SHËNIME HISTORIKE PËR LASHTËSINË E KALLARATIT, nga Seit JONUZAJ

Seit JonuzajNë vazhdim të rubrikës që çelëm para një viti: “Cili është mendimi juaj për prejardhjen e emrit Kallarat dhe shpërnguljen e tij nga Kunjova”, nga një fl etore shënimesh të thjeshtë e të zverdhur nga koha me ngjarje e data historike, jo vetëm për Kallaratin por edhe më gjerë, që më ka lënë hulumtuesi I zellshëm dhe krijuesi (rapsodi) inteligjent, i ndjeri Hasan Shamo Meçaj, kam shkëputur e po i hedh këtu poshtë disa shënime që i përkasin Kallaratit të hershëm. Megjithëse autori i këtyre shënimeve, kur flet për  shpërnguljen e fshatit nga Kunjova pas shpërthimit të epidemisë së kolerës, nuk e përmend që një nga fiset e kallaratasve u vendos në Pilingri,d.m.th. në rrëzë të Bogonicës, por kjo vetëkuptohet që pikërisht në të njëjtën kohë (rreth vitit 1347 që shënon ai) me largimin e fi seve të tjera nëpër fshatra të bregdetit apo në ishujt e detit Jon përballë, janë hedhur në Pilingri edhe të parët e fshatit të tonë të sotshëm, ata që nga gojëdhëna njihen me emtat: Pullum Toja, Gjin Toja e Mërtir Toja.

Ja çfarë shkruan Hasani Shamo në shënimet e tij:

 “Fshati Kallarat në lashtësi ishte i vendosur në rrëzë të malit të Çipinit, në vendin e quajtur Kunjovë. Gojëdhënat tregojnë se ky fshat ishte shumë i vjetër aty, qysh nga koha e Ilirëve. Kjo vërtetohet edhe nga kolonët helenë të ardhur nga Apollonia dhe Butrinti në Kurvelesh të Poshtëm me qendër në Kallarat, në vitet 700-600 para erës së re. Këta erdhën si tregtarë në këtë krahinë për grumbullimin e prodhimeve blegtorale, të bletarisë dhe të drurit të lisit. Kolonët grekë ia kthyen emrin Kallaratit në greqishte Kallogjerat. Në këtë kohë shqiptarët (ilirët) përdornin besimin pagan, politeizmin. Me ardhjen e romakëve në Iliri, shek. IVII para erës sonë, epoka e mbretëreshës Teuta të Ilirisë, në territorin e fshatit Kallarat dhe pikërisht në rrëzën e malit të Vetëtimës, siç e kanë quajtur ilirët (sot mali i Bogonicës, emër i ngjitur nga sllavët), ata (romakët) gjetën një tempull, qishë a manastir, që mbahej shumë i shenjtë dhe emrin ia ngjitën Pilingri. Në këtë tempull vinin nga të gjitha anët e Kaonisë dhe Amantisë e Thestropisë për t’u falur e për të bërë kurbanë (blatime).

Prandaj romakët ia ngitën emrin Pilingri nga pelegrinazh. Sipas gojëdhënave, më parë ky vend nga ilirët quhej Nikë Lagji (sot Nikolagj-shënim i S. J.) ose Rrëza e malit të Vetëtimës, të cilit sllavët ia  ndërruan emrin me Bogonicë që do të thotë mal i shenjtë ose vend perëndie, meqë Pilingria konsiderohej tempull i shenjtë dhe në malin e Vetëtimës e pikërisht nga ana perëndimore, afër majës së këtij mali, tempulli i Pilingrisë kishte caktuar një vend me emrin Lëmi I Lejlerëve, d.m.th. vend ku mblidheshin të mirët e maleve. Këtë vend të shenjtë tempulli i Pilingrisë e përdorte, duke shkuar çdo vit në muajin korrik për të blatuar (për të bërë kurban) kafshë si desh, cjep, lopë, qe dhe dëfrenin, duke kënduar e hedhur valle gjithë ditën. Ky festim quhej panair dhe kish dy qëllime: një që të nderonin të mirët e maleve dhe tjetri t’iu luteshin perëndive t’u jepnin shi. Ky zakon kishte mbetur deri në çlirimin e vendit nga pushtuesit italogjermanë që në raste thatësire shkonin në këtë vend gjithë burrat e Kallaratit dhe të ndonjë fshati tjetër, së bashku me hoxhën, i cili këndonte pjesë nga Kurani dhe luteshin të binte shi dhe bënin kurban desh. Fshati Kallarat u bashkua edhe me disa fshatra të vegjël në kohën e bashkësisë së fshatrave. Gjithashtu aty u vendosën edhe kolonët grekë që më parë ishin tregtarë ambulantë dhe kështu fshati u zmadhua deri në 1200 shtëpi, ndonëse numër i tepruar, por sidoqoftë ai ka qënë i madh.

