kem kohë edhe për familjen, fëmijët, nipërit e mbesat, por të kem kohë edhe për t’u takuar me kallaratasit në Tiranë, por edhe të shkoj shpesh në Kallarat. Një jetë e tillë aktive mendoj se ma zgjat jetën.

9. Cila është përbërja familjare dhe cilat janë çastet më të gëzuara të familjes tuaj?

Aktualisht jetoj vetëm me bashkëshorten, Violetën. Kam katër fëmijë, 2 djem, Artanin e Entonin dhe dy vajza, Edlirën e Dorianën, të gjithë të martuar. Si çdo familje që ka çaste të gëzuara, por edhe vështirësi në jetë, edhe jeta e familjes time ka qenë e tillë me gëzime dhe vështirësi, por jemi të lumtur që i rritëm, edukuam dhe i arsimuam dhe sot kanë krijuar familjet e tyre. Kur bëhesh gjysh je edhe më i gëzuar. Çastin më të gëzuar do të quaja lindja e nipçes më të vogël, Noeli, 4 muajsh.

10. Pothuajse çdo dy muaj dhe në çdo aktivitet jini i pranishëm në vendlindje. Pse gjithë kjo dashuri për Kallaratin në këtë moshë? Apo kini plane për tu rikthyer atje?

Kam lindur në Kallarat, ku kam jetuar deri në moshën 7 vjeç dhe për arsyet që tregova më sipër u detyrova të shëtis disa qytete dhe pjesën më të madhe të jetës së bashku me familjen e kam kaluar në Tiranë. Megjithatë kujtimet e vegjëlisë mendoj se për këdo janë të paharrueshme. Të ruash prejardhjen tënde, besoj se është detyrë e çdonjërit. Kallarati është një fshat i vogël, por me njerëz fisnik dhe bujarë, është një fshat i vendosur shumë bukur në tre lagje; Morrez, Qafë e Ubavit dhe Basha. Si asnjë fshat tjetër, Kallarati ka disa avantazhe; rrugën automobilistike mes përmes tij, lumin Shushica, ujin e ftohtë, tokat pjellore, si dhe pyjet e malin e Bogonicës, që qëndron kryelartë nga ku e shikon Kallaratin si në pëllëmbë të dorës. Por për nostalgji do të veçoja Qafën e Ubavit, e cila kurdoherë ka qenë qendër e kuvendeve të njerëzve të mençur të këtij fshati, edhe pse në vitet pas çlirimit qendra e fshatit u spostua në Morrez. Dashurinë më të madhe për Kallaratin ma ka lënë trashëgim babai, i cili ishte shumë i lidhur me njerëzit dhe me vetë fshatin. Dhe këtë amanet të tij unë vazhdoj ta mbaj, ku sidomos vitet e fundit pas daljes edhe në pension. Sikundër më kini parë jam i pranishëm atje në çdo festë a gëzim, ashtu edhe për qejf gati çdo muaj. Ma ka qejfi kur shkoj atje, më duket sikur ndjej një qetësi e çlodhje. Kënaqem kur pi një kafe tek klubi në Morrez, apo në Qafën e Ubavit, kur takoj dhe çmallem me bashkëfshatarët e mi që jetojnë e punojnë atje si: Bejo Xhaferin, Luto e Budin Demirin, Laver Gjombratin, Gjolekë e Sali Memushin, Neki Rjepin, Dino Boçin, Lefter Qejvanin, Lefter Ribin, Platon Jonuzin, Hekuran Ribin, Zeqo Hoxhën etj, apo kur shkoj edhe pak më larg, në Kuç tek Nazo Lalaj, Ndjej gjithashtu kënaqësi kur së bashkë me Luan Jonuzin, shkoj te shtëpia e tij dhe gjej mundësinë t’ju shërbej hardhive të tij, i cili edhe pse banon në Tiranë është për të marrë shembull për shërbimet që i bën vreshtit të tij për t’i marrë produktet e dëshiruara. Nisur nga dashuria që kam për Kallaratin, megjithëse mosha po kalon, kam ndërmend të ndërtoj diçka timen në truallin e familjes time në Qafën e Ubavit, me qëllim që të jem më i lirë kur shkoj atje pa “bezdisur” të tjerët, sepse siç e dini unë aktualisht në Kallarat nuk kam njerëz krejt të afërt, pavarësisht se për mua të gjitha shtëpitë kallaratase janë tepër mikpritëse. Por këtë le t’ia lemë kohës.

