(Intervistë me një nga drejtuesit më jetëgjatë në Kallarat, Luto Demirin (Qejvanaj)
Intervistoi: Besnik GJONBRATAJ
Luto Demiri, është një nga drejtuesit kallaratas më jetëgjatë që për afro 40 vitesh ka punuar dhe drejtuar sektorë të ndryshëm të jetës në Kallarat. Puna e tij nis në vitin 1957, fill me krijimin e kooperativës bujqësore në Kallarat, në moshën 17 vjeçare si blegtor, duke vijuar më vonë brigadier bujqësie, ekonomist plani, përgjegjës sektori për afro 15 vjet, shef kuadri kooperative dhe e mbyll karrierën e tij me shpërbërjen e kooperativës në vitin 1990 po përgjegjës sektori në Kallarat. I zgjedhur për shumë vite në organizatat shoqërore të fshatit, me një eksperiencë dhe dashuri të pakufishme për vendlindjen, njohës i mirë i historisë, problemeve dhe halleve të fshatit dhe banorëve të tij, i njohur dhe i vlerësuar në zonë dhe më gjerë si njeri me virtute të veçanta dhe gjykim të drejtë, aktivist i shoqatës “Kallarati”, dhe mbi të gjitha prind dhe bashkëshort shembullorë. Aktualisht pensionist me banim të përkohshëm në Vlorë, por pa u shkëputur për asnjë çast nga Kallarati i tij i dashur.
Nisur nga detyrat që ka kryer dhe me qëllim për të mësuar diçka, jo për veten e tij, por më tepër të punës së bërë nga banorët e këtij fshati gjatë viteve të pasçlirimit dhe ekzistencës së kooperativës bujqësore, të cilat në një farë mënyre do të shërbejnë edhe si historik i kësaj periudhe, mundëm t’i merrnim atij intervistën e mëposhtme.
Çfarë kujton Lutua nga prindërit, fëmijëria dhe shkollimi i tij.
Në radhë të parë dua t’ju falënderoj për intervistën dhe për punën e palodhur që bëni për ta mbajtur “gjallë” gazetën. Unë quhem Lutfi Sabri Demiri, kam lindur me 1 Janar 1941 në vitin e luftës Italo-Greke (dhjetor 1940- mars 1941) prandaj e kam dhe emrin Lutfi. Prindërit e mi, Sabri Murat Demiri nga Kallarati dhe Trëndafile Pasho Razipi nga Bolena janë martuar në vitin 1935. Të dy prindërit rrjedhin nga familje me tradita patriotike e atdhedashurie, të respektuar nga bashkëfshatarët miqtë dhe shoqëria. Vazhdimisht prindërit janë marr me blegtori dhe pak bujqësi sa për të siguruar nevojat familjare. Sabriu dhe Trëndafilja lindën dhe rritën 9 fëmijë, 3 djem dhe 6 vajza, që të gjithë gëzojnë shëndet të plotë, të martuar me fëmijë dhe nipër e mbesa.
Që në moshë të vogël për t’u ardhur në ndihmë prindërve jam angazhuar me blegtori si në mal në verë ashtu edhe në fshat në dimër. Shkollën fillore e kam kryer në vitet 1949-1953 në Kallarat me mësues Bilal Breshani. Në shtator 1953 fillova shkollën 7-vjeçare në Tiranë në familjen e Sinan Petanit, të cilit i jam shumë mirënjohës që më strehoi në shtëpinë e tij dhe u kujdes jo vetëm në shtëpi por edhe në mbarëvajtjen time në shkollë. Duke qenë se familja e Sinanit ishin familje ushtarakësh gjatë transferimit të tyre në qytete të tjera u kujdesën dhe për transferimin tim në shkolla, e pikërisht në shkollat “10 Korriku”, Tiranë, ”Hysen Laçaj”, Shkodër dhe “11 Janari” po në Tiranë. Kjo lëvizje ka ndikuar edhe në edukimin me kulturën e qyteteve ku unë jetoja, secila me specifikën që kishte, duke qenë se unë vija nga zona të thella malore larg shkollimit dhe kulturës.
