Petrit Qejvani Petrit Qejvani, një nga fëmijët e Ago e Asife Qejvanit, me origjinë nga Kallarati i Vlorës, u lind më 1 shkurt 1949 në Gjirokastër. Gjatë viteve 1968-1972 mbaroi studimet në Universitetin e Tiranës, dega Gjuhë-Letërsi dhe më vonë në vitet 1977-1978 kursin pasuniversitar për Kritikë Letrare. Prej disa vitesh 1973-1987 punoi si mësues letërsie, fillimisht në Kukës e më vonë në Llakatund dhe në disa shkolla të qytetit të Vlorës. Në vitet 1987-1990 për tre vjet kreu detyrën e drejtorit të Teatrit të Vlorës. Më vonë për disa vite punoi drejtor në disa shkolla të qytetit po në Vlorë. Karrierën e tij pedagogjike e mbylli si pedagog pranë Departamentit të Gjuhë-Letërsisë në Universitetin “Ismail Qemali” të Vlorës. Pas një sëmundje të rëndë poeti, prozatori, publicisti, kritiku letrar, Petrit Qejvani në gusht 2014 ndahet nga jeta, duke lënë pas një sërë dorëshkrimesh në poezi, prozë, shkrime publicistike dhe kritikë letrare. Sa qe gjallë poeti, me gjithë këmbënguljen e mjaft prej shokëve, miqve, kolegëve dhe të afërme të tij, nuk pati si qëllim, botimin e krijimtarisë së tij, jo të paktë e shumë të vlerësuar, por të shkruante dhe të pëlqehej nga lexuesi i çdo moshe. Sot, kur ende poeti Petrit Qejvani, nuk ka mbushë 6 muaj të ndarjes së tij nga jeta, pikërisht në ditën e tij të lindjes, nën kujdesin e kolegëve të tij, kryesisht të dr. Alisa Velaj, dr. Helena Grillo, vëllezërve dhe motrave të tij në mjediset e bibliotekës Publike “Shevqet Musaraj në Vlorë, u bë e mundur botimi dhe promovimi i librit të tij të parë me poezi të titulluar “Kënga e zogut blu”, redaktuar nga prof. dr. Agim Vinca. Në këtë aktivitet merrnin pjesë poet dhe shkrimtar të qytetit të Vlorës, familjarë, shokë, miq, pedagog dhe studentë të Universitetit “Ismail Qemali”, aktorë të teatrit “Petro Marko”, etj. Ishin të pranishëm edhe shkrimtari, albanolog kosovar, prof. dr. Agim Vinca dhe gjuhëtari i njohur, prof. dr. Rami Memushaj. Aktivitetin e moderoi dr. Alisa Velaj. Për të pranishmit u shfaq një dokumentar nga jeta dhe krijimtaria e poetit Petrit Qejvani dhe më tej u referua nga prof. dr. Agim Vinca, i cili kishte bërë edhe parathënien e librit. Po ashtu folën edhe prof. dr. Rami Memushaj, dr. Helena Grillo, prof. dr. Aristidh Çipa, poetja Laureta Petoshati, poeti Petraq Kote, drejtuesi i Bibliotekës Publike “Shevqet Musaraj” Çlirim Hoxha, dr. Alisa Velaj, kritiku Eqerem Canaj etj. Student dhe aktorë recituan vargje nga vëllimi poetik “Kënga e zogut blu” të poetit Petrit Qejvani. Diçka më tepër rreth këtij vëllimi poetik, për ata që ende nuk e kanë lexuar, mund ta gjejnë më poshtë: Kënga e njeriut të ndershëm, në vend të parathënies, nga prof. dr. Agim Vinca Parathënien librit të Petritit mund t’ia bënte kushdo mik, shok, koleg dhe artist apo shkrimtar që e njohën atë nga afër. Por parathënie e librit është bërë prej njërit prej poetëve më të dëgjuar të kombit shqiptar, pikërisht poetit kosovar prof. dr. Agim Vinca, i cili siç thekson vetë ai, edhe pse me Petritin ishte takuar jo më