Bajrami ka lindur në Hysoverdh të Vlorës në vitin 1943, në familjen e Nuredin Karabollit të vëllazërisë Karabollaj, një nga tri vëllazëritë e mëhallës së Gjokone. Në vitet ’20 të shekullit të kaluar gjyshi i Bajramit, Sakua, me dy vëllezërit ikën nga Kallarati dhe u vendosën në Hysoverdh, ku kishin blerë toka e kullota për bagëtinë. Me punë e djersë, familja e tij para Çlirimit vuri pasuri të dukshme për kohën, kope të mëdha me bagëti dhe toka të shumta, për të cilat në vitet e mëvonshme nuk do të shihej me sy të mirë.
Pas mbarimit të shkollës së mesme “Ali Demi” në Vlorë, Bajrami kreu studimet në Institutin e Lartë të Shkodrës, në Fakultetin Gjuhë-Letërsi-Histori dhe në vitin 1964 u diplomua si mësues i gjuhës shqipe dhe i letërsisë. Duke e ndier nevojën për t’u pajisur me arsim të lartë të plotë, pas disa viteve punë, kreu edhe studimet në Universitetin e Tiranës në degën Gjuhë-Letërsi të Fakultetit të Historisë e të Filologjisë, të cilat I përfundoi në vitin 1975. Për shumë vite ka punuar si mësues i gjuhës dhe letërsisë shqipe në Kotë, në Lapardha dhe në Bashaj, por kohën më të madhe, 20 vjet rresht (1970–1990), e kaloi në Petë, një vend klasik “internimi”, siç shprehet ai.
Në vitet e para të demokracisë e deri më 1997 kreu detyra të ndryshme në administratën shtetërore në rrethin e Vlorës, në Ministrinë e Jashtme dhe në ambasadën tonë në Poloni. Në vitet 1997–2008 emigroi në Argjentinë e Kili. Në vitet 2000–2001, me një bursë të ACNUR-it, kreu studime për gjuhën spanjolle (castellano) në Laboratorin e Gjuhëve të Huaja të Universitetit të Buenos Ajresit.
Pasioni i tij ka qenë dhe mbetet letërsia. Por marrëdhëniet e vërteta dhe të fuqishme me të i pati gjatë viteve të gjimnazit, të cilat vijuan e u konsoliduan në vitet e fundit. Ka botuar në shtypin letrar periodik të sotëm shumë krijime të tij dhe shumë përkthime (poezi, tregime, ese etj.) nga autorë të shquar hispanikë. Në vitin 2010 botoi vëllimin me tregime “Rrëfime në dy kohë” dhe në vitin 2012 në Poloni botohet novela e tij “Polakja”, e përkthyer në polonishte dhe esperanto (2012).
Falë njohjes së gjuhëve të huaja, Bajrami iu përkushtua përkthimit. Ka përkthyer e botuar gati 20 libra: romane, vëllime me tregime, vëllime me poezi dhe ese. Mjeshtërinë e përkthimit e nisi në shkollën e mesme, me disa përkthime nga rusishtja e frëngjishtja për këndin “Letrari i Ri” të asaj kohe, duke e përsosur me përkthimet nga gjuha spanjolle (që e mësoi pas moshës 55-vjeçare) të shumë veprave të shkrimtarëve të njohur si Huan Rulfo, Mario Vargas Josa, Ernesto Sabato e Karlos Fuente.
Në vitin 2011 nominohet prej Akademisë “Kult”, si një ndër tre përkthyesit më të mirë në Shqipëri, për përkthimin e romanit “Festa e cjapit” të nobelistit Mario Vargas Llosa. Në vitin 2012, Ministria e Kulturës e Shqipërisë, në konkursin kombëtar të organizuar prej saj për çmimin “Pena e Argjendtë”, e rendit Bajramin në katër përkthyesit më të mirë të vitit, me përkthimin nga spanjishtja të vëllimit me tregime “Muaji më mizor” i shkrimtares spanjolle Pilar Adón. Po ashtu, në vitin 2015 është fitues i konkursit të Ministrisë së Kulturës me përkthimin e romanit “Dedektivët e egër” të Roberto Bolanjos dhe në vitin 2016 për përkthimin e vëllimit me tregime “Tregime të jashtëzakonshme” të Karlos Fuentes.
Po Bajrami nuk është i vetmi në familje që merret me përkthimin, pasi, siç shprehet ai, “Ne jemi një familje përkthyesish. Për emërtimet në bimësi, sidomos emrat e luleve, dhe të kuzhinës, unë pyes time shoqe, Lizën, e cila e njeh mirë këtë lloj leksiku në shqipe dhe spanjishte. Me Altamirin, djalin e madh, kam përkthyer një libër ese për globalizmin. Ndërsa Erioni, djali i vogël, është një përkthyes shumë i talentuar. Pra, jemi një ekip përkthyesish që redaktojmë, korrigjojmë e ndihmojmë njëri-tjetrin”.
