NJERIU QË LUFTOI E PUNOI PËR ATDHEUN, nga Nedin Gjoni

  -Me rastin e 5-vjetorit të ndarjes nga jeta të Hamit Qejvanajt-

Vitet shkojnë shpejt, pa u kuptuar, sepse vetë jeta është e ngarkuar me probleme nga më të ndryshme. Kështu që, kur në biseda kujtohen shokët e ndarë nga jeta, nuk na besohet. Habitemi, si ka mundësi që vitet kaluan kaq shpejt! Harrojmë që ato rrjedhin si ujët e lumit.

Shkrime të kësaj natyre mbase ndokujt i duken të parëndësishme, por për njerëzit e afërt, shokët e miqtë kanë shumë vlera, sepse edhe brezat që do vijnë do kenë interes për të njohur të kaluarën e njerëzve që kanë luftuar e punuar për liri, pavarësi, ndërtim e mbrojtje të atdheut.

Njerëzit e mençur kanë thënë: “ Çfarë ndërtohet-shkatërrohet”; “Çfarë thuhet-harrohet”; “Çfarë shkruhet-mbetet e nuk shuhet”. Pra, duke mbajtur parasysh këto thënie filozofike dhe duke u përqendruar në kujtime gjatë bisedave me shokë e miq, i japim një shtytje mendimit për të shkruar e pasqyruar ngjarje të viteve të rinisë, të luftës e të punës apo të jetës së shokëve tanë që janë ndarë nga jeta. Kujtimet e shkruara nga secili do të bëjnë të mundur që ata të mbeten gjithmonë të paharruar në kujtesën e familjes, shoqërisë e të gjithë të njohurve  në jetën e punën disavjeçare.

Shoku ynë i nderuar dhe i paharruar, Hamit Myrdar Qejvanaj, unda nga jeta, familja, të afërmit, shokët e miqtë më 7 prill 2003 nga një goditje e menjëhershme zemre. Kjo ndodhi,  befasisht, 5 minuta pasi ishte ndarë me shokët. Për ne,shokët, ishte  një lajm tronditës,nga që nuk e prisnim një lajm të tillë. Kështu u shkëput si meteor nga gjiri i familjes dhe i shoqërisë atdhedashësi dhe luftëtari i vendosur i orëve të para i Luftës Nacionalçlirimtare, shoku ynë, Hamiti.

Hamit Qejvanaj u lind në Kallarat më 1927 në një familje të varfër me tradita të hershme atdhetare, nga e cila trashëgoi cilësi e virtyte të larta patriotike. Shkollën fillore e kreu në vendlindje me rezultate shumë të mira. Në pamundësi ekonomike për të vazhduar shkollimin, Hamiti, qysh i mitur, nisi të punojë për t’i ardhur në ndihmë familjes në përballimin e vështirësive ekonomike. Prandaj më 1940 ai shkon për të punuar në Vlorë, si dhe në minierën e serës së Selenicës.

Në Vlorë Hamiti lidhet me të riun revolucionar, sot Heroi i Popullit, Mumin Selami. Prej tij merrte komunikata dhe i shpinte e i shpërndante në fshat. Në këto komunikata propagandohej se kishte ardhur koha për të rrëmbyer armët e për të luftuar, si të parët tanë, kundër pushtuesve të atdheut.

Me fillimin e Lëvizjes Nacionalçlirimtare, shtëpia e Hamitit dhe e familjes së tij në Kallarat u bë një nga bazat e fuqishme mbështetëse të kësaj Lëvizjeje. Vrasja e Muminit më 18 tetor 1942 në Vlorë në përleshje heroike me hordhitë e shumta fashiste, e revoltoi Hamitin dhe i shtoi edhe më shumë  urrejtjen ndaj pushtuesve italianë. Prandaj ai u bë një propagandist edhe më i flaktë për ngritjen e të rinjve në luftë për çlirimin e vendit. Hamiti mori pjesë aktive në aksionet që ndërmerrte çeta territoriale e fshatit.

