Kur panë se ora e caktuar u sos dhe Italia
nuk loti nga Vlora, të gjithë menjëherë
thirrën “Rroftë lufta”.
“…Natën, më 5 të këtij, shqiptarët u sulën
kundër ushtrisë sonë dhe zaptuan katundet
Bestrovë e Selenicë, si dhe minierën e
Selenicës. Italianët u zbrapsën në Vlorë,
shqiptarët zunë robër disa bersalierë”.
Pjesë nga artikulli i gazetës “KOHA” me titull “Lufta shqiptaro-italiane në Vlorë”, 10 korrik 1920. Gjëra të cilat nuk na i priste mendja, po na i shohin sytë dhe shqiptari po çudit botën e qytetëruar me trimëritë e tij. Shqipëtarët të mbledhur nga të katër anët, në katundin Vajzë, po mestoheshin se qysh do të mundnin t’i hynin Vlorës dhe të përzinin italianët, kur shohin se një trupë italianësh prej 100 kalorësish po vinin me tërbim. Plasi pushka dhe italianët ia mbathën të lebetitur. Atëherë shqiptarët hartojnë një ultimatum, ku i thonë pushtuesve se po të mos na lëshoni Vlorën, do t’u biem. Kur panë se ora e caktuar u sos dhe Italia nuk loti nga Vlora, të gjithë menjëherë thirrën “Rroftë lufta”. Lufta u nis në Mavrovë. Duke dhënë fjalën e nderit, që të vdesin e të mos jepen, u lëshuan si dragonj dhe arritën në llogoret e italianëve. Telat ishin pesë radhë nga dy metra larg njëri tjetrit. Por shqiptarët, të cilët janë lindur luftëtarë dhe gjeneralë të mëdhenj, nxjerrin gunat dhe bërrucat, i hedhin përmbi tela dhe vërsulen duke bërtitur “O burrani, o burrani se i zumë” dhe me të vërtetë pas pak minutash zunë 700 robër, 250 të vrarë, një kolonel të plagosur shumë rëndë, 28 mitraloza, 6 topa, 300 kafshë dhe municione, ushqime, rroba e ilaçe. Në këtë luftë ra heroikisht Selam Musai me 25 salariotë.
* * * Dy herë në javë vaporët sjellin të sëmurë dhe të plagosur. Sot erdhi vapori “Loyd Triestino” nga Vlora, solli oficerë dhe ushtarë të plagosur. U ndodha atje. Iu afrova një oficeri dhe e pyeta si vete puna në Vlorë? Si mos më keq, më tha. Luftova kundër gjermanëve, austriakëve, po si albanezët nuk kam parë trima. Nuk duken fare, janë si hije dhe duhet të dini se janë nishanllinj të jashtzakontë, asnjë plumb s’u vete kot. Me një fjalë na shuan. Prite kur të dëgjohet se tërë ajo ushtri që ndodhet atje do të bjerë robe në duart e albanezëve.
* * * Gazeta e Romës “Korriere dela Sera” shkruan mbi ngjarjet e Vlorës: Natën, më 5 të këtij, shqiptarët u sulën kundër ushtrisë sonë dhe zaptuan katundet Bestrovë e Selenicë, si dhe minierën e Selenicës. Italianët u zbrapsën në Vlorë, shqiptarët zunë robër disa bersalierë. Në Himarë u bë një goditje e fortë ku italianët lanë të vrarë një kolonel dhe 120 ushtarë.
* * * Gazeta “Popolo d’Italia” e 15 korrikut 1920 Shkruan: Mjaft me eufemizma. Le t’i quajmë gjërat me emrin e tyre të vërtetë. Fakti është se në Vlorë Italia u mund dhe u mund sa s’ka më keq. Disa pak mijëra shqiptarë, pa artileri, na kanë përplasur në mënyrë të rrufeshme.