Por diçka më tepër për fisin, familjen, të kaluarën, të tashmen dhe planet e tij të ardhshme në fushën e krijimtarisë letrare dhe të përkthimit, lexuesi le t’i mësojë nëpërmjet intervistës së mëposhtme.
Pyetje: Ç’mund të na thuash, me pak fjalë, për Karabollajt?
Përgjigje: Im atë na ka lënë pemën e mëhallës Gjokon, ku përfshihen gati pesëmbëdhjetë breza. Për nga sasia dhe përhapja është një mëhallë shumë e madhe. I pari i vëllazërisë, Çelua, ishte vëlla me Qejvanin (Qejvanajt) dhe Stratin (Stratajt), të Amat Qesarit. Po ajo që më ngacmonte gjithmonë ka qenë pse vëllazëria jonë, që është shtuar shumë e është shpërndarë nga Kallarati në Amerikë, nuk quhet Çelaj, siç do të pritej. Një e veçantë tjetër është se mbiemri Karabollaj është i vetëm. Domethënë, në gjithë trevat shqiptare ka vetëm një fis me mbiemrin Karabollaj. Nëse takon njeri tjetër me mbiemrin Karabollaj ose Karabolli, të jesh i sigurt se ka të bëjë me vëllazërinë tonë dhe do të jetë një i afërm imi.
Këtë enigmë e zgjidha pas shumë vitesh duke kërkuar në internet. Po të kërkosh në Google të dhëna për Libinë dhe për kryeqytetin e saj Tripolin, do të hasësh fjalën Karabolli (pikërisht me këto shkronja), që është emri i Parkut Kombëtar atje, me sipërfaqe 8000 ha. Po si e morëm këtë mbiemër? Të moshuarit tregonin se aty nga fundi i shekullit XVIII (1790-95), kur Shqipëria ishte pjesë e Perandorisë Otomane, Çelua, merret nizam dhe dërgohet në Libi. Shërbimin ushtarak prej 7 vjetësh ai e kreu në rrethinat e Tripolit, pikërisht te ky vend që quhej Karabolli. Kur mbaroi ushtrinë dhe u kthye gjallë në shtëpi, në Kallarat, njerëzit e pyesnin se ku e kishte bërë nizamllëkun. Dhe Çelua, që, si duket, qe fjalëpakë, të gjithëve u përgjigjej shkurt: në Karaboll. Dhe njerëzit nisën ta quanin jo Çelo Amati, po Çelo Karabolli. Kështu na mbeti mbiemri Karabollaj.
Për sa u përket sjelljeve dhe bëmave të njerëzve të vëllazërisë Karabollaj, po tregoj vetëm kaq: kur andartët grekë sulmuan Kallaratin, midis gjithë burrave të fshatit që luftuan për mbrojtjen e trojeve të tyre, qenë edhe dy vëllezërit Karabollaj, Muçua me Sakon. Muçon e zunë grekët dhe e burgosën në Korfuz, bashkë me shumë kallaratas dhe kurveleshas të tjerë. Im gjysh, Sakua, më tregonte se kishte shkuar dy herë në Korfuz për ta takuar. Herën e dytë, me t’u futur në kapanonin e madh, ku rrinin të burgosurit, ata, të heshtur, i liruan një vend dhe, pasi drodhën nga një cigare në heshtje, ia hodhën duke i thënë: T’i rroni ju dhe fëmijët.
Pra, Muçua kishte vdekur në burg. Kurrë nuk patën mundësi t’ia merrnin eshtrat. Mbetën tre vëllezër dhe një motër. Pak më vonë edhe vëllai i vogël, Azizi, u vra aksidentalisht në një grindje meraje.
Sakua ka marrë pjesë në luftën e Janinës, më 1913, ku, siç dihet, me porosi të Ismail Qemalit, shkuan si redifë (rezervistë) në ushtrinë turke plot djem shqiptarë nga Labëria për mbrojtur Janinën nga grekët.
Pyetje: Kur dhe pse u zhvendos në Hysoverdh pjesa më e madhe e Karabollajve?
Përgjigje: Qysh i ri Sakua u shqua për zotësi dhe aftësi drejtuese dhe gjithë vëllazëria, natyrshëm, i dha të drejtën të ishte “veqil”. Në dhjetëvjeçarin e parë të shek. XX, falë këtyre aftësive, ai, bashkë me vëllezërit, e shtuan ekonominë dhe e rritën mjaft mirëqenien. Kopeja e tyre arriti mbi 1500 krerë dhen, dhjetëra lopë, kuaj e mushka. Por tokat e pakta të Kallaratit nuk i mbanin dot më.
Aty nga fillimi i viteve ’20 të shekullit që shkoi, Sakua bëri qinosi me Kokoshajt (një familje e pasur vlonjate) dhe së bashku morën me qira për dy vjet nga italianët ishullin e Sazanit, për të dimëruar bagëtitë.
