KONTRIBUTI I KALLARATASVE NË LUFTËN KUNDËR PUSHTIMIT ITALIAN MË 7 PRILL 1939.

 

Marrë nga Libri “Historiku i Kallaratit”, shkruar nga Enver Strati.

Ahmet Zogu, kur erdhi në fuqi, e lidhi Shqipërinë me Jugosllavinë dhe me Italinë. Që nga viti 1925 e deri në fund të mbretërimit të tij Zogu nënshkroi me Italinë një varg marrëveshjesh skllavëruese, duke ia shitur Shqipërinë Italisë dhe duke e vënë shtetin shqiptar nën varësinë e plotë të Italisë fashiste të Musolinit. Të gjitha këto shpunë në ditën e zezë të 7 prillit 1939.

Dita e së premtes së zezë të 7 prill 1939 për Shqipërinë ishte përgatitur qysh më 20 dhjetor 1924, ditën kur Zogu përmbysi qeverinë e Fan Nolit. Për të përmbushur interesat e veta dhe çifligarëve që qëndronin pas tij, atij nuk i mjaftoi hapja e portave kanatë kapitalit italianë, duke ia shitur Shqipërinë Duçes në këmbim të ndihmës që i dha për vetëshpalljen më 1 shtator 1928 mbret i Shqiptarëve. Sipas një shkrimi të datës 17 prill 1939 të gazetës angleze “Times Magazine”, “koha e pushtimit të Shqipërisë fillon që nga traktati i Tiranës i nënshkruar midis Duçes dhe Zogut më 27 nëntor 1926 në Livorno, i cili e bënte Shqipërinë vasale të fqinjit më të fortë (Italisë), që ajo e shkeli me 7 prill 1939”.

Për këtë flasin dokumentet arkivore dhe dëshmi të njerëzve mirinformuar të asaj kohe. Që nga viti 1925 e deri më 1939 Italia fashiste kishte dhënë Zogut një miliard e 837 milionë lireta vetëm për të mbajtur një ushtri prej 675 oficerë dhe 6000 nënoficerë, gardistë dhe ushtarë aktive. Nga 1936 deri më 1939, Zogu kishte marrë nga Italia afro 3 milionë e 500 mijë franga ari në vite. Me nënshkrimin e marrëveshjes së vitit 1936, mijëra këshilltarë dhe specialistë fashistë zunë pozitat kyçe në ushtri, xhandarmëri, ekonomi, arsim, kulturë etj; vetëm në ushtri në postet më të larta ishin caktuar 280 oficerë fashistë. Ishin këta që sabotuan mbrojtjen e shqiptarëve duke hequr gjilpërat e armëve.

Zogu, në vend që të mbathte opingat dhe të dilte në mal, sikundër trumbetonin ministrat e tij, ia mbathi vetë, duke grabitur edhe arin e Bankës së Shqipërisë dhe duke e lënë Shqipërinë të çarmatosur dhe të turpëruar para botës për herë të parë në historinë e saj.

Disa pseudohistorianë dhe pinjollë të Zogut shkruajnë se “Zogu nuk e kishte miratuar pushtimin e Shqipërisë dhe nuk e kishte abdikuar fronin” dhe se “ai qëndroi në Angli si njeri i thjeshtë”. Po faktet dëshmojnë të kundërtën. Gazeta “Liktori” e 29 korrikut 1939 përshkruan me hollësi arratisjen e Zogut, grabitjen e thesarit të shtetit, mbërritjen në Varshavë me 68 valixhe, zënien e 25 dhomave në hotelin më të mirë, ku paguante 15.000 korona në natë. Njëra nga dhomat ku kishte thesarin e tij, ruhej me roje të përforcuara. Ndërsa një gazetë tjetër shkruante se kur mbërriti në Stokholm kishte 111 valixhe dhe se u prit me padurim nga tregtarët e sendeve me vlerë. Për sa i përket pohimit të këtyre “historianëve” se Zogu nuk e abdikoi fronin, le t’i referohemi nenit 65 të Statutit të Mbretërisë të vitit1928, ku thuhet: “Mbreti, po u largua me tepër se tre muaj nga vendi, humbet të drejtën e fronit.”

