NJOFTIM PËR NDARJE NGA JETA TË HYSO BALIL XHAFERAJ.

Kryesia e shoqatës ”Kallarati” dhe familja Xhaferaj, njofton gjithë bashkëfshatarët e saj dhe jo vetëm, se në datën 27 shkurt 2022, pas një sëmundje të rëndë dhe të papritur, pushoi së rrahuri zemra e birit të fshatit tonë, këngëtarit të dëgjuar të Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore, Hyso Xhaferaj, djali i Balil dhe Fari (ndarë nga jeta) Xhaferaj, vëllai i Bakos, Dafinës e Festime Xhaferaj, bashkëshorti i Meritës, babai i dy djemve, Alvaros dhe Fatjonit.

Varrimi bëhet në varrezat e Sharrës në Tiranë, në datën 28 shkurt 2022, ora 11:00, duke u nisur nga shtëpia e tij: Rruga Muamet Deliu, Pallati A. Pango, Hyrja 1, Ap 4, pranë shkollës “17 Shkurti” .

Hysua u lind në Kallarat të Vlorës më 20 tetor 1966, në një familje me ndjenja të theksuara patriotike e liridashëse, në familjen  Xhaferaj nga prindërit Balil e Fari Xhaferaj. Pasi mbaroi shkollën 8 vjeçare në vendlindje dhe atë të mesme në Brataj, Hysua për disa vite punoi si ushtarak në strukturat e Policisë së Shtetit dhe më vonë jetën ia kushtoi këngës labe.

Kur përmendim emrin Hyso Balili (Xhaferaj), të gjithëve na shkon mendja tek luftëtari i 1914-ës, i cili së bashku me disa bashkëfshatarë të tij dha jetën për mbrojtjen e trojeve të Kallaratit nga sulmet e antardëve grekë. Por një  tjetër person po me këtë emër, një stërnip i tij, u shfaq vitet e fundit me plot dinjitet, por me një ndryshim, këtë radhë jo me forcën e pushkës, por me zërin e tij pushkë, të veçantë e kumbues, të marrësit, kthyesit e hedhësit të këngës  labe, i cili nëpërmjet saj kërkoi të bëjë emër. Dhe ky ishte Hyso Xhaferaj (Balili), të cilin me të drejtë të gjithë e kemi quajtur  “Hysua i këngës labe “

I rritur në një ambient këngëdashës  dhe i pasionuar pas këngës së bukur labe, shumë shpejt Hysua u bë një nga këngëtarët më të mirë e kryesorë të këngës labe kallaratase. Pas shumë vitesh të kënduarit labçe në dasma, sebepesh, festash  të Kallaratit e deri në festivale  folklorike lokale e kombëtare, ku mund të themi se u poq,  me punë e përkushtim arrin të bëhet pjesëtar i një ansambli mjaft të njohur, siç është Ansambli Shtetëror i Këngëve dhe Valleve Popullore, arriti të këndojë e të kontribuojë në këtë ansambël me zërin e tij përkrah artistëve të mëdhenj si Irini  Qirjakos, Hysni Zelës, Nazif Çelës, e plot të tjerëve, kohët e fundit edhe në festivalin Këngës Magjike e grupe të tjera të këngës labe.

Hysua ishte një shok, vëlla, mik, një prind i shkëlqyer, i dashur e i qeshur me të gjithë. Hysua e donte shumë vendlindjen, Kallaratin, Vlorën e Labërinë. Hysua ishte një patriot i flaktë, i cili dashurinë për tdheun e shfaqte nëpërmjet këngës labe, me të cilën u dashurua përjetësisht.

Vlerësime për Hyson:

Me dekret të Presidenti të Republikës nr.9698 dt. 12/07/2016, Hyso Xhaferaj i është dhënë titulli “Naim Frashëri” me motivacionin: “Përçues i spikatur i trashëgimisë folklorike të Kurveleshit të poshtëm, në krahinën e Labërisë. Lëvrues virtuoz i isopolifonisë shqiptare në skenat kombëtare dhe ndërkombëtare”.

