NGA: FATMIRA NIKOLLI Publikuar te BalkaWweb 06 Shtator 2012 14:54 |
TIRANE-Kërkesa e kryeministrit Berisha, për ndarjen në tekste të veçanta të gjuhës dhe letërsisë në shkolla ka gjetur dje miratimin e një numri të madh të specialistëve. “Gjuha është lëndë lider dhe nuk mund të futet në sqetullën e letërsisë. Kjo kërkon së pari shmangien e metodës klasike dhe kalimin e mësimit të saj me rrokëzim. Nëse përmendim konceptin gjuhë-letërsi nuk bëjmë as gjuhë as letërsi. Prandaj kurrikulat e reja duhet të hyjnë sa më shpejt në përdorim. Gjuha dhe ADN-ja janë dy elementet kryesore të identitetit tonë kombëtar”, – tha Berisha. Menjëherë pas kësaj deklarate, “Gazeta Shqiptare” ka kërkuar mendimin e disa ekspertëve si: Dekani i Fakultetit Filologjik Shezai Rrokaj, profesor Rami Memushaj, profesor Gjovalin Shkurtaj, gjuhëtarja Ledi Shamku Shkreli, pedagogia Aljula Jubani, pedagogia Dhurata Shehri, drejtori i Qendrës së Studimeve Albanologjike Ardian Marashi, akademiku Jorgo Bulo dhe këshilltari i Ministrit të Arsimit, z. Jovan Kristiqi japin mendimin e tyre.
Edhe pse miratimi nuk është i njëtrajtshëm dhe arsyet e tij janë të ndryshme, duket se mosfunksionimi në praktikë i teksteve të ndërthurura (gjuhë + letërsi) është emëruesi i përbashkët. Në një forum të organizuar nga “Gazeta Shqiptare”, ku flasin më të mirët e dy fushave, ideja e shefit të ekzekutivit gjeti mbështetje, madje disa prej gjuhëtarëve u shprehën se kjo ka qenë kërkesa e tyre dhe argumentet për të janë të shumta. Ka vetëm një mendim kategorikisht kundër që i takon gjuhëtares dhe deputetes Ledi Shamku Shkreli, edhe ky tejet i argumentuar, me shembuj dhe raste qartësisht të kuptueshme. Kjo përçarje në mendimin e specialistëve, nuk është krejt e re, nëse kemi parasysh se prej katër vitesh debatet për këtë çështje kanë qenë të shumta. Në këtë vazhdë diskutimesh përzihen disa elementë: Si letërsia e shkruar para gjuhës standarde, dëmi që iu bëhet dialekteve, mosfunksionimi në praktikë i një ideje të mirë siç është ai i ndërthurjes së dy lëndëve, mangësitë e mëdha të nxënësve, studentëve por edhe të ‘inxhinierëve e mjekëve që nuk dinë të flasin e të shkruajnë shqip’ siç duhet. Mendimet e mëposhtme të ekspertëve flasin vetë. Shezai Rrokaj: Libri me dy lëndët, i dështuar Unë kam qe-në dakord për këtë ndarje. Ka dy përvoja, e para që gërshetohen të dyja lëndët dhe e dyta që janë të shkëputura. U provua teksti i gërshetuar, por u krijua një tekst që nuk arriti të harmonizojë problemet e gjuhës dhe letërsisë, dukej si arnim, pa kohezion dhe gjuha kishte përhumbje dhe pak orë. Kemi filluar një betejë katërvjeçare që të arrinim në këtë ditë, madje kemi organizuar një konferencë me 80 punime mbi këtë çështje, të ciklat të botuara bashkë me një relacion ia dërguam Ministrisë së Arsimit. Më vjen mirë që nuk ranë në vesh të shurdhër. Gjuha ka probleme me ngulitjen e saj, është një gjuhë me standardizim të vonshëm. Ka pësuar ndarje gjeopolitike të pazakontë për shkak të ndarjes së kombit dhe ka disa rryma mbi standardin, por edhe problemet mbi dialektet të ndërthurura me komunizmin. Një vit më parë arrita më në fund të kaloj në senat, futjen e orës së gjuhës