Se cili ishte Ahmet Zogu, të cilit sot disa njerëz i thurin himne, mjafton të sjellim vlerësimin e Faik Konicës, ambasador i Shqipërisë në SHBA, dhënë më 1938 njërit prej njerëzve më të afërt të Zogut: “E përbuz mbretin për këto arsye: E kam vëzhguar që kur ishte 18 vjeç dhe asnjëherë nuk e kam dëgjuar të thotë një të vërtetë. Kurrë nuk e ka mbajtur fjalën dhe besën. Nuk ka asnjë ndjenjë përgjegjësie. Është i pandershëm, i pashpirt, egoist, i pangopur. Ai urren të gjithë ata që kanë diçka, qoftë kulturë, prejardhje, pasuri, çfarëdo aftësie në ndonjë fushë ose qoftë dhe patriotizëm, të pagdhendur, por të ndershëm. Ai i injoron gjërat themelore dhe u jep rëndësi groteske çikërrimave. Shqipëria kurdoherë ka qenë njohur si komb me njëfarë dinjiteti tragjik, ai e ka ulur Shqipërinë në nivelin e një farse muzikore pa vlerë.”

Më 7 prill, në mëngjes, nga prapa Bogonicës e Çikës u shfaqën në qiell aeroplanë që morën në drejtim të Vlorës. Nga organet e pushtetit vendor nuk ishte dhënë asnjë njoftim a udhëzim për popullatën, po fshatarët e kuptuan se Shqipëria po robërohej përsëri. Me nismën e disa pjesëmarrësve të luftës së Vlorës, si Veip Balili, Xhemil Xhelo, Maze Jonuzi, Shaqo Nuro, Adil Petani etj, në Qafën e Ubavit u mblodhën mbi 40 burra dhe u nisën për në qendrën e komunës në Kuç për të kërkuar armë. Po autoritetet e komunës u thanë të shpërndaheshin dhe të shkonin nëpër shtëpitë e tyre, mbasi nuk kishte ngjarë ndonjë gjë me rëndësi. Po të ishte nevoja të luftohej, do të lajmëroheshin. Burrat u kthyen në fshat të pikëlluar dhe të revoltuar në kulm me mbretin, që e dorëzoi vendin pa luftë. Lajmi i pushtimit fashist, që nuk vonoi të vinte, tronditi të madh e të vogël në Kallarat.

Në qytete, protestat dhe manifestimet antifashiste kishin nisur që në ditët e para të prillit. Në këto demonstrata morën pjesë edhe bijtë e Kallaratit Mumin Selami, Sinan Petani, Xhemal Gjoni, Sinan Petani, Nuredin Breshani e Abdurrahman Zhibi. Në manifestimin e datës 5 prill Mumini shkëputet nga turma dhe ngre flamurin kombëtar në kullën e sahatit. Më 7 prill, Mumini, Sinan Petanini e të rinj të tjerë shkuan në kazermat Ali Rizait, hapën magazinat e xhenios, marrin armët e ushtrisë së falimentuar dhe nisen për të luftuar në Durrës, por informohen se ishte pushtuar. Edhe punëtorët kallaratas që punonin në Kuçovë, Feti Tozaj, Hariz Gozhi, Xhafer Xhaferi, Kasëm Demiri, Dalan Abazi dhe Azbi Breshani, me 6 prill 1939, me një grup demonstruesish shkojnë në Berat, shpërthejnë burgun dhe me bashkë me të burgosurit paraqiten në organet qeveritare për t’i pajisur me armë, por s’ua vuri veshin njeri.

