NAMIK MEHMETAJ, MËSUESI KALLARATAS QË LA GJURMË DRITE

(Mësues Namiku në kujtesën  e nxënësve, kolegëve, bashkëfshatarëve dhe familjes së tij)

 

 

Nga Besnik Gjonbrataj

Të shumtë janë mësuesit nga Kallarati, që në periudha të ndryshme kanë kontribuar në edukimin dhe arsimimin e brezave të tërë të nxënësve në fshatin e tyre, por edhe në fshatra e qytete të tjera të Shqipërisë, duke lënë mbresa  kujtime dhe emër të mirë si njerëz e si mësimdhënës të talentuar, duke bërë krenar veten e tyre, familjen, por edhe  ne bashkëfshatarët.

Një nga këta është edhe Namik Mehmetaj, i cili karrierën e tij në arsim, përveç tre viteve në Kallarat, e ka patur në fshatrat e rrethit të Vlorës, duke filluar në Sevaster, Brataj dhe në Bolenë, ku doli edhe në pension. Kudo ku punoi mësues Namiku manifestoi cilësitë më të mira të një intelektuali e të një mësuesi, duke lënë një emër të mirë e duke qenë i mjaft i vlerësuar edhe sot nga ish nëxëbnësit dhe kolegët e tij.

Po kush ishte mësues Namiku?

Për ata që nuk e kanë njohur, kryesisht brezi i ri, Namik Mehmetaj ishte i ditëlindjes 1prill 1930, lindur në një familje patriote në Kallarat dhe rritur mes vështirësive të kohës si gjithë bashkëmoshatarët e tij. Në periudhën 1944- 1947 kreu shkollën fillore në Kallarat, ndërsa vitet e tjera të shkollës 7- vjeçare i kreu në Tërbaç. Më tej ai iu fut rrugës së mësuesisë, duke kryer kurse të shkurtra, të cilat i diktonte nevoja urgjente e periudhës së pasluftës për zhdukjen e analfabetizmit.

Mësues Namiku i përket brezit të parë të mësuesve kallaratas të pasluftës. Në vitet 46–50 u çelën kurset disamujore e shkolla një e dyvjeçare, ku u përgatitën mësuesit e parë të Shqipërisë së çliruar. Në vitin 1949 ish-nxënësit e shkollës së Kallaratit, Enver Golloshi, Bilal Breshani e midis tyre edhe Namik Mehmetaj, ndoqën kursin njëvjeçar për mësues në Vlorë. Ata ishin mësuesit e parë të diplomuar për mësuesi, të cilët tërë jetën e tyre ia kushtuan shkollës shqipe, duke dhënë mësim jo vetëm në Kallarat, por edhe në shumë fshatra të tjerë të Vlorës. Pas tyre, të tjerë kallaratas mbaruan kurse e shkollë dyvjeçare të mësuesve si: Hamit Muharremi, Jazo Davaci, Shelege Karabolli, Sami Karabolli e Servet Golloshi, të cilët në vitet 50–60 dhanë mësim në shkollën tonë në Kallarat.

Pas përfundimit të kursit, Namiku për dy vjet rresht 1950-1952 ishte mësues në shkollat e qytetit të Vlorës. Në vitet 1952-1960 mësues në Sevaster, Golimbas e Vajzë të Vlorës. Në vitin 1960 kthehet mësues në vendlindje Kallarat ku qëndroi deri në vitin 1962. Në vitin 1963 dërgohet për kualifikim të mëtejshëm në Tiranë një vit, ku përfundon Gjimnazin “Punëtori” në Qytetin Studenti. Në vitet 1964-1967 u caktua mësues në shkollën e Bratit. Nga viti 1967 deri në vitin 1974 mësues në Bolenë, ku doli edhe në pension të parakohshëm invaliditeti për shkak të sëmundjes së syrit.
Te Namiku ishin gërshetuar mjaft mirë cilësitë e veçanta fizike me ato të karakterit, si njeri i urtë, i qetë, gojëmjaltë, i  i ditur, i dashur me këdo, njeri që rrezatonte kudo kulturë, qytetari, dituri, mirësi, i cili që në takimin e parë të ngjallte respekt. Kush ka patur privilegjin ta kishte Namikun edukator e ka më të lehtë ta përshkruaj atë si mësues dhe si njeri. Por edhe të tjerët bashkëfshatarët e tij mund të flasin me respekt për cilësitë e tij të veçanta si njeri, aq më tepër bashkëshortja, fëmijët dhe të afërmit, miqtë dhe shokët e tij mund të flasin shumë më tepër, për Namikun, si mësues, si bashkëshort, si  prind, si gjysh e më gjerë.

