Parathenie
Libri që po i paraqitim lexuesit, e ka zanafillën të një dorëshkrim i 35 vjetëve më parë. Në atë kohë, në kuadrin e orientimit për hartimin e historikëve të Luftës Nacionalçlirimtare të fshatrave dhe të krahinave, u përfshiva në një grup që do të shkruante historikun e Kurveleshit. Duke punuar nëpër arkiva e biblioteka, grumbullova një dokumentacion të pasur dhe me shtrirje të gjatë kohore, kështu që iu luta z. Bexhet Mema, kryetar i komisionit për historikun e krahinës, të më lejohej të shkruaja edhe një krye për periudhën e paraluftës. Fale mirëkuptimit te tij, kërkesa m’u pranua dhe, pas një viti pune, historia e Kurveleshit për periudhën nga lashtësia deri më 1939, në dorë të parë, qe gati. Por dorëshkrimin nuk e dorëzova për daktilografim, pasi pjesa për periudhën 1939-1944 nuk u shkrua. Më pas, peripecitë e jetës dhe detyrimet e profesionit më bënë ta mbyllja ne sirtar këtë punë.
Dorëshkrimit të harruar iu riktheva shumë më vonë, në vitet 1998-2000, kur m’u dha mundësia të shërbeja në katedrën e gjuhës shqipe të Universitetit të Palermos ne Sicili. Gjatë ripunimit të dorëshkrimit, kësaj here i mbështetur në një dokumentim më të pasur dhe në literaturën historike te viteve “70-90”, të tria pjesët e librit u plotësuan e u zgjeruan, disa duke i rishkruar nga e para. Për përditësimin dhe pasurimin e burimeve bibliografike, shfrytëzova literaturën e pasur historike në shqip e gjuhë të huaja të bibliotekave te atij Universiteti dhe të bibliotekës komunale te Horës së Arbëreshëve.
Nuk ka dyshim se këtë punë një historian do ta kishte bërë më mirë. Po, sado që mund të më qortojnë se kam hyrë në lëmenjtë e botës, më mirë të kemi diçka, edhe pse jo aq të përsosur, sesa asgjë. Me këtë, mendoj se kam shlyer një detyrim moral ndaj krahinës ku linda, kalova fëmininë dhe shumë vite të rinisë; ndaj prindërve tanë dhe ndaj gjithë atyre brezave që me jetën dhe veprën e tyre ia ngritën emrin lart Kurveleshit dhe na mbrujtën me shpirtin e lirisë dhe të drejtësisë.
Ndonëse historia e Kurveleshit nuk mund të behet veçse në kuadrin e historisë së Labërisë, pjesë e së cilës është, kjo krahinë dallohet ndër krahinat e tjera të saj për kontributet e mëdha në luftërat për liri e pavarësi, të cilat i kanë siguruar një vend të veçante ne historinë e kombit. Falë kushteve të favorshme për mbrojtje dhe sidomos natyrës liridashëse të njerëzve të tij, Kurveleshi ka qenë vatra kryesore e qëndresës në Labëri, një “akropol i paarritshëm prej armiqve,” sikundër e ka cilësuar Georg Hani. Kurveleshasit, “trima burrat, trime gratë”, janë shquar kurdoherë si luftëtarë të besës dhe të vendosur. Këtë shpirt të kundërshtimit të së keqes ngado që ajo ka ardhur, nuk arritën ta shuanin as gjysmëshekulli i diktaturës, as varfëria dhe rënia morale që e pllakosi Kurveleshin në vitet e tranzicionit të dështuar.
Ka qaste kur, nga lodhja, shoqëria i flak tutje heronjtë dhe historinë, ashtu si një fëmije hedh poshtë librat ditën e fundit të shkollës. Po këto çaste marrëzie nuk zgjatin shumë. Shoqëria ka nevojë për përvojat e kaluara dhe prandaj u rikthehet atyre për të ndrequr shformimet e për të gjetur rrugën e duhur në të ardhmen. Sikurse e thotë bukur Ago Agaj, “është një punë e mençme dhe e domosdoshme që të mbështetemi në të shkuarën për të përgatitur të ardhmen, se pa këtë do të mbetet një zbrazëtire që përmban në vete shumë rreziqe”.
Si një përpjekje për të ruajtur të gjallë kujtesën historike, ky libër përmban një mesazh për brezat e rinj, që po rriten në kohëra të ndryshme nga tonat. Sot kurveleshasit i gjen të shpërndarë anekënd Shqipërisë dhe në vende të ndryshme botës. Për t’u orientuar mbijetuar në epokën sotme të lëvizjes së lirë të njerëzve dhe të kulturave, cilido duhet të dijë jo vetëm kush është, por edhe nga vjen. Pa këtë identitet, jo vetëm individi humb si sëpata pa bisht, po asnjë grup etnik e asnjë komb nuk mund t’i ruajë qenien dhe vlerat e veta pozitive.
Ta fshehësh apo ta harrosh prejardhjen tënde, është një gabim i pafalshëm. Kudo që të lindin apo t’i hedhin valët e jetës, kurveleshasit duhet të krenohen për prejardhjen e tyre dhe t’i duan edhe më shumë Kurveleshin, njerëzit e tij dhe zakonet fisnike për të cilat na kanë lëvduar. Dhe jo vetëm të krenohen, por edhe të përpiqen t’ia ngrenë emrin lart me sjelljet dhe veprat e tyre, të bëjnë diçka të mirë për këtë krahinë, në mënyrë që të mos mbetet e braktisur dhe e pazhvilluar.
Për hartimin e këtij libri jam mbështetur në një dokumentacion të pasur, që përfshin burime arkivore, dokumente të botuara, studime, monografie libra historie si dhe materiale gojore, të cilat i kam mbledhur vetë nga goja e sa e sa pleqve, plakave e mësuesve kurveleshas. Të gjithë atyre që më kanë ndihmuar në këtë punë u jam thellësisht mirënjohës.
Në trajtimin e ngjarjeve dhe te individëve jam përpjekur te jem sa me objektiv , duke iu ruajtur interpretimit të ideologjizuar dhe frymës së lokalizmit. Së fundi, është e kuptueshme që në këtë libër të ketë mungesa e ndoshta edhe pasaktësia. Si për të parat, edhe për të dytat përgjegjësia bie mbi autorin.
Per me teper lexoni librin e plote “Histrori e Kurveleshit”, Botim i Toena, 2004