Në vitin 1924 Sakua shiti një pjesë të bagëtive dhe bleu çifligun e Dushnikut, 120 ha, në Hysoverdh, nga agai i Mavrovës, Rrapo Murati, i cili, si duket, qe në rënie dhe ia shiti lirë. Aty u vendos përfundimisht, me të vëllanë Raitin dhe fëmijët e Muços. Dushniku kufizohej nga Hysoverdhi, çifligu i Daute (fisi i Kadri Hazbiut), nga Brusnja, çifligu i Age dhe nga Nashi, çifligu i një vajzioti. Kështu u ngulën përfundimisht aty dhe ngritën tri palë shtëpi dykatëshe. Një për vëllanë e madh, Raitin, me fëmijët e tij; një për djemtë e Muços, Aliun dhe Qamilin; dhe një për Sakon. Më vonë, Sakua ia bleu edhe Nashin (30 ha) të vajziotit. Tokat e buta të Dushnikut ishin të begata për të dimëruar kopenë, po kur ajo u shtua edhe më, duke kaluar mbi 2000 krerë, i dimëronin edhe në Myzeqe. Ndërsa për të veruar i shpinin në malet e Shqipërisë së Jugut. Pjesën jugore të Tomorit, Karabollajt e kanë pasur me qira tetë vjet, ku veronin kopetë me dhënë kuaj dhe gjedhë. Sakua u bë i njohur dhe lidhi miqësi me shumë burra të njohur të asaj kohe në Myzeqe, Berat, Skrapar, Përmet etj.
Isha ushtar në Berat dhe zv-komandanti i ndërlidhjes, një njeri i mrekullueshëm nga Skrapari që kishte mbaruar studimet e larta në Moskë, gjatë fushatës së elektrifikimit, më merr me ekipin e tij për të elektrifikuar fshatrat e Skraparit. Pasi shpërndau grupet e vogla të elektrifikimit, mua më mbajti pranë vetes dhe së bashku qëndruam në fshati malor Vlushë, ku instalonim rrjetin elektrik shtëpi më shtëpi. Natyrisht që gdhiheshim në shtëpinë që elektrifikonim. I zoti i një prej këtyre shtëpive, një plak mbi 80 vjeç, më pyeti se nga isha. I thashë se jam nga Vlora. “Je lab?”, më pyeti. “Po”, i thashë. “Eh, kam njohur një burrë nga Labëria”, tha. “Sako Labi quhej, ishte një burrë i shkurtër dhe i dukur, me mustaqe korb të zeza dhe me një fjalë të avashtë e të ëmbël. Ç’të them, të bënte për vete. E nderonte gjithë krahina jonë e më tej”. Unë, i prekur nga rrëfimi i tij, nuk e mbajta veten dhe thashë: “Njeriu për të cilin ti flet, është gjyshi im”. Ai më pa me habi dhe dyshim, njëherazi, dhe, pasi u mendua pak, më pyeti: “Më thuaj me se udhëtonte, me kalë apo me pelë?” “As kalë, as pelë, ia kthej aty për aty, gjyshi im mbante një mushkë të zezë, të lartë, që e quanin Leke, që ishte e pajisur me të gjitha takëmet e kohës: me freth, me shalë e me yzengji”. Atëherë, plaku e preu llafin, u ngrit në këmbë dhe m’u drejtua: “Tani, po, ma mbushe mendjen. Eja, bir, ulu këtu në qoshe, se është nder për mua të jetë ulur pranë këtij oxhaku i nipi Sako Labit”. Ajo natë dimri, pranë oxhakut që bubullonte nga zjarri dhe me rakinë e Skraparit përpara, ka mbetur si një natë e shenjtë për mua.
Pyetje: A u përshtatën lehtë në një zonë kodrinore e fushore, të parët tuaj që vinin nga një zonë malore?
Përgjigje: Ne, që lindëm dhe u rritëm në Dushnik, derisa u rritëm e u shkolluam, thoshim maje dhe jo mbaje, nalo dhe jo ndalo, njarje dhe jo ngjarje, ashtu siç i shqiptonin gjyshërit. Ata nuk e ndryshuan kurrë të folmen e Kallaratit. Ja dhe një fakt tjetër që ka ngelur si një nga përjetimet tepër prekës tek unë: gjyshja (nëna e babait, Zanko Vrazhja nga Bolena), njeriu më i dashur në jetën time, kur i erdhi koha për të ikur nga kjo botë, lëngoi nja dhjetë ditë dhe, për çudi, para se të mbaronte, kërkoi borë. Vëllai i madh, Bardhoshi, që kishte ardhur me leje nga ushtria, mori mushkën dhe shkoi e mori dy hejbe me borë, diku mbi Beun. E mira gjyshe mori një dorë borë, dhe, pasi e vuri në ballë e në buzë, dha shpirt. Sigurisht, bora ishte një takim me malin, ku kishte lindur dhe ku kishte kaluar fëmijërinë, rininë, pra, pjesën më të bukur të jetës. E kishte pikur malli për malin dhe nuk mund ikte nga kjo botë pa u takuar me të.