shumë se tre-katër herë, por kishim shumë gjëra të përbashkëta:”Ndoshta ishim dy shpirtra binjakë, të pakënaqur me këtë botë, me rendin e saj të gjërave, dy njerëz që s’e durojnë të keqen, ligësinë, poshtërsinë, dhe që gjakojnë, që të dy, me gjithë shpirt, më shumë dashuri, jetë, mirësi, çiltërsi, shpirt e jo neps”. Më poshtë në parathënien e tij, poeti Agim Vinca shprehet “Mund të them lirisht se Petrit Qejvanin e kisha mik dhe shok, edhe pse nuk jam takuar me të më shumë se dy-tri herë a, shumë-shumë, tri-katër herë në jetë. Kishte diçka telepatike, që na bënte të merreshim vesh fare mirë me njëri-tjetrin në komunikimet tona të rralla me gojë e me shkrim, të cilat, çuditërisht, u shpeshtuan kah fundi i jetës së tij. Ishim moshatarë, të lindur, të lindur që të dy në të njëjtin vit, unë në brigjet e e një liqeni të bukur, të mbetur jashtë sinorit, kurse ai buzë detit, në qytetin e lavdishëm të Vlorës, emri i të cilit është skalitur në analet e historisë sonë kombëtare. Ndoshta ishim dy shpirtra binjakë, të pakënaqur me këtë botë, me rendin e saj të gjërave, dy njerëz që s’e durojnë të keqen, ligësinë, poshtërsinë dhe që gjakojnë, që të dy, me gjithë shpirt, me shumë dashuri, jetë, mirësi, çiltërsi, shpirt e jo neps. Dhe, doemos edhe më shumë art, poezi, dritë. “Mehr Licht”, siç do të thoshte, në çastet e fundit të jetës, Gëtja i madh, emri i të cilit del, në një kontekst shumë interesant, në vargjet e Petritit. Petriti iku nga kjo botë, përgjithmonë, këtë verë, në fundgushtin e këtij viti të përflakur nga skandali i vjedhjes së Bankës së Shtetit, jo nga bandat e rrugës, por nga njerëzit që punojnë në të, sepse Shqipëria jonë e dashur është vend ku lulëzojnë paradokset si portokallet. Po të mos ishte në grahmat e vdekjes, Petriti do të hidhte në letër me siguri diçka në formë vjershe e artikulli gazete për këtë skandal të paparë, sepse ai urrente mbi gjithçka babëzinë e njerëzve në pushtet. Por jeta nuk i dha afat. Lamtumirë Petrit! Erdha të të takoj në Vlorë, por më thanë se ishte e pamundur. Ti ishe në spital, në reanimacion, ç’ka do të thoshte se ishe nisur tashmë, mjerisht, në rrugën pa kthim, në të cilën do të nisemi të gjithë një ditë, kush më herët e kush më vonë. Të qoftë i lehtë dheu i atdheut dhe i qytetit tënd, që e deshe aq shumë dhe tek jetove gjatë tërë jetës me nder e pa zhurmë! Se ishte intelektual i formuar, e hetova që në takimin e parë, në konferencën shkencore për Petro Markon, mbajtur në Universitetin e Vlorës në vitin 2008. (Në darkë, në hotel, Petriti me Xhevon, Xhevahir Spahiun, kënduan këngë labe. Përpiqeshim t’ua mbanim ison edhe ne të tjerët, që vinim nga zonat në kufi me Toskërinë, ku fillojnë “kufijt’ e Geget”, siç do të thoshte mjeshtri i rrallë i vargut shqip, Dom Ndre Mjeda). Por se ishte edhe poet, poet i ndjerë, lirik, po aq sa i rreptë e sarkastik, tani po e marr vesh. Tani, kur po lexoj poezitë e tij të lëna në dorëshkrim, nisur nga Vlora në Prishtinë nga kolegët dhe mikeshat e tij (dhe të miat), Anisa dhe Helena. Është një shpirt