Poeti i Madh, Lefter Çipa, e quan Hyson “gur xhevahiri”, “Hyso Xhaferri është një bilbil pranë burimi, por është nga ata bilbila që thyen qelqet e qiellit kur lëshon spiralen e tij vokale nëpërmjet fosforikes labe, pra është një unazë trimi me gur xhevahiri. Hysua është një vlerë  floriri që tingullin edhe pa ta futësh në dhe, edhe ta futësh në zjarr, edhe ta hedhësh në det të kripur nuk i ikën ndriçimi e tingëllimi. Ky është Hyso Xhaferi nga Vlora e madhe  e Labërisë, nga fshati  më i dëgjuar në historinë e Rilindjes Kombëtare, nga Kallarati i Lumit të “bardhë” apo i lumit të “nxituar” që i këndon Ali Asllani. Shteti jo më kot e ka radhitur Hyson në radhët e zërave të bukur të Kombit. Ai është  një nga zërat më të bukur të kombit, sot në këtë epokë që di t’i këndojë historisë pa i prekur jastëkun. Se shkopi i historisë po qëlloi jastëkun e kokës do të thotë ka shkatërruar kombin. Tek ne kombin akoma e mban trashëgimia shpirtërore. Në këtë trashëgimi të kombit shqiptar, Hyso Xhaferi është një gur diamanti, brenda piedestalit të kombit”.

Gazetari i dëgjuar, Aleksander Çipa në shkrimin e tij “Mimoza Kosturi: “Sirena” magjike e polifonisë së gjithëkohshme”, botuar në gazetën Shqip, 24.04.2011  bën këtë vlerësim për Hyso Xhaferin:  “Albumi i Kosturit është një dhuratë e tillë. Në të dominon zëri “i qelqtë dhe i thellë” i Kosturit. Sikundër ildiset në mënyrën po kaq fantastike, zëri i solistit Hyso Xhaferaj, një fenomen  vokal shqiptar, ndaj të cilit çdo kompozitor e muzikant ndihet në faj e kompleks. Është, ai zëri qiellor që shijojmë te kënga e grupit aq të dashur “West side family”, apo te kënga e Aurela Gaçes. Një talent kombëtar me kontribute magjike dhe shfaqje modeste individuale, të cilin Ansambli i Shtetit apo edhe Teatri Kombëtar i Operës kanë arsyen e plotë ta shfaqin si ‘zërin e çuditshëm” të zërave tanë. E kemi fjalën për atë zë, karakterizimin e magjisë reale të tij mund ta bëjmë përmes shprehjes së gjetur metaforike të poetit: “I thyen qelqet e qiellit”.

Shkrimitari, Albert Zholi, në shkrimin “Këngët e Maleve të mia”, shkruar ne 11 Maj 2011 e vlerëson Hyson në këtë mënyrë: Hyso Xhaferaj-  “Një pritës me zë të rrallë, në dhjetëra këngë të mrekullueshme që tashmë janë pjesë e fondit tonë të artë të këngës popullore, solist i Ansamblit Popullor”.

Këngëtarja e madhe, Irini Qirjako e quan Hyson: “Një njohës i labërishtes dhe është hedhës brilant i këngës labe”.

Hysua u nda nga jeta në një moshë të re, në një kohë kur kishte ende ëndrra për jetën dhe këngën, në një kohë që familja, fëmijët, i ati Balili, vëllai dhe motrat, kishin shumë nevojë, por kishte nevojë edhe kënga labe për zërin e tij të veçantë. Me gjithë kujdesin shëndetësor të familjes, edhe pse vetë Hysua ishte tepër optimist, ai nuk mundi të jetojë, se sëmundja u tregua më e fortë, duke e ndarë fizikisht nga familja, shoqëria dhe të gjithë ne, por zërin e tij do ta kemi përherë në këngët e tij.

Kryesi e Shoqatës Kallarati, i shpreh familjes, të afërme, të atit Balilit, vëllait Bakos, motrave Dafinës dhe Festimes, bashkëshortes Meritës dy djemve të tij Alvaros dhe Fatjonit, dhe gjithë fisit Xhaferaj, ngushëllimet më të thella e të sinqerta.

Qoftë i paharruar emri, kujtimi dhe aktiviteti i Tij”

U prehtë paqe pranë nënës së Tij të dashur, Farisë”

Kryesia e Shoqatës Kallarati dhe familja Xhaferaj.

 

 

 

 

.

Besnik Gjonbrataj

Next Post

NAMIK MEHMETAJ, MËSUESI KALLARATAS QË LA GJURMË DRITE

Sht Mar 12 , 2022
(Mësues Namiku në kujtesën  e nxënësve, kolegëve, bashkëfshatarëve dhe familjes së tij)     Nga Besnik Gjonbrataj Të shumtë janë mësuesit nga Kallarati, që në periudha të ndryshme kanë kontribuar në edukimin dhe arsimimin e brezave të tërë të nxënësve në fshatin e tyre, por edhe në fshatra e qytete […]