Edhe pse karrierën në arsim për shkak të sëmundjes së shikimit, e mbylli para kohe, siç shprehet një nga kolegët e tij, Çize Xhaferaj: “Namiku ishte dhe mbeti mësues i pasionuar dhe intelektual i formuar”.

Çfarë kujtojnë dhe si e vlerësojnë kolegët dhe ish nxënësit e tij mësues Namikun?

Një nga kolegët e tij, njëkohësisht drejtor i shkollës së Bolenës për 25 vite me radhë, është edhe intelektuali Ruzhdi Bajrami. Ja si e kujton ai sot mësues Namikun:

“Ishte dhjetori i vitit 1972, kur u emërova drejtor shkolle në Bolenë, detyrë të cilën e kreva prej 25 vitesh.

Në ato vite arsimi kishte arritur pika kulmore në zhvillimin cilësor dhe masivizimin e tij në shkallë vendi. Mësuesit që u arsimuan në vitet 50 e këtej, gjatë shekullit të kaluar, punuan me përkushtim në çdo skaj të Shqipërisë, ata i përkasin brezit të artë të atyre viteve, sepse investuan gjithçka për arsimin, kulturën, dijen, shkencën, duke përgatitur breza të tërë nxënësish që i shërbyen atdheut në fusha të ndryshme të jetës shqiptare, duke kthyer Shqipërinë në një vend me arsim e kulturë të zhvilluar, krah vendeve te rajonit tonë. Pjesë e këtij brezi të artë të mësuesve që punuan në arsimin kombëtar e lanë pas gjurmë drite gjatë 3-4 dekadash ishte edhe mësuesi kallaratas, Namik Mehmeti. E gjeta në shkollën e Bolenës, ish aty disa vite, kish punuar edhe në shkolla të tjera të lumit të Vlorës. Me mua punoi gjatë viteve 1972-1975, ku doli dhe në pension. Funksioni si drejtor shkolle më jepte mundësinë të njihja në detaje punën mësimore-edukative të çdo mësuesi, si i tillë e njoha edhe punën e mësues Namikut. Ai me punën plot pasion e përkushtim, sjelljen, urtësinë, komunikimin model me kolegët nxënësit e banorët e Bolenës, la gjurmë të pashlyeshme dritë e dije dhe mbeti në memorien e tyre një mësues model për të cilin ish nxënësit flasin plot respekt edhe sot. Në simbolikën e tij spikatnin tre cilësi themelore:

-Etika e jashtme, pasqyrë për t’u marrë shembull nga kolegët e punës e nxënësit.

-Zelli dhe përkushtimi për profesionin për të transmetuar te nxënësit saktë dijen, shkencën, kulturën.

