Lindi në Kallarat në vitin 1906. Gjatë periudhës 1929–1934 kryen studimet në Akademinë e Artilerisë në Itali, në specialitetin artileri kundërajrore. U kthye në atdhe dhe hyri në shërbimin ushtarak me detyrë komandant baterie. Në mëngjesin e 7 prillit 939, në krye të baterisë që komandonte, niset nga Elbasani dhe mbërrin në Bestrovë të Vlorës. Aty, në bashkëpunim edhe me një batalion këmbësorie organizojnë qëndresën kundër kolonës së bersalierëve italianë që kishin zbarkuar në Skelë të Vlorës, duke penguar përparimin e tyre. Vetëm ditën e dytë trupat fashiste mundën të vijonin rrugën për në Fier.
Pas çlirimit u rikthye në shërbimin ushtarak, duke punuar për rimëkëmbjen e kësaj arme dhe kualifikimin e kuadrave të rinj të ardhur nga rreshtat partizane. Më 1947 lirohet dhe kthehet sërish në vendlindje, ku qëndroi derisa mbylli sytë. Ndonëse i shpërfillur nga regjimi, shtëpia e tij mbeti e hapur, sidomos për oficerët dhe studentët kallaratas, që, sa ktheheshin për pushime, shkonin ta takonin në oazin e bukur të Qesarules, që e kishte qëndisur me duart e veta me perime e pemë të shumta.
Marre nga Libri “Enciklopedia e Kurveleshit”