Pak nga jeta dhe aktiviteti i Duze Hamedin Barjami (1890–1960)

Lindi më 15 gusht 1890 në Bolenë. U martua në Kallarat me Selam Barjamin, hoxhë i fshatit. Rinia dhe mosha e mesme e saj përkojnë me periudhën e ngjarjeve të rëndësishme për fatet e Kurveleshit dhe të mbarë atdheut. Këto ngjarje, sidomos pushtimi fashist i vendit, ndikuan fuqishëm në mbrujtjen e saj me ndjenja atdhetare. Bisedat me të birin, Muminin, gjatë kohës që ai qe i internuar në Kallarat, i çelën sytë mëmë Duzes, duke bërë t’i shtohej urrejtja për pushtuesit e t’i forcohej bindja se fashizmi ishte për vendin si një murtajë e keqe, që duhej zhdukur me luftë.

Ajo ishte e sigurt se djali i saj kishte zgjedhur rrugën e duhur dhe i jepte të drejtë atij, duke ia mbështetur mendimet dhe veprimtarinë kundër fashizmit, pa iu trembur syri nga asgjë. Vdekja e djalit ia shtoi edhe më tepër urrejtjen për fashistët mëmë Duzes dhe ia rriti vendosmërinë për të luftuar kundër tyre. Ajo përshkoi gjithë fshatrat e Zonës së Parë Operative Vlorë-Gjirokastër, duke ua ngritur peshë zemrat njerëzve me fjalën e saj të zjarrtë. “Detyra e mëmave është t’i shtyjnë bijtë e tyre në luftën e madhe për të fituar lirinë, për të fituar historinë e Shqipërisë”,– u bënte ajo thirrje nënave shqiptare. Ajo u bë një agjitatore e flaktë që, me shembullin dhe fjalën e saj, ngrinte lart moralin e njerëzve edhe në momentet e vështira të operacioneve fashisto-naziste.

Qysh në ato vite emri i mëmë Duzes u bë i njohur në tërë Labërinë dhe, më pastaj, në gjithë Shqipërinë. Në Kongresin I të BGSH, të mbajtur në Berat në tetor 1944, ajo mori pjesë si delegate e ish-qarkut të Gjirokastrës dhe u zgjodh anëtare e Këshillit të Përgjithshëm të BGASH-it.

Edhe pas Çlirimit ajo nuk e ndërpreu veprimtarinë e saj shoqërore, mori pjesë. Edhe pse në moshë të thyer, ajo punoi krahas të rinjve e të rejave për rindërtimin e shtëpive të djegura e të shkatërruara dhe mori pjesë në aksionet kombëtare të rinisë. Kur më 1949 u zgjodh deputete në legjislaturën e dytë të Kuvendit Popullor, mëmë Duzja ndodhej vullnetare në hekurudhën Peqin–Elbasan.

Mëmë Duzja mori pjesë edhe në delegacione jashtë vendit, duke përfaqësuar denjësisht gruan shqiptare dhe nënat e dëshmorëve e të heronjve.

Për veprimtarinë e shquar atdhetare, mëmë Duzja është nderuar me shumë dekorata e medalje nga Presidiumi i Kuvendit Popullor.

Marre nga Libri “Enciklopedia e Kurveleshit”

Next Post

Luftimet me grekun në Kallarat (Korrik 1914).

Sht Gus 18 , 2012
 Luftime vetëmbrojtëse të kallaratasve kundër forcave andarte greke. Në vijim të pushtimit të vijave të fundit në Kurvelesh, deri 300 forca greke të përbëra nga ushtarë dhe andartë, të veshur të gjithë me rroba civile, të ardhura rishtas nga Korfuzi nën komandën e kapiten Leonidhës, në mëngjesin e 14 korrikut, […]