-Urtësia apostolike gjatë komunikimit të impononte ta dëgjoje me ëndje dhe të mësoje prej tij.
Mësues Namiku dallohej për etikën, jo vetëm në shkollën e Bolenës, por në gjithë brezin e mësuesve të asaj periudhe në lumin e Vlorës. Përherë në shkollë vinte me kostum, kollaro e i llustrosur, binte në sy etika e tij, kjo na sillte në memorie etikën e mësuesve rilindas, që punuan me aq zell për çeljen e shkollave shqipe, arsimin e kulturën kombëtare. Këtë etik ai e kërkonte te nxënësit në veshje e punët mësimore, kolegët e deri te banorët e fshatit, për të çuar te ata, sado pak shijet estetike në veshjet vetjake e jetesën në familje. Thembra e Akilit te ky mësues ishte niveli i lartë psiko – pedagogjik e metodiko – shkencor, si dhe aftësia për transmetimin e saktë të njohurive sipas kërkesave të programeve mësimore dhe formimin e botëkuptimit shkencor te nxënësit për sendet, objektet e dukuritë që jepeshin gjatë procesit mësimor. Dallohej si mësues i mirë. Në Bolenë Namiku si ish drejtues i punës metodike në ciklin e ulët, ndihmoi mësuesit e rinj në përdorimin e metodave mësimdhënëse, efikase, komunikimi me nxënësit, gjuhën e pastër, punët me shkrim për të cilat thoshte: “Mësuesi i mirë duket te punët me shkrim te nxënësit”. Namik Mehmeti ish një mësues model, njohuritë profesionale, etikën dhe kulturën e tij, ai e transmetoi në mënyrë shembullore te kolektivat ku punoi, nxënësit e masat e prindërve tek të cilët gëzoi përherë respektin e tyre. Namiku dhe plejada e tij lanë pas gjurmë drite, në ato vite, kur populli kishte uri më shumë për arsim, dije e kulturë, sesa për bukë. Modele të tilla mësuesish do dëshironim edhe sot, por për fat të keq me ndryshimin e sistemit gjatë demokracisë, arsimi ka marrë goditje të rëndë sidomos në zonat rurale, ku në shumë fshatra janë mbyllur shkollat, si: në Bolenë, Kallarat, Vërmik, Matogjin e qindra të tilla nëpër Shqipëri. Në shkollën e Bolenës punuan edhe 5 mësues të tjerë nga fshati Kallarat, 3 prej tyre kryen funksionin e drejtorit të shkollës si: Bilal Breshani drejtor i parë i shkollës që u hap në vitin 1961, Rami Memushi, sot Profesor Doktor i shkencave gjuhësore, intelektual i përmasave kombëtare, Lefter Hysi (Drejtor) dhe mësuesit Jazo Sinovarfi dhe Hamit Muharremi. Veç Namik Mehmetit në shkollën e Bolenës dhanë kontributin e tyre në zhvillimin e arsimit, kulturës e dijes në ato dekada edhe 5 emrat e përmendur më lartë, puna e të cilëve është pasqyruar në botimin e librit: “Bolena në dritën e dijes” me autor Rruzhdi Bajrami, botim i vitit 2000. Respekte për mësues Namik Mehmetin e gjithë plejadën e tij që punuan në ato vite kudo në arsimin kombëtar e lanë pas gjurmë drite, duke mbetur modele për gjeneratat e ardhshme”-përfundon vlerësimin e tij- drejtor Ruzhdiu..

Kujtim Leskaj, ish mësues dhe drejtor i shkollës së Bolenës në dedikimin që i bën mësues Namikut, ndër të tjera shkruan:

” Shpesh jeta të jep shanse të arta, nga ku të njeh dhe të privilegjon të jetosh, apo punosh për një kohë të caktuar me koleg, shok, apo miq të veçantë.

Unë fatmirësisht e kam pasur këtë shans, ku në profesionin e hershëm si mësues e për një kohë të gjatë drejtues në Shkollën 8-vjecare “Tartar Zifo”, Bolenë të njihem dhe të punoj me shumë koleg, mësues, të cilët kanë lënë mbresa dhe kujtime të rralla në kujtesën dhe ndërgjegjen time.

I tillë ka qenë edhe mësuesi nga Kallarati, Namik Mehmetaj. Sot, që po shkruaj këto rreshta për mësues Namikun, më shfaqet përpara syve si atëherë kolegu, shoku dhe miku i rrallë për mua dhe gjithë kolegët, të cilin e kam adhuruar, respektuar dhe vlerësuar për vlerat e shumta njerëzore, profesionale, por edhe komunikuese, që ai mbarte dhe rezatonte në jetën dhe aktivitetin e tij të përditshëm si prind, si mësues, por edhe si intelektual, qytetar, si mik apo shok.

Me korrektësinë që e karakterizonte në profesionin e mësuesit, por edhe përgatitja e tij profesionale, si dhe pasioni dhe përkushtimi i tij, mua si drejtues i shkollës ma bënte tepër të lehtë punën.Më kujtohet se kur doja ta qetësoja veten për ndonje problem që më dilte, shkoja kontroll në orën e mësimit të mësues Namikut, i cili të qetësonte dhe të freskonte nga ana shpirtërore me organizimin e mrekullueshëm që i bënte orës së mësimit nga ana metodiko – shkencore, por edhe një organizim të përsosur të orës së mësimit duke i aktivizuar të gjithë nxënësit për të marrë pjesë në mësim qoftë gjatë kontrollit të nxënësve, qoftë gjatë dhënies së dijeve të reja.