shqipe në universitet, se na dilnin inxhinierët e mjekët në jetë dhe nuk dinin të shkruanin e të flisnin shqip si duhet. (Dekan i Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë) _________________________________________________________________________ Rami Memushaj: Bashkimi i lëndëve, në praktikë i parealizueshëm Është gjë e njohur që gjuha kërkon kujdesin e pandërprerë të shoqërisë e cila e flet dhe gjuhëtarët këta 20 vjet e kanë qortuar shpesh qëndrimin mënjanë të shtetit lidhur me problemet e gjuhës amtare. Prandaj faktin që kryeministri i vendit shprehet i shqetësuar për dobësitë në mësimin e gjuhës shqipe në shkollë, nuk mund të mos e shohim si një gjë pozitive. Sepse shteti ka në dorë mekanizmat për të bërë përmirësimet e duhura në gjithë hallkat që mund të sigurojnë suksesin në këtë fushë. Këto hallka janë disa dhe në secilën prej tyre vërehen probleme të mprehta: Është shkolla e lartë ku përgatiten mësuesit e gjuhës shqipe, janë mësuesit, tekstet, metodat e mësimdhënies dhe të kontrollit etj. Por të gjitha nuk mund të zgjidhen njëherësh, një nga këto hallka duhet kapur e para. Cilësia e teksteve të gjuhës amtare vërtet lë për të dëshiruar dhe ky është një shqetësim që e ngrenë mësuesit në bazë dhe specialistët e gjuhës, sidomos pedagogët e departamenteve të gjuhës shqipe dhe të letërsisë. Tekstet e traditës kanë qenë veç për gjuhën dhe veç për letërsinë. Me këto tekste kanë mësuar breza të tërë dhe cilësia e formimit gjuhësor dhe letrar të këtyre brezave ka qenë për t’u admiruar. Por vitet e fundit është kaluar në një praktikë tjetër, në atë të integrimit të gjuhës amtare me letërsinë dhe, rrjedhimisht, në hartimin e një teksti të përbashkët. Arsyeja e kësaj shkrirjeje ka qenë shqetësimi se tekstet e veçanta të gjuhës i jepnin më shumë rëndësi zotërimit të njohurive teorike mbi gjuhën sesa përdorimit praktik të saj në rrethana të ndryshme komunikimi, shprehive të të folurit dhe të të shkruarit, për të cilat mësohet në fund të fundit edhe gjuha amtare në shkollë. Në jetësimin e kësaj ideje, hartuesit e programeve dhe autorët e teksteve të integruara të gjuhës janë ndikuar edhe nga përvoja e vendeve të tjera. Mirëpo praktika po tregon se mësimi i gjuhës shqipe me këto tekste të integruara nuk i ka arritur objektivat e synuar. Në rrethet e mësimdhënësve dhe të metodistëve ka kohë që po diskutohet se si mund të dilet nga kjo gjendje. Mësimi i gjuhës nëpërmjet letërsisë është një gjë e bukur në teori, por e vështirë për t’u arritur në praktikë. Ndoshta edhe sepse nuk kemi forca të kualifikuara për jetësimin në praktikë të kësaj ideje me tekste të përshtatshme. Kështu që, përderisa tekste të tilla janë të vështira për t’u hartuar, le t’i kthehemi traditës, e cila ka qenë pozitive. Shkruesi i këtyre radhëve nuk mëton se e njeh përvojën e shkollës perëndimore, por nuk është pajtuar që në fillim me mendimin e përkrahësve të idesë së integrimit të mësimit të gjuhës me letërsinë, sipas të cilëve nuk ka rëndësi zotërimi i sistemit gramatikor të gjuhës, po aftësimi i nxënësve për t’u shprehur me gojë dhe me shkrim në situatat e ndryshme ligjërimore që do t’u paraqiten në jetë. Kjo më duket njëlloj