Pyetje: Pse keni emrin Bajram? A ka lidhje me ndonjë histori të veçantë?
Përgjigje: Unë mbaj emrin e babait të Sakos. Pra, Barjami ka qenë stërgjyshi im. Kështu ishte tradita, gjyshi i vinte djalit të djalit emrin e babait të vetë. Në të vërtetë, ky emër i takonte Bardhoshit, vëllait tim të madh, sepse ai lindi i pari. Pse ma çuan mua, nuk e di. Stërgjyshi im, Barjami, ka vdekur i ri. Siç më tregonte gjyshi, qe gremisur te shkëmbi i Kukuterit, duke udhëtuar natën, nuk e di për ku dhe pse. Për fundin e tij tragjik kishte edhe një këngë, nga e cila mbaj mend dy vargje:
O Barjam krahë ckiferi,
Ç’të germisi Kukuteri…
Pyetje: Ç’mund të na thoni për shkollimin dhe punën tuaj si mësues?
Përgjigje: Arsimin e kam falë këmbënguljes së tim eti, Nuredinit, që ishte njeri shumë arsimdashës. Filloren e mbarova në Hysoverdh. Pastaj im atë më shpuri në Vlorë për të vazhduar shtatëvjeçaren. Kam ndenjur në familje të ndryshme të njerëzve tanë. Në Vlorë, në fillim rrija te Zini dhe Haxhi Karabolli, pastaj te Faik Zhibi. Vitin tjetër, im atë më shpuri në Tiranë, te Hamet Karabolli, të cilin e zuri nëntëmijëshi dhe ngeli pa punë. Kështu që më morën e më shpunë në Grabian (Llakatund), te motra e njerkës. Pastaj vazhdova gjimnazin “Ali Demi”, në Vlorë. Rrija në konvikt, me një gjysmëbursë.
Kisha mbaruar vitin e tretë të gjimnazit. Një ditë vere, tek rrija te porta e madhe e shtëpisë në Dushnik, çuditërisht shikoj një veturë “Gaz” që po i afrohej shtëpisë sonë. Them çuditërisht, sepse nga Kota deri tek ne nuk kishte xhade. Por ishte verë dhe një makinë e tillë mund të udhëtonte në atë zonë. “Gazi” ndaloi te shtegu. Prej saj zbriti një burrë dhe u drejtua nga porta jonë. E njoha, ngaqë portretin e tij e kisha parë kushedi sa herë në fotot e Byrosë Politike. Ishte Kadri Hazbiu. I habitur dhe i emocionuar, u ngrita në këmbë. Ndërkohë më foli: “Aty është nënë Zankua?” “Po”, i them. “Thuaji të më nxjerrë një bardhak dhallë”, më tha, ndërsa më dha dorën. Shkoj me vrap brenda dhe lajmëroj gjyshen, e cila, gjithë gëzim, mbushi një bardhak me dhallë dhe dolëm të dy te porta. Pasi e mori përqafe gjyshen, e pyeti për tim atë. Ata ishin një moshë, kishin qenë bashkë në shkollë dhe kishin qenë shokë të ngushtë. Pastaj K. Hazbiu më pyeti se vazhdoja shkollën apo jo. I thashë se vazhdoja gjimnazin. “Kur të mbarosh maturën, thuaj Nuredinit të më takojë mua”, tha. Kur mbarova gjimnazin, më dhanë bursë për gjuhë-letërsi në Institutin e Lartë të Shkodrës dhe im atë shkoi për ta takuar. Kështu që fillova studimet në Shkodër. Nuk kaluan 15 ditë dhe më përjashtojnë nga Instituti, pasi nuk e meritoja, sepse vija nga një klasë e pasur dhe isha me “njolla në biografi”. Atëherë i shkrova një letër K. Hazbiut, ku i thosha kush isha dhe ç’më kishte ndodhur. Letra ishte rekomande dhe përgjigja erdhi pas 15 ditësh, firmosur nga një kapiten i parë, ku thuhej se për problemin tim duhet t’i drejtohesha Ministrisë përkatëse. Ama, po atë ditë më thirrën në Institut dhe vazhdova studimet me bursë të plotë. Pra, K. Hazbiu e kishte mbaruar punën. Kështu u diplomova si mësues për shkollat 8-vjeçare. Më vonë, mbarova me korrespodencë fakultetin katërvjeçar për Gjuhë-Letërsi në Universitetin e Tiranës dhe u diplomova si mësues i gjuhë-letërsisë për shkollat e mesme.
Kam punuar si mësues në Kotë, në Lapardha dhe në Bashaj, por kohën më të madhe, 20 vjet rresht (1970–1990), kam qenë në Petë, një vend klasik internimi.
Pyetje: Jeni njohës shumë i mirë i gjuhës spanjolle, apo edhe i frëngjishtes dhe ndoshta edhe ndonjë gjuhe tjetër, si i kini arritur?
