Published on Thursday, 16 August 2012 15:30 Shekulli online
Nga Petrit Qejvani
Ditët e fundit janë shtuar ankesat e disa eksponentëve të PS-së në adresë të Berishës se ai po pushton të gjitha institucionet, pra krejt shtetin. Sidomos këto ankesa qaramane janë shtuar pas zgjedhjes së presidentit të ri Nishani, e kanë ardhur duke u shtuar veçanërisht pas shkarkimit të shefit të shërbimit sekret Shaqiri dhe zëvendësimit të tij me ish-drejtorin e Drejtorisë së Jashtme të SHIK-ut famëkeq të kohës Berisha- Gazidede, Lika. Mirë që ankohen, po për çfarë ankohen dhe kujt i ankohen? Duket se dëshpërimi u ka errësuar logjikën, saqë të vjen edhe keq që ankohen për Berishën te..Berisha. Kjo nuk ka kuptim! Mundohen të gjejnë pse nuk duhej shkarkuar shefi i mëparshëm i SHISH-it dhe pse nuk duhej emëruar ky shef i ri i SHISH-it. Nuk është se socialistët nuk kanë të drejtë në ankesat e tyre për personin konkret. Kanë plotësisht të dejtë. Lika është një ish-eksponent kryesor i SHIK-ut të zi të 1997-ës dhe kaq mjafton që ai të mos vinte në këtë detyrë. Por socialistët e patën në dorë ta bënin këtë 8vjet rresht. Pse nuk e bënë? Menduan se Berisha vdiq politikisht, apo se Berisha do të ndryshonte? Në të dy raste socilistët kanë gabuar. Si për t’u vënë vulën “kushtetuese” gabimeve të tyre, ata bënë në ekstazë të plotë ndryshimet fatale kushtetuese të 2008-ës, duke firmosur me duart e tyre heqjen e presidentit Topi dhe “emërimin” e presidentin Nishani. (ndonëse formalisht ai u zgjodh). Udhëheqja e PS-së nuk pati kurajon të pranonte në kohë dhe hapur gabimin fatal të ndryshimeve të 2008-ës, prej të cilave burojnë të gjitha ndryshimet që bën dhe do të bëjë Berisha. 2008-a do jetë për socialistët si guri i Sizifit. Gjithë pushtetin Berishës ia dhanë socilistët (jo ata të thjeshtët). Mendjelehtësia dhe mungesa e largpamjes politike më 2008-ën është shkaku kryesor i pushtimit të krejt pushteteve nga Berisha. Thënë më shqip; ata shkuan më 2008-ën te Berisha si cjapi te kasapi. Pra, për gjendjen aktuale fajin s’e ka vetëm Berisha. Berisha vulosi ligjërisht orekset e tij të njohura për pushtet me bekimin e socialistëve të “mëdhenj”.Të gjithë e njohin kush është Berisha, me përjashtim të lidershipit socialist!!(dhe nuk e kam fjalën vetëm për Ramën). Në politikë gabohet vetëm një herë dhe jo disa herë. Në betejën politike propagandistike, zilkat e PS-së nuk mund të dëgjohen para burive buçitëse të Berishës. Me zërin e mekur dhe aksione gjysmake nuk mbrohen kauza të mëdha. Fjalët e shqiptuara live nuk i mund dot fjala e “vdekur” e twitter-it. Ne nuk mund të fabrikojmë një Berishë tjetër më të “butë” që ta mundë më lehtë PS-ja. Dhe këtu duhet theksuar se Berisha nuk ka fituar vetëm me forcë, por edhe me inteligjencë. Betejat e partive janë betejat e liderëve. Kur humbet partia, ka humbur lideri. Politika më tepër se oratori është aksion. Para se të ankohen, socialistët duhet të mësojnë si mundet Berisha.
Nga Petrit Qejvani