LETËR BASHKËFSHATARIT RAMI MEMUSHAJ
I nderuar Rami!
Të uroj shëndet ty dhe familjes tënde!
Lexova para pak ditësh në gazetën “Kallarati” shkrimin tuaj: “RRETH PREJARDHJES SË EMRIT KALLARAT”, ku ju, një intelektual me arsim filologjik dhe me gradë të lartë shkencore, Profesor, bënit etimologjinë e emrit Kallarat.
Si gjithë bashkëfshatarëve të mi edhe mua më ka preokupuar gjetja e origjinës së emrit Kallarat.
Sigurisht, për të mbërritur në konkluzione të sakta, ka shumë rrugë. Unë zgjodha mbështetjen te gojëdhënat, folklori, pra te këngët e moçme, thurur ndër shekuj nga të lashtët e gjakut kallaratas. Këto të dhëna i ndërlidha me dokumente të shkruara historike dhe me harta të vjetra të printuara nga kompjuteri.
Nëse i kini parë me vëmendje këto harta, vërehet se në tërë Lumin e Vlorës (emërtim i sotëm), nuk figuron asnjë fshat tjetër, veç atij të Kallaratit (Calarates), si dhe lumi i Kallaratit (R. Calarates). Ky fakt dëshmon më së miri se këto harta janë përpiluar në një kohë mjaft të hershme.
Në shkrimin tuaj: “RRETH PREJARDHJES SË EMRIT KALLARAT”, ju duke përmendur tërthorazi emrin tim thoni: “Ka që e lidhin (prejardhjen e emrit Kallarat) me kalë, thjesht duke u nisur nga ngjashmëria tingëllore dhe duke sjellë si argument, që Kallarati ka qenë vendi i kuajve. Por ky shpjegim, që do ta quaja romantik, nuk qëndron as gjuhësisht as historikisht. Si mund të ketë qenë vend i kuajve një fshat malor, ku vetëm mushka dhe gomari mund të bëjnë punë dhe ku folklori nuk jep asnjë dëshmi të traditës së rritjes së kuajve”?
Faktet që do të rendis më poshtë flasin ndryshe, duke rrëzuar pohimin tuaj. Po i referohemi folklorit, duke cituar disa vargje nga këngët e vjetra të fshatit tonë, me të cilat çdo kallaratas i sotëm është i njohur mjaft mirë me to.
Në një këngë të moçme, që i kushtohet fshatit Kunjovë me 1200 shtëpi, thuhet: “Shtëpitë oda me qelqe/ Me tregti e salltanete/ Kuajt e tyre me shalë/ Jatagan në brez mbajnë/.
Pra, bëhet fjalë për kuaj me shalë, mbasi mushkat dhe gomarët mbajnë samar.
Le të vazhdojmë më tej me një këngë tjetër mjaft të vjetër nga folklori, ku bëhet fjalë për mbledhjen e pleqësive të fshatrave fqinje, për të ndarë midis tyre tokat e kallaratasve, mbas shpërnguljes tragjike të tyre (pasojë e kolerës). Ja se ç’thonë vargjet e kësaj kënge: Mos u merr me Kallarat/ Jo, mos u hyr në hak/ Se do të vijnë një natë/ Me kuajt e tyre me vrap/ Të na shqyejnë me sopatë/.
Pra bëhet fjalë për kuaj, që ecin me vrap e jo për kafshë të tjera që nuk ecin dot me vrap (me revan). Krahas folklorit, le ta trajtojmë edhe historikisht traditën e rritjes së kuajve në kohët e hershme në Kallarat, duke sjellë dokumente skriptive të pakontestueshme.
Në letërkëmbimin e Himarës me mbretërinë e Napolit, në shekullin e XVI, ku kërkohet ndihmë për të përballuar pushtuesit turq, veç informacioneve me shumë vlerë për krahinën, gjejmë edhe disa të dhëna me interes për Kallaratin (Caloairates), ku thuhet se përbëhet nga 80 zjarre (familje) dhe nxjerr 150 burra mbi kuaj, pra kalorës.
Po në këtë letërkëmbim, thuhet se: Cuzej (Kuçi), së bashku me Ceracoricën (fshat rreth 1.5 km larg Kuçit), përbëjnë së bashku 200 zjarre (familje) dhe nxjerrin 200 burra mbi kuaj.
Nga shkrimi juaj: “RRETH PREJARDHJES…” del sikur unë e lidh emrin e fshatit Kallarat me kal(ë), thjesht duke u nisur nga ngjashmëria tingëllore. Për bagazhin kulturor që kam, do të ishte naivitet, po të arrija në një arsyetim të tillë. Në shkrimin tim: “NJË VARIANT MBI ORIGJINËN E EMRIT KALLARAT”, unë jap disa argumente për të përligjur mundësinë e lidhjes së emrit Kallarat me kal(ë), argumente të cilat po i ripërsëris edhe një herë në këtë shkrim.
Me pushtimin e Shqipërisë nga perandoria Bullgare, është i njohur fakti që shumë fshatra, male, lumenj, krahina, “u pagëzuan”, në gjuhën sllave. Edhe fshati ynë, që sipas hartave figuronte me emrin Kalarates, mund të ketë marrë emrin e ri Konjovë.