Përgjigje: Ka shumë thënie për vlerën e mësimit të një gjuhe të huaj. Po më pëlqen të përmend atë të Flora Lewis-it, një gazetare e shquar amerikane: “Të mësosh një gjuhë tjetër, nuk do të thotë të mësosh fjalë të tjera për të njëjtat gjëra, por do të thotë të mësosh një mënyrë tjetër për të menduar për gjërat”. Për fat të mirë, në gjimnazin “Ali Demi” atëherë, veç rusishtes, jepej edhe frëngjisht. Veç, nuk vonoi dhe komunizmi shqiptar, në një çmenduri të pakuptimtë, e futi vendin në një vetizolim të plotë dhe nxiti një urrejtjeje të egër për gjithçka të huaj. Kini parasysh se ç’më tha sekretari i byrosë së partisë që përmenda diku më lart. Për rrjedhojë, rëndësia e gjuhëve të huaja u zbeh aq shumë, sa programet dhe kujdesi pedagogjik për to qe minimal. Kësisoj, me gjithë etjen që kisha për gjuhët e huaja, e kisha tejet të vështirë për të mësuar dhe përvetësuar gjuhën e huaj. Kur isha mësues, iu futa italishtes, por veç mungesës së metodikave dhe fjalorëve, ishte edhe frika se dikush do të dyshonte pse po e mësoja atë gjuhë të huaj borgjeze.
Spanjishten e kam mësuar kur isha mbi 55 vjeç, një moshë që është vështirë të mësosh një gjuhë të huaj. Për nevojat e komunikimit të përditshëm, të mjaftojnë edhe 100 apo 200 fjalë. Por m’u desh ta mësoja në atë nivel që të përktheja letërsi artistike. Pata edhe fatin që në Argjentinë të fitoj nga ACNUR-i një bursë dyvjeçare (2000-2001), për të kryer studimet për gjuhën spanjolle (castellano) në Laboratorin e Gjuhëve të Huaja, në Universitetin e Buenos Airesit.
Pyetje: Në përvojën tuaj si përkthyes ç’mund të thoni për gjuhën shqipe krahasuar me spanjishten, apo me gjuhët moderne: a është më e varfër?
Përgjigje: Mendoj se nuk ka gjuhë të varfër dhe të pasur dhe se çdo gjuhë ka pasuritë dhe mangësitë e veta. Shqipja, krahasuar me spanjishten dhe gjithë gjuhët moderne, ka një pasuri të madhe që atyre u mungon. Ka mënyrën dëshirore dhe habitore, që ato nuk i kanë. Nuk më vjen mirë kur shikoj që një folje e përkthejnë në mënyrën lidhore, siç është në origjinal, dhe jo në mënyrën dëshirore, siç duhet në shqip. Në shqip thuhet “rrofsh” dhe jo “të rrosh”. Një shqiptar, falë mënyrës dëshirore, mund të mallkojë dhe të urojë pafundësisht dhe me lehtësinë më të madhe, mundësi që nuk e kanë gjuhët që përmendëm. Kur Petro Nin Luarasi u nis për në Amerikë, prifti grekoman i thotë: “Vafsh e mos ardhsh!” Dhe Petroja ia kthen: “Ardhsha e mos të gjeça!” Shiko pra ç’forcë u jep mënyra dëshirore foljeve. Në këtë rast fjalët ngjajnë si të shtëna. Mënyra dëshirore dhe habitore, që ka shqipja jonë, u japin foljeve ngarkesa të fuqishme emocionale, gjë që mungon te gjuhët moderne.
Pyetje: Kur kanë nisur marrëdhëniet tuaja me letërsinë?
Përgjigje: Qysh kur mësova të shkruaj e të lexoj, pra, në shkollën fillore. Im atë kishte disa libra, kryesisht me poezi, botime të viteve ’30 e ’40 të shekullit XX, si «Bagëti e Bujqësia», «Histori e Skënderbeut», «Qerbelaja», të Naim Frashrit; «Baba Tomori» i Çajupit; «Hanko Halla» dhe poezi të tjera të Ali Asllanit, etj. Natyrisht, atëherë, si fëmijë që isha, hyrja në pallatin e letërsisë qe e beftë dhe, i mahnitur nga madhështia e tij, ecja tërë ndrojtje nëpër korridoret e tij.
Por marrëdhëniet e vërteta dhe të fuqishme me letërsinë i pata gjatë viteve të gjimnazit. Atëherë, pallati i letërsisë u bë vërtet imi. Hyra thellë në të dhe m’u bë banesa ime më e shtrenjtë. Dhe nuk do të dilja dot më andej.
Konvikti, ku jetoja, kishte një bibliotekë të pasur. Aty kam lexuar shumë libra dhe autorë që u bënë pjesë e jetës sime.
Pyetje: Si dhe kur ju lindi dëshira për përkthim dhe cili është përkthimi juaj i parë?
