Ne te gjitha kohet grata kallaratase si gra labe e kurveleshase që janë, kanë qenë përkrah burrave të këtij fshati në punë e në luftë. Ato kanë përballuar me guxim, jo vetëm punët e shumta shtëpiake e mirërritjen e fëmijëve, kanë qenë edhe bujkesha e baresha të shkathëta, të shatit e të kërrabës, por edhe të pushkës për mbrojtjen e çlirimin e trojeve të fshatit e të vendit. Kanë qenë të zonja në punë dhe trime në luftë. Këtë e thonë edhe rapsodët popullorë të kohës në vargjet e tyre të njohura:
“Kallarati fshat i pakë,
Trima burrat, trime gratë”
Që të shqyejnë me sëpatë”, etj.
Dhe:
“Kallarat u bë hata,
Luftojnë burra e gra
Se greku më qaf’ u ra,” etj.
Dhe kjo karakteristikë e femrës kallaratase vazhdoi të shfaqej edhe më masive e më fuqishëm në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare kundër pushtuesve të huaj italianë e gjermanë dhe pas saj, në rindërtimin e fshatit e të vendit. Në këtë shkrim, me aq sa më lejon kujtesa, do të vë në dukje, kontributin që dhanë gratë dhe vajzat e Kallaratit pikërisht për çlirimin e vendit dhe pas lufte, për rindërtimin e fshatit të djegur dhe rimëkëmbjen e ekonomisë së shkatërruar nga lufta, por jo vetëm të fshatit po dhe të vendit.
Kallarati atdhedashës u lidh me Lëvizjen Antifashiste qysh në fillim të saj. Mbi 95% e kallaratasve iu përgjigjën thirrjes për t’u ngritur në luftë për çlirimin e vendit. Si kudo edhe në Kallarat që nga viti 1942 dhe veçanërisht gjatë viteve 1943-44 funksiononin të gjitha strukturat dhe organizatat antifashiste të luftës, si këshilli nacionalçlirimtar, çeta territoriale, organizata e rinisë, e grave antifashiste etj. Dhe në organizatën e grave antifashiste përfshiheshin masivisht gratë e fshatit, të cilat dhanë një kontribut të vyer në ndihmë të luftës çlirimtare. Ndër to mund të përmendim Duze Barjamajn, Pashako Petanajn, Peno Demirajn, Xhevo Jonuzajn, Hyri Memushajn, Meno Jahajn(Qejvanajn), Nure Petanajn, Hava Zhibajn, Tefo Karabollajn, Haire Petanajn, Peno Toçajn, Sadihanë Boshaj, Xhixho Qejvanaj, Xhevo Tozajn, Hajdili Hitajn, Hava Gjonajn, Dudi Breshanajn, Hava Matajn, Hatixhe Gjonbratajn, Heto Bushaj, Shaze Hitaj, Fatime Abazaj, Xhiko Gjonbrataj, Fato Hoxhaj, Kado Xhaferaj, Pashako Habilaj, Merjo Tozaj, Zifli Hysaj, Selime Dautaj e plot e plot të tjera. Këshilli drejtues i grave përbëhej nga Duze Barjamaj, Pashako Petanaj, Meno Qejvanaj, Shaze Meçaj (Hitaj), Hyri Memushaj, Xhevo Jonuzaj, Tefo Karabollaj etj.
Edhe në organizatën e rinisë bënin pjesë pothuajse të gjitha vajzat e fshatit, ndër të cilat mund të përmendim Shelege Gjonbratajn, Mynevere Zhibajn, Shefo Fikajn (mbesën e Izet Bushit), Bejaze Abazajn, Peço Haxhirajn (Qejvanajn) shumë të tjera. Të gjitha gratë e vajzat e Kallaratit jepnin një kontribut të madh në shërbim të luftës si pritja, strehimi e ushqimi i luftëtarëve të lirisë, duke ndarë me ta kafshatën e fëmijëve, ndihma me furnizim ushqimor, veshëmbathje si çorape, triko etj. për brigadat partizane. Dhe jo vetëm kaq.Të rejat si Lalo Qejvanaj, Zonjë Memushaj,Qamile Goxhaj e Salto Golloshaj (Ribaj) e ndonjë tjetër hodhën pushkën krahut dhe u rreshtuan në formacionet partizane, duke luftuar trimërisht deri në çlirimin e plotë të atdheut nga pushtuesit nazifashistë.