i pasur e i dëlirë, që flet në këto poezi, të cilat na vijnë si një testament. Është një zë i butë lirik, por edhe burrëror, që artikulon mendimin e vet për gjithçka në jetë dhe që gjykon me komën e vet. Dashuria, jeta, vetmia, vdekja, ikja e pashmangshme e kohës, çastet që fluturojnë, ndjesia për gruan, femrën, por dhe lidhja me tokën-mëmë, me Shqipërinë, me Kosovën, me dramën e saj, tonën- të gjitha sublimohen me vargjet e Petrit Qejvanit. Ka shumë mesazhe në to, ndjenjë, mendim, refleksivitet, të shqiptuara kryesisht thjesht, shumë herë drejtpërdrejt, por me një regjistër të pasur mjetesh shprehëse. Këto poezi, sikurse edhe një varg artikujsh kritikë e publicistikë dhe shkrimesh të tjera, të botuara në faqet e shtypit ose të lëna në dorëshkrim, janë fryt i një njeriu me diapazon të gjerë kulturor, letrar, estetik e gjuhësor. Me botë të pasur shpirtërore e fondament të fortë etiko-moral. Janë krijime të një njeriu që është para së gjithash vrojtues i mprehtë i jetës, por edhe njohës i mjeshtërisë së vargut, sidomos të vargut shqip, burimor, klasik e bashkëkohor. Fjala, figura, imazhi, metafora, ritmi, rima, tingulli – të gjithë përbërësit e verbit poetik, vihen në funksion të ndjenjës dhe mendimit; të çastit jetësor që dëshiron ta fiksojë në vargje poeti. “Kur jam me ty, shpesh bie në mendime/ Dhe kujtoj ç’ka më të bukur në botë/ Dhe hëna/ Dhe yjet/ Dhe trëndafilat/ Janë pjellë e një fantazie të kotë./ Asgjë,/ Asgjë,/ Nuk është e bukur sa ti, e dashur./ Dhe hëna/ Dhe yjet/ Dhe trëndafilat/ Nga bukuria jote/ Janë spërkatur”. Poezia e Petritit himnizon bukurinë dhe dashurinë, por ajo rreket edhe me mizorinë e kësaj bote. Konform asaj thënies së famshme të Bodlerit, atit të modernitetit në poezinë evropiane e botërore: “Këndo, muzë, idiotizmin e botës!”. Tranzicioni i egër shqiptar, ngjarjet e 97-s, lufta për pushtet, vrapimi pas parasë e pasurisë, me çdo kusht, pa zgjedhur mjete; tjetërsimi i njeriut, shpërfytyrimi dhe degradimi i tij – janë disa nga problemet që ngre kjo poezi. Vjersha si “Kënga e njeriut të ndershëm”, me notën e tyre të protestës, me vargun sarkastik, me zemërimin e subjektit lirik, ta kujtojnë “Hakërrimin” e Ali Asllanit. “S’e kam zili unë babëzinë/ Gobsekët e rinj që s’i zë gjumi,/ Që përfitojnë nga trafiqet,/ Që pasurohen nga zullumi./ Që shesin me zarfa vende pune,/ Që me tendera vënë miliona,/ Që ngrenë vila mbi varfërinë,/ Që zotërojnë gjithandej prona,/ Që e shqyen copë Shqipërinë/ Kush të marrë llokmën më të madhe/ Dhe mbajnë fjalime mallëngjyese/ Për dashurinë atdhetare!…”. Pas strofave të cituara më lart, lexuesit le të gjykojnë vetë në kam apo nuk kam të drejtë t’i krahasoj këto vargje me ato të poetit të famshëm vlonjate, autorit të “Hanko-Hallës”, i cili , edhe poet i dashurisë (dhe i humorit), u hakërrye dhe s’duroi dot më maskarenjtë që zhvatnin atdheun si qentë në vitit ’40. Është kohë e maskarenjve, përsëri. Tani jo nën pushtuesin fashist këmishazi, e as nën diktaturë, por në “demokraci”. Në atdheun e shqiptarëve lulëzojnë