sikur t’i mësosh dikujt të ngasë makinën, po pa pasur njohuri për motorin dhe mekanizmat e saj! Një e metë tjetër që është vënë në dukje edhe në diskutimet e organizuara për këtë problem, është se gjuha sakrifikohet për letërsinë dhe nga ky sakrifikim letërsia nuk fiton, po përkundrazi humbet, pasi copëzohet, shpërqendrohet vëmendja nga vlerat dhe dukuritë letrare në dukuritë gjuhësore etj. Megjithatë, mendojmë se në këtë pikë nuk duhet nxituar. Çështja u duhet lënë për diskutim ekspertëve (specialistëve të gjuhës shqipe dhe të letërsisë, metodistëve dhe mësuesve me përvojë), duke marrë në konsideratë si përvojën botërore, edhe traditën tonë. Dhe në çdo rast, si me tekste të integruara, si me tekste të hartuara në frymën e traditës, duhet ndjekur rruga e eksperimentimit dhe e matjes me metoda rigoroze të rezultateve për të arritur në një vlerësim përfundimtar. Me këtë duam të themi, që nuk duhen hedhur tekste të reja në qarkullim, pa i eksperimentuar më parë për 2-3 vjet në shkolla nivelesh të ndryshme. (Profesor-doktor, pedagog në Fakultetin Filologjik) _________________________________________________________________________ Ledi Shamku-Shkreli: Gërshetimi perfekt, kryeministri të mos merret me gjuhën
_________________________________________________________________________ Ardian Marashi: Ka debate, procesi vazhdon Unë jam kryetar i grupit vendor të Gjuhës dhe Letërsisë që ka ngritur Ministria e Arsimit. Kjo çështje është diskutuar gjatë dhe mendimet kanë qenë të ndryshme. Ka pasur një ngërç të madh në këtë pikë, nëse gjuha dhe letërsia duhen ndarë apo jo, kur duhet të ndahen dhe si mund të vazhdohet. Është vendosur që deri në klasën e 6-të të jenë të integruara, pra bashkë. Ndërsa më tej, jemi ende në fazë diskutimesh, pra për klasën 6-9 dhe për shkollat e mesme. Ka mendime pro dhe kundra, por në komision jemi të gjithë të një mendjeje që të rishikohet lënda për gjimnazin dhe besoj se do të ndahet, sepse këto dy lëndë kanë informacione të ndryshme. Jemi ende në proces. (Drejtor i Qendrës së Studimeve Albanologjike) ___________________________________________________________________________ Aljula Jubani: Ndarja e lëndëve, kërkesë e jona Deklarata e Kryeministrit Berisha është një lajm shumë i mirë, besoj për të gjithë: Studiues të gjuhës, të letërsisë, mësimdhënës dhe këdo që e identifikon veten nëpërmjet gjuhës shqipe. Në disa konferenca të organizuara nga institucione akademike e pedagogjike, në Shqipëri e Kosovë, si edhe në tryeza të organizuara me nismën e MASH-it, ky ka qenë qëndrimi mbizotërues. Për këtë do të mjaftonte edhe një vëzhgim i rastësishëm i përdorimit të gjuhës shqipe nga të gjithë dhe në çdo shtresë të shoqërisë sonë, si edhe analiza e rezultateve të kësaj lënde në maturën shtetërore. Në fillim të viteve ’80, lënda e gjuhës shqipe u hoq nga programi mësimor i shkollave të mesme (përveç atyre pedagogjike dhe të gjuhëve të huaja), duke pasur si qëllim mësimin e saj nëpërmjet letërsisë, si variant i kultivuar i gjuhës. Ky argumentim është tashmë i qartë se nuk është objektiv dhe nuk mbështetet në kritere shkencor, madje reflekton mosnjohjen e asaj që është letërsia dhe marrëdhënien