Ai ishte një mjeshtër i mësimdhënies, ishte tepër i afruar dhe i adhuruar me nxënësit e tij, ishte shumë kërkues ndaj tyre, por edhe tepër metodist.

Namiku nuk pati asnjë rast të vinte në shkollë pa u përgatitur për orët e mësimit. Do të ishte e rrallë që unë të kisha një rast të kundërt e të jashtëzakonshme.

Fjalëmbël ku ato i artikulonte me ngadalë dhe qetësi e ku çdonjëra prej tyre transmentonte mesazhe bashkimi, respekti, shoqërore dhe këshilluese, por dhe profesionale për çdo koleg.

Në portretin e mësues Namikut bie në sy figura e një edukatori sa modest, aq edhe këmbëngulës dhe rezultativ. Gjithmonë model në sjellje, por gjithashtu model në etikën dhe estetikën që e karakterizonte. Një burrë i pashëm, i hekurosur dhe i llustrosur, edhe pse rrugëtimi i përditshëm i tij për të ardhur në punë ishte i largët dhe me terren tepër të vështirë, rruga ishte me shumë baltë dhe e gjatë rreth 40 minuta. Interesante ishte se mësues Namiku kur vinte në mëngjes në shkollë dukej sikur vinte nga “SHESHI I FLAMURIT” të Vlorës, nuk bëhej me baltë as këpucët dhe ne me të qeshur e pyesnim me çfarë ke ardhur? Me çfarë ke ecur? Se ne na beheshin pisë, jo vetëm këpucët, por dhe pantallonat dhe përpara se të futeshim në shkollë duhet të pastronim këpucët dhe pjesën e poshtme të pantallonave, sepse mësuesi duhet të ishte model në klasë edhe nga paraqitja figurative. Kështu mësoheshin edhe nxënësit, të cilët para se të futeshin në shkollë dhe në klasë pastroheshin. Futeshin në garë me njëri-tjetrin se kush do të ishte më i zoti që të vinte në klasë si mësues Namiku. Ai mbeti në kujtesë si mësuesi që kurrë nuk u bë me baltë.

Do të kalojnë vite, sa të jem do të kujtoj, shumë koleg, miq apo shokë, ku kemi lënë gjurmë tek njeri-tjetri. Ishin kohë sa të vështira, por edhe tepër njerëzore.

Namikun do ta kujtoj, me respekt dhe mall, për të gjitha ato vyrtyte të tij të rralla, që përmenda më lartë, por edhe si një person, i cili vlerat e tij ua la trashëgimi të përjetshme fëmijëve të tij, të cilët i takoj me kenaqesi dhe ndihem shumë i lumtur.

Çize Xhaferaj ish mësues dhe drejtor i shkollës në Kallarat, edhe pse direkt nuk ka punuar me Namikun, por si koleg dhe bashkëfshatar i tij shprehet:  

“Mësuesi Namik Mehmeti ishte ndër të rinjtë Kallaratas, që në vitet e para të çlirimit nisi profesionin e mësuesisë.

Për mëse një çerek shekulli ai dha mësim në shkollat e qytetit të Vlorës dhe në disa fshatra të krahinës si: Sevaster, Mesaplik dhe Kurveleshi i Poshtëm. Për herë të parë jam njohur me Namikun në mesin e viteve 50-të të shekullit që kaloi. Në atë kohë unë isha nxënës në shkollën pedagogjike në Vlorë. Në pushimet e verës shkonim e laheshin tek lumi në Koprift. Aty vinin dhe Namiku e Jazo Davaci. Nën rrezet e nxehta të diellit luanim edhe shah.