vesi e krimi, gënjeshtra e mashtrimi, hipokrizia e babëzia, dhe sa e sa dukuri të tjera si këto, që fshikullohen pa pardon në vargjet e këtij poeti. Të tilla, fshikulluese, por, në thelb të dhimbshme , janë edhe vjershat: “Pa kokë”, “Për politikën dhe njerëzit”, “Kaos”, “Vëllezër, ulni armët!”, “Ardhja e forcave shumëkombëshe”, “Atdheu im fitimtar dhe i mundur”, “U vra gjelbërimi”, “Si kali në lëmë”, ”Hipokriti”, “Hipokrizi” etj. Në to bucet zëri i poetit qytetar, njeriut rebel, por edhe idealist, që pranon më parë të vuajë e të vdesë sesa të shesë shpirtin dhe ndërgjegjen e vet. Petrit Qejvani godet të keqen në shoqëri, por nuk sheh vetëm zi. Ai e di se përveç horrave, maskarenjve e hajnave ordinerë, në këtë vend ka edhe njerëz që dinë të falin dashuri e miqësi të vërtetë, të sinqertë, pa harruar se ata që janë të gatshëm të luftojnë e të sakrifikohen për liri e dinjitet, vlera këto pa të cilat nuk ka kuptim jeta njerëzore dhe pa të cilat nuk mund të ketë, fundja, as poezi”,- përfundon fjalën e vet poeti Agim Vinca. “Miq prej poezisë, por kurrsesi poetë prej miqësisë”, nga dr. Alisa Velaj Ky është mesazhi që jepte Petriti poetëve të rinj, me të cilën dr. Alisa përfundon fjalën e saj në ditën e promovimit të librit poetik të Petrit Qejvanit, e cila kreu edhe rolin e moderatores së takimit dhe shpesh i duhej edhe të përlotej. Alisa duke dhënë disa refleksion rreth poezive të Petritit do të shprehej: “Duket se poetët zotërojnë një tjetër kohë. Një kohë, ku klishetë për të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen nuk janë njësoj si të qenieve të tjera humane. E kjo nuk është thjeshtë ajo koha poetike që rreken ta pagëzojmë shpesh jopoetët. Është një hapësirë në të cilën, e ardhmja nuk është domosdo ai dimensioni i çasteve të pambërritura ende, apo dimensioni në pritje, sikurse e shkuara nuk është dimensioni i mendimeve dhe përjetimeve të tejkaluara. Për këtë kategori krijuesish, e tashmja zëre se nuk ekziston në formën e saj tradicionale. Ajo plazmohet ose në një të shkuar që është përherë në udhëtim drejt së ardhmes ose në një të tashmë flurore që e projekton vetveten përmes mungesave të së shkuarës. Është kjo trajektorja e perceptuar prej lexuesit teksa përhumbet në poezinë refleksive të Petrit Qejvanit. Koha e ikur pa mbarim dhe pambarimi kohor përkëmben me njëri-tjetrin, si përkëmbehet në udhëtimin tonë tokësor jeta dhe vdekja, fitoret dhe humbjet, melodia e vjetër dhe melodia e re… Ajo paplotësia që herë na robëron me hijen e saj pa dëshirën tonë, e herë jemi vetë ne atdheu i ngjizjes së saj. Ne që e dashurojmë diellin dhe pikëllohemi aq shumë, kur falë një vullneti aspak të arsyeshëm, kuptojmë papritmas, se kemi humbur mundësinë të ngrohemi nën rrezet e tij. E gjithë kjo ndodh, pasi ne sillemi me kohën si të ishim të pavdekshëm dhe koha hakmerret mbi ne me gurë të rëndë malli, që na i mbajnë shpirtrat përherë në një pezulli të pakthyeshme, duke na dhuruar zogj që ngrijnë në mes të këngës dhe lumenj të dalë nga shtrati prej dhimbjes dhe pamundësisë . “Më duhet të bëhem lumë dalurshtratit/ Që të prek bregun tjetër/ Ku je ti/ E shndërruar në mjegull”. Më mungon ti “Dhe shpirtrat do braktisin kufomat tona/ E do shkojnë kushedi ku/ Në formën e avullit apo të tymit…/ Ne asnjëherë nuk do kemi qenë”. Një ditë Nostalgjia për diellin alegorik e shtyn poetin drejt mendimit për vdekjen dhe kotninë e ekzistencës, e zhyt në një melankoli e pikëllim të pambarimtë, ndërkohë që kujtimi i çasteve të bukura të dashurisë e ngre prej fundit të pikëllimit dhe e bën ta dojë jetën me çdo qelizë të shpirtit të tij, aq sa botën e përtejme diku të errët nëpër disa poezi që na vijnë si forma rekuiemi, e paraqet tanimë, thjesht si një prag kalimi drejt një realiteti tjetër, prej nga mund të dëgjojë edhe tingujt e jetës, po qe se banesa e tij e fundit do të jetë pranë bulevardit ku shëtisin çdo çast kalimtarët. Dikur i humbet pesha e nevojshme për ekuilibër, kur ndjen se ëndrra për ta rijetuar të shkuarën është e pamundur, e diku bëhet i ndërgjegjshëm se thëllimet janë të parashikueshëm, dhe pjesë e jetës po aq sa rrezet e diellit. Ndaj edhe i drejtohet së shkuarës me një këshillë që e shtyn t’i thurë një hymn jetës pas çdo rënie të beftë, apo të dashurojë thellësisht veten që ta dashurojnë më pas të tjerët. “Se qiell të hapur/Nuk mund të ketë,/Pa patur qiell të vrenjtur./ Po kryesorja është që ti,/ Më shumë të dish të qeshësh”. Më shumë të dish të qeshësh. E rëndësishme është/ Të mos tradhtosh veten / Kur të tradhtojnë të tjerët”. Jonës së trishtuar Ky dyzim i vazhdueshëm në poezinë refleksive të Petrit Qejvanit, ky shpirt i shqetësuar poetik me kahje sa nga pikëllimi sa nga dalldia, i cili njëkohshëm beson e dyshon në gjithçka, i jep krijimtarisë së poetit, tipare të modernitetit dhe pakohësisë. Kjo lirikë refleksive vjen si kënga dhe klithma e një zogu blu, një zogu të ëndërrt që plagoset e dridhet nga dhimbja, po aq sa joshet nga pambarimi i kaltër, duke qenë shpesh një krijesë dashurie e hapësirave qiellore. Zogu bëhet kështu simbol i poetit rebel, dashurues i pashoq si ai, projektues i dritës dhe i përndritur prej saj, sikurse një trembës i madh, për të mos i humbur gjërat që i ka aq të shtrenjta. Ai ngjiz pafund dritë, që të ketë sadopak dromca të saj në thellësitë e qenies se tij, kur t’i vijë nata pa priture papandehur. Dashuronjës e ndjellakeq krejt i patëkeq sic mund të jenë vetëm poetet e vërtetë! Përtej poezisë, cilësitë e zogut blu, i kishte edhe miku im Petrit Qejvani, në bisedat e përditshme me miqtë e tij më të afërt, dhe nëse ai sot nuk ndodhet më fizikisht midis nesh, poezia e tij origjinale dhe me mesazhe të fuqishme filozofike, do e mbajë në jetë për një kohë shumë të gjatë, për lexuesin e poezisë së vërtetë. Këtë të fundit e them, duke u nisur jo nga Petriti mik, por nga Petriti poet, sepse nëse do e kisha thënë për hatër të miqësisë, kam frikë se një njeri aq i drejtpërdrejtë e objektiv sa ishte Petriti tokësor, do më kishte tundur gishtin në formë pakënaqësie prej hapësirave qiellore ku jeton tani, duke më