Mesazhet e drejta të Withers

PetritQejvani

 

 

 

 

 

Nga Petrit Qejvani

Withers me sa duket nuk ka nder mend ta harrojë lehtë Shqipërinë, jo për shkak të nostalgjisë së natyrshme te njeriut për vendin ku ka punuar apo për ndonjë tekë ekzotike prej perëndimori për këtë vend thuajse lindor gjithsesi të pakuptueshëm për njerëzit e perëndimit, por për shkak të ngatërresave politike që prodhon me shumicë ky vend i vogël i paradokseve, populli i të cilit meriton më shumë. Ndonëse tashmë i lirë nga detyrimet shtetërore, ai sërish nuk hesht, kur i duket se duhet folur dhe, bile, flet “shqip”. Intervista ë tij e fundit në është e paprecedent.

Dhe kjo së paku për dy arsye: E para për mesazhet e fortë që përcjell dhe e dyta për qartësinë, rreptësinë dhe drejtpërdrejtësinë e shprehjes. Interesi për mesazhet e tij është jo thjesht se ato i shpreh një personazh i kualifikuar i diplomacisë amerikane, një njeri që e njeh Shqipërinë, por, mbi të gjitha, një njeri që e do, një mik i sinqertë i saj. E kjo arsyeja e dytë e bën që këto mesazhe kritike dhe domethënëse të jenë bindëse dhe të pranueshme nga ana jonë. Po kujt i drejtohen këto mesazhe në të vërtetë? Withers është i qartë në këtë drejtim. Ndonëse këto mesazhe janë të qarta nga qëllimi dhe transparente nga formulimi tek ne do komentohen politikisht njëanësisht. Por veç një gjë nuk mund të ndryshojnë dot politikanët: që ata Withers i ka injoruar.

Ai i drejtohet popullit, qytetarëve. Konstatimet dhe përfundimet në të cilat ai arrin janë shumë të rënda dhe kryqëzojnë pa mëshirë dhe pa ekuivok klasën politike shqiptare. Dhe nuk është se këto nuk janë thënë e dëgjuar në mjedisin shqiptar nga analistë apo dhe qytetarë të thjeshtë. Mirëpo ca të vërteta plumb të rënda marrin peshë për ne vetëm kur i shqiptojnë të huajt dhe, sidomos, të huaj me peshë. E keqja e këtij vendi janë politikanët dhe udhëheqësit e tij, nënvizon ai, duke artikuluar kështu, jo vetëm një të vërtetë aktuale, por dhe historike, e ardhur si mallkim deri në ditët tona.

Që është kështu, kjo nuk do shumë mend, por kur e thotë një njeri si zoti Withers, duke pasur parasysh çfarë ka përfaqësuar dhe përfaqëson, kjo do të thotë se nuk është një gjë kaq e thjeshtë. Kjo zor të ketë ngjarë në ndonjë vend tjetër demokratik, ku “ndërhyrja në punët ë tjetrit” të jetë kaq ‘brutale”. Tek e fundit, këto konstatime një diplomat karriere i nivelit të lartë mund t’i shprehë në formë konsideratash pranë organeve të tij eprore, apo në memuaret e tij. Por t’i artikulosh aq fort dhe kaq hapur duke iu drejtuar qytetarëve të një vendi tjetër, kjo nuk është një praktikë normale, e zakonshme. Përkundrazi.

Atëherë ç’e ka shtyrë këtë diplomat elegant të shprehet fare pa “diplomaci”?! Çfarë interesash direkte ka ai në këtë mes? Duke përjashtuar çdo interes të tij të drejtpërdrejtë në Shqipëri, vetiu mendja të shtyn të mendosh se atij i ka “plasur buzën” klasa politike dhe veçanërisht qeveria shqiptare gjatë kohës që ka ushtruar detyrën e ambasadorit të SHBA –ve. Dhe se ai e do Shqipërinë. Ë vërteta është se ai nuk të lë vend për hamendje në deklarimet ë tij të drejtpërdrejta. Ai arrin në ca konkluzione fshikulluese dhe shpesh deklaratat e tij janë thirrje për të sikterrisur këtë klasë politike, që po e zvarrit Shqipërinë në një tranzicion të pa fund. Withers i bën një analizë të pamëshirshme realitetit shqiptar me një elokuencë të rrallë.

I qartë dhe i prerë sa nuk mund t’i lëvizësh presjen. Kjo qeveri nuk qeveris, por sundon, thotë ai duke nënvizuar deformimin e demokracisë dhe arbitraritetin qeveritar, një akuzë jo e vogël kjo. Dhe pasi e gjen normale atë që ka shqiptuar më lart vijon: “Është me rëndësi jetike për Shqipërinë që të gjejë të tjerë udhëheqës, burra dhe gra, të vjetër apo të rinj,…tek të cilët flaka e demokracisë vazhdon të shndrijë.” Ë veçanta kryesore e këtyre mesazheve është gjuha jodiplomatike e një diplomati të rafinuar dhe pozicionimi pa hezitim përkrah shqiptarëve, përkrah popullit shqiptar.

Withers, tashmë i zhveshur nga kostumi i diplomatit, nuk heziton te verë gishtin mbi plagët e demokracisë shqiptare dhe veçanërisht mbi autorët e saj. Mesazhe të tillë, pa asnjë lloj amplifikimi, janë tronditës dhe të pa precedent ne historinë e vendeve demokratike, ku “ndërhyrja në punët e brendshme” e një të huaji është kaq evidente dhe kaq e justifikuar.

Gazeta Shekulli 27.03.2012

Next Post

Pse presidenti duhet të jetë i opozitës

Hën Maj 28 , 2012
Petrit Qejvani Zgjedhja e presidentit që do zëvendësojë z.Topi po paraprihet nga një debat i gjerë politiko-mediatik, duke ngjallur kërshërinë e qytetarëve dhe parashikimet e parapëlqimet e analistëve të ndryshëm për horoskopin presidencial. Ndonëse me “të drejta të kufizuara politike” sërish posti i presidentit është i lakmuar nga palët politike. […]
PetritQejvani