Familja, ku unë u shkollova dhe u formova si njeri, më krijoi shumë kushte e mundësi që unë të shkollohem, prandaj shkollën 7-vjeçare e përfundova me rezultate të mira në qershor 1956. Në shtator të vitit 1956 u krijua kooperativa bujqësore dhe familja jonë u fut në kooperativë. Unë si pjesëtari më i ri qëndrova në fshat dhe gradualisht fillova punë në bujqësi dhe në mars të vitit 1957, në moshën 17 vjeçare, vajta në blegtori me blegtorët e dalluar: Hasan Jonuzi, Barjam Goxhi, Qerim Rjepi, Rizo Xhaferi, Bejkush Leskaj e Bujar Hysi, me brigadier Tafil Boro e Azbi Ribi. Në dhjetor 1962 vajta ushtar në Tiranë 2 vjet. Kur u ktheva nga ushtria mundësitë për t’u larguar nga fshati ishin të kufizuara kështu që u angazhova sërish në blegtori, tani më në kooperativën e bashkuar Bolenë-Kallarat. Në shtator 1965 për nevoja kuadri m’u krijua mundësia të ndiqja shkollën e mesme të Teknikumit të kooperativave bujqësore në Tiranë. Po në këtë periudhë u pranova edhe në radhët e Partisë së Punës së Shqipërisë. Shkollën e mesme 3-vjeçare, edhe pse me një shkëputje prej 10 vjetësh nga shkolla, e përfundova me rezultate të shkëlqyera. Gjatë kësaj kohe u angazhova edhe në organet drejtuese të organizatave të partisë dhe rinisë. Gjithashtu gjatë kësaj periudhe 1971-1985 kam kryer dy kurse partie edhe dy kurse për oficer rezervist, secili nga tre muaj. Me këto mbyllet dhe cikli i edukimit dhe shkollimit tim, por dua të përmend që shkollimi dhe kurset më kanë vlejtur në edukimin ideologjik e politik, si dhe në rritjen e aftësive teknike e profesionale, për t’u afirmuar si kuadër dhe për t’u përballuar me detyrat në jetë e me drejtimin e punëve në fushën e prodhimit kudo që kam punuar.
Jeni ndër të paktit që aktivitetin e punës tuaj e keni në Kallarat dhe Bolenë, cilat janë detyrat që keni kryer në kooperativë.
E kam filluar punën si punëtor e blegtor dhe e kam mbyllur si kuadër, një periudhë 40-vjeçare pune në Kallarat dhe Bolenë, dhe për këtë u jam mirënjohës të gjithë bashkëpunëtorëve dhe bashkëfshatarëve që më kanë nderuar e respektuar. Meqenëse m’u dha mundësia ndërmjet intervistës, e ndiej si detyrim moral t’i falënderoj dhe t’ju shpreh konsideratën time për besimin që më kanë dhënë duke më zgjedhur kuadro për rreth 25 vjet.
Detyrat që kam kryer janë në këto 25 vjet janë të shumta, por do të veçoja disa prej tyre. Kështu në vitet 1969-1970 kam qenë brigadier bujqësie në Kallarat; 1971 ekonomist plani në Bolenë; 1972- 1981 përgjegjës sektori në Kallarat; 1981-1988 kryetar i degës së kuadrit, Bolenë-Kallarat; 1988-1990 përgjegjës sektori në Kallarat. Gjatë periudhës 1975-1987 kam kryer dhe detyra shoqërore si sekretar byroje e sekretar organizativ në PPSh.
Duke qenë ndër më të vjetrit, a mund të na bësh një historik të shkurtër të drejtuesve të kooperativës, herë më vete dhe herë e bashkuar me Bolenën që nga krijimi më 1956 dhe derisa u shpërbë aty nga viti 1990?