Këtë e tregon dhe kënga shumë e vjetër:

Kallarati për veri,

Në Kunjovë, për karshi,

Një mij’ e dyqind shtëpi,

Me dyqanë e magazi.

Ra kolera e bë kërdi,

Në një ditë treqind e dy.

Banesat e Kallaratit në Kunjovë kanë qenë të ndërtuara me mure guri të thatë, pa llaç. Vendet e territorit të fshatit kanë pasur emra shqip, si p.sh. Pajame-vend i kultivuar me drurë pajamesh, Përroi I Pajamehut, Mesdrizë, Lugjet e Mretes, Ferra e Madhe, Ferra e Vogël, Trapi i Fiqe, Gropat e Gjokonde, Qafa e Kunjovës ose e Kallaratit etj. Sllavët e jugut, bullgarët, na i ndryshuan emrat e vëndeve. Kështu, Përroi i Pajamehut u bë Përroi i Brate, dy përrenj vëllezër, maja e Gjon Hilës u bë maja e Çertllazit (maja e Djallit). Kjo për arsye se në fundtë kësaj maje dhe pikërisht te Shkalla e Pajamehut, ku derdhen ujërat e përroit po me ketë emër në formë ujëvare, formohet një pellg (ngjill) i thellë e vend i errët (i zi) që kallaratasit e quanin vend që banonin djajtë (dreqërit) dhe kish mbetur si legjendë në fshat, duke u përdorur shprehjet: Të martë dreqi ipërroit të Pajamehut ose i Shkallës së Pajamehut e më vonë, dreqi i përroit të Brate. Siç duket, sllavët e kanë kthyr në sllavisht emrin e përroit nga i Pajamehut në i Brate, për shkak se ky përrua formohet nga dy përrenj vëllezër, ashtu si edhe majën e Gjon Hilës e emërtuan majë e Çertllazit.

Sipas historisë dhe gojëdhënave, në vitin 1347 thuhet se ka rënë një epidemi kolere. Këtë ngjarje e përmend edhe shkrimtari Italian Bokaçio në Dekameronin. Në këtë kohë, një pjesë e madhe e kallaratasve u shpërngulën nga vendbanimi i tyre, së bashku me kolonët helenë, duke u larguar e shkuar për strehim në fshatrat e bregdetit si Kudhës, Qeparo, Piqeras e deri në Thesali. Ndërsa dy fi set më të mëdha të këtij fshati dhe disa pjesë të fi seve të tjera u larguan, së bashku me kolonët, nëpërmjet skelës (skalomës) së Qeparoit për në Korfuz dhe ishuj të tjerë më të vegjël të detit Jon, përballë bregdetit shqiptar, siç është ishulli Strakna ose Kataraj, rreth 40 km nga Himara. Ata atje ndodhen edhe sot, të shtuar në disa fshatra. Në Kunjovë mbetën vetëm pak shtëpi me shumë pak njerëz, të cilët banonin nëpër male me bagëtitë e tyre. Në fshat qëndronin vetëm pleqtë e plakat”. Mendojmë se shënimet e mësipërme të të ndjerit Hasan Shamo kanë vlerë, sepse hedhin dritë mbi ato ngjarje historike e periudhë të lashtësisë së Kallaratit që vazhdojnë të kenë nevojë  për një ndriçim më të plotë e më të saktë nga që mungojnë burime të shkruara për periudhën e hershme të tij.

 

Seit JONUZAJ

 

Botuar ne gazeten Kallarati, Nr. 55

Next Post

Lamtumire Zoto!

Sht Gus 11 , 2012
  -Kujtime dhe homazh për shokun tim të klasës e të jetës, Zoto Rjepajn-. 1 shtatori i vitit 1956 më gjeti të ulur në bankat e shkollës së lartë. Kisha mbaruar mature në gjimnazin “Ali Demi” të Vlorës dhe më ishte akorduar e drejta e stududimit për Institutin Politeknik, dega […]
GafurShameti-1 1