Përveç kontributit për luftën çlirimtare, vërehej edhe një qëndrim burrëror i nënave, motrave dhe grave të partizanëve që vriteshin në përleshje me armikun, si dhe e të gjithë luftëtarëve të tjerë kallaratas të rreshtuar në çeta e brigada partizane që pothuajse çdo shtëpi kishte nga një e më shumë pjesëtarë në to. Familjet e tyre do përballonin vështirësitë ekonomike në ato vite të rënda lufte e do kujdeseshin për fëmijët. Këto familje ishin në shënjestër të armikut në çdo operacion që ndërmerrte kundër Lëvizjes në krahinën tonë, duke u vënë zjarrin edhe shtëpive të tyre. Vitet 1943-44, veçanërisht kanë qenë vite ankthi për të gjithë, po sidomos për gratë, si më të ndjeshme e më të prekshme, nga që gati çdo muaj vinte në fshat nga një mandatë dhe kjo bënte jehonë në të gjithë fshatin. Kjo edhe për faktin që, si fshat i vogël, kishte një solidaritet të madh për shkak edhe lidhjesh gjaku, miqësie, krushqie etj.
Më kujtohet se, kur erdhi në fshat mandata e Mumin Selamit për rënien heroikisht në luftë me 400 milicë e karabinierë në lagjen Topana të Vlorës, i gjithë fshati la punë e shtëpi dhe iu ngjit kodrës përpjetë ku ai kishte shtëpinë. Dhe nëna Duze e qante me ligje:
“O Mumin të dua sot/
që të më dalësh zot/
se Hasani nuk vjen dot/
se bëhet luftë në botë”.
Nga hidhërimi i madh, nënë Duzja vendosi të vdiste edhe vetë, duke lënë ushqimin për 12 ditë rreshtë, por ajo ishte e fortë. Pas këtyre ditëve, thirri Hatixhe Gjonbratajn, si shoqe dhe të një mëhalle (Gjinase) që ishin dhe i tha: “Vura kokën për të vdekur, po nuk vdiqa, prandaj hidhëm një kilë (kulaç i vogël) në hi se nuk kam më takat të qaj djalin.
Po kështu, zëri i Pashako Mazes (Petanaj), që nga bregu i Petane, dëgjohej deri në Povël e Basha çdo mëngjes, pa gdhirë mirë, duke qarë me ligje djalin e saj Adilin që ra në luftë me gjermanët e që la nusen e re, aktivisten shembullore Nure Godaj nga Kuçi. Edhe Hajdili Muratja (Hitaj) me ligje e qante të birin, djaloshin Hamza Malo Qejvanajn. Po kështu Peno Durja, me këngë vaji e qante të birin, Avdul Demirajn që ishte në prag të martesës me Afeza Janjajn.
Shumë u përpoq Belere Memushaj me ilaçe vendi, por nuk e shpëtoi dot nga ftoma e rëndë që kish marrë në çetë. Rëndë e përjetoi nënë Mexhidia rënien në luftë të djalit të saj, Filo Breshanaj. Shumë qau edhe nënë Takdirja për djalin e saj Ormën Ribajn e sapo martuar me Salto Golloshajn, e cila veshi gjerdanin dhe shkoi në brigadë për ta zëvendësuar të shoqin.
Edhe Hanko Toçaj me ngashëri e ligje e qau djalin e vetëm, Tasim Janjajn edhe ky i sapomartuar me Merjeme Jovanajn, ndërsa Shefo Golloshaj me pikëllim priti trupin e burrit të vrarë, Ferikut, i cili la një vajzë foshnjë. Në Basha Ribajt qanin të riun Ali Ribaj, kurse Habilajt në Povël qanin Lilon që la gruan dhe katër fëmijë. Në Gjonaj qanin për djaloshin e rritur jetim,Taren, në Kurpicë u qa trimi Hasan Laze Qejvanaj në Karabollaj Xhevua qante bashkëshortin, Shukon, babain e tre fëmijëve. Në Hysaj Bedenë Selamja qante vëllain e vetëm, Nuredin Selamin dhe po aty qanin edhe për Nelo Hysajn. Kuje e madhe u hap në Hysoverdh për tre vëllezërit Shaipaj nga fshati ynë.