Në kohën që unë kam nisur të punoj në kooperativë si punëtor brigade dhe blegtor, kooperativa për periudhën 1956- janar1965 ishte nën drejtimin e Salo Rexhepit. Në janar të vitit 1965 me krijimin e kooperativës së bashkuar Bolenë-Kallarat kryetar u zgjodh Metlli Jaupi nga Bolena dhe sekretar partie Salo Rexhepi, Lilo Abazi e Balil Xhaferi. Në vitet 1968-1981 kooperativa ishte nën drejtimin e Riza Sadikut nga Bolena. Vitet 1981-1987 kryetar ishte Kujtim Leskaj nga Bolena. Prej vitit 1987 e deri në shpërbërje kryetar ka qenë Bejo Xhaferi nga Kallarati. Mua m’u dha mundësia të punoj për një kohë të gjatë me të gjithë këta kryetar për të cilët ndaj edhe vlerësimet më të mira për punën e kryer.
Për shumë vite keni qenë përgjegjës sektori në Kallarat, a mund të na thuash cili ka qenë organizimi i tij dhe cilët kanë qenë drejtuesit e tyre në vite?
Sektori Kallarat u krijua me vendim të Komitetit Ekzekutiv të rrethit dhe përbëhej nga 2 brigada bujqësore me 40-50 forca pune, 1 fermë blegtorale me bagëti të imta e kafshë pune, me 25-30 forca pune dhe po ashtu një skuadër ndërtimi, si dhe punonjësit e shërbimeve social-kulturore me rreth 30 veta. Pra sektori varionte me 190-220 forca pune. Kuadro për drejtimin e njësive të prodhimit kanë qenë ndër vite Besim Jonuzi , brigadier bujqësie me eksperiencë për shumë vite, si dhe Azbi Ribi në blegtori. Brigadier kanë qenë Laver Gjombrati, Petrit Habili, Alim Mehmeti, Bexhet Jonuzi, Njazi Xhaferi, Tahir Kondi Afërdita Breshani, Tefta Muharremi etj.
Në kohën e kooperativës, puna në bujqësi e blegtori matej me rendimente që merrnin në misër, grurë, foragjere, mish, qumësht e të tjera, ndërsa të ardhurat e individëve me vlerën e ditës së punës, a mund të na kujtosh ndonjë tregues dhe çfarë vendi Kallarati në krahasim me fshatrat e tjerë të zonës?
Po, është e vërtetë që vlerësimi bëhej me ditë pune dhe në fund të vitit konvertohej në lekë për ditë pune, e cila në periudhën 1970-1990 varionte 140 lekë për ditë pune në vitet e parë 1972-1975 dhe 120-130 lekë për ditë pune në vitet në vazhdim. Çdo forcë pune për burra realizonte mesatarisht 280-300 ditë pune në vit, ndërsa për gratë ishte mesatarisht 230-250 ditë pune në vit. Megjithatë kishte dhe burra që realizonin 300-400 ditë pune e gra që realizonin 250-300 ditë pune. Në blegtori çdo forcë pune realizonte mesatarisht 400-500 ditë pune në vit. Vlera e ditës në punë shkonte 120-130 lekë për ditë pune, çdo forcë pune realizonte 300-350 ditë pune që konvertohet në 40.000-45.000 mijë lekë në vit, sasi e mjaftueshme në krahasim me kooperativat Vranisht – Gjormë, e Smokthinë me përjashtim të Kuçit që qëndronte më lartë.
Kallarati në kohën e kooperativës kishte një sipërfaqe toke prej 129 ha, nga të cilat 109 ha kulturë bujqësore, 19 ha pemishte, 3 ha vreshta. Kullota 250 ha, tokë pyll shkurre 282 ha, tokë e pa shfrytëzuar 72 ha, tokë me ujë të rrjedhshëm 75 ha, tokë me pompa 25 ha, tokë pa ujë rreth 12 ha. Rendimenti më i mirë në kulturën e misrit shkonte 50-70 kv/ha dhe në parcela të veçanta 90 kv/ha. Rendimenti në grurë shkonte nga 25-35 kv/ha dhe në parcela të veçanta 40-50 kv/ha. Rendimenti në qumësht shkonte 40-50 kg nga delet, 50-60 kg nga dhitë dhe 1200-1500 kg/kr nga lopët. Këto rendimente, falë punës së gjithë kooperativistëve, por edhe kuadrit drejtues, sidomos agronomëve e veterinerëve, ishin të kënaqshme për kushtet e zonës tonë.
