KU FLE LEPURI ?

PetritQejvaniKjo frazeologji popullore përdoret zakonisht për të gjetur shkakun ose arsyen pse ka ndodhur dicka e paqartë ose e dyshimtë. Kjo i shkon më së miri edhe situatës së tashme midis pozitës dhe opozitës, ku beteja për reformën zgjedhore duket se do kulmojë kreshendo, vec zgjedhjes së presidentit që në fakt, pavarësisht rëndësisë, nuk ka aq peshë sa zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Është ë vërtetë që ka një lidhje midis zgjedhjes së presidentit dhe reformës zgjedhore, ndonëse jo të drejpërdrejtë. Dhe kjo se në Shqipëri presidenti,cilido qoftë, nuk ka ndikim në procesin zgjedhor, ndikim që e ka KQZ-ja, organi që tek ne vendos (nuk shpall) fituesin dhe humbësin ë garës elektorale. Prandaj,pas refuzimit kategorik të pozitës për moskonsiderim të propozimeve të opozitës për reformën zgjedhore, me të drejtë shtrohet pyetja: pse maxhoranca nuk pranon ndryshimet e propozuara prej opzitës, sic janë: 1-Identifikimi elektronik i votuesve. 2-Numërimi elektronik i votimit. 3-Procedura e hapjes së kutive të votimit (kur ka kontestime ose dyshime) me kërkesën e dy anëtarëve të KQZ-së dhe 4-Rikompozimi i KQZ-së ( më mirë të thuhej hapur heqja e kryetarit aktual Ristani, “heroit” të dy palë zgjedhjesh të kompromentuara).

Një përgjigje këtyre pyetjeve në tërësi, por sidomos dyve prej tyre, u jep shefi i maxhorancës dhe kryeministër i vendit z.Berisha. Dhe, sic ndodh gjithmonë, ai e gjen një shteg, bile kësaj here një shteg “apolitik”për të refuzuar kërkesën e drejtë të opozitës,duke folur si “teknicien”. Ja c’thotë ai:”Mendoj se rekomandimi i tyre (ODHIR-it) është interesi i parë më i madh i opozitës, se, nëse opozita do siguri në zgjedhje, nuk mund të vrapojë pas opsioneve, të cilat nuk japin siguri, nuk janë të testuara..Numërimi elektronik është një realitet me probleme të pamohueshme”.Në fakt është një frazë bukur demagogjike.Vërtet Berisha kërkon që opozita të jetë e sigurt në zgjedhje, pra Berisha preokupohet për të mirën e opozitës?! Gati sa s’ngazëllehet që opozita të dalë sa më mirë në zgjedhje! Në të vërtetë nuk është ë vështirë të kuptosh që pas këtij kujdesi për opozitën, fshihet interesi për veten.

Dhe rekomandimi i ODHIR-it është në të njëjtën gjatësi vale me interesin e tij, (ka gjasa që ky është një rekomandim, që vet Berisha ua ka sugjeruar atyre). Megjithatë, ai me “teknologji” kërkon të trembë opozitën që të tërhiqet, thua se kur “gabon” teknologjia, gabon vetëm për opozitën!Dhe duket se ky presion psikologjik e dha efektin: opozita u lëkund, sidomos kur këtë e konfirmuan dhe aleatët e Berishës, përfaqësuesit ë ODHIR-it. Berisha e di se njerëzit mund të blihen, kurse makinat jo.. Ndërsa për procedurën e hapjes së kutive të votimit e ka më të thjeshtë përgjigjen: “Kërkojnë një vendim që të merret me dy vota për të hapur gjithë dokumentacionin,që do të thotë t’i futësh zgjedhjet në një proces të pakthyer. Ka të drejtë, cdo material do hapet, por do jenë gjykatat”, që në zhargonin e Berishës (duke patur parasysh edhe zgjedhjet e kaluara) do të thotë nuk do të hapen kurrë. Formalisht nuk e mbyll shtegun, është në rregull, sidomos me ndërkombëtarët. Por në parim është i larë dhe me opozitën, por jo me të vërtetën, e cila gjëndet në kuti. Pikërisht në hapësirën midis ligjit dhe zbatimit të tij luan Berisha. Edi Rama duhet ta ketë mësua tashmë këtë. Bile për këtë organizoi një aksion opozitar të paparë, por që e zhbëri në fund, nën trysninë e ndërkombëtarëve.Makthi i kutive i lidh fort të dy kundërshtarët, njeri për të parë të vërtetën, tjetri për të mbuluar të vërtetën ose për ta djegur në anë të lumit të Tiranës. Kutitë e votimit janë bërë si kutia e Pandorës. Atje është pushteti ose humbja e tij. Në kutitë e votimit është fati i Berishës dhe i Ramës. Atje fle lepuri i pushtetit…I bindur se nuk ka fituar, Berisha trëmbet nga hapja e kutive si djalli nga themjani. Prandaj Berisha i ka fobi kutitë, kurse Rama(i bindur se fiton) i ka mani kutitë. Kur është në interes të tij Berisha, jo vetëm i hap kutitë, por dhe i shqyen (rasti i Tiranës). Prandaj pyetjes së fillimit tani i japim edhe përgjigjen :Lepuri i zgjedhjeve fle në kutitë e votimit. Dobësia më e madhe e opzitës deri tani është thyerja e saj dhe mosfinalizimi i aksionit opozitar. Prandaj opozita, nëse do të vijë në pushtet, nuk duhet të tërhiqet në asnjë mënyrë nga kërkesat e saj e sidomos nga ajo për hapjen e kutive dhe duhet t’i “rrëmbejë” Berishës aleatët e vet, ndërkombëtarët. Kurse Berisha, që taton shkëlqyeshëm vullnetin e kundërshtarit, nëse kundërshtari nuk tërhiqet,është gati të lëshojë pe në të gjtha, me përjashtim të hapjes së kutive. Kurse Rama mund të lëshojë pe për të gjitha, por jo për hapjen e kutive. Në këtë luftë nervash është vështirë të parashikosh cdo ndodhë, por si në një garë tërheqjeje litari, njeri do t’i “thyejë hundët”.

Nga Petrit Qejvani

Botuar ne “Shekulli” me 11/06/2012

Next Post

NDËRKOMBËTARËT MIDIS BERISHËS DHE RAMËS APO ME BERISHËN KUNDËR RAMËS

Die Kor 8 , 2012
Prezenca e ndërkombëtarëve në jetën politike shqiptare ka qenë e ndjeshme këto dy dekada të paskomunizmit. Ata me një gjuhë herë direkte dhe herë tërthore e me mesazhe të ambalazhuara diplomatikisht kanë ndikuar jo pak në rrjedhën politike në Shqipëri. Po cili është statusi i tyre? Kjo pyetje për disa mund […]
PetritQejvani