JONËS SË TRISHTUAR

 

 

Sytë i thonë të gjitha, Jona

Dhe buzët që dridhen, gjithashtu.

Jona, ti sivjet je e lodhur, e zhgënjyer.

Na sheh me sy prej qelqi

Ngaqë ke shpresuar…

Dhe ke humbur besimin te kushdo

Sepse je tradhtuar.

E kuptoj, që ke besuar pafajsisht

Në deklarata false dashurie

Si fëmijët në fruta artificiale të imituara bukur.

Por kjo s’është ndonjë hata, Jona

Dhe ti je shumë e re për t’u trishtuar

Jeta është një shfaqje e madhe, Jona,

Me komedi dhe drama

Ku aktorët njerëz luajnë gjithë jetën

E rëndësishme është

Të mos tradhtosh veten

Kur të tradhtojnë të tjerët.

 

Petrit Qejvani,2002