Pas vitit 1970 me elektrifikimin e vendit, jeta në fshat filloi të ndryshojë me ndërtime të reja social-kulturore, a mund të na thuash diçka më tepër në këtë drejtim dhe sa ndikuan ato në shërbim të banorëve?
Sigurisht që me bashkimin e kooperativës Bolenë-Kallarat gjatë viteve 1965-1980 u bë një punë intensive në të gjitha drejtimet. Kryesisht filloi ndërtimi i shtëpive të reja me nga 2-3 dhoma komode si dhe me tualet brenda, u krye elektrifikimi 100% i fshatit brenda vijës së verdhë, u ndërtuan kopshte-çerdhe me kapacitet 30-40 fëmijë, ambulancë-maternitet me kapacitet 6 shtretër dhe shkolla e re me kapacitet 200 nxënës. U ndërtua lapidari i dëshmorëve dhe vatra e kulturës. U vendosën në funksion 30 ha/tokë nën ujë me pompa të fuqishme në parcelat Gjimuf, Povël, Përroi i Gjorme, Varth; u ndërtuan në kullotat verore dy lera me kapacitet 600kv ujë secila dhe dy depo ujë me kapacitet 400 kv ujë secila; u ndërtuan tre ujësjellës për lagjet Morrëz, Basha dhe Qafa e Ubavit që u sigurua ujë i pijshëm në çdo familje. Të gjitha këto që thamë më lart janë kontribut i popullit punëtor të Kallaratit, i ustallarëve të talentuar dhe duar artë, i blegtorëve të dalluar që gjatë gjithë vitit jetonin larg familjeve.
Në Kallarat krahas kuadrove vendas kanë shërbyer edhe të tjerë nga fshatra dhe qytete të tjera të Shqipërisë, a mund të na kujtosh disa që kanë lënë mbresa dhe kanë punuar më shumë për Kallaratin në çdo sektor qofshin?
Sigurisht forcimi organizativ i ekonomisë, rritja e mirëqenies, rritja e të ardhurave e rendimenteve bujqësore e blegtorale kërkonte kuadro të shkolluar, profesionistë të zotë e drejtues të aftë. Organet drejtuese në rreth e kanë pasur prioritet për të ndihmuar kooperativën tonë. Ndër agronomët që kanë punuar në Kallarat janë: Sami Shyti nga Vranishti, Bedri Dule nga Cmokthina, Petro Milo nga Dhërmiu, Maliq Hiti nga Kuçi, Maliq Beqo nga Vërmiku, Lavdosh Jonuzi e Xhevdet Qejvanaj nga Kallarati. Ekonomistët Mezan Malaj nga Vlora, Myjet Kapaj nga Selenica, Hamdi Barjami nga Vranishti, Teferri Hysaj e Vangjel Bega nga Bolena, Pullumb Gjombrati, Liza Hoxhaj e Tana Ribaj nga Kallarati. Specialist të blegtorisë Zubi Jonuzi, Fejzo Bega nga Bolena, Pelivan Hasani nga Lepenica, Vasil Duma nga Palasa, Dhiogjen Dori nga Lushnja, Lefter Qejvani nga Kallarati etj. Teknik ndërtimi Bastri Hoxha. Të gjithë këta që përmenda më sipër kanë qenë kuadro e specialist të devotshëm të cilët kanë dhënë një kontribut të çmueshëm ekonomisë bujqësore e blegtorale dhe gëzojnë simpatinë dhe respektin e popullit të Kallaratit dhe Bolenës.
Po për drejtimin e pushtetit në fshat, e kam fjalën për këshillin e fshatit, atë të bashkuar dhe deri te kryepleqtë, a mund të na rikujtosh disa prej tyre?