Në prill 1943 Hamiti, së bashku me të rinj të tjerë kallaratas, rreshtohet në çetën partizane “Haredin Tremishti” të Kurveleshit. Në radhët e kësaj çete që drejtohej nga heronjtë legjendarë të luftës, Asim Zeneli e Xheladin Beqiri (“Karadaku”), Hamiti mori pjesë në të gjitha aksionet e luftimet e kryera prej saj, duke përfshirë edhe luftën e Mezhgoranit. Ai e kujtonte me dhembje humbjen e komisarit të çetës, Asim Zeneli, në atë luftë, i cili ra heroikisht, duke luftuar kundër fashistëve italianë.

Më 7 gusht 1943 Hamiti caktohet në batalionin “Asim Zeneli” me detyrën e skuadërkomandantit. Në aksionet dhe luftimet e çetës e të batalionit Hamiti dallohej për vendosmëri,guxim e trimëri. Prandaj,duke pasur këto cilësi të larta,ai në dhjetor 1943 pranohet në radhët e Partisë Komuniste.

Më 26 janar 1944 me batalionin “Asim Zeneli” bëhet pjesë e Brigadës së 6 Sulmuese partizane të sapo krijuar. Në radhët e këtij formacioni të madh luftarak të lavdishëm të Ushtrisë Partizane Nacionalçlirimtare, Hamiti mori pjesë në të gjitha luftimet që zhvilloi kjo brigadë që nga trevat jugore të Shqipërisë: Përmeti, Zagoria, Bregdeti, Kurveleshi, Dukaj e deri në Labinot, Mirditë, Pukë, Shkodër, Tropojë në veri dhe në vazhdim edhe përtej kufijve veriorë të vendit tonë: në Mal të Zi, Bosnjën jugore, Kosovë e Maqedoni.

Për merita dhe aftësi, Hamiti në maj 1944 caktohet komisar kompanie, detyrë në të cilën u dallua për organizim dhe drejtim të shkathët, duke udhëhequr me shembullin vetjak gjatë gjithë rrugës luftarake të Brigadë së 6 partizane prej rreth 3000 km luftë e marshim në shi e borë, natën e ditën, në vapë e në të ftohtë.

Hamiti nuk fliste kurrë për veten e tij, por kur tregonte për ngjarje të jetuara në luftë, ta kishte ënda ta dëgjoje.

Çlirimi i Shqipërisë Hamitin e gjeti kuadër, me gradën toger, në funksionin e komisarit të kompanisë e më vonë u bë komisar batalioni. Ndërsa në vitet 1950-54, ai kreu detyrën e instruktorit në Drejtorinë Politike të Ushtrisë Popullore. Në vitet 1955-59 Hamiti kreu studimet në Akademinë politike “Lenin” të Moskës.

Me mbarimin e Akademisë u emërua komisar i Akademisë së Aviacionit në Vlorë, detyrë kjo shumë e rëndësishme për përgatitjen e pilotëve të aviacionit ushtarak shqiptar. Më vonë kreu edhe detyra të tjera në sektorin e ekonomisë ushtarake. Kudo ai punoi me përkushtim e ndërgjegje të lartë.

Për merita lufte e pune prej 40 vjetësh, Hamiti ishte dekoruar nga Kuvendi Popullor i kohës me një varg urdhrash e medaljesh lufte e pune dhe gëzonte gradën e kolonelit në rezervë. Ai, pas daljes në pension, militonte në Organizatën e veteranëve të LANÇ dhe ishte një veprimtar i papërtuar politiko shoqëror në lagje ku banonte, duke u mbetur besnik deri në fund idealeve për të cilat luftoi e punoi me atdhetarizëm të madh.

Hamiti ishte edhe një prind dhe edukator i shkëlqyer. Ai me shoqen e tij të jetës, Marjanthin, lindën, rritën e shkolluan 5 fëmijë të vlefshëm për familjen e shoqërinë, të cilët ecin në gjurmët dhe shembullin e prindërve të tyre.

Nedin GJONAJ

Botuar ne gazeten Kallarati  

 

Next Post

DEMIR LATO-NJË NGA OFICERËT E PARË KALLARATAS, nga Hasan Hysi

Hën Gus 13 , 2012
 Demir Lato Haxhiaj, lindur në Kallarat më 1900 në familjen atdhetare të Haxhiajve, ishte një nga oficerët e parë kallaratas të periudhës para Luftës së Dytë Botërore. I ati i Demirit, Lato Lulo, ishte burrë i mençur e atdhedashës i spikatur që kish luftuar me armë në dorë kundër pushtuesve […]