Dhe megjithëse vendi tashmë qe çliruar, ai duhej mbrojtur nga sulmet e fqinjëve. Se, ja, në gusht 1949 një provokacion të rëndë ndërmori kundër vendit tonë ushtria monarkofashiste. Në këto provokacione vritet oficeri Ferik Strataj në përleshje me forcat monarkofashiste. Më kujtohet si sot, se si e qante Ferikun i ati, dajo Teslimi:
“O Ferik të doja gjallë/
se nuk më le një djalë”.
Por për fat të mirë, nusja, Azbijea që Feriku e la shtatzënë, lindi djalë, të cilit ia vunë emrin Kujtim. Dhe Azbijea i rriti e i edukoi në mënyrë shëmbëllore, si djalin edhe vazjën, Sabren që e kish lindur më përpara. Azbijea ishte e fortë dhe me sedër të madhe.. Ishte zakoniqë kur njëgruaje i vdiste burri, dera e prindërve të saj e merrte dhe e martonte me një tjetër. Kam ndodhur atje, kur pasi kishin kaluar ca ditë, kishin ardhur njerëz nga dera e babait për ta marrë, por ajo nuk pranoi. Unë kam fëmijë dhe do rri t’i rrit, u tha Azbijea. Këtu e tutje jam martuar me vdekjen, e përfundoi ajo prerë kundërshtimin e saj.
Por gratë e Kallaratit nuk qanin vetëm bijtë, vëllezërit e burrat e tyre, por edhe çdo partizan që vritej në territorin e Kallaratit e qanin si djalin e tyre. Kështu bënë për një partizan nga Mallakastra që u vra në Trap të Fiqe në luftë midis gjermanëve dhe forcave partizane në vjeshtën e vitit 1943. Po kështu edhe një nga Delvina që u soll në Kallarat i plagosur rëndë në operacionin e dimrit 1943-44, të cilin e mori në shtëpinë e saj Duzja për t’i shërbyer e mjekuar me mjekime popullore. Shumë u përpoq ajo për të, sikur ta kishte djalin e saj, por nuk e shpëtoi dot. I gjori nuk mund të shërohej me mëllaga, ai kish nevojë për ndërhyrje kirurgjikale. Po ku ta gjëje kirurgun dhe spitalin në ato ditë operacioni të zi, kur gjermanët priteshin nga dita në ditë të mbërrinin edhe në Kallarat. Vdiq në duart e Duzes. Të dy këta partizanë u varrosën me homazhe dhe u qanë nga gratë kallaratas sikur të ishin vëllezërit e tyre.
Gratë dhe të rejat kallaratase përballuan vështirësi të mëdha edhe gjatë operacioneve ndëshkuese që ndërmerrnin pushtuesit herë pas here kundër forcave partizane dhe popullit që i strehonte e i furnizonte. Panik e shqetësim të madh, sidomos te gratë e vajzat shkaktoi operacioni i forcave italiane në krahinën tonë në pranverën e vitit 1943, ky shqetësim shtohej edhe nga fakti që ushtarët italianë konsideroheshin të dhunshëm ndaj femrave. Organizata e grave dhe ajo e rinisë morën masa, duke i strehuar sipas lagjeve në vende të sigurta të gjitha gratë e vajzat që të mos i gjente dot armiku për t’i dhunuar e vrarë, siç ndodhi në Horë me vajzën kallaratase Belere Boshajn, e rritur në Vranisht, kur u përpoqën ta përdhunonin, por trimëresha me shkathtësi rrëmbeu sëpatën dhe e vrau oficerin fashist, ndërsa edhe vetë mbeti e vrarë nga ushtarët që shoqëronin oficerin e tyre.