Këshillat Popullor në fshat kanë ekzistuar qysh prej vitit 1944, kurse këshilli i bashkuar u krijua në vitin 1971 me të gjitha funksionet e lokaliteteve. Roli i tyre ka qenë forcimi i ligjshmërisë socialiste, forcimi i rendit kooperativist, ruajtja e pronës kooperativiste si dhe veprimtaria e shërbimeve kulturore në fshat. Rol të veçantë kanë luajtur Salo Rexhepi për rreth 12 vjet dhe Bukuri Barjami nga Bolena për 8 vjet në detyrën e Kryetarit të Këshillit të Bashkuar Bolenë-Kallarat, të dy kuadro të zot që kanë punuar për forcimin dhe gjallërimin e pushtetit në bazë. Në këshillin e fshatit kanë shërbyer Muço Gjombrati, Tafil Ribi, Asqeri Memushi dhe Laver Gjombrati. Pas viteve 90-të, drejtuesit u quajtën kryepleq, e në Kallarat kanë shërbyer me devotshmëri Jazo Davaci, Bilal Breshani ,Ago Jonuzi, , Lefter Qejvani dhe sot Ilir Memushi.
Me organizimin e fundit të pushtetit lokal dhe kalimi me bashkinë e Himarës, a mendon se për kallaratasit do të ndikoj për mirë?
Sigurisht, çdo organizim që bëhet ka si qëllim që të krijoj kushte më të mira për mbijetesën e popullit. Unë mendoj që kushtet dhe mundësitë janë më të mira për arsye se Bregu ka të ardhura dhe resurse më të mira. Turizmi ka më shumë prioritet me bregdetin, por faktori kryesor është rruga e lumit të Vlorës si dhe ndërtimi i rrugës Kallarat-Himarë. Nëse bashkia merr masa për ndërtimin e infrastrukturës, futjen e mekanikës në bujqësi, mirëmbajtjen e kanaleve të ujitjes, dhe krijimin i kushteve për tregtimin e prodhimeve bio do të ishte një mundësi e mirë për zhvillimin e ekonomisë në fshat. Unë kam besim se Bashkia e Himarës me kryetar Gjergji Goro do t’i krijoj këto kushte.
Po organizatat shoqërore çfarë mund të na thoni, dhe sa kanë ndikuar ato për mbarëvajtjen e punëve në fshat në ato vite?
Organizatat shoqërore në fshat ishin forca kryesore drejtuese, edukuese, koordinuese dhe ndikonin drejtpërdrejtë në edukimin e masave kooperativiste. Organizata e Partisë është drejtuar nga shokët Balil Xhaferi, Sulo Hoxha, Tahir Kondi, Njazi Xhaferi, Bastri Hoxha. Drejtues të organizatës së frontit kanë qenë Sulo Hoxha, Mato Mataj, Bilal Breshani, Gjolek Memushi, Ervehe Habili. Organizata e gruas është drejtuar nga Violeta Xhaferi, Vito Xhaferi, Nasipe Breshani. Ndërsa organizatat e rinisë kanë qenë të shumta dhe nuk mund të jap dot një shifër të saktë. Të gjitha këto organizata, duke pasur parasysh sistemin në të cilën ekzistuan, ndikuan në ruajtjen e unitetit brenda nesh si fshat.
Në Kallarat ka pasur burra dhe gra, që pavarësisht moshës, profesionit, arsimit dhe punës që kanë kryer, kanë bërë emër për mirë dhe që mund t’i kujtojmë edhe sot, A mund të na përmendësh disa prej tyre?
Sigurisht në organet drejtuese në fshat ka pasur vazhdimisht njerëz të zotë, të cilët edhe pse pa arsim përkatës, por me eksperiencë, devotshmëri dhe me aftësi drejtuese, siç mund të përmend disa prej tyre që vinin nga lufta fill pas çlirimit të vendit si Veip Balili, Muço Gjombrati, Tafil Ribi, Mato Mataj, Velo Nuro, të cilët punuan me dashuri të madhe për vendlindjen për Kallaratin pa u larguar asnjëherë prej tij, fjala dhe këshillat e tyre vlenin për të gjithë. Të tillë pa diskutim që ka pasur dhe ka edhe në vitet e mëvonshme.