Mendoj, se ka mundësi, që “Konjovë”, me transformimin e O-së, në U, është kthyer në “Kunjovë”, emër me të cilin njihet edhe sot fshati ynë i lashtë. Rrënja e emrit Konjovë është Konj, që e shqipëruar nga sllavishtja do të thotë kalë.
Le të vazhdojmë me një argument tjetër. Në periudhën e mbretërisë zagolljane u hartua një projekt për heqjen e tërë toponimeve në gjuhë të huaj dhe zëvendësimin e tyre me fjalë shqipe. Në atë projekt, emri i ri i fshatit tonë figuron “Kalori”.
Në shkrimin tuaj: “RRETH PREJARDHJES…”, ju citoni emrin tim dhe të Hiqmet Meçajt, se replikojmë tërthorazi me shpjegimin tuaj, se gjoja ju e lidhni emrin e fshatit me bretkosat. Jam i detyruar të sqaroj, se ne jemi bazuar te f. 148 e Enciklopedisë së Kurveleshit, ku thuhet: “Trajta Calojerates e dokumentit italian, e cila përsëritet edhe në dokumentin grek të vitit 1759, të shpie te rrënja Kallojer. Në Kallarat me këtë emër quhen larvat e zeza të bretkosave”. Ndërsa, as unë as Hiqmeti nuk e kemi ditur se kush është autori i atij zëri të Enciklopedisë në fjalë. Kurse librin tuaj “Historia e Kurveleshit” asnjeri prej nesh nuk e kemi lexuar, sepse nuk na ka rënë në dorë. Rrjedhimisht, në shkrimet tona, as unë e as Hiqmeti, kurrkund nuk e kemi cituar emrin tuaj të nderuar. Kështu që edhe replikimi ynë nuk ka pasur parasysh personin tuaj, por thjesht kemi shprehur mendimin tonë për prejardhjen e emrit Kallarat, duke u nisur nga ç’ka cituam më sipër.
Hiqmet Meçaj, duke u bazuar në ato çfarë shkruhen për Kallaratin, në faqen 148 të Enciklopedisë së Kurveleshit, si dhe në mendimet që shpreh unë, në artikullin e botuar në gazetën Kallarati, shprehet qysh në fillim të shkrimit të tij: “TË DHËNA HISTORIKE PËR KALLARATIN”, se: “Ka disa mendime për emrin e fshatit Kallarat. Ose rrjedh prej emrit kal(ë), ose prej larvave të bretkosave, ose prej fjalës Kallogjer. Nuk do t’u shtoj asgjë këtyre, as do të mbështes ndonjërin, veç do të mundohem të sjell disa të dhëna të tjera, në bazë të dokumenteve që kam rastisur të gjej”, pa asnjë paragjykim apo lënie shtegu për replikim qoftë edhe të tërthortë nga ne me personin tuaj.
I dashur kushëri! Në mbyllje të këtij shkrimi dëshiroj të shënoj se rubrikën “Mendime mbi origjinën e emrit Kallarat e kemi hapur në gazetën tonë unë dhe kryeredaktori i saj, Seit Jonuzaj, me qëllim që, nëpërmjet argumenteve bindëse, të gjejmë gjurmët, të ecim nëpër to derisa të arrijmë te burimi më i mundshëm nga rrjedh emri Kallarat. Rrahja e mendimeve përmes debatit me argumente të ndryshme të çojnë apo të përafrojnë tek e vërteta, te burimi. Por gjithmonë duke vlerësuar e peshuar mendimet ndryshe, pa replikime që nuk i shërbejnë qëllimit dhe dëmtojnë ecurinë e rubrikës.
Shpresoj të jemi mirëkuptuar.
Përqafime, Gafur Shameti
Shënim:
Rubrikën “Mendime mbi prejardhjen e emrit Kallarat të fshatit tonë e hapëm me qëllimin e mirë për të thithur mendimin e atyre intelektualëve kallaratas që kanë formimin e duhur shkencor, historik e gjuhësor, për të arritur në një përfundim që, siç thotë z. Gafur, të na çojë ose të na përafrojë tek burimi i mundshëm.
Është e natyrshme se për këtë çështje duhet të ketë edhe debate, rrahje mendimesh me argumente e kundërargumente. Sepse përmes debateve mund të shkohet tek e vërteta. Por dua të shënoj se në këtë debat nuk duhet përzier toponimi (emri i vendit) i diskutueshëm “Kunjovë” me emrin e fshatit “Kallarat”, sepse Kallarati nuk është quajtur asnjëherë Kunjovë, por vetëm Kallarat, si në vendin e vjetër, ashtu edhe në të riun, ku ndodhet sot. Kunjovë është quajtur e quhet vendi, zona ku shtrihej fshati i Kallaratit para shpërnguljes, por jo fshati vetë. Pra, të merremi vetëm me prejardhjen e emrit Kallarat, Aq më tepër që mua si njohës e përdorues i gjuhëve sllave nuk më del në asnjë fjalor të këtyre gjuhëve fjala Kunjovë, as më vete e as në çerdhen e fjalës konj (kalë). Dhe në këtë rrahje mendimesh, gjykoj se përparësi duhet t’i jepet argumentimit filologjik, pa shpërfillur mendimet dhe argumentet e tjerë për aq sa mund të qëndrojnë.
Seit Jonuzaj
Botuar ne gazeten Kallarati, KALLARATI Nr. 58, korrik-gusht 2011