* * * Pjesë nga artikulli i gazetës “kombi” me titull “Rënia e Vlorës dhe trimëria e labërve”, 23 korrik 1920. Lajmi që u përhap të premten mbrëma, më 23 korrik në qytetin e Korçës, se ra Vlora në duar të shqiptarëve, nuk la zemër shqiptari pa gëzuar, se ay liman i bukur i kombit shqiptar, që desh të shkëputej nga gjiri i Shqipërisë, se ashtu deshte diplomacia dinake e Evropës, sot gjendet në duart e atyre që e kanë patur trashëgim që prej stërgjyshve. Rënia e Vlorës i detyrohet trimërisë së labërve. Ata nuk menduan për të korrat, por menduan si të dëbonin armikun. Vendimi i tyre i vetëm ishte luftë dhe vetëm luftë. Po me se do të luftonin? Pa top? Pa mitraloz? Vetëm me nga 100 fishekë për mesi dhe me një dyfek të ndryshkur. Luftën nuk e bëka topi dhe mitralozi, po e bëka trimëria. Ju lumtë o Labër, se nderuat edhe një herë faqet e historisë shqiptare.
* * * Pjesë nga reportazhi i gazetës “koha” mbi festimet e bëra në Pogradec me rastin e çlirimit të Vlorës. Sapo erdhi lajmi gazmor, menjëherë u lajmërua tërë populli dhe në tërë anët u dëgjuan thirrje “Rroftë Vlora, Rroftë Vlora”. Meqë lajmi erdhi të premten mbrëma në orën 7, nuk ishte koha e duhur për të festuar atë natë. Më të nesërmen u mbyllën gjithë dyqanet. Qyteti i tërë, i zbukuruar me ngyra kombëtare, në ora tri pasdite u mblodh te sheshi i shkollës së djemve. Në mes të këtij gëzimi sazet binin, këngët patriotike buçisnin dhe vallet popullore lozshin. Tërë këtë natë djelmëria këndonin dhe lonin nëpër udhët më të shënuara të qytetit.
* * * Pjesë nga artikulli i gazetës “koha” me titull “Rroftë dhe Rroftë Vlora”, 31 korrik 1920. Lajmi i çlirimit të Vlorës u hap si vetëtima në gjithë anët e Shqipërisë. Korça e festoi si kurrë ndonjëherë. Banda kombëtare “Vatra” marshoi, kurse kambanat e kishave, hoxhallarët nga minaret lajmëronin lajmin gazmor dhe të shenjtë. Qysh mund të tregojmë këtë lajm kombëtar kaq të madh as ne nuk dimë, se nuk tregohet dot. Fishekzjarret zunë të hidhen dhe dritat të ndriçojnë, Në këtë gëzim kaq të madh, lotët derdheshin çurk si lumë nga populli, i cili
Afro më të gdhirë zuri të shpërndahet nëpër shtëpi me bërtimat e pasosura “Rroftë Vlora! Rroftë edhe rroftë Vlora!” Le të rrojë Vlora historike me Shqipërinë e bashkuar, se tek ajo Vlorë u ngrit flamuri i Skënderbeut prej birit të saj të pavdekur, plakut Ismail Qemali, pas 500 vjet robërie. Se Vlora është shpirti dhe shpresa e Shqipërisë. Rrofsh,pra, dhe mbretërofsh ti o Vlorë!
* * * 1 Gusht 1920.Gazetat greke shkruanin: Shqiptarët zaptuan Vlorën me një trimëri të madhe. Italianët lanë me qindra të vrarë e të plagosur, si dhe një numër shumë të madh robërish, midis të cilëve edhe 4 gjeneralë.
* * * Lajm në gazetën “Korça”, 3 gusht 1920. Populli i Kolonjës bëri një ndihmë të vogël prej 11000 okë grur për ushtrinë kombëtare që luftoi për shpëtimin e Vlorës, si dhe ndihmuan me 200 berra dhe transportin e grurit të sipërpërmendur.
* * * Shkresë e konsullit italian në Vlorë S. Salvani drejtuar legatatës italiane në Tiranë, 12 gusht 1920. Këto ditë mora dijeni se në lokalitetin Gërnec, 25 km nga Vlora ekziston një varr i madh ushtarësh italianë. Pasi shkova në vend, nga guri i varrit vërejta se njoftimi është i saktë.Bashkëngjitur po ju dërgoj dhe listën me emrat e ushtarëve të vrarë. Me këtë rast ju vë në dijeni se më është njoftuar që afër Llogorasë, rreth 30 km nga Vlora ekziston një varr tjetër masiv, atje është varrosur edhe togeri Karlo Botako.