Po bashkëfshatarët me banim larg Kallaratit me punën e tyre, a kanë ndihmuar dhe ndikuar që Kallarati të njihej më tepër?
Bashkëfshatarët me banim jashtë Kallaratit dhe në pozicione pune kuadro, drejtues në institucione të ndryshme të rrethit, kanë ndihmuar shumë në mbarëvajtjen e fshatit dhe kanë dhënë kontribute të veçanta. Kështu mund të përmendim birin e nderuar të Kallaratit, Sihat Tozaj, një kuadro dhe drejtues i devotshëm, i cili ka dhënë një ndihmesë të veçantë duke ndihmuar me kuadro e specialist të përgatitur, po ashtu edhe me mendime e këshilla të vlefshme për mbarëvajtjen në bujqësi e blegtori. Sihati ndihmoi në vendosjen e 4 pompave të vaditjes, duke bërë të mundur shtimin e sipërfaqes vaditëse nga 50% në 90%, gjithashtu edhe në grumbullimin e ndërtimin e shtëpive dhe objekteve social-kulturore. Sheref Memushi, drejtor i Parkut të Naftës në Peshkëpi, ka ndihmuar me makinat e parkut si në ndërtimin e objekteve të fshatit po ashtu dhe në ndërtimin e shtëpive. Gjithashtu një ndihmesë të madhe ka dhënë edhe Parku i Mallrave Vlorë me shoferët e zonës. Por nuk mund të le pa përmendur edhe Hysni Leskaj, bir i Bolenës, kuadro drejtues në disa ndërmarrje në Vlorë, i cili ka ndihmuar në vazhdimësi në të gjitha problematikat e fshatit e sidomos në ndërtimin e lapidarit të dëshmorëve dhe objekteve social-kulturore, si dhe sistemimin e rrugës. Të shumtë janë ata kallaratas të lindur ose me origjinë të prindërve nga Kallarati që në fusha dhe sektorë të ndryshëm të jetës, si në politikë, arsim, bujqësi, mjekësi, sport, kulturë, ushtri kanë arritur të bëhen të dëgjuar në mbarë vendin, biles edhe jashtë tij, duke rritur vlerat tona si fshat.
Le t’i kthehemi pak familjes, së bashku me bashkëshorten Verën, keni lindur, rritur, edukuar dhe arsimuar me sakrificë e mundime 4 vajza dhe 2 djem, ku janë sot dhe a ndjeheni të lumtur me ta?
Kemi lindur, rritur e shkolluar 6 fëmijë, 2 djem e 4 vajza, 5 fëmijë i kam me shkollë të lartë, sigurisht kjo është lumturi dhe kënaqësi, e deri më sot janë në rrugë të mbarë. Në këtë edukim të tyre një rol të rëndësishëm patjetër që ka edhe bashkëshortja, Vera. Njëri nga djemtë, Dorjani, me probleme shëndetësore, edhe pse me gjithë sakrificat dhe mundimet nuk munda ta kuroj. Ai sot është 33 vjeç, falë vullnetit dhe zgjuarsisë që ka na jep dhe ne forca e kurajë. Kurajua e tij na jep forcë ne prindërve, por edhe motrave e vëllait. Ai gëzon respektin e rrethit shoqëror si në fshat edhe në qytet. Vajza e madhe, Loreta, jeton së bashku me bashkëshortin dhe dy fëmijët prej vitesh në Amerikë. Etleva, Englantina dhe Detjoni e kanë krijuar jetën e tyre së bashku me familjet në Vlorë, ndërsa çupa e vogël Valgerta vazhdon ende në thellimin e studimeve të saj.