e saj me variantet e ndryshme të gjuhës. Kështu, pas një formimi të mangët në arsimin e detyruar, vijohet në shkollën e mesme të lartë ku zhvillohet një lëndë që nuk është as gjuhë, as letërsi. Flitet se fitoi gjuha me këtë program, por a ka fituar vërtetë? U pranua më në fund që gjuha shqipe të zhvillohej edhe në këtë cikël, por si të ishte një qytetar ilegal u përfshi nën “ombrellën” e letërsisë (e cila ndërkohë u tjetërsua) p.sh.: në klasën e 10-të, nën emërtimin “kulturë gjuhe”, brenda tre orëve duhet të realizohet të mësuarit e stileve të gjuhës, regjistrave, si edhe historia e shkrimit të shqipes, gjë që është e pamundur. Kjo gjendje, mbështetur edhe në rrugën e zhvillimit të gjuhës sonë, si edhe në studimet e deritanishme, duket se mund të përmirësohet vetëm duke i krijuar mësimdhënies së gjuhës në shkollë hapësirat e nevojshme. (Përgjegjëse e Departamentit të Gjuhës, në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë) ___________________________________________________________________________ Jorgo Bulo: Bashkimi i lëndëve, eksperiment i dështuar Është një lajm i mirë kërkesa e kryeministrit. E përshëndes idenë e ndarjes së gjuhës nga letërsia, sepse bashkimi i teksteve ka qenë një eksperiment i dështuar. Me këtë tekst nuk mësohen as gjuha as letërsia. Jam dakord që gjuha është një lëndë lider, ndryshe nga ç’kërkoi kryeministri që vendin e saj t’ia japë anglishtes. (Akademik) Jovan Kristiqi: Gjuha dhe letërsia nuk shkojnë bashkë Ka qenë një problem i madh teksti i integruar dhe jam dakord me ndarjen e lëndëve. Nëse gjuha ka rregulla standarde letërsia është tjetër gjë, dhe të dyja bashkë nuk shkojnë. ___________________________________________________________________________ Dhurata Shehri: Ndarja e dobishme, dëmtohen dialektet Ne kemi katër vite që e kemi kërkuar këtë që ka thënë kryeministri, të dyja katedrat edhe ajo e gjuhës edhe ajo e letërsisë. Kemi propozuar ndarjen në të gjitha ciklet mësimore, sepse letërsia fillon aty ku mbaron gjuha, ajo është shmangie e gjuhës, përdorim figurativ i saj, përdorim i jashtëzakonshëm i saj. Pse duhen ndarë? Gjuha që mësohet në shkollë është standardi, por letërsia ka filluar të shkruhet më herët. Po t’i bësh bashkë gjuhën dhe letërsinë, teorikisht ti për shkak të gjuhës letrare mënjanon letërsinë në dialekte gege dhe toske, dhe kjo në dialekte është më e hershme se ajo në standard. Ka breza të tërë që nuk e njohin letërsinë në dialekte për shkak se ishte e ndaluar para 1990-ës. Që nga 1945, letërsia gege në masën 90% qe e ndaluar. Nëse gjuha e letërsia janë bashkë, atëherë ilustrimi i gjuhës do të bëhet me letërsi në standard. Ka njerëz që thonë se kështu e bën bota, i gërsheton të dyja lëndët. Nuk është e vërtetë. Letërsia jonë ka këtë specifikë që ne e përmendëm më lart, është më e vjetër se sa standardi. Duhet të kemi parasysh se çfarë është kombëtare në kulturën tonë. Kultura jonë, thelbin e saj ka letërsinë, sepse nuk kemi pikturën apo vallen më të zhvilluar se sa letërsinë ne. Kjo ka katër vite që diskutohet dhe debatet janë të mëdha. (Shefja e Departamentit të Letërsisë, Fakulteti Filologjik) __________________________________________________________________________ Gjovalin Shkurtaj: Të ndahen, gjuha shqipe lëndë elitare Jam i gëzuar, madje i ngazëllyer, që zoti Kryeministër, e vlerësoi gjuhën shqipe si lëndë elitare, që do të thotë si lëndë kryesore e formimit të nxënësve në sistemin e shkollimit parauniversitar. Mua personalisht, jo vetëm si gjuhëtar, por edhe si qytetar, si prind, si shqiptar, më ka shqetësuar dhe më është dukur gjithnjë se heqja e gjuhës shqipe nga programi i shkollave të mesme të përgjithshme dhe profesionale nuk ka qenë në të mirë të formimit kulturor dhe atdhetar të brezit të ri. Po rikujtoj se qysh më 1998 në artikullin “Për domosdoshmërinë e rivendosjes së gjuhës shqipe si lëndë mësimore kryesore në shkollën e mesme” kam shprehur shqetësimin se “gjuha shqipe nuk ka më atë rëndësi që duhet të ketë në formimin e përgjithshëm të nxënësve. Kudo në Evropën e qytetëruar, provimi themelor për dëftesën e pjekurisë është gjuha amtare”. Për mua, vendosja e gjuhës shqipe si lëndë mësimore në shkollën e mesme, e ndarë dhe më vete e jo në gji të letërsisë, pikërisht ashtu si cilësohet nga Kryeministri,”si lëndë elitare” do të mirëpritet kudo si në qytetet e mëdha ashtu edhe nëpër krahinat tona. Besoj se do të mirëpritet edhe në trevat shqiptare jashtë Republikës, prandaj, kam qenë, jam dhe ngul këmbë që kjo lëndë jo vetëm të kthehet në shkollën e mesme, por të jetë lëndë me rëndësi, në vendin e vet dhe jo si “shtojcë” apo si “patericë” e letërsisë. Gjuha shqipe nuk ka nevojë t’i zërë diellin asnjë lënde tjetër, po edhe as të jetë nën hijen e ndonjë lënde tjetër, qoftë edhe të letërsisë. Gjuha shqipe i duhet letërsisë, sepse letërsi të bukur pa gjuhë të mirë, të pasur e të kujdesur nuk ka e nuk mund të ketë, porse gjuha shqipe u duhet edhe njerëzve që nuk merren me letërsi, prandaj lidhja me letërsinë nuk është dhe nuk ka pse të jetë e kushtëzuar. Ka pasur e ka shumë njerëz që nuk merren me letërsi,por shkruajnë e flasin shumë bukur, sikundër ka, për fat të keq, edhe aq shumë njerëz që merren me letërsi dhe që shkruajnë aq keq, me fjalor të varfër e me mangësi të mëdha të formimit gjuhësor. Ka pasur një rendje të natyrshme pas gjuhëve të huaja. Kjo është punë shumë e mirë. Hyrja në Evropë nuk bëhet pa njohur gjuhët e mëdha të komunikimit, sidomos anglishten, frëngjishten etj. Mirëpo, të mësosh dhe të vlerësosh gjuhët e huaja, nuk do të thotë aspak të mos vlerësosh (e aq më pak të nënvlerësosh) gjuhën tënde?! Tashti kemi shumë njerëz që i dinë mirë, (ndoshta edhe sa s’ka ku të vejë më mirë), gjuhët e huaja. Kjo duhet vetëm të na gëzojë. Por, kemi pak, shumë pak njerëz që e dinë mirë gjuhën shqipe, që mund ta shkruajnë e ta flasin bukur e pa gabime. Shikoni si flasin e shkruajnë sot pushtetarët, zyrtarët dhe gazetarët tanë! Plot fjalë të huaja të panevojshme, plot shtampa gjuhësh të huaja, të pamira e kundër natyrës së shqipes, me dukuri që tregojnë mosnjohje të plotë jo vetëm të gjuhës së njësuar (standard), po edhe me elemente të çoroditjes së sintaksës. Pra, nuk dimë të flasim e të shkruajmë shqipen, gjuhën tonë amtare, ndërsa mëtojmë (dhe arrijmë përherë e më shumë) të flasim dhe të shkruajmë jo pak gjuhë të tjera. |