Përgjigje: Përkthimi i parë, një shtysë dhe sprovë rinore, ka qenë në vitin e tretë të shkollës së mesme. Në një revistë letrare sovjetike të asaj kohe lexova një tregim të shkurtër të një autori sovjetik nga vendet e Kaukazit. M’u mbush mendja ta përktheja atë tregim dhe e përktheva. Mësuesit të rusishtes dhe atij të letërsisë u pëlqeu dhe e vendosën te këndi “Letrari i Ri”. Më vonë, në një revistë të viteve ’30 lexova një tregim të një autoreje franceze. E përktheva dhe ia nisa një organi letrar të kohës. Natyrisht nuk u botua, pasi duhet të jetë konsideruar i dëmshëm për edukimin revolucionar të kohës. Dhe nuk mora më guximin të përktheja gjë.
Iu riktheva përkthimit shumë më vonë, kur jetoja si emigrant në Amerikën Latine. Aty nga viti 2000, rastësisht, në një revistë letrare në Buenos Aires, lexova tregimin «Thuaju të mos më vrasin» të shkrimtarit meksikan Huan Rulfo. U mahnita me artin e tij magjik, por më erdhi edhe turp për mjerimin tim: pse nuk njihja një shkrimtar të tillë. Menjëherë gjeta dhe lexova gjithë veprën e tij. Ishte një zbulim i madh për mua. Një shkrimtar vetëm me dy vepra letrare: «Rrafshina në flakë» (Vëllim me tregime, 1954) dhe «Pedro Paramo» apo «Murmurimat» (Roman, 1956), veç ishte më përfaqësuesi i realizmit Magjik dhe i boom-it në oqeanin e letërsisë latinoamerikane, pothuaj i panjohur në Shqipëri. Thashë me vete: Nuk do të vdes pa e përkthyer në shqip këtë autor të magjishëm. Vite më pas, iu futa veprës letrare të Rulfos. Po kështu më ndodhi edhe me shkrimtarin tjetër latinoamerikan, nobelistin e mëvonshëm, Mario Vargas Josa. Kur lexova romanin e tij «Festa e cjapit», m’u duk se e kishte shkruar enkas për ne shqiptarët dhe vendosa t’ia jap lexuesit shqiptar këtë kryevepër. Kësisoj, iu futa sërish përkthimit. E nisa me disa tregime nga Josa dhe pastaj iu futa romanit madhor «Festa e cjapit»
Pyetje: Sot radhiteni ndër përkthyesit letrarë më të mirë në Shqipëri, a mund të na thoni si e keni arritur këtë gjë?
Përgjigje: Shiko, nëse do të arrija nivelin e plejadës së përkthyesve tanë të mrekullueshëm të periudhës 1940–1990, do të isha vërtet një përkthyes i mirë. Si përkthyes unë kam një ndihmë të madhe nga dy djemtë dhe ime shoqe, që kolegët e mi nuk besoj ta kenë. Ne jemi një familje përkthyesish. Për emërtimet në bimësi, sidomos emrat e luleve, dhe të kuzhinës, unë pyes time shoqe, Lizën, e cila e njeh mirë këtë lloj leksiku në shqip dhe spanjisht. Me Altamirin, djalin e madh, kam përkthyer një libër ese, mbi globalizmin. Pa ndihmën e tij nuk do ta përktheja dot. Ndërsa Erioni, djali i vogël, është një përkthyes shumë i talentuar. Veç tre librave që kemi përkthyer së bashku, Erioni ka përkthyer disa kryevepra, për të cilat ka dhënë intervista në TV dhe është nominuar për çmim. Pra, jemi një ekip përkthyesish që redaktojmë, korrigjojmë e ndihmojmë njëri-tjetrin.
Pyetje: Jo çdo kush mund të bëhet përkthyes, edhe pse mund të jetë njohës i mirë i gjuhës së huaj, çfarë tjetër duhet të zotërojë një përkthyes?
Përgjigje: Po. Kjo që thoni ju është shumë e vërtetë. Sipas meje, për të përkthyer letërsi artistike, domosdoshmërisht, duhen tre kushte: së pari, të dish mirë gjuhën tënde; së dyti, të kesh talentin e krijuesit letrar dhe, së treti, të dish mirë gjuhën nga e cila do të përkthesh. Harrova gjënë më të rëndësishme: pasionin. Që diçka ta bësh mirë, duhet të kesh pasion për të.
Pyetje: Cilat janë disa nga përkthimet që ju kini kryer deri më sot?
Përgjigje: Janë gati 20 libra: romane, vëllime me tregime, vëllime me poezi dhe ese.
Pyetje: Nga ç’motive niseni përpara se të përcaktoni romanin a tregimin që do të përktheni?
Përgjigje: Kur librin e zgjedh vetë, motivet janë: rryma letrare, autori, rëndësia artistike dhe ideore e librit. Por nganjëherë atë e zgjedh botuesi.
Pyetje: Cilët nga shkrimtarët botërorë ju pëlqejnë më shumë dhe dëshironi të përktheni prej tyre në të ardhmen?