Mes atyre qindra oficerëve e nënoficerëve të ushtrisë mbretërore pati edhe patriotë që iu përmbajtën betimit ushtarak. Ashtu si në Durrës Mujo Ulqinaku me shokë i priti me zjarr pushtuesit që zbarkonin nga anijet, edhe Skelë të Vlorës trupat fashiste hasën në qëndresë të fortë. Aty një grup burrash, ndër të cilët ndodhej edhe nënoficeri i xhandarmërisë Abaz Shakaj, i gozhduan për disa orë, duke u shkaktuar humbje të konsiderueshme në njerëz.

Pasi zunë Vlorën, fashistët shpejtuan të pushtonin Fierin, Kuçovën dhe Beratin. Në orën 13–14 të 7 prillit, një batalion bersalierësh, të hipur në biçikleta, niset drejt Fierit. Por në Bestrovë të Vlorës u pritën nga zjarri i forcave ushtarake shqiptare. Pjesë e këtyre forcave ishte dhe bateria kundërajrore që komandohej nga bashkëfshatari ynë Shahin Osmën Jonuzaj, e cila ishte nisur për të luftuar në mbrojtje të Vlorës. Luftimet e zhvilluara tek Çezma e Bestrovës ishin të rrepta; megjithëse të mbështetur nga aviacioni, bersalierët u bllokuan në vend dhe vetëm më 8 prill, kur erdhën forca të tjera në ndihmë, forcat fashiste mund të kalonin. Për luftën e zhvilluar në Skelë (Vlorë) dhe në Bestrovë, gjeneral Guxoni, në fjalimin e mbajtur në stadiumin e Tiranës, tha: “Dëmet me të mëdha e të konsiderueshme i kemi pasur në Vlorë”.

Shahini, në shënimet e tij për këtë luftë, thotë: “Ishim në Elbasan, morëm urdhër që bateria ku unë isha komandant, të shkonte për të mbrojtur portin e Semanit. Prej këtej u urdhëruam që me shpejtësi të niseshim për mbrojtjen e portit të Vlorës. Në orën 12 të datës 7 prill 1939 arritëm në fshatin Pestrovë, jo shumë larg Vlorës. Në kohë mbërriti batalioni i bersalierëve të hipur në biçikleta që shkonin për të pushtuar Fierin. U detyruam t’i prisnim me luftë.”

Në ato ditë prilli 1939, vëllai i madh i Muminit, Hasani, student në Egjipt, pikëllohet për pushtimin e vendit te tij. Së bashku me një grup patriotësh shqiptarë, të emigruar në Egjipt, Hasani shkon si përkthyes për të protestuar pranë ambasadës amerikane dhe angleze në Kajro kundër agresionit fashist në Shqipëri. Ai grumbulloi rreth vetes studentë të huaj dhe shqiptarë dhe shkoi për të protestuar përpara përfaqësive diplomatike të huaja në Kajro, duke deklaruar: “Ç’kërkon fashizmi italian në Shqipëri, ajo nuk i ka borxhe askujt, prandaj ata duhet të kthehen nga kanë ardhur.”

Menjëherë pas pushtimit të vendit, autoritetet fashiste nisën burgosjet dhe internimet e patriotëve. Kështu, Mumin Selami, Sinan Petani dhe Nuredin Breshani përjashtohen nga shkolla si të padëshirueshëm dhe më vonë burgosen si pjesëmarres në demonstrata. Mumini, për arsye se në demonstratën e zhvilluar më 28 nëntor 1939 në Tiranë nuk lejoi që flamurit shqiptar t’i viheshin sëpatat e Liktorit, internohet në Kallarat, nën survejimin e organeve sekrete të “Simit”