Si shumë bashkëfshatarë të tjerë që u larguan nga fshati edhe unë u largova në vitin 2012. Ndonëse të tjerët largoheshin për arsye ekonomike ose për një jetesë më të mirë, unë u largova për t’i krijuar kushte sa më të mira djalit. Ne i gëzohemi faktit që ai ka kurajën dhe zgjuarsinë, njeh dhe zhvillon traditat dhe zakonet, por edhe shpreh shpesh dëshirën për të kaluar të paktën muajt e verës në fshat. Për mua jeta në qytet në këtë moshë është pak më e vështirë. Unë në Kallarat kam shtëpinë, bashkëfshatarët, shokët e mi që kam punuar dhe të afërm dhe ndiej kënaqësi tek kaloj kohën e lirë me ata apo dhe duke pirë kafen. Por edhe në qytet kam shumë bashkëfshatarë e shokë me të cilët kalojmë kohën, por edhe angazhohem në aktivitete të ndryshme me shoqatën “Kallarati” apo dhe të shoqatave të fshatrave fqinje.
Sot në fshat jetojnë 30-40 familje të vogla, sigurisht më shumë të moshuar sepse të rinjtë kanë emigruar. Ata pak të rinj që jetojnë në fshat merren kryesisht me blegtori dhe me pak bujqësi. Jeta është e vështirë për shkak të infrastrukturës rrugore, çmimeve të larta të mekanikës bujqësore, por edhe pamundësia e shitjes së këtyre prodhimeve duke qenë se tregu i shitjes është larg dhe shteti nuk ka ndihmuar me subvencionime, por shpresojmë se me riorganizimin e ri me Bashkinë e Himarës të krijohen disa kushte dhe lehtësira sadopak të vogla.
Si për çdo njeri tjetër të intervistuar në gazetën Kallarati, pyetja standard do të ishte, sa i lidhur jeni me shoqatën dhe gazetën e saj, ç’mendim keni për përmirësimin e tyre?
Si gjithë kallaratasit e tjerë edhe unë qysh në fillim kam qenë nismëtar i krijimit të shoqatës. Jam pjesëmarrës aktiv në shoqatë, dhe jam zgjedhur në organet drejtuese të ssaj. Ndjek në vazhdimësi ecurinë dhe problemet e gazetës dhe dua të kërkoj falje që nuk jam shumë aktiv në shkrimin e materialeve, por kjo nuk do të thotë se nuk kam të drejtë të bëj disa vërejtje të vogla. Ka disa shkrime që bien ndesh me realitetin, për ata që i njohin këto vërejtje. nuk i kam personale. Ka shumë bashkëfshatarë që kur lexojnë shtypin distancohen nga gazeta, prandaj unë do të kisha mendim të ketë edhe redaktim dhe sidomos për problemet e fshatit që nuk pranojnë shtrembërime. Problemet apo fenomenet negative që kanë ndodhur nuk duhet të përgjithësohen apo të zmadhohen, ato janë fenomene që krijohen nga “njerëz adoleshent”, apo edhe si rezultat i trashëguar nga e kaluara, por që me kalimin e kohës vjen duke u zhdukur.
Në mbyllje do doja të theksoja se kam besim te shoqata si i vetmi organ që ruan dhe zhvillon traditat dhe zakonet e fshatit dhe gazeta si i vetmi mjet informimi që përcjell dëshmi të gjalla mbi historikun e fshatit, krijimin dhe zhvillimin e tij, përcjelljen tek brezat e rinj të shumë fakteve dhe dëshmive që i mësojnë ndërmjet gazetës. Do të kërkoja nga biznesmenët dhe nga njerëzit e shkolluar të japin sa më shumë kontribute si në mbarëvajtjen e gazetës por edhe në pasurimin e saj. Gjithashtu do të doja të theksoja se është mirë që gazeta të bëhet me sistem abonimi ose me donator. Së fundmi, më falni për ndonjë teprim pa dashje.
Ju faleminderit që më dhatë mundësinë e kësaj interviste, ju uroj gjithë bashkëfshatarëve të mi kudo ndodhen shëndet e lumturi në punë e në familje.
Në emër edhe të lexuesve, redaksia e gazetës falënderon Luton për intervistën mjaft interesante, për këshillat dhe mendimet e sinqerta dhe në të njëjtën kohë i uron atij shëndet dhe lumturi në familje, jetë të gjatë e të lumtur, si dhe sa më shumë kontribut ndaj shoqatës dhe gazetës “Kallarati”.
Botuar ne numrin 86 te gazetes Kallarati, mars-prill 2016