NJË FESTË DINJITOZE DHE NJË VEPRIM I SHËMTUAR
Seit Jonuzaj & Rami Memushaj
Bukur e në mënyrë dinjitoze u zhvillua veprimtaria kushtuar 100-vjetorit të qëndresës së fshatit tonë ndaj bandave shoviniste greke (andartëve). Aq bukur sa u ka bërë përshtypje e po na përgëzojnë shumë të njohur këtu në Vlorë që kanë parë filmimin e festës sonë në Kallarat të transmetuar dy ditë rresht në misionet e TV “6+1” të Vlorës.
Por pa kaluar jehona e kësaj feste, u njoftuam se pllaka simbolike kushtuar luftës së Kallaratit, Kuçit e Bolenës kundër pushtuesve osmanë, e porsangritur në Koprift me mundin dhe kontributin e e kallaratasve të ndershëm, ishte dëmtuar nga keqbërës.Ky është një veprim barbar e dashakeq i ndonjë egërsire që nuk i pëlqen e bukura, që i kundërvihet fshatit të tij, që nuk i pëlqejnë simbolet që flasin për luftërat e trimëritë e kallaratasve në shekuj për liri e pavarësi kombëtare.
Një veprim i tillë ndodhi edhe para pak vjetësh me pllakën përkujtimore të ngritur në Basha. Atëherë u botua një shkrim që e dënonte atë akt, duke shtruar pyetjen: mos ka ndonjë naziskin në Kallarat që hakmerret ndaj fshatit të tij për luftën që u bëri pushtuesve nazifashistë?!
Tani përsëri shtrojmë pyetjen: mos vallë ka ndonjë xhihadist islamik në Kallarat që i vjen keq për luftën e bërë kundër pushtuesve osmanë?! Ky është një veprim tjetër i shëmtuar dhe i turpshëm.
Simbolet që ngrihen tregojnë historinë e fshatit, prandaj çdo njeri që ka në dejet e tij gjak Kallarati, duhet të krenohet me bëmat e fshatit të tij, me trimëritë e të parëve, gjyshërve e stërgjyshërve të tij.
Ne ëndërrojmë e shpresojmë që Kallarati në një të ardhme të bëhet një vend tërheqës për turizëm malor se i ka kushtet natyrore. Por tërheqës nuk e bëjnë vetëm bukuritë e natyrës, por edhe objektet historike, siç janë bustet, lapidarët, pllakat përkujtimore, gërmadhat e Fshatit të Djegur e të tjera.
Prandaj ato duhen ruajtur, mirëmbajtur e shtuar dhe jo të prishen e dëmtohen. Përndryshe, si mund të pritet që në të ardhmen kur të jetë ndërtuar edhe infrastruktura e duhur, të vinë në Kallarat turistë, kur aty do kenë të bëjnë me njerëz të tillë të tillë të egër e pa kulturë që nuk punojnë për ta zbukuruar fshatin, por për ta shëmtuar e dëmtuar.
Këto veprime janë të dënueshme, sepse prishin imazhin e fshatit tonë me histori, e turpërojnë dhe e njollosin atë.
Prandaj duhet të ngrihet i gjithë opinion kundër tyre, të gjenden dhe të vihen para përgjegjësisë penale e shoqërore. Fshati është i vogël, me shumë pak banorë sot, që e njohin mirë njeri tjetrin. Prandaj s`ka si të mos zbulohet e t`I vihet gishti keqbërësit.
Botuar në Gazetën “Kallarati”, nr. 76, Korrik-Gusht 2014