Në vitin 1960 u emërova mësues në shkollën 7- vjeçare, Horë – Vranisht. Vinin aty për mbledhje edhe mësuesit e fshatrave përrreth si: Namik Mehmeti e Shelege Karabolli nga Kallarati, Xhemil Veli Duka e Salibe Xhuveli nga Vranishti,  Mejdi Skëndaj e Maliq Sulçe nga Mesapliku,  Nimet Balili e Kujtim Leskaj nga Bolena dhe Feti Mezini e Mersin Aga nga Hundë e Xhepe. Në shkollën e Horës jepnin mësim: Sezai Shyti (drejtor), Ferjat Shkurti, Armando Kusha, Bashkim Gjombrati, Çize Xhaferaj, Isak Habili e Merjo Bushi. Të gjithë ishim të rinj e me pasion në punë. Në krye kishim patriotin dhe mësuesin e brezave, të madhin Xhemil Duka. Ai, kur dëgjonte diskutimin dhe fjalët e matura e të qeta të Namikut më thoshte: “Ju, djemtë kallaratas po ndiqni rrugën e mësuesit tim, zotit Meçani”. E kishte fjalën  për Meçan Selamin (nxënës i përzgjedhur i Ismail Qemalit), mësues në Vranisht më 1913. Respekt për këta shokë e kolegë të Namikut.

E takoja Namikun edhe kur isha me punë në shkollën e Drashovicës e Peshkëpisë. Ndodhte që, të tre me Kujtim Hysin shkonim tek burimi në Morrez (mezen na e sillte Namiku) e bisedonim për shkollën e Kallaratit, për bashkëfshatarët tanë kur mësonin në kurset kundër analfabetizmit dhe Namiku në pushimet e veres u jepte mësim. Ai na tregonte për vitet e para të mësuesisë në zonën e Sevasterit, për respektin që gëzonte mësuesi në atë kohë, për fshatarët bujarë që i gjendeshin pranë dhe ndanin me të gjellën tradicionale të fukarasë, për nxënësit që ua ndante lapsin në mes dhe kujdesin që tregonte që nxënësit të shkruanin bukur, pasi ai vet kishte një kaligrafi shumë të bukur.

Namiku ishte i lidhur ngushtë me bashkëfshatarët e tij, u gjendej në të mira e fatkeqësi. Më vonë ai humbi shikimin dhe megjithë përpjekjet dhe kujdesin e shëndetësisë së kohës e sidomos familjes, nuk qe e mundur të shërohej. Kjo bëri që ai të ndahej para kohe nga puna, nga nxënësit, nga shokët. Megjithatë ai në largësi bëhej pjesë e shkollës. I shkonim për vizitë gati çdo 7- Mars me Bilalin, Hamitin, Violetën dhe kolegë të tjerë. Ai kërkonte të inte për  hapat e zhvillimit që merrte shkolla, ishte i dashuruar pas saj. Namik Mehmeti do të kujtohet me respekt nga bashkëfshatarët, nga nxënësit e tij dhe të gjithë ata që e kanë njohur. Ai ishte dhe mbeti mësues i pasionuar dhe intelektual i formuar”.

Xhafo Muçaj, një nga mësuesit e vjetër, njëkohësisht edhe drejtor i shkollës së Bratit, duke i dorëzuar Alimit, djalit të Namikut, librin e tij “100 vjet dritë diturie në Brataj”, botuar me rastin e 100 vjetorit të çeljes së shkollës së parë të fshatit, në shënimin e tij shkruan: “Me respekt, familjes së të ndjerit Namik Mehmetaj, kontribuues me vlera në shkollën e Bratit”

 Alimi, djali i madh, e kujton sot Namikun si prind, por edhe si mësues të tijin. Ja si shprehet ai:

Duke kthyer kokën mbrapa….. (Kujtime për mësuesin dhe babin tim, Namikun)

Sa më shumë vitet kalojnë, aq më i afërt sillet në mendje portreti i babait tonë, Namikut. Lindur e rritur në një familje me traditat më të mira, me dashurinë për punën dhe jetën, babai ynë pati fatin e mirë që nga shtatë motrat e vëllezërit, të merrte një kulturë profesionale pedagogjike të mësuesisë. Si djali i tij, por edhe si ish nxënës i babait, mes kujtimeve të bashkëkohësve dhe të ish nxënësve të tij, ndjehem krenar dhe i respektuar.