Sjelljet e tyre prej pushtuesi treguan se Italia fashiste nuk kishte ardhur për ta zhvilluar Shqipërinë, po për të grabitur pasuritë e saj dhe për të shfrytëzuar krahun e lirë të punës. Shumë bashkëfshatarë që punonin në shoqëritë italiane “Çelpa”, në minierën e Selenicës, në AIPA në Kuçovë, në Poliçel (botore) e gjetkë, si Hariz Goxhi, Veip Memushi, Muço Gjombrati, Çune Qejvani, Feti, Ferik, Sinan e Sihat Tozaj, Dalan Abazi, Ferik Golloshi, Sefer Malo, Besim dhe Thanas Shahaj, Filo Breshani, Azbi Breshani, Kapo Habili, Hasan Qejvani etj. për 14–16 orë në ditë merrnin 8 lekë, një bukë dhe disa kokrra aspirina për të luftuar malarien dhe flinin në garazhe ose kasolle. Punonin në kushte tepër të rënda dhe trajtoheshin keq nga punëdhënësit dhe brigadierët italianë. Duke punuar pa masa sigurie, Muço Gjombrati u aksidentua në punë dhe ngeli invalid nga këmba, pa fituar dëmshpërblim.

Shumë nga këta kishin luftuar kundër italianëve më 1920-ën, prandaj, megjithëse nevojtarë, prisnin rastin të shpërthenin. Ata nuk zbatonin urdhrat e italianëve për të nderuar flamurin italian, si dhe urdhra të tjerë të ngjashëm që shkelnin dinjitetin e tyre kombëtar. Kurse ditën e Flamurit, më 28 Nëntori 1939, ata nuk vajtën në punë, por hynë të gjithë në grevë, duke kënduar këngë labe, këngë kombëtare dhe këngë kundër italianëve. Drejtuesit e AIPA-s, të shqetësuar nga veprimet e tyre, u hakmorën duke pushuar mjaft punëtorë nga puna, ndër ta edhe sindikalistët e vjetër Feti Tozaj e Hariz Goxhaj.

Kundërshtime ndaj pushtuesit fashist pati edhe në radhët e ushtarakëve. Në vjeshtën e 1940-ës, Italia fashiste sulmoi Greqinë, duke hedhur në luftë edhe batalione shqiptare. Por ushtarët shqiptarë, të çuar me forcë në frontin grek, braktisën frontin. Me gjithë propagandën profashiste të njerëzve që ishin vënë në shërbim të fashizmit se Italia do të bënte Shqipërinë e madhe, si Xhemil Meçua, Hysni Lepenica etj, 9 kallaratas braktisën frontin dhe shumë nga të rinjtë që kishin radhën për të kryer shërbimin ushtarak, nuk shkuan në ushtri, po u fshehën pyjeve.

Fatkeqësitë më të mëdha për popullin e Kallaratit erdhën kur grekët e vunë përpara ushtrinë italiane dhe hynë në tokën shqiptare. Trupat greke u vendosën në vijën që ata e konsideronin Vorio Epir: Qafa e Gurrës–Përroi i Thatë i Vranishtit–Lumi i Smokthinës–Vermik–Tepelenë etj. Kështu që Kallarati mbeti në zonën e pushtimit grek, pranë vijës së luftimit. Fshati u kthye në një arenë lufte midis italianëve dhe grekëve. Çdo ditë italianët hidhnin qindra predha artilerie dhe bomba aviacioni, që shkatërronin shtëpitë dhe e mbushën vendin me gropa që dukeshin edhe pas 30 vjetësh. Vendi u mbush me gropa bombash. Për t’u shpëtuar bombardimeve, njerëzit morën malet dhe grykat e përrenjve.

Një ditë në mbrëmje, banorët e zonës Ndrekështi, Përroi i Gjorme e Armixore u njoftuan nga grekët që të nesërmen që në mëngjes herët të largoheshin, se italianet do të bënin bombardime me artileri dhe aviacion në këtë zonë. Familjet e Teslim e Dule Stratit ikën dhe u fshehën në Përroin e Skordhollit, duke u futur poshtë shkëmbinjve. Plackat i lanë në vend, do të ktheheshin, pas pushimit të bombardimeve. Italianët nga Ramica dhe Brati qëllonin me top (xhebel i thoshin), nga lart binin bombat e aviacionit, Vendi dridhej nga shpërthimet, që dëgjoheshin gjithandej. Kur u kthyem në mbrëmje, ishte të vije duart në kokë. Një gjyle kishte goditur ballin e shtëpisë (haurit). Veç plaçkave, që ishin djegur, hambari me 2 kv misër kishte fluturuar në ajër, 300 m larg. Gjysma e misrit ishte djegur dhe i përhapur në tokë. Ishte dëmtuar buka me të cilën do kalonin dimrin. E mblodhën si pulat kokërr më kokërr, të djegurin më vete, që e përdorën si kokoshka.

