Migjeni i Labërisë, nga Çize Xhaferi

Kallarati ka pasur e ka djem që kur e marrin penën, dinë se ç’shkruajnë. Kohët e fundit është botuar dhe ka mbërritur te lexuesi e në veçanti tek i kallaratasi, libri: “Nënë Duzja e Mumini si Bogonica e Çipini”. Autori i këtij libri është intelektuali i fshatit tonë, z. Llano Llanaj. Ai që në fëmijëri është larguar nga Kallarati. Një gjë e tillë se ka penguar atë që të mbajë lidhje me fshatin dhe njerëzit e tij. Gjithmonë ai e ka kthyer syrin nga vendlindja dhe kurdoherë ka qenë i pranishëm në hallet e problemet e tyre në festa e gëzime e ngjarje të tjera. Llanua është ndër nismëtarët e formimit të shoqatës A/K ‘Kallarati”. Ndihmesa e tij në veprimtarinë e saj ka qenë sistematike. Me botimin e këtij libri nga ana e tij, ajo u bë edhe më e dukshme e më e dobishme.

NeneDuzjaeMumini 1Ai,i shqetësuar, siç shkruan edhe vet në hyrje të librit, se vitet kalonin e do të sillnin harresën dhe dokumenti mund edhe të varfërohej, ndërmori një nismë serioze. Ju përvesh punës e përgatiti monografinë kushtuar birit të Kallaratit, Heroit të Popullit Mumin Selamit e nënës së tij Duze Bajrames.

Tek sa lexon librin, të dy nënë e bir, Duzja e Mumini si në gji të njeri-tjetrit janë vendosur në lartësi, si pishtarë të heroizmave për një jetë të re. Autori, me thjeshtësinë e shkrimit të tij, që në fillim e njeh lexuesin me vlerat patriotike të familjes së Selam Bajramit, i ati i Muminit dhe të fisit të tij Toçaj. Me fakte e dokumente përmes kujtimesh e dorëshkrimeve, këngëve e poezive të popullit, e të bëra pjesë të librit, autori u ndërtoi Heroit të Popullit Mumin Selamit dhe nënës së tij “Shtëpinë e re” me gurë mozaik. Me portretizimin etiko-moral që i bëhet figurës së nëne Duzes, jepen të plota tiparet e femrës kallaratase, që diti të dilte nga errësira mesjetare e të bëhej përçuesja e të resë, e përparimtares. Tek Duze Bajramja lexuesi dallon tiparet burrërore e fisnike të gruas së Labërisë. Ajo la mënjanë hallet e dertet e saj dhe u bë pjesë e jetës së përditshme të fshatarëve, si gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe në vitet e pas çlirimit. Kudo ku i shkeli këmba, me dinjitet e me respekt u dëgjua fjala e saj, jo vetëm në kasollen e fshatarit të thjeshtë, por edhe atje ku luhej fati i lirisë, ku hidheshin themelet e shtetit të ri shqiptar e deri në Kuvendin e Lartë Legjislativ si përfaqësuese e popullit të krahinave të Kurveleshit e të Mesaplikut.

Në qendër të librit, si themel të tij, është vendosur Heroi Mumin Selami, rruga e shkollimit dhe e formimit të tij revolucionar dhe akti i tij sublim për lirinë e atdheut. Përmes faqeve të librit lexuesi njihet për të parën herë me prirjen letrare të Muminit, me ato pak krijime të tij që munden t’u shpëtojnë rrebesheve të luftës, si pjesë nga “Ditari”, skicat: ”Përleshja e të vdekurve”, ”Loti i nënës”‘ etj.

Teksa lexojmë, na duket se kemi përpara Muminin me dy gjerdanë të artë në duar. Njeri shume i madh sikur Shqipërinë të tërë e ka rrethuar. Populli përsipër, Martir i Pare i lirisë së atdheut dhe Hero i tij i ka shkruar. Ai ishte e mbeti i tillë.

Pena e tij në lulëzim, në mes u pre. Ajo ishte pena e gjimnazistit të Tiranës që sa kishte nisur e problemet e kohës i ngrinte me forcë. Teksa lexojmë pjesë nga Ditari i tij, na dalin përpara ato vite kur toka e Kallarati ishte kthyer në front të luftës italo-greke. Kallaratasit me foshnja në duar u kthyen në muhaxhirë. Këtë Mumini s’e duronte e shkruan për ato ditë dhe pyet “Luftë apo paqe”?! Shkruan thellë pena e heroit tonë, i njëjti stil në formë e në përmbajtje me ato të Migjenit. Me shume të drejtë autori Llano Llanaj e quan: Migjeni i Labërisë. Mumini, siç e shikojmë ka shkruar në dialektin e tij, toskërisht, por shumë shprehje e fjalë i ka përshtatur në dialektin e gegërishtes. Janë përpjekjet e para të penës së tij, që rrallë gjenden tek të tjerë, janë përpjekje që kërkojnë të njësojnë dialektet e gjuhës shqipe në një të vetëm. Mumini vjen te lexuesit si i ri vizionar, me mendime të sakta e të koncentruara që janë flamur në breza. Mbi kockat e martireve do të ngrihet atdheu, – shkruan ai. Mendoj se ky citat, me firmën e tij origjinale, duhet të shpalosnin faqen e parë të librit. Për lexuesin libri është me vlera historike, ai ka zvogëluar vakumin e historisë së pashkruar të Kallaratit. Edhe pse në brendësi të tij ka të shfaqura mendime subjektive, përsëritje të panevojshme e mangësi deri në kundërthënie e të tjera. Ky libër lexohet me endje e tashmë është pjesë e bibliotekave tona. Është e drejta e autorit Llano Llanaj që në një ribotim të mundshëm t’i bëjë korrigjimet dhe plotësimet e duhura.

Si lexues e si bashkëfshatar i tij e falënderoj z.Llano Llanaj për punën e bërë dhe uroj që pena e tij të vazhdojë të vihet në shërbim të historisë së kallaratasve.

 

Botuar në Gazetën Kallarati, Nr. 42, Nëntor-Dhjetor 2008

Next Post

Ormën Boro Ribaj (1916–1944). Deshmor i Atdheut

Die Kor 1 , 2012
Lindi në Kallarat më 17 prill 1916. Në dhjetor 1942 futet në radhët e çetës “Mumin Selami”, me detyrë zëvendëskomandant i çetës. Në prill 1944 inkuadrohet në Brigadën VIII Sulmuese. U vra më 8 qershor 1944në Sopik të Gjirokastrës në luftimet e zhvilluara me forcat gjermane. Me vendim të Komitetit […]