Përgjigje: Unë përkthej letërsi hispanike, e cila, siç theksova më lart, është një oqean i madh me qindra autorë të rëndësishëm, shumë prej të cilëve lexuesi shqiptar nuk i njeh. Vetëm Uruguai, një shtet me tre milionë banorë, ka dhjetëra autorë që janë pjesë e letërsisë së madhe botërore. Në përzgjedhjen e tyre konsultohem me Erionin, natyrisht edhe me botuesin.
Pyetje: Cilin përkthim do të veçonit si më të arritur deri tani dhe pse?
Përgjigje: Do të veçoja “Pedro Paramon” e Huan Rulfos, “Festa e cjapit” e Mario Vargas Josas, “Mbi heronjtë dhe varret” e Ernesto Sabatos, dhe “Tregime të natyrshme dhe të mbinatyrshme” të Karlos Fuentes. Për dy të parët e thashë më lart arsyen e përzgjedhjes. Ndërsa përkthimi i Sabatos ishte tejet i vonuar për lexuesin shqiptar, jo vetëm për rëndësinë e romanit “Mbi heronjtë dhe varret”, që është quajtur prej shumë personaliteteve si kryevepra e shek. XX, por edhe pse Sabatoja kishte gjak shqiptar. Po ashtu, Karlos Fuentes është një autor me rëndësi në letërsinë botërore.
Pyetje: A keni marrë ndonjë telefonatë, apo mesazh nga vetë autorët që keni përkthyer, gjithmonë nëse ata janë gjallë? Po nga lexuesit shqiptarë?
Përgjigje: Kur vendosa të përktheja Sabaton, komunikova me të birin, një kineast i shquar në Argjentinë. Ai, shumë i emocionuar, më përgëzoi dhe tha: “Ishte ëndërr e babait të lexohej nga shqiptarët. Ah, sikur të ishte gjallë!” Pastaj më ndihmoi që botimi i këtij romani të sponsorizohej nga Ministria e Kulturës e Argjentinës.
Një autore spanjolle erdhi vetë këtu kur u botua libri i saj i përkthyer nga unë. Ambasada e Spanjës në Tiranë shtroi një drekë, ku, natyrisht, unë isha i pranishëm. Po ashtu, edhe për librin ese, që e përktheva bashkë me djalin e madh, promovimi i librit u organizua nga Ministria jonë e Kulturës, ku, veç autorit, ishin të pranishëm shumica e ambasadorëve të huaj në Shqipëri, me Arvizunë në krye.
Krijues dhe kritikë të ndryshëm kanë shkruar dhe i kanë vlerësuar për përkthimet e mia. Jam thirrur disa herë në intervistë nga TV në emisionet për letërsinë. Ndërsa nga lexuesit kam marrë plot mesazhe falënderimi, sidomos në FB.
Pyetje: Çfarë çmimesh kini marrë deri tani dhe cili është ai i fundit?
Përgjigje: Para disa vitesh, rastësisht, lexova një intervistë të shkrimtarit Visar Zhiti, i cili në atë kohë ishte Ministër i Kulturës. Në fund gazetarja i bënte këtë pyetje: “A keni ndonjë peng gjatë karrierës suaj si ministër?” Dhe Visari qenkësh përgjigjur: “Po kam. Që nuk munda t’i jap çmimin e parë Bajram Karabollit për librin “Muaji më mizor”. Ishte fjala për librin e autores spanjolle që erdhi këtu, të cilën e përmenda më lart. Kjo përgjigje e Visarit më habiti, sepse unë nuk dija gjë.
Por le t’i përgjigjem pyetjes suaj: jam nominuar shumë herë për çmim, por asnjëherë nuk kam marrë çmim të parë. Para dy vjetësh isha anëtar i jurisë kombëtare për këto çmime dhe e njoha praktikën dhe kriteret, që nuk më pëlqyen dhe aq.
Pyetje: Cili është libri i fundit që keni përkthyer dhe cila shtëpi botuese e ka botuar?
Përgjigje: “Tregime të natyrshme dhe të mbinatyrshme”, vëllim me tregime nga shkrimtari meksikan Karlos Fuentes, ku përfshihet edhe novela “Aura”, një nga kryeveprat e këtij autori (Shtëpia Botuese PIKA PA SIPËRFAQE)
Pyetje: Çfarë planesh kini për të ardhmen, vetëm përkthime apo ndonjë plan tjetër, pse jo krijues?
Përgjigje: Ka më shumë se gjashtë muaj që i kam dorëzuar ONUFRIT përkthimin e romanit «Misteri i kriptit të magjepsur» të Eduardo Mendosës, shkrimtari i njohur spanjoll, i ditëve tona. Këto ditë do t’i dorëzoj botuesit PIKA PA SIPËRFAQE romanin «Zhdukja misterioze e markezes de Loria», të shkrimtarit kilian Hose Donoso, një përfaqësues i realizmit magjik i përmasave të Markesit dhe të Fuentesit. Librin e tretë, një vëllim me 101 rrëfenja popullore, zgjedhur nga gjithë kontinentet, ia kam dorëzuar EUGEN-it. Dalja e tyre në dritë varet nga botuesit. Kam në dorë romanin “Vdekja e Artemio Kruzit” të shkrimtarit të shquar meksikan Karlos Fuentes.
