Nelo Hysaj kish lindur në Kallarat më 27.7.1916 në një familje të varfër, por fisnike e atdhedashëse. Bashkëkohësit e tij Nelon e mbajnë mend si një djalë me trup të bëshëm, të shkathët dhe të palodhur që i pëlqente të merrej me të gjitha punët. Përpiqej t’i vinte në ndihmë sa më shpejtë familjes, e cila, si edhe familjet e tjera të fshatit, vuante për bukën e gojës. I ati, Nazëri, dallohej si njeri fjalëpakë e punëshumë. Nazëri bashkë me të vëllamë, Shaqon, morën pjesë në luftën kundër andartëve grekë më 1914, kur ata sulmuan e dogjën fshatin tonë, si dhe kundër imperialistëve italianë në Luftën e 1920-ës për çlirimin e Vlorës e të rrethinave të saj.
Me vështirësitë e jetës Nelua u njoh shpejtë që sapo filloi të rritej e të burrërohej. Për përballimin e jetës atij iu desh të endej fshatrave të krahinës së Himarës duke ruajtur bagëti dhe shkundur e mbledhur ullinj. Kur u kthye në Kallarat u mor kryesisht me blegtori.
Gjatë Luftës Nacionalçlirimtare, me krijimin e çetës territoriale “Mumin Selami” të fshatit Nelua,në dhjetor 1942, u rreshtua në të, duke marrë pjesë në aksione e luftime të ndryshme që zhvillonte çeta në krahinë e më gjerë kundër pushtuesve. Në nëntor të vitit 1944 ai u rreshtua në radhët e Brigadës 22 partizane, kompania e parë e batalionit të dytë. Kjo brigadë, me urdhër të Komandës së Përgjithshme të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, në dhjetor të vitit 1944 kaloi kufirin shtetëror verior në ndjekje të forcave naziste hitleriane në tërheqje, për t’u ardhur në ndihmë popujve jugosllavë të Malit të Zi e të Sanxhakut për t’u çliruar. Ndeshjen e parë përtej kufirit tonë verior, me luftime të ashpra kundër forcave gjermane, forcat partizane të Brigadës së 22-të Sulmuese, ku bënte pjesë edhe Nelua, e bënë më 3.12.1944 në zonën e Tuzit. Luftime të ashpra kundër forcave naziste u zhvilluan në vazhdim edhe në malin Deçiq të Malit të Zi, duke e detyruar armikun të tërhiqej në thellësi me humbje. Në këto luftime, në të cilat partizanët luftonin me vetmohim, Nelua ishte një nga ata që nuk kursente as jetën e tij. Ai iu ngit malit përpjetë, duke prirur në ballë dhe së bashku me shokët, pushtoi pozicionet e armikut. Me luftime të rrepta, në muajt e parë të dimrit të vitit 1945, forcat e batalionit të dytë të brigadës, duke e mbajtur armikun nën goditje të vazhdueshme, mbërritën në rajonin e Vishegradit, në kodrat e Turvjakut që dominon mbi qytetin me një sistem mbrojtjeje të fortifikuar nga gjermanët. Terreni ishte shumë i thepisur dhe i vështirë, dimri ishte tepër i acartë, me temperatura të ulëta e me borë. Në mëngjesin e datës 21 janar të vitit 1945, forcat e Brigadës së 22-të Sulmuese, së bashku me forca të tjera partizane shqiptare kaluan në mësymje të përgjithshme për çlirimin e qytetit të Vishegradit. Skuadra ku bënte pjesë Nelua dhe shoku i tij Niko Gjoni, ndodhej në ballë të sulmit. Në kohën kur partizanët shqiptarë po përlesheshin me armikun, zjarri i artilerisë dhe i mortajave, i gërshetuar me zjarrin e dëndur të armëve të lehta, e ktheu kodrën e Turvjakut në një lëmsh zjarri, ndërsa partizanët trima, ndër të cilët edhe trimi Nelo Hysaj me Nako Gjinin e shumë të tjerë, çanin përpara. Me luftime trup me trup partizanët e morën kodrën e Turvjakut, por partizanin kallaratas Nelo Nazër Hysaj e mori plumbi i armikut në vetullën e djathtë dhe gjaku i tij skuqi borën e bardhë të maleve të Vishegradit.
Në radhët e Brigadës së 22-të Sulmuese luftëtari Nelo Hysaj u shqua për guxim e trimëri në të gjitha luftimet ku mori pjesë, ashtu siç u kish hije djemve të Kallaratit. Me luftën që bëri përtej kufijve të atdheut tonë, partizani kallaratas Nelo Nazër Hysaj dha një kontribut të vyer për çlirimin e popujve të Jugosllavisë, duke kryer një detyrë internacionaliste në kuadër të Aleancës së madhe antifashiste Anglo-Sovjeto-Amerikane dhe të popujve të tjerë të Evropës së robëruar. Me aktin e tij sublim Nelua i bëri vend vetes në listën e madhe të dëshmorëve të LANÇ dhe të dëshmorëve të tjerë të atdheut. Eshtrat e tij prehen në kodrën e bukur të Varrezave të Dëshmorëve të Vlorës, kundruall Sheshit historik të Flamurit, përkrah dëshmorëve të tjerë të Kallaratit e të gjithë rrethit të Vlorës.
Razip GOLLOSHAJ
Botuar ne Nr. 50 te Gazetes Kallarati 2010