KËNGA E NJERIUT TË NDERSHËM





Kjo botë shëmtohet sa herë  pasuria bëhet

qëllim në vetvete dhe  e vret njerun.

Autori


Unë jam njeri i thjeshtë, i zakonshë

Dhe këndoj për vete, për njerëz si unë.

Por as shqisat, as shija s’më mungojnë

Për ta shijuar botën sa të mund.


Dhe s’ më vjen turp, as ligështohem

Që s’kam të madhe pasuri

As prona, as vila në hipotekë

As kasaforta me flori.


Unë kam moralin ar  mbi ar

Para tij shkëlqimi i arit zbehet

Dhe s’ka tiran e demagog

Që të më bëjë prapa të kthehem.


Dhe s’kam nevojë të kem sejmenë

Dhe oborrtarë plot intriga

Ku damat lyer e përlyer

Ngjajnë të gjitha mu si shtriga.


Unë jam i ndershëm, ndaj dhe i pasur

Dhe mbret e bos s’më hyn në sy,

Se kurthe, servilë e prapaskena

I mbyt me një det me dashuri.


Dhe nuk shoh ëndrra me euro,

As me çeqe a me trafik.

Më mjaftojnë zemrat e miqve,

Që vlejnë më shumë se një çiflig.


Paçka se miqtë i kam të thjeshtë

Por shumë të pasur shpirtërisht,

Që kurrë s’më deshën për interes

Që kurrë s’më shitën tinëzisht.


-2.-


Unë asnjëherë nuk u përkula

Para zyrtarit ordiner.

S’u bëra qejfin asnjëherë

Dhe në s’më deshën, s’kam qeder.


Për mua është e rëndësishme

Në këtë botë të jesh njeri,

Paçka që s’ke një mal me pare

Paçka që s’je në qeveri.


Për mua bota s’është paraja

Dhe shpirti s’është një kartmonedhë

Dhe dashuria njerëzore

Nuk është një mall në treg i blerë.


Se dashuria njerëzore

Me dashuri fitohet, po.

Dhe prostituta për ca pare

Trupin ta jep, por shpirtin jo.


Me pare mund të blesh ç’të duash

Vetura, rroba, vila, plazhe,

Po kurrë dashurinë e madhe,

Që s’blihet, veç vetëm falet.


Po vlerat di t’i respektoj mirë

Të kujtdo qofshin: mik, armik.

Përulem para gjerave të shenjta

Pa hezitim, me gjest fisnik.


E di që shumëkush do qeshë

Për çka them unë, për çka rrëfej,

Por jam i qetë dhe kaq i paqmë,

Sa në Parajsë veten e gjej.


E di që në kohën e sotme

Asnjë dysh s’vlen ndershmëria,

Po bëj një gjumë kaq të qetë,

Sa ma ka zili dhe perëndia…


-3-


Sepse s’i bëra keq njeriu

As mashtrova, as urreva

Ndonse të ligjtë i përbuza

Dhe shpinë të drejtës s’ia ktheva.


Unë e urrej hipokrizinë

Fytyrat- maska i urrej

Buzëqeshjen finoke pas shpine,

Shkejen e syrit dhe… ok.


S’e kam zili unë babëzinë

Gobsekët e rinj që s’i zë gjumi,

Që përfitojnë nga trafiqet,

Që pasurohen nga zullumi.


Që shesin me zarfa vende pune,

Që me tendera vënë miliona,

Që ngrenë vila mbi varfërinë,

Që zotërojnë gjithandej prona.


Që e shqyen copë  Shqipërinë

Kush të marrë llokmën më të madhe

Dhe mbajnë fjalime mallëngjyese

Për dashurinë atdhetare!..


Këto s’i them se s’jam i pasur

Dhe respektoj në maksimum

Atë që fitohet me djersë

Atë që fitohet me mund.


Dhe himn i ngre punës së ndershme.

Mendjes së ndritur himn i ngre.

Por në piedestal, mbi të gjitha,

Ndershmërinë statujë e ve.


Petrit Qejvani, 2004-2008

Next Post

PËR POLITIKËN DHE POPULLIN

Mar Pri 14 , 2020
Të pasurit kërkojnë të bëhen më të pasur Të varfërit të mos jenë më të farfër. -Zgjidhja ? -?   Por kjo botë kështu është ndërtuar Dhe sherret do zhurmojnë gjithë jetën. Të pasurit do mendojnë si të pasur Të varfërit, si të varfër patjetër. Dhe kjo për arsyen e […]