Për sa i përket krijimtarisë time letrare, kam botuar dy libra: “Rrëfime në dy kohë” (vëllim me tregime), botuar nga DUDAJ dhe “Polakja” (novelë) e përkthyer në polonishte dhe në esperanto dhe e botuar në Poloni, ku më ftuan të isha i pranishëm në promovimin e librit, por, për arsye thjesht ekonomike, nuk shkova dot.
Kam ndërnmend të botoj edhe një vëllim me tregime dhe ese.
Pyetje: Përveçse një kallaratas, patjetër që jeni edhe një hysoverdhas, sa afër tyre qëndroni në këtë kohë?
Përgjigje: Unë kam lindur dhe jam rritur në Hysoverdh dhe dihet që vendlindja ka tërheqjen e vet. Ndërsa Kallaratin, së pari, ma kanë shtirë në zemër gjyshërit. Përherë do të tregonin diçka tërheqëse për Kallaratin. Edhe në pleqërinë e thellë, babua (kështu i thoshim gjyshit) nuk e harronte vendlindjen. “Jam bërë si Bogonica” thoshte, duke qeshur. Kontakti i parë me kallaratas ishte kur shkova në konvikt për të vazhduar gjimnazin. Nuk njihja njeri dhe rrija disi i mënjanuar. Pas dy a tri ditësh, më afrohen dy moshatarë të mitë dhe më pyesin se nga vija etj. Ishin Rami Memushi dhe i ndjeri Bashkim Gjonbrati, të cilët vazhdonin pedagogjike dhe me të cilët jetoja në të njëjtin konvikt. Ata më qëndruan aq afër, sa m’u duk se ishin vëllezërit e mi dhe më shtuan interesin dhe dashurinë për Kallaratin. Në Hysoverdh, veç Karabolle, ishte edhe një familje tjetër kallaratase, ajo e Qerem Shaipit (Elezi). Qeremi ishte një burrë i rrallë, me një kujtesë të jashtëzakonshme. Unë kam kontaktuar shumë me të dhe ai më ka treguar gjëra interesante për Kallaratin dhe kallaratasit, duke e shtuar dashurinë time për Kallaratin.
Një faktor i rëndësishëm që ka rritur interesin dhe pasionin tim për Kallaratin ka qenë familja e Maze Dushanit (Jonuzaj), nipi i Sakos, një njeri i mrekullueshëm. Xhaxh Mazja së bashku me të bijtë, Seitin, Hadërin, Zubiun dhe Ibron, mbanin aromën e Kallaratit, e kishin me vete gjithmonë Kallaratin. Kur kam njohur për herë të parë Seitin dhe të shoqen, Bejkën, bijën e kallaratasit të shquar Meçan Selami, aty nga viti 1958, ëndërroja të bëhesha si ata.
Më vonë, aty nga mesi i viteve ’60, shkova ushtar në Elbasan, në batalionin e shoferëve. U organizua ceremonia e pritjes së rekrutëve dhe nuk e di kush dhe pse më kishte caktuar mua të flisja në emër të rekrutëve. I emocionuar u ngjita në podium dhe nisa të flasë. Nuk kisha thënë as gjysmën e fjalive të përgatitura, kur dikush nga rreshtat e ushtarëve, që mbushnin sheshin bërtiti: “Rroftë Barjam Karabolli!” Ndërkohë që duartrokisnin, unë mbeta i hutuar dhe i turpëruar. Ai ishte Selman Memushaj, kallaratasi i shkathët dhe i guximshëm, me të cilin kalova muajt e kursit atje.
Aty nga fundi viteve ’70 apo fillimi i viteve ’80, kur isha mësues, Seksioni i Arsimit më caktoi të shkoja në Sevaster, si përfaqësues për provimet e lirimit. U thashë se doja të shkoja në Kallarat. Pranuan menjëherë, ndofta ngaqë ishte më larg. Në Kallarat kisha motrën, Havanë, martuar me Alem Qejvanin. Duke qenë se im kunat ishte me “njolla në biografi”, pata merak se si do të më trajtonin kallaratasit. Dhe ata më befasuan me ngrohtësinë dhe dashurinë e tyre.
Nuk kam për ta harruar pritjen aq vëllazërore të Çize Xhaferit, Neki Rjepit, Llambro Hysit dhe të gjithë kallaratasve, pa përjashtim.
Pyetje: Mesazhi juaj në këtë rast, cili do të ishte?
Përgjigje: Duke i përshëndetur ngrohtësisht lexuesit e gazetës sonë, do të doja që, kudo që të shkojnë, ta marrin me vete vendlindjen, domethënë, kudo qofshin, vendlindja të prehet në zemrat e tyre.
Faleminderit
Intervistoi: Besnik Gjonbrataj