Si një pishtar i dritës, ai ndriçoi mendjet dhe zemrat e sa e sa brezave fëmijësh të zonës së Lumit të Vlorës me kulturë e dije me përkushtim e dashuri.

I martuar me Xhixhon, bijë e familjes Skëndaj të Tërbaçit, lindën e rritën 4 fëmijë: Alimin, Shqiponjën, Vjollcën dhe Zamirin. Unë si fëmija i parë, por edhe si nxënës i tij, e kam të skalitur portretin e tij në mendje: i gjatë, me trup të derdhur, me fytyrë të qeshur si të gjyshes. E mbaj mend gjithmonë të kullarisur dhe shumë të kujdesshëm për paraqitjen e jashtme si njeri.

I rritur, i martuar dhe bashkëjetues me prindërit e tij, gjyshin e gjyshen time, ai trashëgoi cilësitë më të mira: sjelljen, urtësinë, dashurinë për punën dhe kujdesin për familjen. Sjell ndërmend bisedat në mbrëmje pranë oxhakut me prindërit e tij, me bashkëshorten, duke folur për hallet e shqetësimet e jetës, por asnjëherë nuk e ngriti zërin.

Si mësues punoi në mjaft shkolla në rrethin e Vlorës si në: Sevaster, Vajzë, qytetin e Vlorës, Kallarat, Brataj e Bolenë. Në vitin 1967 në Brataj, në shkollën e Fushës, unë pata rastin të isha edhe nxënësi i tij i klasës së parë, pra një vartësi dyfishe, e cila ka të mirën por edhe të keqen e vet, por për mua, ky fakt ka qenë mjaft pozitiv. Me sa kujdes e durim punonte me mua çdo mbrëmje që unë të mësoja dhe në klasë ai të ndihej i lehtësuar para opinionit të nxënësve të tjerë. Por me këtë durim e përkushtim ai punonte në klasë me gjithë nxënësit pa dallim.

Nga Bratajt, babi erdhi mësues në Kallarat e pastaj në Bolenë, ku unë nuk u ndava asnjëherë nga “mësuesi im”. Në Bolenë rreth viteve 70-të, i filluan shenjat e para të humbjes së shikimit dhe në vitin 1974 doli në pension të parakohshëm si invalid. Kjo qe goditje e rëndë, për të në radhë të parë, por edhe për krejt familjen. Megjithatë me sytë e zemrës, me dashurinë për profesionin, ai nuk u shkëput kurrë nga jeta shoqërore në fshat e më vonë në qytetin e Vlorës.

Këmbëngulte që edhe ne fëmijët e tij të ndiqnim  gjurmët e një babai, që fëmijët i do të edukuar e të kulturuar. Edhe pse me mungesën e theksuar të shikimit, ai kurrë nuk e shkëputi interesimin për shkollën dhe arsimin në përgjithësi. Në çdo kohë kishte informacion të plotë, pasi përveç neve, duke i lexuar gazetat, nëpërmjet dëgjimit të radios, informacionin më të plotë për arsimin e merrte nga nipi i tij, Hasani, nip i cili trashëgoi profesionin e tij, duke u bërë një nga mësuesit më të mirë e të aftë të matematikës në rrethin e Vlorës.

Edhe pse ai humbi shikimin, me intuitën, me bujarinë dhe shpirtmirësinë tij, përkëdheli nipër e mbesa, të cilëve ju falte dashuri të pafund. Asgjë nuk i mungoi nga familja, kujdesi ynë dhe i bashkëshortes (mamasë) nuk u kursye asnjëherë. Ajo e shoqëronte përkrahu, kudo ku takonte miqtë, shokët e të afërmit e vet.

Kanë kaluar gati 13 vjet që babin nuk e kemi fizikisht, por në kujtesën tonë si fëmijë, ai mbetet një prind shembullor, mësues i përkushtuar, duke na ndriçuar shtigjet e jetës, që ai na udhëhoqi me shumë dashuri e kujdes. Për ne fëmijët, nipërit e mbesat, kujtimi i tij do të jetë një faqe e ndritur në memorien tonë.

Vlerësimet që ka marrë mësues Namiku në punën e tij si mësues.

