ORIK*, POEZI

Hiqmet Mecaj

Këneta fle, ka dymijë vjet,
në gji të saj fle një qytet.

Në gjumë dhe statujat janë,
baltë e kallama mbi to ranë.

E shpuar koha me shigjeta,
në zë bretkose e mbytur jeta.

Gjëmon nën dallgë historia,
ku dashuria! Ku tragjedia! 

Mbi gjethe reje, lule e artë,
një diell çel, një hënë hap.

Këtu jam unë, sa shekuj s’di,
njeri unë jam, s’jam perëndi.

Prita hordhi, prita shigjeta,
ndukur e puthur vdekja dhe jeta.

Në këngë zogu, në një dafinë,
çelej liria me plagë në brinjë.

Këneta fle, ka dymijë vjet,
në gjoksin tim fle një qytet.

1986
*botohet  siç ka qenë