Në palcën e dimrit, grekët e urdhëruan popullsinë të zhvendosej në drejtim të Kuçit. Njerëzit u strehuan pyjeve të Kuçit, duke ndarë një kasolle dy-tri familje bashkë, dhe u kthyen prej andej në prill 1941 kur ushtria greke u largua. Populli vëlla dhe bujar i Kuçit, megjithëse dhe ai në gjendje të vështirë, na priti me dashuri vëllazërore. Të gjithë pa përjashtim na vunë në dispozicion, sipas mundësive, shtëpi, kasolle, disa shtresa e mbulesa.

Qe fat që më 19 prill 1941 ushtria greke u largua me shpejtësi, për shkak se Greqia u pushtua nga gjermanet. Kur njerëzit u kthyen në shtëpitë, i gjetën ato të shkatërruara krejt, pa dyer e pa dritare, me orendi dhe shtresat e mbulesat të djegura, si dhe drurët frutorë të prerë. Që atëherë në Kallarat, për një dëm të madhe e shkatërrim të diçkaje thonë: “Sikur ka rënë greku”. Njerëzit nuk kishin asgjë për të ngrënë. Me shkrirjen e borës, ushtrisë greke, që dimrin e kishte kaluar duke lypur dhe duke u vjedhur bagëtinë fshatarëve, i erdhën furnizime të mëdha me ushqime. Po gjatë tërheqjes grekët kishin bërë nevojën mbi pirgjet e galetave, kështu që nuk mund të përdoreshin.

Nga mungesa e ushqimit, e strehimit, e veshmbathjeve, shtresave e mbulesave dhe ashpërsia e dimrit shumë fshatarë u sëmurën rëndë. Brenda tre muajsh vdiqën 9 vetë: Ferat Halo Llani me djalin e tij Gaço Llani, që la 5 fëmijë të vegjël jetimë, Nure Balil Golloshi me dy fëmijë të vegjël, Ali Thanas Qesëraj, Alush Jonuzi, Zenepe Toçi, Myrto Zani, Hamit Leven Ribi (djalë i vetëm 17-vjecar), Shako Veip Xhaferi. Këto vuajtje Mumin Selami i ka pasqyruar në Ditarin e tij, në shkrimin “Nuk di në është paqe apo jo?”.

Fatkeqësitë nuk mbaruan me kaq. Nga armatimet dhe municionet luftarake që ushtria greke kishte lënë gjithandej, sidomos nga bombat u vranë 3 djem nga 12–14 vjeç: Hamit Halil Abazi, Vehbi Zano Zhibi e Beqir Selfo Golloshi; kurse Dasho Memush Memushaj preu të dy duart duke mbetur invalid. Më vonë, nga bombat e mbetura të fashizmit plagoset edhe Haxhi Birbil Karabolli.

Gjatë periudhës 4- mujore që greku qëndroi në fshat i shkaktoi ekonomisë së fshatit dëme ekonomike të pallogaritshme. Theri mbi 3000 kokë bagëti të imta e 40 gjedhë; humbën edhe mbi 50 kafshë ngarkese. U grabit e u shkatërrua e gjithë baza ushqimore për njerëz dhe bagëti. Për shembull, Teslim Strati, kur erdhën grekët, kishte mbi 200 dhi, ndërsa kur iku ushtria greke i kishin mbetur 14 kokë. Dëme të mëdha u bënë si nga gjylet dhe nga bombat në kafshët dhe në të mbjellat e vjeshtës. Atë pranverë të 1941-së, megjithëse në fund të prillit, për mungesë fare dhe të pendëve të qeve tokat nuk u mbollën.

