PËR POLITIKËN DHE POPULLIN

Të pasurit kërkojnë të bëhen më të pasur

Të varfërit të mos jenë më të farfër.

-Zgjidhja ?

-?

 


Por kjo botë kështu është ndërtuar

Dhe sherret do zhurmojnë gjithë jetën.

Të pasurit do mendojnë si të pasur

Të varfërit, si të varfër patjetër.


Dhe kjo për arsyen e thjeshtë

Se si jeton dhe mendon njeriu.

I pasuri gjithë botën e do në pjatë

Bukën e përditshme do i varfri, fatziu.


Dhe sikur të ndrronin vendet për një çast,

Prapë në botë s’do kishte barazi.

Të pasurit si të varfër do mendonin

Të varfërit si të pasur, gjithsesi.


Prandaj nuk është e lehtë t’i gjesh fillin

Kësaj bote të pleksur keq e mos më keq.

Shpesh djalli shfaqet i bardhë si engjëll

Dhe engjëlli më i zi se një dreq.


Dhe që të qetësohet zemërata

Politika gjeti zgjedhjen e lume:

Një herë turmat votojnë djathtas

Kur zhgënjehen, pastaj majtas sulen.


Dhe në këtë lojë dinake e të ashpër

Platea paguan nga të dy anët

Kurse politikanët gjuhëgjatë

Ndërrojnë karriket e radhës…


-2-


Por turma prapë shpreson, harron e gjora

Dhe sërish në mitingje pas oratorëve…

Buçasin sheshet nga thirrjet patetike:

‘Kësaj radhe do zgjidhen hallet tona’.


Ata që premtuan parajsën nëpër sheshe

U ngjitë tani lart, në qeveri.

Fytyrëngrysur, të menduar,

Që seriozisht punojnë për lumturi!


Të kujt? Të turmave është e pamundur!

S’mund të ketë lumturi kolektive…

Prandaj, me sedër, i zë gjumi në shkresa

Për lumturinë e familjeve të tyre…


I keni pare sa humanë janë?!

Si leshen e përleshen për popullin e varfër

Vërtet janë skena sentimentale, prekëse..

Dhe populli kështu i ndjen më afër..


I keni parë kur flasin për varfërinë

Në stërintervista e stërtakime?

I keni parë unazat prej sheikësh nëpër gishta?

Disa prej tyre si homo përdridhen.


Shikoni si ngrehosen politikanët tanë,

Veturat luksoze,të gjithë me ‘Mercedes’

Shikoni si ju shkëlqejnë faqet, kostumet firmato,

Që në botë vetem një miliarder i vesh.


Shikoni deputetët, shumë prej tyre ordinerë,

As sa qytetari mesatar i këtij vendi,

Marrin poza duke folur, që të shkulin të vjellat,

Duke lexuar tekstet, që s’ua pret mendja.


Tekste që ua kanë shkruar të tjerët

Për njëqind euro apo dollarë

Nga ata të redaksive të gazetave

Apo të tjerë intelektualë.


Dhe s’kuptojnë asgjë nga ato që thonë

Byk e kashtë, mjerane oratoria…

Dhe pastaj, po deshe, thuaj je përfaqësuar

Në Kuvend, ku merr vendime  Shqipëria.


Ne duhet të kemi më shumë respekt për veten,

Që të na respektojnë politikanët më pas.

Po kur zgjedh deputetë tregtarë gjelash,

Nuk ke si pret vezën, po glasën…


Kështu nuk mund të presësh fat tjetër

Nga ky, që jemi ngopur gjer tani.

Ndaj zgjidhja është: të dish të zgjedhësh,

Të shpresosh një jetë më të denjë si njeri.


Më kot ankohemi në punë, në shetitje

Na lodhën këta politikanë mediokër, zevzekë.

Fajin e kemi  vetë: o të zgjedhim ata që duhen,

O të bojkotojmë masivisht zgjedhjet!


Ky do të ishte mësimi më i mirë

Që mund të japim për të mirën e përgjithshme,

Ndryshe zgjedhjet janë një lodër e radhës

Dhe ne të gjithë-viktima të mërzitshme.


Dhe që të fillojë të ndreqet diçka

Të zgjedhurit t’i propozojë populli,jo partia

Kështu së paku është gjysma e së keqes

Dhe na mbete ne përgjegjësia.


Po njerëzit kurrë nuk do të kënaqen,

Se ata që hypin lart, njëlloj mendojnë.

Prandaj të bëhen gati për durim të gjatë

Dhe më mirë do të ishte të… ëndërrojnë..



Petrit Qejvani.


 

Next Post

PËR DY SEKSET

Die Pri 19 , 2020
  Femrat janë seksi i bukur Këtë të vërtetë kushdo e thotë Por nuk do të kishte asnjë vlerë Sikur të mos kish burra në botë…   etrit Qejvani, 2014