Nuk është Vlora e fëmijërisë,
fustani i vockël prej basme u shkurtua
dhe rrugëzat ( bishtalecat kostëra1 që fuste në gojë )
u zvogëluan, u zvogëluan.
Natën, sa herë nga shtëpia vidheshim
e na mblidhnin këto bishtaleca rrugëza
me shtëpitë e vockëla si rruaza.
Këtu kaloi Flamuri
me palët te koka e bardhë e Ismailit,
ndën këta qemerë,
kërrusur, kur u shkurtua Shqipëria
( një pëllëmbë e gjerë, dy e gjatë ).
Pse? Pyesnim ne dhe shikonim fenerët,
që digjeshin me fitil Rilindjeje.
Ne ishim dhe s’ishim aty
e prap aty ishim,
në këto bishtaleca rrugëza,
me shtëpitë e vockla si rruaza.
1982
1 gërsheta