Më kujtohet muaji nëntor. Italia fashiste tashmë kish kapitulluar, ndërsa gjermanët filluan të duken në anët tona. Pritej ardhja e tyre edhe në fshatin tonë. U dha kushtrimi që banorët të largoheshin nga shtëpitë dhe të shkonin në zona të sigurta, larg rrugëve të lëvizjes së mundshme të forcave gjermane. Shumë familje shkuam në Varjasht, te dajo Murat Alushi dhe vëllezërit e tij Neim e Ziflo Jonuzaj. Atje na lajmëruan se po vinin gjermanët. Frikë e madhe. Dikush propozoi të ngrinim flamurin e bardhë, por ky mendim ndeshi në kundërshtimin e Xhevo Jonuzajt, të të zonjës së shtëpisë Asife Jonuzaj, Hyri Memushaj e të ndonjë tjetre. Ato thoshin jemi në luftë dhe duhet të luftojmë ashtu si luftojnë burrat e djemtë tanë për çlirimin e Shqipërisë e jo të ngremë flamurin e kapitullimit. Dhe flamuri nuk u ngrit.
Po në vitin 1943, kur nisi operacioni i dimrit i forcave gjermane qe shumë i frikshëm dhe tronditi tërë Grykën e Mesaplikut dhe Kurveleshin e Poshtëm. Një ditë e një natë qëndruan nazistët në Povël të Kallaratit. Por gratë dhe të rejat e Kallaratit e përballuan me sukses. Ato, bashkë me banorët e tjerë të fshatit, iu ngjitën maleve, duke u strehuar nëpër shpella dhe në duart e gjermanëve nuk ranë. Kur zbritën nga shpellat, fshatin e gjetën të bastisur, të mbjellat të shkatërruara, pemët të prera. Por pati edhe gra që nuk mundën të largoheshin nga shtëpia para se të mbërrinin nazistët, po ato mbajtën një qëndrim heroik ndaj gjermanëve. Të tilla qenë e moshuara Dylbi Memushaj dhe Pesare Hitaj, të cilat, kur oficerët nazistë hynë në shtëpitë e tyre dhe po kontrollonin, futën një shkop tërë baltë në poçen me fasule e misra të zier si ushqim në vend të bukës që nuk kishin, ato, pa u bërë syri tërr, ua hodhën misrat fytyrës. Po kështu, Hava Gjonaj u kacafyt me gjermanët, se donin t’i vrisnin lopën.
Shqipëria më në fund u çlirua, por një front tjetër e priste popullin. Duhej rindërtuar fshati e vendi i dëmtuar nga lufta. Puna nisi me rindërtimin e shtëpive të djegura. Gratë e të rejat e Kallaratit iu përveshën punës, bashkë me burrat që kishin mbetur në fshat. Ato sillnin lëndën e drurit nga Kunjova, gurët nga fshati i djegur e vende tjera, furnizonin kaminat me dru dhe punonin me turne për prodhimin e gëlqeres, veçanërisht të rejat e fshatit, duke dhënë një kontribut të vyer për strehimin e familjeve që u ishin djegur shtëpitë e flinin përjashta, rrëzë pemëve.
Po kështu, gratë e vajzat e Kallaratit ishin një forcë e madhe vendimtare në rimëkëmbjen e ekonomisë bujqësore e blegtorale të familjeve dhe më vonë, në zhvillimin e ekonomisë kolektive të fshatit. Por vajzat kallaratas, të inkuadruara në brigadat vullnetare të rinisë, morën pjesë edhe në shumë aksione kombëtare për ndërtim hekurudhash e veprash industriale. Ndër të rejat e këtyre brigadave mund të përmendim Lalo Deraj (Qejvanaj), Bejaze Abazaj, Asife Llanaj (Strataj), Tanë Gjonaj, Nasibe Goxhaj, Sanie Jonuzaj, Lalo Hitaj, Shefo Memushaj, Xhevo Muharremaj, Asife Habilaj, Kadaife Bejtaj, Noçe Zhibaj, Fezilete Janjaj, autorja e këtij shkrimi dhe shumë të tjera.
Të gjitha vajzat e Kallaratit ktheheshin nga aksionet me shumë “S”-ra (sulmuese) në gjoks që tregonin punën e tyre të madhe në aksione. Pra, ky është shkurtimisht kontributi i femrës kallaratas në luftë e në punë, të pandara nga meshkujt e fshatit tonë.
Botuar ne Gazeten Kallarati, Nr. 62 Prill-Maj 2012