Vlerësimi më i saktë ngelet vlerësimi që i bëjnë atij ish nxënësit dhe kolegët e tij të shumtë, por shumë domethënëse mbetet  edhe Certifikata e Mirënjohjes, dhënë pas vdekjes nga Këshilli i Bashkisë së Himarës me propozim të Kryesisë së fshatit dhe shoqatës Kallarati më 20 gusht 2016 me rastin e 100 vjetorit të çeljes së shkollës së parë shqipe në Kallarat me motivacionin: “Për kontribut në fushën e mësuesisë dhe edukimit të brezit të ri, mësues i viteve të para pas çlirimit, i cili punoi për 25 vjet rresht me përkushtim e devotshmëri në arsim”.

Në fund, por jo nga rëndësia diçka për familjen.

Namiku ishte martuar në vitin 1958 me Xhixhon, bijë nga fisi i dëgjuar Skëndaj të Tërbaçit, një çift i shkëlqyer, të cilët lindën, rritën, edukuan dhe arsimuan me mundime, por me dinjitet 4 fëmijët: Alimin, Shqiponjën, Vjollcën dhe Zamirin.

Pas daljes në pension të parakohshëm në vitin 1974, për shkak të humbjes në mënyrë graduale të shikimit, në një moshë krejt të re, veç 44, në kulmin e karrierës arsimore, Namiku u detyrua të ndërpresë profesionin e mësuesit, profesion të cilin e dashuronte së tepërmi dhe të qëndronte në shtëpi e të bënte lëvizje të kontrolluara e i shoqëruar. Por pavarësisht humbjes së shikimit ai për asnjë çast nuk u shkëput nga aktivitetet shoqërore në fshat. Ishte bashkëshortja, Xhixhua, e cila do ta shoqëronte Namikun përkrahu si dikur në rininë e tyre në çdo dalje të tij në Kallarat, por edhe në Vlorë i veshur me kostumin e tij karakteristik, kollaren, syzet, patjetër edhe bastunin, veshje kjo e një intelektuali të vërtetë. Por krahas bashkëshortes që nuk iu nda asnjëherë, ishin edhe fëmijët pa dallim që do ta shoqëronin atë e do ta informonin me situatën, me informacionet e ndryshme të shtypit. Familja bëri të pamundurën brenda sistemit shëndetësor publik dhe privat të kohës për përmirësimin e shikimit, por qe e pamundur. Kështu që vitet e fundit deri sa u largua nga jeta në moshën 79 vjeçare, mësues Namiku do t’i kalonte nën kujdesin e vazhdueshëm të familjes, e cila në vitin 1996 u vendos në qytetin e Vlorës.

Më 1 gusht 2009 mësues Namiku mbylli përgjithmonë sytë, por ai kujtohet e do të kujtohet në jetë nga familja si bashkëshort, prind e gjysh i shkëlqyer, nga bashkëfshatarët si një intelektual që dha kontributet e tij në zhdukjen e analfabetizmit dhe edukimin e shkollimin e brezave të tërë fëmijësh nga e gjithë krahina e Lumit të Vlorës, do të kujtohet nga ish nxënësit e tij si një mësues i shkëlqyer, do të kujtohet nga kolegët e tij si një bashkëpunëtorë i mirë.

I tillë ishte dhe mbeti në kujtesën tonë mësues Namiku, “Një mësues i pasionuar dhe intelektual i formuar, një mësues që la rreze drite”.

Shënim: Falënderoj zotërinjtë: Ruzhdi Bajramaj, Çize Xhaferaj dhe Alim Mehmetaj për gatishmërinë e treguar në dhënien e kujtimeve dhe vlerësimeve për mësues Namikun.

 

Besnik Gjonbrataj

Next Post

HYSO XHAFERAJ, BILBILI QË THEU QELQET E QIELLIT ME TINGUJT E ZËRIT TË TIJ.

Mar Mar 29 , 2022
Përmbledhje komentesh, vlerësimesh dhe krijimesh, bërë nga miq, shok, koleg, të afërm, personalitete të artit, kulturës e muzikës shqiptare, për jetën, aktivitetin artistik e shoqëror dhe kontributin në interpretimin e veçantë  e me mjeshtri të këngës labe dhe jo vetëm, të birit të Kallaratit, “Bilbilit të Labërisë”, Hyso Balil Xhaferaj, […]