Pushtuesi italian, që qe shkaktari i gjithë kësaj tragjedie, nuk i dha popullit asnjë ndihmë. Madje, në tetor 1941, SIM-i (policia e fshehtë fashiste), i informuar nga agjentë të tij, kapi dhe rrahu rëndë në Vlorë Telo Duro Zhibin për ta detyruar të tregonte floririn e marrë nga avioni jugosllav që u përplas në pyllin e Ramanait, kufi me Kuçin, në të cilin ishin ministrat jugosllavë që po shkonin për strehim në Greqi pas pushtimit të Jugosllavisë. Fashistët dërguan karabinierë në Kallarat për të marrë floririn e fshehur në dyqan nga Telua dhe arrestuan Veip Balil Memushin, të cilin e burgosën në Vlorë dhe më pas e dërguan në burgun e Tiranës, ku e mbajtën 6 muaj pa vendim gjykate.

Këto fatkeqësi që i shkaktuan vendit dhe sjelljet e tyre prej pushtuesi e shtuan urrejtjen e popullit për fashistët. Kundërshtimi i tij shfaqej në forma nga më të ndryshmet. Dalan Memushaj në librin e tij “Ditët kur luftova” tregon se si Adil Petani, Ormën Ribi dhe ai shpërfillën rregullat që qytetarët shqiptarë duhet të respektonin gjatë ceremonisë së uljes së flamurit italian në Skelë të Vlorës: “Adili na tha mua e Ormënit që të mos ndalonim për respektimin e rregullave për uljen e flamurit dhe, në qoftë se do të merrnin masa, do t’u thonim se ishin fshatarë që nuk dinim italisht, nuk merrnim vesh nga këto rregulla, sepse kishim zbritur nga fshati… Ndërkohë që marinarët italianë ndërmorën veprimet për uljen e flamurit, ne, si kalimtarë dhe si njerëz që gjoja nuk merrnim vesh, vazhduam rrugën për në Vlorë. U futëm brenda periferisë, ku ushtarët dhe disa kalimtarë të tjerë kishin ndaluar në qëndrimin “gatitu”. Veprimi ynë mospërfillës ra në sy për keq. Me t’u dhënë sinjali i bories “qetësohu”, marinarët italianë, të revoltuar, duke sharë u lëshuan drejt nesh dhe na ndaluan. Në çast, na hodhën hekurat dhe na çuan në komandën e marinës. Aty na hipën në një makinë dhe na shpunë në kuesturë. Sapo na futën brenda, filluan të na pyesnin me hollësi se nga ishim dhe si quheshim, na kërkuan llogari se përse nuk ndaluam kur boria dha sinjalin për uljen e flamurit etj… Në burg na mbajtën deri nga mesi i natës, pastaj na lanë të lirë, duke na porositur që të ishim të vëmendshëm dhe të mos thyenim rregullat e italianëve, se, ndryshe, herë tjetër, në qoftë se do të bënim ndonjë veprim të tillë, do të na dënonin rëndë.”

Marrë nga Libri “Historiku i Kallaratit”, shkruar nga Enver Strati

Besnik Gjonbrataj

Next Post

RETH JETËS SË BABAIT TIM BAJRAM QAMIL BAJRAMI (TOÇAJ)

Pre Pri 19 , 2024
(Me rastin e 110 vjetorit të lindjes)  Nga Engjëll Bajrami             Babai im, Bajrami lindi më 20 Prill 1914 në fshatin Kallarat, të krahinës së Kurveleshit të Poshtëm. Sot Kallarati është fshat i Bashkisë Himarë, e shtrihet në të dy anët e lumit të Vlorës/Shushicë, […]