Ledian Riza Memushaj, për herë të parë me fanellën kuq e zi të Kombëtares Shqiptare.

Ledian MemushajLediani, aktualisht lojtar mesfushor i Kievos së Veronës, është lojtari më i ri që Josip Kuzhe testoi në ndeshjen miqësore të Kombëtares tonë me atë të Maqedonisë më 17 Nëntor, e cila u luajt në qytetin e Korçës. Drejtuesi i stolit të Shqipërisë vendosi që t’i japë një shans mesfushorit 23-vjeçar, për të treguar vlerat e tij, pikërisht në këtë miqësore dhe pse të mos jetë kjo ndeshja pikënisje për Ledianin për të qenë përherë në këtë Kombëtare.

Lediani, djali i Riza Memushit, i lindur më 7 Dhjetor 1986 në qytetin e Vlorës, rrjedhë nga një familje me origjinë nga Kallarati, e njohur për traditat e saj atdhetare e patriotike, edhe pse prej shume vjetësh jeton së bashku me familjen e tij në Itali, nuk e harron kollaj vendlindjen e tij, Vlorën.

Shtypi italian dhe ai shqiptar kanë shkruar për këtë talent të futbollit, i cili dalëngadalë po ngjit shkallët e karrierës së tij sportive. FSHF-ja duke ndjekur ecurinë e këtij futbollisti, ka dërguar ftesën zyrtare në zyrat e klubit të Serisë A italiane, Kievo Verona. Memushaj është transferuar tek ish-skuadra e sulmuesit Erjon Bogdani më 21 korrik të këtij viti nga Paganeze, e cila militonte në Divizionin e Parë të Ligës Pro (Seria C1). Më 28 tetor të këtij viti ai debutoi me skuadrën veroneze në sfidën e Kupës së Italisë, që Kievo fitoi me rezultatin 2-0 përballë Sasuolos. Sipas komenteve të medieve të shkruara, Lediani në rolin e mesfushorit spikati në këtë ndeshje, madje në minutën e 29-të, kur rezultati ishte në barazim 0-0, shpërdoroi një mundësi mjaft të mirë për të shënuar, pasi kishte kaluar çdo kundërshtar që i doli përpara.

Mesfushori Ledian Memushaj, 23 vjeç, është bashkuar me Erjon Bogdanin te Kievo, duke u bërë kështu lojtari i tretë shqiptar që militon me klubin italian të Serisë A, duke futur në këtë llogari edhe sulmuesin Xhuljan Rrudho.

Sipas Albania-sport.com, “Operacioni i suksesshëm në merkaton e Serisë A u realizua midis drejtorit sportiv të Kievos dhe agjentit të lojtarit, Sokol Haxhia, që operon përmes zyrës së tij menaxheriale “Sportx Management srl”. Memushaj ka nëshkruar një kontratë 3-vjeçare me verdheblutë veronezë. “Bëhet fjalë për një mesfushor vërtet të talentuar. Është formuar në shkollën italiane të futbollit dhe dallohet për horizontin dhe krijimtarinë e tij në lojë”- tha agjenti i FIFA-s, Sokol Haxhia për Albania-sport.com, i cili menaxhon mbi 30 lojtarë shqiptarë në kampionate e nivele të ndryshme në Itali, Gjermani, Ukrainë, Turqi, Qipro, etj”.

“Memushaj ndiqej prej shumë klubesh të Serisë B dhe A, por Kievo u tregua më e shpejtë, kjo edhe për shkak të emrit të mirë që ka Erion Bogdani, por dhe atë që la Xhulian Rudho, drejtori sportiv Sartori, një simpatizant i futbollistëve shqiptarë, shpejtoi në transferimin e Ledianit. Është një futbollist me vlerë”, – theksoi Haxhia, i cili është shumë aktiv në merkaton italiane dhe ndërkombëtare, teksa në Itali ka bërë të mundur kalimin e dy të rinjve të talentuar, Andi Çorit nga Milani te Groseto dhe Enkert Abdisë nga Siena po te Groseto.

Memushaj, një lojtar i formuar në Itali, aktualisht ishte në forcë me Paganezen e Serisë C1 (Lega Pro) dhe ndiqej prej kohësh nga klubi i Kievos. Lajmi i transferimit të Memushajt nga Paganeze të Kievo është përcjellë nga të gjitha mediat sportive italiane, përfshirë edhe gazetën prestigjioze “La Gazzetta dello Sport”.

Memushaj ka luajtur edhe me Sarzaneze, Vale D’Aosta dhe Paganeze, ku në katër sezonet e fundit është aktivizuar në 84 ndeshje, duke shënuar 10 gola- përfundon Albania-sport..com.

Shpresojmë që aktivizimi i Ledianit për herë të parë me Kombëtaren shqiptare në ndeshjen miqësore me Kombëtaren e Maqedonisë do të shërbejë si pikënisje për të qënë rregullisht në formacionin e saj, duke na bërë edhe ne kallaratasve të krenohemi me talentin e tij.

Në emër edhe të gjithë sportdashësve kallaratas dhe redaksisë së Gazetës ‘Kallarati”, i urojmë Ledianit suksese në karrierën e tij sportive me Kievon, por edhe me skuadra të tjera më dëgjuara në futbollin Italian dhe më gjerë.

Përgatiti: Besnik Gjonbrataj

Botuar ne Gazeten Kallarati, 2010

Next Post

Klarita Avni Strati. Sportiste ne Qitje me Pistolete.

Pre Kor 6 , 2012
Klarita Avni Strati. Eshte me origjine nga Kallarati. U lind në vitin 1972. Shkollën e mesme e kreu në qytetin e Fierit. Merr pjesë në ekipin e qitjes të fëmijëve të Apollonisë, në vitin 1988 merr pjesë në Garat Ndërkombëtare të Qitjes në Bullgari, duke zënë vendin e dytë. Aktivizohet me […]
Klarita Strati