* * * Pjesë nga artikulli i gazetës “koha” mbi çlirimin e Vlorës me titull “Ditë historike”, 2 shtator 1920. Po! Është edhe kombëtare dita 2 shtator 1920 e çlirimit të Vlorës. Ky lajm u përhap si vetëtimë në të gjitha anët e Shqipërisë, si edhe në mërgim. Kështu që çdo zemër shqiptari nuk mbeti pa u gëzuar. Gazeta “koha” merr pjesë në këtë gëzim të patreguar. Andaj, nga thelbi i zemrës bërtasim: Rroftë dhe rroftë Vlora sa të jetë bota! Amin.
* * * Pjesë nga një korrespondencë nga Vlora me rastin e hyrjes në qytet të forcave çlirimtare shqiptare, 3 shtator 1920.
Më 3 të vjeshtës së parë, ditë e premte, mbledhur nga tërë viset e Shqipërisë në qytetin e bukur të Vlorës, po përgatiteshin që të gjithë për pritjen e luftëtarëve luanë, të cilët ishin mbledhur në Drashovicë. Në krye të bulevardit ishte ngritur një piramidë e lartë e veshur me të zeza, të kuqe dhe të bardha, ku shkruhej me shkronja të arta: Këtu janë shpirtrat e dëshmorëve që ranë në fushën e nderit dhe që shpëtuan Vlorën nga thonjtë e armiqve. Cili qe ai njeri që pa me sy gjithë këto dhe nuk derdhi lot të nxehtë? Dhe nuk iu ngritën leshrat përpjetë? Ora arriti. Të parat hynë një shumicë karrocash me të plagosurit të veshur me rroba të spitalit dhe mbuluar me flamurë kombëtarë. Të plagosurve u shkëlqente fytyra nga gëzimi dhe ishin fare të padëshpëruar për plagët që kishin marrë në fushën e nderit. Ata thërrisnin: Rroftë Vlora, rroftë Shqipëria. Dhe tani le të vdesim porsa ia arritëm kësaj dite. Në orën 9 e 30 vërshojnë luftëtarët me flamuj në duar. Mbi 10 mijë qytetarë brohoritën në kor “Rrofshin,rrofshin luftëtarët” dhe lotët nga të dy palët po derdheshin lumë. Në këtë minutë zumë të dëgjojmë zërat e bandës së Elbasanit “Afërdita”, e cila udhëhiqte fitimtarët. Pastaj banda kombëtare “Vatra” zuri të buçasë marshin e pritjes dhe populli thërriste “Rroftë banda”. Merr fjalën kryekatundari me një talent të bukur dhe thot: Të dashur vëllezër! Sot po festojmë ditën më të bukur të jetës sonë. Vlora, e cila ishte në një rrezik të madh, u çlirua nga këta heronj, pastaj,iu drejtua luftëtarëve: Ju po i jepni një jetë të re Vlorës dhe gjithë Shqipërisë. Rrofshi sa malet, pra or burra, or luanë. Rroftë Shqipëria! Merr fjalën profesor Jani Minga, i cili, si një orator i shkëlqyer që është, e përfundon fjalimin: Vlora vdes dhe kurrë nuk duron zgjedhë. Rroftë Vlora e Shqipërisë! Rroftë Shqipëria! Pastaj Jani Minga ngre sytë përpjetë dhe duke i mbërthyer në majë të piramidës, tha: “O varr i shenjtë, ti që përmbledh shpirtrat e dëshmorëve tanë, që ranë në fushë të kësaj lufte, mbaji me kujdes. Dhe ti, o Zot, dërgo balsamin në zemrat e atyre nënave, baballarëve, motrave dhe farefisit të tyre dhe lehtësoua hidhërimet e shpirtit”. Pas fjalë së profesorit u zhvillua ceremonia e dëshmorëve, ku banda këndoi himnin funeral. Tërë dita dhe nata e 3 shtatorit kaloi me këngë, valle, drita e fishekzjarre.
Gafur Shametaj
Botuar ne gazeten Kallarati, Nr. 63