11. Si mendoni se funksionon Shoqata ‘Kallarati” në përgjithësi dhe dega e Tiranës në veçanti? Po gazeta e saj? Ndonjë mendim a sugjerim për përmirësimin e tyre?

Mendoj se Shoqata Kallarati që me krijimin e saj ka bërë një punë të lavdërueshme. Dalja e gazetës, organizimi i shumë aktiviteteve, në mënyrë të veçantë organizimi i takimit të brezave i ka bashkuar dhe njohur më shumë kallaratasit më njëri tjetrin. Puna e bërë nga ish Kryetari i Shoqatës Gafur Shameti dhe sot nga Kastriot Karabolli është e vlerësueshme. Po kështu edhe puna e redaksisë me në krye Seit Jonuzin duhet gjithashtu përshëndetur, ashtu siç do të veçoja edhe punën dhe përpjekjet e kryetarit të degës këtu në Tiranë, Razip Golloshit, i pa lodhur e i papërtuar për të shpërndarë gazetën e për të qenë pranë kallaratasve në çdo rast gëzimi e hidhërimi. Por mendoj se ka vend për të ofruar në degët e kësaj shoqate nëpër rrethe më shumë të rinjtë, sepse brezi i ri ka nevojë më shumë për të njohur dhe çuar më përpara lavdinë dhe krenarinë e të qenurit kallaratas. Pa mohur aspak punën e brezit më të vjetër, përkundrazi duke vlerësuar përkushtimin dhe devotshmërinë e tyre, mendoj se ka ardhur koha, që drejtimi i degëve të Shoqatës “Kallarati” në rrethe t’ju besohet më të rinjve, sepse ata i kanë të gjitha mundësitë për ti dhenë drejtim të ri Shoqatës në realitetin e sotëm që jetojmë.

12. Në numrin e fundit të gazetës, shoqata u bënte thirrje kallaratasve për ndihmë në të holla për kryerjen e disa punimeve në fshat, të cilat nuk po bëhen nga Pushteti Lokal. Mendimi juaj?

U njoha me thirrjen që bën Bejo Xhaferri për ndihmën e gjithë kallaratasve për të kontribuar në kryerjen e disa punëve në fshat. Shqetësimin e tij dhe të gjithë kallaratasve që jetojnë atje e quaj me mjaft vend. Duke iu bashkuar kësaj thirrje, ashtu siç kam bërë edhe herë tjetër, kësaj radhe vë në dispozicion të komunitetit të lagjes Qafa e Ubavit, 320 metra linear tub uji, i nevojshëm sipas preventivit të bërë nga ky komunitet, për sigurimin e ujit të pijshëm. Ftoj edhe të tjerë kallaratas, që përveç solidarizimit me fjalë, të kontribuojnë sipas mundësisë në lekë ose në çdo mënyrë tjetër, sepse Kallarati është i të gjithëve.

13. Duke ju uruar jetë të gjatë e të lumtur edhe në emër të redaksisë së gazetës dhe të lexuesve të saj, cili do të ishte mesazhi juaj për kallaratasit kudo që ndodhen?

Duke ju falënderuar për këtë intervistë, dhe mundësinë që më krijuat për të treguar për jetën time dhe për të dhënë ndonjë mendim, sado i vlefshëm që mund të duket për Kallaratin, pasi nuk jam mësuar me të tilla intervista dhe ndoshta i mërzis edhe lexuesit e gazetës, më lejoni të përshëndes dhe t’ju uroj jetë të lumtur të gjithë kallaratasve kudo që ndodhen. Të gjithë le ti bashkohemi motos, tashmë të shpallur “Ec ngado po Kallaratin mos e harro”.

Faleminderit.

Intervistoi: Besnik Gjonbrataj

Shkurt, 2010

Next Post

Intervistë me Yzeir Ribin

Sht Pri 28 , 2012
BISEDË FSHATÇE ME YZEIR RIBIN Yzeir Ribin, kush nuk e njeh në Kallarat e më gjerë. Një burrë rreth 55 vjeç, shpatullgjerë, i fuqishëm, hijerëndë e i ashpër në pamjen e parë, por shumë i dashur, zemërgjerë, bujar e mikpritës në brendësi të shpirtit të tij. Nëpërmjet punës që ka […]