perifrazuar shprehjen e tij të preferuar: “Miq prej poezisë, por kurrsesi poetë prej miqësisë”!, përfundon kështu fjalën e saj dr. Alisa Velaj. Vlerësimet e bëra në ditën e promovimit të librit nga poet, shkrimtarë, kritikë, etj, pjesëmarrës në këtë aktivitet, lexuesit do t’i gjejnë së shpejti të plota të botuara nga organizatorët e aktivitetit në gazetën “Nacional”, por për lexuesit e kësaj gazetës “Kallarati”, po shkëputim dy prej tyre të cilat shoqërojnë kapakun e librit “Kënga e zogut blu”. Behar Gjoka, kritik dhe shkrimtar: “Poetika e pranisë së amshimit, derdhur në përmbledhjen e librit poetik, si ndjesi dhe ngjyrë, fjalë dhe shprehësi, frymë dhe art, shqiptohet në librin e Petritit me një lirizmizëm të brishtë, që flet me kohën dhe shpirtrat. Ngjizja e poezisë që këngëton me detajin dhe thjeshtësinë e komunikimit, duke ndërthurur poezinë moderne me atë klasike, vjen si faktura më e beftë e ligjërimit të poezisë autoriale, jashtë zyrtaritetit dhe skemave zhurmuese. Poezia e tij, më tepër se sa lexim, kërkon situatë përjetimi, apo një dialog me veten dhe universin e shpirtit, që rrezëllitet në hemisfera ekzistenciale, pa kohë dhe hapësirë. Kjo lirikë, në varg, frymë, kumtet e hapura, teknikën dinamike të vjershërimit, fjalësinë e përzgjedhur, thënëse e shënjuese mbart pentagramin e vet, të një poeti ndryshe që la fjalën në mesin tonë, për lexuesin e gjithëkohësisë, pa drojën se do ta shpërfillin apo përthithin si vlerë”, përfundon vlerësimin e vet Behar Gjoka. Sadik Bejko, studiues dhe pedagog në universitetin e Tiranës: “Në lirikën erotike të Petrit Qejvanit fryjnë herë erëra malli për çdo gjë të shenjtë që ka ikur dhe nuk kthehet dot më, e herë erëra të trazuara prej pluhurit të kuqërremtë të shkretëtirës së shpirtit, kur dashuria ka shtegtuar drejt moskthimit. Në të dyja rastet vargjet e servirin në mënyrën më befasuese dramën e thellë të humbjeve dhe rihumbjeve, ç’ka e bën recepientin ta lexojë këtë lloj lirike, si një ditar që e ka shkruar vetë ky lexues për jetën e tij”, përfundon vlerësimin Sadik Bejko. Sa herë që do të lexojnë krijimtarinë e tij, nëpërmjet poezive të tij të botuara në këtë libër, por edhe prej atyre të lëna në dorëshkrim, të cilat me siguri do të botohen, familjarët, të afërmit, shokët, miqtë, kolegët, studentët e tij, do të kenë në çdo kohë para tyre, “Petritin poet” dhe “Petritin njeri”. Bashkëfshatarët e tij kallaratas do ta kujtojnë Petritin për kontributin e tij ndaj shoqatës dhe gazetës së saj “Kallarati’ dhe në veçanti do ta kujtojnë atë, sa herë të shikojnë filmin dokumentar “Kallarati, një Trojë e Vogël Labe”, realizuar mbi bazën e esesë “Kallarati”, shkruar prej tij në vitin 2012. Aktiviteti u mbyll duke u dhuruar të gjithë të pranishme një kopje falas të librit “Kënga e zogut blu”, si dhe një koktejl dhe drekë në kujtim të jetës dhe veprës së Petrit Qejvanit. Në emër të familjarëve përshëndeti dhe falënderoi të pranishmit vëllai i poetit zoti, Lavdosh Qejvani. Nga Besnik Gjonbrataj Derguar per botim ne gazeten “Kallarati” |